Nga Mimoza Golikja
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg mori pjesë në takimin virtual të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës, të kryesuar nga Sekretari i Mbrojtjes i SHBA Lloyd J. Austin III dhe Kryetari i Shefave të Përbashkët të Shtabit, gjeneral Mark Milley, (15 mars 2023). Diskutimi u fokusua në rëndësinë e mbështetjes, si dhe rritjes së mbështetjes për Ukrainën, ndërsa vendi vazhdon t’i rezistojë luftës brutale të agresionit të Rusisë.
Sekretari i Përgjithshëm e përditësoi grupin mbi përpjekjet e NATO-s dhe aleatëve për t’i ofruar Ukrainës me shpejtësi aftësitë kryesore, përfshirë më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore, më shumë armaturë dhe më shumë municione. Z. Stoltenberg theksoi se puna e vazhdueshme për të rritur bazën industriale të mbrojtjes së NATO-s është thelbësore për të siguruar parandalimin dhe mbrojtjen aleate, si dhe për të ofruar mbështetje për Ukrainën për aq kohë sa është e nevojshme.
Ukraina do të marrë atë që i nevojitet, kur i nevojitet
Takimi virtual i 15 marsit 2023, drejtuar nga Sekretari i Mbrojtjes Lloyd J. Austin, ishte takimi i 10-të i Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës, (UDCG), që nga formimi i grupit ndërkombëtar në prillin e kaluar. Takimit iu bashkuan edhe ministrat e Mbrojtjes dhe shefat e Mbrojtjes nga gati 50 vende nga e gjithë bota për të diskutuar luftën e vazhdueshme të Rusisë në Ukrainë dhe koordinimin e vazhdueshëm të ngushtë për t'i siguruar popullit ukrainas mjetet e nevojshme për të mbrojtur territorin e tyre sovran. “Për takimin tonë virtual sot, ne kemi anëtarë të Grupit të Kontaktit që bashkohen nga e gjithë bota dhe nga shumica e zonave, përfshirë miqtë në Amerikë, Evropë, Lindjen e Mesme dhe Indo-Paqësor. Sot, ne po mblidhemi për t'u siguruar që do të vazhdojmë të përmbushim premtimet tona për të mbështetur mbrojtjen e Ukrainës”, tha Sekretari i Mbrojtjes Lloyd J. Austin III.
Më shumë se një vit më parë, Rusia filloi pushtimin e saj të paligjshëm dhe të paprovokuar në shkallë të plotë dhe që atëherë, forcat e Ukrainës kanë luftuar me guxim për të mbrojtur sovranitetin, territorin dhe lirinë e tyre. Asnjë ukrainas nuk duhet të durojë granatimet e përditshme. Asnjë prind ukrainas nuk duhet të shqetësohet se shkolla e fëmijës së tyre do të bombardohet. Asnjë komb nuk duhet të luftojë për mbijetesën e tij kundër një force pushtuese të huaj që po rrafshon qytete dhe qyteza të tëra. “Vendet këtu sot e kuptojnë rrezikun e luftës së zgjedhur të Rusisë, si për popullin ukrainas ashtu edhe për botën. Ky është kërcënimi më i madh për sigurinë evropiane që nga fillimi i Luftës së Ftohtë, pas Luftës së Dytë Botërore. Eshtë një sulm i drejtpërdrejtë ndaj rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla që na mban të gjithëve të mbrojtur dhe të sigurt.”, theksoi sekretari i Mbrojtjes amerikane. Gjatë vitit të kaluar, Forcat e Armatosura të Ukrainës kanë arritur disa fitore goditëse në fushën e betejës, duke e formuar me shpejtësi ushtrinë e Ukrainës në një forcë të fortë dhe profesionale. Lloyd J. Austin III falënderoi, ministrin e mbrojtjes, Oleksii Reznikov, pjesëmrrës në takim, për udhëheqjen e tij të Forcave të Armatosura të Ukrainës. “Grupi i Kontaktit ka qenë gjithmonë i përkushtuar për të ndihmuar Forcat e Armatosura të Ukrainës të marrin atë që u nevojitet, kur u nevojitet.”.
Në fillim të këtij muaji, Shtetet e Bashkuara njoftuan një ndihmë tjetër prej 400 milionë dollarësh për Ukrainën, për sigurinë për të mbështetur operacionet e zjarrit preciz, artilerisë dhe automjeteve të blinduara. Kjo përfshin municion shtesë HIMARS, raunde shtesë artilerie, ura të lëshuara me automjete të blinduara, etj. “Dhe ndërsa dërgojmë më shumë pajisje në Ukrainë, ne mbetemi të përqendruar në llogaridhënie, së bashku me partnerët tanë ukrainas.”.
