Samiti dyditor i Bashkimit Evropian i zhvilluar këtë javë në Bruksel është mbyllur pa një akord zyrtar lidhur me propozimin për krijimin e një kanali të fshehtë komunikimi me Kremlinin. Iniciativa, e prezantuar nga Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, synonte të garantonte mbrojtjen e interesave të bllokut në skenarin e një përparimi në negociatat për përfundimin e luftës në Ukrainë, të cilat aktualisht udhëhiqen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pavarësisht mbështetjes nga disa krerë shtetesh dhe drejtues të institucioneve qendrore të BE-së, samiti ekspozoi mosmarrëveshje të thella diplomatike mes vendeve anëtare, ndërsa pala ruse reagoi publikisht duke vendosur kushte paraprake për çdo kontakt të mundshëm.
Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, sqaroi se synimi i zyrës së tij nuk ishte ndërtimi i një rruge paralele negociatash apo marrja e rolit të ndërmjetësit, por sigurimi i një komunikimi të drejtpërdrejtë me Moskën zyrtare për të shmangur varësinë nga interpretimet e palëve të treta.
“Ne duhej ta vendosnim menjëherë këtë kontakt të drejtpërdrejtë. Nuk mund të mbështetemi vetëm te të tjerët për të interpretuar mesazhet ruse dhe duhet të jemi në gjendje t’ia përcjellim drejtpërdrejt Rusisë mesazhet tona,” ka deklaruar Costa.
Kjo qasje gjeti mbështetjen e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila nënvizoi rëndësinë gjeopolitike të pozicionimit të Evropës në këtë proces.
“I gjithë kontinenti ynë është në rrezik dhe kjo është arsyeja pse Evropa duhet të jetë një nga arkitektët e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme,” u shpreh Von der Leyen.
Përveç saj, Kryeministri irlandez Michael Martin u rreshtua pro propozimit, duke thënë se “hapja e një kanali nuk është gabim” dhe duke shprehur besim te figura e Costas.
Nga ana tjetër, një pjesë e konsiderueshme e liderëve evropianë shfaqën rezistencë ndaj emërimit të parakohshëm të një ndërmjetësi apo hapjes së kanaleve pa një koordinim më të gjerë. Kancelari gjerman, Friedrich Merz, vuri në dukje formatin ekzistues të grupit E3 (Gjermania, Franca, Britania e Madhe) dhe kërkoi që vendimet për përfaqësimin e BE-së të merren vetëm kur të nisin bisedimet reale.
“Nuk kemi nevojë të vendosim sot se kush flet në emër të Bashkimit Evropian. Do të vendosim për këtë kur të fillojnë bisedimet,” specifikoi Merz.
Në të njëjtën linjë, Presidenti francez Emmanuel Macron preku çështjen e kompetencave, duke saktësuar se “evropianët nuk janë ndërmjetës”, ndonëse pranoi se Costa do të ketë vendin e tij kur të vijë momenti i duhur.
Qëndrim më të ashpër mbajti kahu lindor i bllokut. Ministri i Jashtëm i Estonisë, Margus Tsahkna, deklaroi se BE-ja duhet të shmangë rolin e një ndërmjetësi neutral dhe të përqendrohet në mbështetjen e pozicionit të Kievit për ta “detyruar Kremlinin të hyjë në negociata serioze”.
Mungesën e konsensusit në fund të samitit e përmblodhi Kryeministri çek, Andrej Babiš:
“Evropa nuk është në gjendje të bjerë dakord as nëse do të ketë negociata apo kush do t’i udhëheqë ato.”
Moska zyrtare reagoi zyrtarisht të premten ndaj zhvillimeve në Bruksel. Kremlini njoftoi se mbetet i hapur për të vendosur kontakte me Evropën, por vendosi si kusht të prerë që udhëheqësit evropianë të heqin dorë nga dëshira për të komunikuar “ndaj Moskës nga pozicioni i forcës”.
Megjithatë, Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov, u shfaq më radikal në argumentet e tij, duke përjashtuar mundësinë që BE-ja të shërbejë si një palë e paanshme dhe duke lëshuar një paralajmërim të prerë mbi rrezikun e përshkallëzimit ushtarak global në një kohë kur Evropa po rrit kapacitetet e saj të mbrojtjes.
“Një përballje e drejtpërdrejtë midis NATO-s dhe Rusisë mund të përshkallëzohet shpejt në një shkëmbim sulmesh bërthamore, me pasoja katastrofike,” deklaroi Lavrov në një ese të publikuar nga Ministria e Jashtme ruse.
Sipas tekstit të tij, Lavrov i hodhi poshtë si “provokim dhe marrëzi” pretendimet perëndimore se Rusia po përgatit infrastrukturë për të sulmuar vendet e Evropës.
Lini një Përgjigje