Një konservator fitoi raundin e parë, por më pas... Brenda konklavës që zgjodhi papën e parë amerikan

1 Mars 2026, 13:50Bota TEMA
Një konservator fitoi raundin e parë, por më pas... Brenda

Filmi “Konklava” ofron një vështrim tërheqës, edhe pse fiktiv, prapa skenave të zgjedhjes sw fshehtw të një pape të ri. Megjithatw, konklava reale e vitit të kaluar ishte po aq dramatike, me plot kthesa të papritura, beteja politike mes kardinalëve dhe një rezultat surprizë.

Një libër i ri hedh dritë mbi mënyrën se si, në maj 2025, Papa Leo XIV u zgjodh si papa i parë i lindur në SHBA në historinë 2,000-vjeçare të Kishës Katolike. Autorët tregojnë me detaje të padëgjuara më parë se si Kardinali Robert Prevost, një fretër augustinian me profil të ulët nga Çikago, kishte siguruar në heshtje mbështetjen e kardinalëve të tjerë teksa konklava po niste, por kishte mbetur jashtë vëmendjes së gjerë si kandidat serioz.

Gerard O’Connell, korrespondent i Vatikanit për revistën katolike “America” me bazë në Nju Jork, dhe Elisabetta Piqué, korrespondente e gazetës argjentinase “La Nacion” dhe kontribuese e CNN gjatë konklavës së vitit 2025, përshkruajnë se si një favorit italian humbi terren, ndërsa ofrojnë një analizë të detajuar të votimeve brenda Kapelës Sistine. Ata raportojnë gjithashtu se zgjedhja e Prevost-it befasoi shumëkënd, përfshirë figura të larta në Vatikan. Për vite me radhë, ideja e një pape amerikan ishte dukur e pamundur për shkak të “fuqisë ushtarake, ekonomike dhe kulturore” të SHBA-së, u kishte thënë atyre një kardinal.

O’Connell dhe Piqué, një çift gazetarësh, ishin miq të hershëm të Papa Françeskut, i cili kishte pagëzuar dy fëmijët e tyre në Argjentinë kur ishte ende kardinal dhe më pas kishte celebruar edhe martesën e tyre.

Libri, “Zgjedhja e Papa Leo XIV: Surpriza e Fundit e Papa Françeskut”, mbështetet në intervista me shumë kardinalë.

Duke u bazuar në këto burime, autorët përshkruajnë se si, në ditët e tensionuara para konklavës, brenda Kolegjit të Kardinalëve u zhvillua një betejë: a duhej të zgjidhej një papë për të vazhduar trashëgiminë dhe reformat e Françeskut, apo për të ndryshuar kursin? Siç tregojnë O’Connell dhe Piqué, me hyrje në formë ditari nga secili prej tyre, përpjekjet për të zgjedhur një papë që do të merrte një drejtim tjetër nga Françesku dështuan. Leo, ndonëse me stil të ndryshëm nga paraardhësi dhe ende disi enigmatik, mund të përshkruhet gjerësisht si zgjedhja e Françeskut.

Ja disa nga pikat kryesore të librit të ri.

Një konservator fitoi raundin e parë, por më pas doli në pah Leo

Sipas O’Connell, në votimin e parë Kardinali Péter Erdö nga Hungaria mori numrin më të madh të votave. Erdö është një jurist i njohur i Kishës dhe ishte kandidati i konservatorëve. Ndërsa mbështetja për të ishte e organizuar mirë, ajo nuk ishte domosdoshmërisht e gjerë, thotë O’Connell. Në atë raund hapës, “më shumë se 30 kandidatë morën vota, por vetëm tre morën mes 20 dhe 30 vota”, shkruan ai, me dy kandidatët e tjerë që ishin Robert Prevost dhe Pietro Parolin, Sekretari i Shtetit i Selisë së Shenjtë dhe kandidati kryesor italian. Megjithatë, në dy votimet pasuese, mbështetja u zhvendos me shpejtësi drejt Prevost-it, ndërsa ajo për Erdö-n u zbeh. Papa i parë amerikan u zgjodh në votimin e katërt me 108 vota, me Parolin-in si i dyti, sipas O’Connell. Libri zbulon gjithashtu se votimi i katërt duhej përsëritur, pasi një kardinal ngatërroi pa dashje dy fletë votimi bashkë. (E njëjta gjë kishte ndodhur edhe në konklavën e vitit 2013.)