Në tre muajt e fundit, anëtarët e Grupit të Kontaktit “kanë treguar lidership të madh” lidhur me aftësitë që i duhen Ukrainës për të mbrojtur sovranitetin e saj dhe “për të krijuar vrull në fushën e betejës”, përfshirë më shumë se nëntë brigada automjetesh të blinduara. Koalicioni i vendeve që po dhurojnë tanke Leopard në Ukrainë “vazhdon të rritet” dhe nëntë vende tani janë zotuar të ofrojnë më shumë se 150 tanke Leopard. Ndërkohë përballë fushatës mizore të bombardimeve të Rusisë, numri i vendeve që ofrojnë mjete të mbrojtjes ajrore gjithashtu vazhdon të zgjerohet si për shembull, në Takimin e Grupit të fundit të Kontaktit, u tha për kontributin SAMP/T të Italisë dhe Francës. Gjithashtu Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Holanda kanë dalë me donacione, siç janë raketat Patriot dhe shumë vende të tjera, kanë ofruar mbrojtje ajrore me rreze më të shkurtër veprimi. Kanadaja dhe Gjermania, nga ana a etyre kanë kontribuar me sisteme të mbrojtjes ajrore me rreze të mesme si NASAMS dhe IRIS-T.
“Por tani jemi në një moment vendimtar në rrjedhën e luftës së Ukrainës për liri dhe ne të gjithë duhet të demonstrojmë vendosmërinë dhe unitetin tonë të vazhdueshëm”. Kjo do të thotë “të zbatojmë angazhimet tona, plotësisht dhe shpejt. Ne duhet t'i ofrojmë Ukrainës aftësitë e plota për luftën përpara, përfshirë pjesët e këmbimit dhe paketat e mirëmbajtjes për të mbështetur aftësitë kritike të ofruara nga anëtarët e Grupit të Kontaktit, si dhe pajisje shtesë”. Gjithashtu grupi duhet të gjejë mënyra për të marrë donacione të reja të municioneve dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore në Ukrainë. Për të rritur prodhimin e municioneve, anëtarët e Grupit të Kontaktit po bashkohen për të zhvilluar zgjidhje novatore për problemet e prodhimit industrial, për të përmbushur nevojat e Ukrainës në pranverë dhe më tej.
Ndërsa prillin e kaluar, Grupi i Kontaktit e filloi me një takim, mbledhur nga ekipet më të shquara aleate, ai tashmë është rritur në një bashkësi veprimi plotësisht të përkushtuar dhe me bindje se do të mbështesë mbrojtjen e Ukrainës për një kohë të gjatë.
"Rusia shpreson të shkatërrojë Ukrainën në një luftë rrënimi, por Ukraina është furnizuar nga më shumë se 40 vende," tha Austin. "Ndërkohë, Rusisë i është dashur të varet nga Irani dhe Koreja e Veriut dhe është dashur të përdorë pajisje që datojnë që nga Lufta e Dytë Botërore. Pra, Rusisë po i mbarojnë aftësitë dhe po i mbarojnë miqtë."
Në muajt e fundit, “Kremlini ka demonstruar vazhdimisht se nuk i kushton vëmendje jetës së forcave të veta dhe se ka intensifikuar luftën e tij të pamatur pushtuese”. Rusia vazhdon të regjistrojë kompani private mercenare si ‘Wagner Group’ dhe të çojë në vdekje rekrutët e papërvojë. Por forcat tokësore të Ukrainës i kanë shtyrë forcat ruse me armët dhe tanket e dhuruara nga vendet e UDCG dhe Rusia vazhdon të dërgojë “valë pas vale” raketa lundrimi dhe dronë vetëvrasës iranianë për të terrorizuar qytetet dhe civilët ukrainas. Por sistemet e mbrojtjes ajrore të Ukrainës, shumë prej të cilave siguruar nga grupi UDCG, po luftojnë për të mbajtur civilët të sigurt nga bombardimet e Rusisë.
