Një raport i publikuar nga The Guardian pretendon se fondacioni bamirës i familjes së Elon Musk financoi udhëtimin e aktivistit britanik të ekstremit të djathtë, Tommy Robinson, në Rusi.
Sipas gazetës, deklarata është bërë nga Errol Musk, babai i miliarderit Elon Musk, i cili tha se kishte udhëtuar së bashku me Robinson në Moskë dhe se shpenzimet ishin mbuluar nga Musk Foundation, organizata filantropike e themeluar nga Elon dhe vëllai i tij, Kimbal Musk.
“Unë e çova në Rusi”, citohet të ketë thënë Errol Musk për The Guardian, duke shtuar se gjatë vizitës zhvilluan takime me figura të biznesit rus.
Vizita e Tommy Robinson, emri i vërtetë i të cilit është Stephen Yaxley-Lennon, u zhvillua muajin e kaluar. Gjatë qëndrimit në Moskë, ai publikoi video në rrjetet sociale dhe bëri thirrje për protesta kundër emigracionit në Britani pas një sulmi me thikë në Belfast.
Sipas raportit, udhëtimi ndodhi në një kohë kur autoritetet ruse po përpiqen të forcojnë lidhjet me figura të ekstremit të djathtë në Evropë. Në të njëjtën periudhë, në Rusi ndodheshin edhe influencuesit Andrew dhe Tristan Tate.
Errol Musk e përshkroi Robinson si “një djalë të mirë”, duke thënë se ai është “gjaknxehtë, por po mëson”. Ai shtoi se gjatë takimeve në Rusi u diskutuan edhe tema si rënia e lindshmërisë në vend.
Pas kthimit nga Rusia, policia britanike ndaloi Robinsonin dhe sekuestroi telefonat e tij për hetime.
Ndërkohë, eksperti për dezinformimin, profesor Stephan Lewandowsky nga Universiteti i Bristolit, deklaroi për The Guardian se Rusia ka interes strategjik të krijojë lidhje me figura që mund të ndikojnë në destabilizimin e demokracive perëndimore, duke e cilësuar këtë pjesë të një lufte hibride politike.
Deri më tani nuk ka një reagim publik nga Elon Musk ose nga Musk Foundation lidhur me pretendimet e publikuara nga The Guardian.
Lini një Përgjigje