Administrata e Donald Trump ka lëshuar urdhra paraqitjeje ndaj disa gazetarëve të The New York Times, pasi gazeta publikoi ditët e fundit artikuj mbi problemet e sigurisë së avionit të ri Air Force One, i dhuruar presidentit Trump nga Katari.
Lajmi u bë i ditur nga vetë gazeta amerikane, e cila theksoi se urdhrat synojnë të detyrojnë gazetarët të dëshmojnë të mërkurën para një jurie të madhe federale në Manhattan. Sipas The New York Times, kjo përfaqëson “një përshkallëzim të jashtëzakonshëm të përpjekjeve të presidentit Trump për të kërcënuar dhe frikësuar mediat e pavarura”.
Në artikujt e publikuar thuhej se Air Force One i ri, i futur në shërbim javën e kaluar, nuk ishte i pajisur me disa sisteme të rëndësishme sigurie, duke përfshirë sistemin kundër raketave. Për këtë arsye, pavarësisht se taksapaguesit amerikanë shpenzuan rreth 400 milionë dollarë për ta vënë në funksion, avioni nuk u përdor për një pjesë të udhëtimit të kthimit të Trumpit nga Ankaraja, ku ai mori pjesë në samitin e NATO-s.
Presidenti përdori avionin e ri për të udhëtuar drejt Turqisë, por gjatë kthimit u transferua në një model më të vjetër të Air Force One për fluturimin nga Ankaraja drejt bazës ajrore Mildenhall, në Suffolk të Anglisë. Më pas ai hipi sërish në avionin e ri për segmentin e fundit të udhëtimit drejt Joint Base Andrews, pranë Shtëpisë së Bardhë.
Sipas The New York Times, ndryshimi i papritur i avionit u kërkua nga Secret Service, për shkak të shqetësimeve lidhur me mungesën e sistemit mbrojtës kundër raketave në avionin e ri.
Trump mohoi se kishte probleme sigurie. I pyetur nëse ishte në dijeni të ndonjë kërcënimi të besueshëm nga Irani ndaj Air Force One, ai u përgjigj: “Marr kërcënime gjatë gjithë kohës. Unë jam numri një në listën e tyre.”
Urdhrat e paraqitjes kërkojnë që mediat të dorëzojnë shënime, regjistrime audio dhe video të papublikuara, si dhe të dhëna mbi komunikimet që mund të çojnë në identifikimin e burimeve konfidenciale (“whistleblowers”).
Avokatët e organizatave mediatike argumentojnë se ky veprim shkel Amendamentin e Parë të Kushtetutës amerikane dhe cenon mbrojtjen historike që u garantohet gazetarëve. Organizatat për lirinë e shtypit paralajmërojnë se përdorimi i urdhrave të tillë mund të dekurajojë burimet konfidenciale të raportojnë shkelje ose probleme brenda agjencive federale.
Nuk është hera e parë që administrata Trump ndërmerr një hap të tillë. Në fillim të këtij viti, Departamenti i Drejtësisë lëshoi urdhra paraqitjeje edhe ndaj gazetarëve të The Washington Post dhe The Wall Street Journal, por më pas i tërhoqi ato.
Gjatë mandatit të tij të parë, Trump e cilësoi shtypin si “armik të popullit amerikan”, ndërsa që nga rikthimi në Shtëpinë e Bardhë ka ndërmarrë një fushatë agresive kundër mediave, të cilën shumë analistë e konsiderojnë të paprecedentë në historinë moderne të Shteteve të Bashkuara.
Mes masave të ndërmarra janë paditë ndaj mediave, editorialet e të cilave ai i kundërshton, si dhe kërcënimet për t’u hequr licencat e transmetimit televizioneve.
Lini një Përgjigje