“Kjo është historia e këtij Grupi të Kontaktit dhe unë jam i bindur se ne do të vazhdojmë të rritemi. Jam i bindur se do të përmbushim angazhimet tona”, tha sekretari i Mbrojtjes amerikane Austin. “Pas 10 takimeve të Grupit të Kontaktit, uniteti ynë i përpjekjeve vazhdon të jetë një burim i fuqishëm fuqie. Ne do të mbetemi të vendosur dhe të bashkuar në mbështetje të së drejtës së Ukrainës për të jetuar si një vend i lirë dhe sovran, për aq kohë sa të duhet.”.
Rritje urgjente e mbështetjes ushtarake për Ukrainën
Takimi i Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes të Ukrainës të udhëhequr nga SHBA për vitin 2023 u thirr për herë të parë në Ramstein, Gjermani në 20 janar. Takimi u kryesua nga Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, dhe filloi me një video fjalim nga Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.
Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg tha në atë takim se Rusia nuk po tregon asnjë shenjë se po përgatitet për paqe, por përkundrazi, po përgatitet për një luftë të gjatë. Prandaj, theksoi Sekretari i Përgjithshëm, është urgjente të rritet më tej mbështetja ushtarake, në mënyrë që Ukraina të fitojë dhe të çlirojë territorin e pushtuar. "Ashtu si shumica e luftërave, kjo ka të ngjarë të përfundojë në tryezën e negociatave", tha Stoltenberg, "por ajo që ndodh në negociata është e lidhur drejtpërdrejt me atë që ndodh në fushën e betejës, kështu që ne duhet t'i dërgojmë më shumë armë Ukrainës tani.". Stoltenberg falënderoi në atë takim Sekretarin e Mbrojtjes Lloyd Austin për udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara në ofrimin e ndihmës shumë të rëndësishme ushtarake për Ukrainën. Ai mirëpriti njoftimet e fundit të bëra nga aleatët dhe partnerët e tjerë të NATO-s, përfshirë Gjermaninë, Francën, Kanadanë, Danimarkën, Holandën dhe Suedinë në lidhje me mbrojtjen ajrore, mjetet luftarake të këmbësorisë dhe mjetet e blinduara. Edhe Britania e Madhe, Franca dhe Polonia kanë qenë të gatshme të dorëzojnë tanke kryesore luftarake dhe tanke të lehta. Sekretari i Përgjithshëm bëri thirrje gjithashtu për furnizime të vazhdueshme me municion, pjesë këmbimi dhe mirëmbajtje, si dhe trajnime. Në përgjithësi, ai theksoi se vendet e Grupit të Kontaktit po ofrojnë "një paketë masive të aftësive luftarake" për vetëmbrojtje të Ukrainës. Ashtu si gjatë vitit 2022 edhe në fillim të 2023, Sekretari i Përgjithshëm ka nënvizuar rëndësinë e rritjes së ndihmës ushtarake jo-vdekjeprurëse, duke vënë në dukje se Paketa Gjithëpërfshirëse e Ndihmës së NATO-s, po siguron karburant, ushqim, dhe furnizime mjekësore më shumë për Ukrainën. Por ndërkohë aleatët e NATO-s duhet të rrisin prodhimin e armëve dhe municioneve dhe të rimbushin me shpejtësi rezervat e tyre. Aleanca po punon ngushtë me industrinë ku prokurimi është një temë kryesore, për këtë qëllim.
Takimi tjetër u mbajt në 14 shkurt 2023 në Bruksel në selinë e NATO-s, ku edhe këtu Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg falënderoi Sekretarin e Mbrojtjes Lloyd Austin për angazhimin e fortë ndaj lidhjes dhe marrëdhënieve transatlantike, ndaj NATO-s dhe për lidershipin amerikan të jashtëzakonshëm në ofrimin e mbështetjes për Ukrainën, udhëheqjen e Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës dhe gjithçka që Shtetet e Bashkuara kanë bërë për të siguruar që Ukraina të marrë armët, furnizimet që i nevojiten për të fituar luftën dhe për të çliruar territorin e saj.
Sfidat me të cilat përballet Aleanca janë të mëdha dhe të gjithanëshme dhe kjo është një kohë historike përsa i përket sigurisë së Evropës. Europa është e përfshirë në gjithçka ndodh përreth saj dhe krizës të Ukrainës. Ukrainasit “kanë bërë vërtet jashtëzakonisht mirë disa prej gjërave, bazuar në atë që aleatët dhe partnerët po bëjnë për të ofruar ndihmë për sigurinë”, për sa i përket NATO-s, ajo kurrë më parë “nuk ka qënë kaq e bashkuar”, përballë sfidave të dala para saj.
