30 ditë armëpushim në Ukrainë e sërish ndihma ushtarake amerikane: Reagimet pas ujdisë në Arabinë Saudite janë në unison, se tani duhet të veprojë Rusia. Por reagimet e para ruse duken të rezervuara.
Rusia duket se po e lë fillimisht të hapur përgjigjen e saj pas propozimit për një armëpushim të përkohshëm. Qeveria do të marrë vendimet e veta për konfliktin në Ukrainë, shpjegon zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova, pa dhënë detaje të tjera.
"Përcaktimi i pozicionit të Federatës Ruse nuk zhvillohet jashtë vendit për shkak të disa ujdive ose përpjekjet e disa palëve. Përcaktimi i qëndrimit i Federatës Ruse zhvillohet brenda Federatës Ruse”, theksoi Zakharova.
Nënkryetari i Këshillit të Federatës Ruse, Konstantin Kosachev, shkroi në Telegram: "Kushtet janë amerikane, jo ukrainase. Ukrainasit pajtohen me atë që u thuhet. Dhe në të njëjtën kohë ata përulen dhe bëjnë lajka. Nuk do të funksionojë kështu me Rusinë, sepse Rusia është në marshim e sipër. Të gjitha marrëveshjet duhet të jenë sipas kushteve tona, jo sipas kushteve amerikane”.
Krerë shtetesh dhe qeverish ndërkombëtare kanë reaguar pas ujdisë për armëpushim 30 ditor arritur në takimin mes SHBA-së dhe Ukrainës në Xhidah të Arabisë Saudite. Vihet re lehtësimi, por deklaratat janë të përmbajtura.
"Ne mirëpresim rezultatet e bisedimeve”, tha presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen. Ajo e pa si një zhvillim pozitiv që administrata Trump dëshiron t'i ofrojë përsëri mbështetje ushtarake Ukrainës dhe të sigurojë informacionet e inteligjencës.
Von der Leyen vlerësoi gjithashtu armëpushimin e planifikuar. Topi tani është në anën e Rusisë, sipas saj. Edhe presidenti i Këshillit të BE-së, Antónia Costa, vlerësoi përpjekjet për armëpushim, duke theksuar se tani duhet të reagojë Rusia.
Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock shkroi në X për një pikë kthese të mundshme. "Tani i takon Rusisë që t'i japë fund luftës së saj të agresionit", shkroi Baerbock.
Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, postoi në X pas ujdisë për armëpushim nga Ukraina, se "duket sikur amerikanët dhe ukrainasit kanë bërë një hap të rëndësishëm drejt paqes. Evropa është e gatshme kur bëhet fjalë për arritjen e një "paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”.
Edhe presidenti francez, Emmanuel Macron përshëndeti përparimin në bisedime. "Topi është tani qartë në fushën e Rusisë," shkroi Macron gjithashtu në X.
Franca dhe partnerët e saj mbeten të përkushtuar ndaj një paqeje solide dhe të qëndrueshme të mbështetur nga garanci të forta sigurie për Ukrainën.
Trump as e ka idene se cjane e cmund te bejne ruset?!
Minjte, po nxjerrin turirin nga vrima, tere sy e veshe, me njefare shprese, se macoku amerikan, do te behet miku i tyre..(???!!!) Te shkretet..., harrojne se macoku thjesht i gllaberon minjte edhe kur u hiqet si mik...!!!