Këshilli i Ministrave ka miratuar së fundmi hartën e re të zonave që do të gëzojnë statusin e veçantë për zhvillimin e ekonomisë malore. Në mbështetje të ligjit të ri të vitit 2025 për “Paketën e Maleve”, qeveria ka klasifikuar mijëra hektarë tokë në tre bashki kryesore: Krujë, Maliq dhe Vorë, si zona me përparësi zhvillimi.
Vendimet, të propozuara nga Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, synojnë të nxisin investimet strategjike në këto territore, duke u fokusuar në tre shtylla kryesore: zhvillim ekonomik, industrial dhe turistik.
Kruja, fokus te mali dhe turizmi historik
Pjesa më e madhe e sipërfaqes së shpallur ndodhet në Bashkinë e Krujës, e cila merr një vëmendje të veçantë me mbi 15,000 hektarë të dedikuar. Harta përfshin zona ikonike si Mali i Krujës, Qafë-Shtama (Cudhi) dhe zona të njohura si Barkanesh e Krastë. Po ashtu, statusin e zonës prioritare e marrin edhe territore në Fushë-Krujë dhe Bubq, duke përfshirë fshatra si Nikël, Halil dhe Mallkuç. Kjo shtrirje sugjeron një gërshetim mes turizmit malor në lartësi dhe zhvillimit industrial e agro-turistik në zonat më të ulëta.
Maliqi, nga fusha në thellësitë e Gorës dhe Moglicës
Në Juglindje, Bashkia Maliq përfshihet në këtë paketë me rreth 6,200 hektarë. Vendimi përfshin një gamë të gjerë territoresh, duke nisur nga zonat fushore bujqësore të Maliqit, Libonikut dhe Pirgut (si fshatrat Sovjan e Vloçisht), e duke u ngjitur drejt zonave të thella malore. Njësi administrative si Moglica dhe Gora zënë një vend të rëndësishëm në këtë hartë, çka pritet t’i hapë rrugë investimeve në turizmin e aventurës dhe atë natyror, duke shfrytëzuar potencialin e pashfrytëzuar të këtyre zonave.
Vora, “mushkëria” ekonomike pranë kryeqytetit
Surpriza e kësaj pakete është përfshirja e Vorës, një bashki strategjike pranë Tiranës dhe Aeroportit. Megjithëse me një sipërfaqe më modeste prej rreth 126 hektarësh, zonat e përzgjedhura janë pikante. Fshatrat kodrinorë si Gërdeci, Marikaj dhe Preza janë shpallur zona prioritare. Duke pasur parasysh afërsinë me kryeqytetin dhe relievin kodrinor, këto zona pritet të jenë destinacione ideale për agroturizëm elitar, por edhe për zhvillim të lehtë industrial dhe ekonomik.
Çfarë sjell statusi “zonë me përparësi”?
Sipas vendimit, në këto zona do të lejohen dhe nxiten aktivitetet që sjellin zhvillim ekonomik, industrial dhe turistik. Kjo nënkupton lehtësira të mundshme për investitorët dhe një fokus më të madh të shtetit për infrastrukturën mbështetëse.
Për zbatimin e këtyre vendimeve, të cilat hyjnë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, janë ngarkuar Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe bashkitë përkatëse. Kufijtë e saktë do të jenë të disponueshëm në sistemin e hartave dixhitale KRGJSH.
Mbrēmē nē foltoren e tē pandehurit Berisha ( para kryeministris) u panē emigrant nga Indonezia apo Bangladeshi.Ndērsa nē tv klan njē Kamerunez tē urritur qē fshihej nē Dibēr.