Në sfondin e zhvillimeve të tensionuara rreth Iranit, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu raportohet se i ka kërkuar presidentit amerikan Donald Trump të shtyjë një sulm të mundshëm amerikan, ndërsa Uashingtoni po rishqyrton situatën dhe mban të hapura të gjitha opsionet. Lajmi raportohet nga “New York Times”, sipas të cilit Trump dhe Netanyahu kanë zhvilluar një bisedë telefonike të mërkurën për këtë çështje.
Po atë ditë, Trump deklaroi se kishte informacione “nga burime të besueshme” se vrasjet e protestuesve në Iran kishin ndalur, duke lënë të kuptohet se po largohej nga kërcënimet e fundit për një ndërhyrje ushtarake.
Pas këtij raportimi, televizioni izraelit Channel 12 transmetoi se Izraeli u ka bërë të ditur Shteteve të Bashkuara se, ndonëse mbështet çdo vendim amerikan, aktualisht nuk po ushtron presion për një goditje ushtarake. Sipas burimeve të këtij rrjeti, një sulm amerikan mbetet ende një mundësi, ndërsa Uashingtoni vazhdon vlerësimin e situatës.
Edhe Shtëpia e Bardhë konfirmoi se Trump ka zhvilluar së fundmi një bisedë me kryeministrin izraelit, pa dhënë detaje mbi përmbajtjen e saj. Ndërkohë, “Wall Street Journal” raporton se këshilltarët e Trump e kanë paralajmëruar atë se një sulm i gjerë kundër Iranit nuk do të rrëzonte regjimin dhe do të mbartte rrezik serioz për përshkallëzim rajonal.
Sipas zyrtarëve amerikanë, Uashingtoni po vëzhgon mënyrën se si Teherani po menaxhon protestat e brendshme, përpara se të vendosë për shkallën e një sulmi të mundshëm. Këshilltarët kanë theksuar gjithashtu se SHBA do të kishte nevojë për më shumë forca ushtarake në Lindjen e Mesme, si për një goditje të gjerë, ashtu edhe për mbrojtjen e trupave dhe aleatëve në rast kundërpërgjigjeje iraniane.
Megjithatë, Trump ka kërkuar që forcat amerikane në rajon të jenë në gatishmëri të plotë, në rast se jep urdhër për një sulm të madh. “Presidenti dhe ekipi i tij ia kanë bërë të qartë regjimit iranian se, nëse vrasjet vazhdojnë, do të ketë pasoja serioze”, deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.
Në të njëjtën kohë, aleatë kyç të SHBA-së në rajon, përfshirë Turqinë, Katarin dhe Arabinë Saudite, i kanë bërë thirrje Trump që të mos ndërmarrë një sulm ndaj Iranit. Sipas mediave amerikane, Irani ka paralajmëruar se në rast sulmi do të godasë baza amerikane në rajon, me bazën e madhe në Katar që konsiderohet si objektivi më i mundshëm.
Pavarësisht thirrjeve për përmbajtje, Trump pritet t’i japë urdhër Pentagonit për të zhvendosur aeroplanmbajtësen USS Abraham Lincoln nga Deti i Kinës Jugore drejt Lindjes së Mesme, një lëvizje që pritet të zgjasë rreth një javë.
Prisni deri neser .