Nivel i paprecedentë i mbështetjes për Ukrainën
Një Ukrainë e fortë dhe e pavarur është jetike për stabilitetin e zonës euroatlantike. Marrëdhëniet midis NATO-s dhe Ukrainës datojnë në fillim të viteve 1990 dhe që atëherë ato janë zhvilluar në një nga partneritetet më thelbësore të NATO-s. Që nga viti 2014, në vazhdën e aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga Rusia, bashkëpunimi është intensifikuar në fusha kritike. Që nga pushtimi i plotë i Rusisë në vitin 2022, NATO dhe aleatët kanë ofruar nivele të paprecedentë mbështetjeje.
Dialogu dhe bashkëpunimi filluan kur Ukraina e sapo pavarur iu bashkua Këshillit të Bashkëpunimit të Atlantikut të Veriut (1991) dhe programit të Partneritetit për Paqe (1994). Marrëdhëniet u forcuan me nënshkrimin e Kartës së 1997 mbi një Partneritet të Veçantë, i cili themeloi Komisionin NATO-Ukrainë (NUC) për të çuar përpara bashkëpunimin. Që nga viti 2009, NUC ka mbikëqyrur procesin e integrimit euroatlantik të Ukrainës, përfshirë reformat në kuadër të Programit Kombëtar Vjetor (ANP). Bashkëpunimi është thelluar me kalimin e kohës dhe është reciprokisht i dobishëm, me Ukrainën që kontribuon në mënyrë aktive në operacionet dhe misionet e udhëhequra nga NATO. Përparësi i jepet mbështetjes për reformën gjithëpërfshirëse në sektorin e sigurisë dhe mbrojtjes, e cila është jetike për zhvillimin demokratik të Ukrainës dhe për forcimin e aftësisë së saj për të mbrojtur veten.
Që nga Samiti i NATO-s në Varshavë në korrik 2016, mbështetja praktike e NATO-s për Ukrainën është përcaktuar në Paketën Gjithëpërfshirëse të Ndihmës (CAP) për Ukrainën. Në qershor 2017, Parlamenti ukrainas miratoi legjislacionin që rivendos anëtarësimin në NATO si një objektiv strategjik të politikës së jashtme dhe të sigurisë. Në vitin 2019, një amendament përkatës i Kushtetutës së Ukrainës hyri në fuqi. Në shtator të vitit 2020, Presidenti Volodymyr Zelenskyy miratoi Strategjinë e re të Sigurisë Kombëtare të Ukrainës, e cila parashikon zhvillimin e partneritetit të veçantë me NATO-n me qëllim anëtarësimin në NATO. Në përgjigje të aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga Rusia, që nga viti 2014 NATO ka përforcuar mbështetjen e saj për zhvillimin e aftësive dhe ndërtimin e kapaciteteve në Ukrainë. Aleatët dënojnë dhe nuk do të njohin aneksimin e paligjshëm dhe të paligjshëm të Krimesë nga Rusia dhe aktivitetet e saj destabilizuese dhe agresive në Ukrainën lindore dhe rajonin e Detit të Zi. NATO ka rritur praninë e saj në Detin e Zi dhe ka rritur bashkëpunimin detar me Ukrainën dhe Gjeorgjinë.
NATO dënon luftën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës në termat më të ashpër të mundshëm, pasi minon rëndë sigurinë dhe stabilitetin ndërkombëtar dhe është një shkelje e hapur e ligjit ndërkombëtar. Aleatët e NATO-s i bëjnë thirrje Rusisë që të ndalojë menjëherë luftën, të tërheqë të gjitha forcat e saj nga Ukraina dhe të angazhohet në diplomaci të vërtetë. Aleanca dënon gjithashtu përpjekjen e paligjshme të Rusisë për të aneksuar katër rajone të Ukrainës, Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia. Referendumet e rreme në këto rajone u projektuan në Moskë dhe iu imponuan Ukrainës. Ata nuk kanë legjitimitet dhe NATO nuk do t'i njohë. “Këto toka janë Ukraina dhe do të jenë gjithmonë Ukrainë”. NATO qëndron përkrah popullit të Ukrainës dhe presidentit, parlamentit dhe qeverisë legjitime, të zgjedhur në mënyrë demokratike. Aleanca do të mbajë gjithmonë mbështetjen e saj të plotë për integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.
Lini një Përgjigje