Rusia do të stacionojë armë taktike bërthamore në Bjellorusi

26 Mars 2023, 09:21Bota TEMA

Rusia do të stacionojë armë taktike bërthamore në

Sipas presidentit Vladimir Putin, Rusia ka rënë dakord me fqinjen e saj Bjellorusinë për të stacionuar armë taktike bërthamore në territorin e saj. Që nga mesi i viteve 1990 kjo është hera e parë që Moska stacionon armë jashtë vendit.

"Ne ramë dakord me Lukashenkon që mund të vendosim armë bërthamore taktike në Bjellorusi," tha Putini sipas njoftimeve të agjencisë ruse, "TASS".

Në këtë mes nuk ka "asgjë të pazakontë", SHBA-ja ka stacionuar prej kohësh armë taktike bërthamore në territorin e aleatëve të saj, tha Putini në një intervistë të transmetuar nga televizioni rus. Ky veprim nuk shkel marrëveshjet për mospërhapjen e armëve bërthamore. Presidenti rus njoftoi gjithashtu se në Ukrainë do të përdoren raketa me uranium të varfëruar, nëse Kievi merr municione të tilla nga Perëndimi.

Sfondi i deklaratës së Putinit lidhet me dërgimin e mundshëm të municioneve me përmbajtje uraniumi  nga Britania e Madhe për në Ukrainë. 

Uraniumi i varfëruar është një skorrje që përftohet si mbetje gjatë pasurimit të uraniumit për përdorim në termocentrale. Ai është radioaktiv, por shumë më pak se materiali fillestar. Megjithatë, predhat me uranium të varfëruar janë tepër të fuqishme dhe mund të shkatërrojnë për shembull edhe tanke.

Bjellorusia nuk ka armë bërthamore dhe sipas Putinit, Lukashenko ka ngritur disa herë shqetësimin për një kërcënim të mundshëm të ardhshëm nga Polonia fqinje dhe kishte kërkuar prej kohësh që në territorin e Bjellorusisë të vendosen armë bërthamore. Deri tani Rusia ka stacionuar në Bjellorusi 10 avionë të aftë për të mbajtur armë bërthamore taktike.

Shefi i Kremlinit njoftoi se ndërtimi i një depoje për armë bërthamore në Bjellorusi do të përfundojë më 1 korrik, por nuk specifikoi se kur do të bëhet transferimi i armëve./ DW

Lini një Përgjigje