Solemne, sekrete… por edhe njerëzore

Konklava është një proces serioz dhe shpirtëror, ku kardinalët shkëputen nga bota – duke dorëzuar të gjitha pajisjet elektronike – përpara se të votojnë përballë afreskut monumental të Mikelanxhelos, “Gjykimi i Fundit”. Por libri sugjeron se jo gjithçka shkoi gjithmonë sipas planit. Votimi i ditës së parë u vonua kur zyrtarët e sigurisë zbuluan një sinjal telefoni brenda Kapelës Sistine, shkruan O’Connell. Një nga “kardinalët e moshuar” kuptoi se kishte një telefon në xhep dhe e dorëzoi, një skenë që O’Connell e përshkruan si “të paimagjinueshme, edhe për një film”. Më pas u shfaq një tjetër problem: pa telefona për t’i përdorur si alarm, disa kardinalë pothuajse fjetën më gjatë në dhomat e tyre në Casa Santa Marta, rezidenca ku qëndrojnë gjatë konklavës. Vatikani u dha nga një orë alarmi për secilin, për t’u siguruar që do të zgjoheshin dhe do të mbërrinin në kohë në Kapelën Sistine. Disa kardinalë u ankuan edhe për mungesën e një tualeti në kapelë, çka nënkuptonte se duhej të shoqëroheshin në një tualet të jashtëm nga një kardinal diakon më i ri. “Është si të kthehesh në kopsht,” i tha njëri autorëve.

Ndërsa zgjedhja afrohej, favoritët u zbehën

Para konklavës, pas vdekjes së Françeskut, dy kardinalë përmendeshin si favoritë: Parolin, diplomati kryesor i Vatikanit, dhe Kardinali Luis Antonio Tagle, drejtues i zyrës së ungjillizimit në Vatikan. Parolin paraqitej si një figurë e moderuar dhe diplomatike që do të rikthente “rendin” pas viteve të trazuara të Françeskut, raportojnë autorët. Por atij i mungonte përvoja në terren në komunitetet katolike. Ndërsa punonte ngushtë me Françeskun, një nga mbështetësit e tij, Kardinali Beniamino Stella, befasoi kolegët me një fjalim ku kritikoi një reformë madhore të Françeskut. Autorët raportuan për këtë fjalim dhe, sipas tyre, ai ndikoi negativisht në kandidaturën e Parolin-it. Kjo u përforcua nga një performancë e dobët në një meshë me shumë të rinj, ku Parolin u përshkrua si pa “karizëm” dhe pa “lidhje” me të rinjtë. Tagle, ndonëse karizmatik dhe nga Filipinet – një nga vendet me popullsinë më të madhe katolike – u konsiderua jo mjaftueshëm i fortë si administrator. Ai u godit gjithashtu nga sulme të ashpra në rrjetet sociale që dëmtuan kandidaturën e tij.

Leo, kandidati surprizë që sfidoi bindjen se nuk mund të ketë papë amerikan
Autorët pretendojnë se “më shumë se njëzet” kardinalë kishin identifikuar në heshtje Prevost-in si kandidatin më të kualifikuar për papë. Ata u impresionuan nga stili i tij i përulur dhe me profil të ulët dhe mendonin se ai ishte më i përshtatshmi për të vazhduar trashëgiminë e Françeskut. Përvoja e tij misionare në Peru dhe eksperienca ndërkombëtare në përgjithësi ishin vendimtare.

Më parë, për shkak të fuqisë globale politike dhe ekonomike të SHBA-së, ishte pranuar gjerësisht se kardinalët nuk do të zgjidhnin një papë amerikan. Por Prevost u pa si “më pak amerikani ndër amerikanët”, dhe kardinalët nga Amerika Latine, raporton Piqué, mendonin se “edhe pse një ‘gringo’, ai është një nga ne.”

Papa Françesku siguroi që Leo të ishte kandidat
Françesku promovoi në heshtje njeriun që do të bëhej pasardhësi i tij dhe u sigurua që ai të ishte pretendent. “Është e qartë se Papa Françesku e kishte në shënjestër,” shkruan Piqué. Ishte papa i ndjerë – i pari nga Amerika Latine – ai që hapi rrugën që Prevost të bëhej kandidat, fillimisht duke e emëruar peshkop në Chiclayo të Perusë, dhe më pas duke e sjellë në Romë për të drejtuar një nga departamentet më të rëndësishme të Vatikanit, përgjegjës për emërimin e peshkopëve. Në këtë rol të lartë, Leo punoi ngushtë me kardinalë nga mbarë bota, një shenjë e besimit që Françesku kishte tek ai. Të dy kishin takime të rregullta kokë më kokë, gjatë të cilave, sipas Piqué, “me siguri diskutonin çështje udhëheqjeje të Kishës përtej temës së menjëhershme (emërimet e peshkopëve)”, ndërsa vëzhguesit vunë re se Prevost shoqëroi Françeskun në dy udhëtimet e tij të fundit jashtë vendit.

Pavarësisht se është një proces zgjedhor i lashtë, i mbështjellë me rituale dhe traditë, dhe që ende komunikon rezultatin përmes sinjaleve të tymit, konklava arriti të prodhojë një rezultat vendimtar dhe të shpejtë. Siç tregojnë O’Connell dhe Piqué, ajo ruan ende aftësinë për të befasuar. /CNN

 

1 Komente

  1. P
    Pashk, krishtlindje,sheshi shēn pier

    Vatikani ēshtē asnjēanēs nē konflikt, pasi barazia fetare ēshtē deviza tyre.Por sidoqoft objektivi ēshtē sa mē pak gjak njerzor, pasi tē gjith ta shijojn kētē botē dhe jo tē hiptnotizohen nga djalli.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje