
U bë zyrtare disa ditë më parë dhe do të konkretizohet tashmë realisht.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe përfaqësuesi i lartë i politikave të Jashtme në Bashkimin Evropian, Josep Borrell, janë nisur për në Kiev për të takuar presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Të dy zyrtarët e lartë evropianë, do të jenë drejtuesit më të lartë në rang brenda unionit, të cilët e vizitojnë Kievin pas mësymjes ruse, e cila filloi në datën 24 shkurt.
Vetëm disa ditë më parë, nisi edhe tërheqja e trupave ruse nga kryeqyteti ukrainas dhe rrethinat e tij. Ndërsa, tashmë, sipas burimeve nga inteligjenca britanike, asnjë ushtar rus nuk ndodhet më atje.
Vetë Borrell, deklaroi përpara mbledhjes së ministerialit të NATO-s, se kjo vizitë do të ndihmonte strukturat e BE-së të krijonin një fushëpamje më të gjerë mbi atë çfarë vërtetë po ndodh në Ukrainë dhe mbi shkatërrimin e lënë pas nga Moska.
Po ashtu, vizita do të jetë edhe një shenjë e shtuar konkrete solidariteti me popullin ukrainas dhe presidentin Zelensky, përtej ndihmave që janë dërguar, qofshin ato ushqimore apo ushtarake.

Lini një Përgjigje