
Në suazën e sanksioneve kundër Rusisë, uniteti i Evropës “po thërrmohet”.
Ka qenë ky paralajmërimi i ministrit gjerman të Ekonomisë, teksa diplomatët ravijëzojnë ndarjet e vazhdueshme mbi një paketë sanksionesh që do të diskutohet nga vendet anëtare.
Robert Habeck arriti në këtë konkluzion, pasi takimi i ambasadorëve të Bashkimit Evropian në Bruksel nuk arriti të binte dakord për paketën e fundit të sanksioneve të bllokut kundër Moskës.
Në të përfshihej edhe një plan për të ndaluar importet e naftës ruse, të cilën Hungaria e ka bllokuar prej javësh.
Diplomatët kishin shpresuar të binin dakord mbi masat para samitit dyditor.
“Pas sulmit të Rusisë në Ukrainë, pamë se çfarë mund të ndodhë kur Evropa qëndron e bashkuar”, ka thënë Habeck.
“Me synimin për samitin nesër, le të shpresojmë që të vazhdojë kështu. Por, tashmë, ka filluar të thërrmohet”, ka shtuar ai.
Komentet e tij theksojnë vështirësitë e BE-së për të gjetur një mënyrë për të zgjatur dënimet ndaj Moskës për luftën kundër Ukrainës, duke mos ndikuar në pjesë të ekonomisë evropiane që mbështeten në furnizimet e naftës dhe gazit rus.
“Evropa është ende një zonë e madhe ekonomike me fuqi të jashtëzakonshme ekonomike. Dhe kur qëndron e bashkuar, mund ta përdorë atë fuqi”, ka thënë Habeck.
Të dielën e 29 majit, diplomatët e BE-së u përpoqën të bashkohen për një plan kompromisi për të vendosur një embargo ndaj blerjeve ruse të naftës dhe për të përjashtuar importet nëpërmjet tubacionit.
Çka do të mbulonte rreth dy të tretat e importeve evropiane të naftës ruse, por duke shmangur goditjen e naftës që rrjedh në Hungari dhe vende të tjera, përfshirë Gjermaninë.
Kjo shihet si një mënyrë për të zgjidhur shqetësimet mbi sigurinë e furnizimeve me naftë që janë transmetuar nga Hungaria, Sllovakia dhe Republika Çeke.
“Çështjet janë të njëjta, por mënyra sesi po përpiqemi ta zgjidhim është e ndryshme”, ka dalluar një diplomat i lartë i BE-së.
Ai ka shtuar se mund të duhen edhe disa javë, derisa të arrihet një marrëveshje përfundimtare.
Diplomatët e BE-së pritet të takohen sërish të hënën e 30 majit, përpara një takimi të Këshillit Evropian në një përpjekje të fundit për të shmangur një mosmarrëveshje të ashpër gjatë samitit.
Disa zyrtarë janë të shqetësuar se trajtimi i dërgesave të naftës së papërpunuar ruse, në mënyrë të ndryshme, në varësi të mënyrës sesi ato hyjnë në bllok, mund të sjellë shtrembërime në tregun e naftës.
“Shumë vende kanë theksuar se ky është një sektor ekonomik kaq i komplikuar, saqë duhet të jemi të kujdesshëm për të ruajtur kushtet e barabarta”, ka sqaruar një diplomat i BE-së.
Referuar diplomatit, aspektet ligjore kanë nevojë për rregullim të imët, kështu që “mund të marrë pak më shumë kohë”.
Ndër çështjet, të cilat duan zgjidhje, janë rregullimet teknike të nevojshme për rafineritë e Evropës Qendrore, në mënyrë që ato të përballojnë furnizime të ndryshme.
Po ashtu, ndërtimi dhe financimi i tubacioneve alternative të naftës, në mënyrë që e gjithë nafta ruse t’i nënshtrohet një embargoje në një fazë të mëvonshme.
Paketa e sanksioneve që po diskutohet, është e gjashta e paraqitur nga Brukseli që nga fillimi i pushtimit në shkurt.
Tanimë BE-ja ka zbatuar sanksione ndaj qymyrit, por ka bërë të mundur që vendet të vazhdojnë të blejnë gaz nga Moska.
“Financial Times”
Lini një Përgjigje