Zaporizhia si shkëndijë e luftës së 3-të botërore (dhe ndofta edhe bërthamore)

14 Gusht 2022, 22:00Bota TEMA

Zaporizhia si shkëndijë e luftës së 3-të botërore

Pak vetë dinin diçka rreth centralit bërthamor të Zaporizhës në Ukrainë deri para invazionit rus atje. Tani është mësuar se ky qënka, me shumë gjasa, centrali më i madh bërthamor në Europë. Gjithçka do të kishte mbetur me kaq, në nivelin e statistikave dhe informacionit, në rast se javët e fundit atje të mos kishin filluar të binin si breshër bomba dhe raketa, pa u marrë vesh mirë se nga kush.

Që nga muaji mars, ky central atomik ka rënë në duart e ushtrisë ruse. Dhe pavarësisht luftës, ai vazhdon ende të funksionojë. Ushtarët që e kontrollojnë atë janë rusë. Teknikët që e mbajnë në punë janë ukrainas!

Por ky nuk është shqetësimi kryesor. Sidomos për Kievin. Ukrainasit kanë frikë se së shpejti ky central do të furnizojë me energji elektrike Rusinë. Duke i ndërprerë lidhjet me Ukrainën. Dhe në fakt rusët po shtrijnë me shpejtësi kabllot për ta lidhur centralin e Zaporizhës me rrjetin e tyre elektrik. Shtoi kësaj edhe planin e Kremlinit për të organizuar gjoja një referendum “të lirë” në këtë rajon, atëhere mund të arrish kollaj në përfundimin se Moska ka ndërmend ta aneksojë përgjithmonë këtë pjesë të territorit të Ukrainës! Siç bëri me Krimenë, apo siç po ngjan sot në zonat e Doneskut e më gjërë.

Këto synime të Moskës kanë bërë që ky central bërthamor të kthehet në një pikë nevralgjike për të ardhmen e konfliktit. “Ekzistojnë  të gjitha mundësitë që në Zaporizha të bëhet hataja” – ka pohuar eksperti i fizikës bërthamore Bruno Chareyron. “Jemi në një moment kyç”, - theksoi nga ana e tij në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Rafael Grossi, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (AIEA).

Pikërisht duke pasur parasysh këtë rrezikshmëri tejet të lartë, Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, me nismën e sekretarit të përgjithshëm të tij, Gueterres, mbajti të enjten 11 gusht, një takim të nivelit të lartë. Sepse ekziston një frikë shumë e madhe dhe reale që ky central të shërbejë si një fije shkrepse që mund t’I vëjë zjarrin gjithë rajonit dhe mbase edhe shumë më gjërë! Çernobili  dhe Fukushima janë shembujt më të fundit se çfarë dëmesh mund të shkaktohen në rast se një raketë psh godet rezervat e uraniumit, apo “kazanin” kur zbërthehet atomi!

Pas disa orë bisedimesh rusët pranuan propozimin e Gueterres që centrali dhe periferia përqark tij të demilitarizohet. Pra që të tërhiqen të gjitha armatimet në një kufi të pranuar nga të gjitha palët. Përgjigja e Ukrainës ndaj këtij propozimi ende nuk është bërë e ditur akoma. Por presidenti i Ukrainës Zelenski i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të bëhet çfarë është e mundur që trupat ruse të zbohen nga ai sektor.

Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe grupi G7 kërkuan po ashtu kthimin e centralit nën juridiksionin e Ukrainës. Kërkesë që është hedhur poshtë nga Kremlini.

Problemi qëndron se ky central gjendet shumë pranë kufirit me Rusinë. Në rast se me dashje apo pa dashje ai shpërthen, dëmet në njerëz dhe materiale do të jenë të konsiderueshme sa në anën ruse, po aq edhe në atë ukrainase.Dhe në qoftëse era do të fryjë nga lindja drejt perëndimit mund të preken nga radioaktiviteti i lartë jo vetëm vendet fqinje si Hungaria, Polonia, Çekia etj, por vala mund të prekë deri edhe Francën dhe ndofta edhe Anglinë!

Si për ta bërë edhe më tragjike dhe të rrezikshme tabllonë, ish presidenti i Rusisë, Medvev, paralajmëroi se centrale bërthamore ka edhe në vendet e Europës Perëndimore! Një kërcënim i hapur ky për një shkallëzim të konfliktit nga ai i deritanishëm « klasik » në atë bërthamor.

Ishte frika e një përshkallëzimi të tillë që e bëri kryetarin e OKB-së të kërkonte një takim të nivelit të lartë me pjesëmarrjen e Rusisë, që është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit dhe të Ukrainës.

Për Gueterres ky skenar apokaliptik duhet shmangur me çdo kusht. E keqja është se Rusia nuk pranon ta lëshojë prenë e grabitur. Demilitarizim po, por centrali do mbetet i imi – thotë Kremlini. Nga ana tjetër Zelenski i kërkon me ngulm bashkësisë ndërkombëtare kthimin nën sovranitetin e Ukrainës të centralit bërthamor të Zaporizhës ! Ndryshe çfarë mund të ngjasë ?!

Ndërkohë, bombardimet me predha dhe raketa rreth këtij rajoni vazhdojnë ! Por askush nuk merr përgjegjësinë për to ! Të gjithë ngrejnë supet. Rusia argumenton se nuk ka pse të bombardojë atë që tashmë ajo e ka nën kontrollin e saj !

Shpesh herë luftra të mëdha dhe të përgjakshme kanë shpërthyer për shumë më pak se kaq. Bota e gjithë e ka dënuar agresionin rus ndaj Ukrainës. Po a mjafton kjo për të shmangur një katastrofë të mundshme bërthamore?!  Që nuk dihet se ku dhe si do përfundojë!

Askush nuk mund t’i parashikojë pasojat në rast se një ditë centrali i Zaporizhës do të shpërthejë si pasojë ndonjë goditjeje nga ndonjë drejtim i paditur! Atëhere nuk do të ketë asnjë rëndësi se kush ka të drejtë, po se kush do të shpëtojë gjallë nga ky skenar që deri më sot është luajtur vetëm nëpër filmat hollivudianë!

Viron Gjymshana

Lini një Përgjigje