‘Teherani dëshiron të vrasë Trumpin’: Alarmi i Izraelit, mes lojërave të spiunazhit dhe marrëdhënieve (të luhatshme) mes aleatëve

11 Korrik 2026, 13:00Bota TEMA
‘Teherani dëshiron të vrasë Trumpin’: Alarmi i

Vrasja e shënjestruar është pjesë e përplasjes që vë përballë bllokun SHBA-Izrael me boshtin Iran-milicitë shiite. Të shumta kanë qenë eliminimet fizike të drejtuesve iranianë, episode që kanë ushqyer dëshirën për hakmarrje nga ana e Republikës Islamike, madje edhe para konflikteve të fundit. Kjo ka sjellë një sërë zbulimesh mbi plane të vërteta ose të supozuara për të vrarë Donald Trumpin.

Në orët e fundit ka ardhur një alarm i ri. Izraeli ka informuar Uashingtonin për një plan të mullahëve, të vendosur për të eliminuar presidentin amerikan. Ky informacion vjen pas historive të ngjashme, të shoqëruara me hetime gjyqësore. Edhe pse shpesh bëhej fjalë për ngjarje me konture të paqarta dhe me protagonistë jo fort “profesionistë”.

Këto raste janë përzier edhe me atentatet e dështuara ndaj Trumpit, të kryera megjithatë nga individë pa asnjë lidhje me regjimin shiit. Sulmet dhe alarmet e vazhdueshme e kanë detyruar Shërbimin Sekret amerikan të forcojë masat e sigurisë, të verifikojë çdo ndërhyrje të jashtme dhe të mbajë nën vëzhgim lëvizjet e shumë kundërshtarëve.

Teherani, nga ana e tij, ka një llogari të hapur me Trumpin për vrasjen e gjeneralit iranian Qasem Soleimani, i cili u eliminua nga një sulm me dron amerikan në Bagdad në janar të vitit 2020. Kjo ishte një humbje e rëndë për Iranin, duke pasur parasysh rolin e Soleimanit. Ai drejtoi për vite të tëra Forcën Quds, njësinë e operacioneve speciale, zhvilloi marrëdhëniet mes fraksioneve shiite në Lindjen e Mesme dhe i shndërroi ato në një “krah” të rëndësishëm të sistemit iranian, duke hartuar strategjinë e Teheranit në rajon.

Nuk është rastësi që pas atij sulmi janë shtuar informacionet për hakmarrje të drejtuara nga Garda Revolucionare iraniane. Janë publikuar rikonstruksione të ndryshme, gjithmonë të mohuara nga Teherani, sipas të cilave iranianët akuzoheshin se po përgatisnin atentate ndaj ish-sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, ish-këshilltarit për sigurinë kombëtare John Bolton dhe vetë Trumpit. Disa kanë kujtuar edhe rastin e shkrimtarit Salman Rushdie, i cili u sulmua dekada pas fetvasë për vdekje të shpallur nga Ajatollah Khomeini.

Në vitin 2024, tre kriminelë të zakonshëm në Nju Jork u akuzuan se ishin rekrutuar nga Pasdaranët për të kryer vrasje në Shtetet e Bashkuara. Bëhej fjalë për një celulë të drejtuar nga një trafikant droge afgan, i cili më pas u arratis jashtë vendit, sipas një metode të përdorur prej kohësh nga shërbimet iraniane. Ato mbështeten te hajdutë të vegjël, anëtarë bandash ose motoçiklistë, të cilët pranojnë misionin në këmbim të parave.

Po në vitin 2024, në nëntor, media amerikane raportoi se Republika Islamike kishte dërguar një mesazh administratës në largim të Joe Bidenit, ku angazhohej të mos atentonte ndaj jetës së Donald Trumpit. Ky garanci konsiderohej një gjest qetësues për të zbutur shqetësimet e Shtëpisë së Bardhë.

Disa muaj më parë, SHBA-ja, pasi kishte mbledhur indicie për sulme të mundshme kundër Trumpit, kishte paralajmëruar Teheranin për pasojat e mundshme: “Ne do ta konsiderojmë këtë një akt lufte”.

Lufta, megjithatë, erdhi më vonë për arsye të tjera, e nxitur nga aleanca SHBA-Izrael. Eliminimi i drejtuesve të armikut u bë pjesë thelbësore e një strategjie që synonte shembjen e regjimit iranian. Por kjo nuk ndodhi.

Të dyja palët e shfrytëzuan momentin. Paralajmërimi izraelit u shërbeu të gjithëve. Pasdaranët kujtuan, në fund të ceremonive mortore për Khamenein, se hakmarrja është legjitime. Po aq sfidues u shfaq edhe Trumpi: “Ata duan të eliminojnë liderin e Shteteve të Bashkuara, pra mua… Jam në të gjitha listat. Pashë këtë mëngjes se jam në secilën prej tyre.”

Megjithatë, mbetet një prapaskenë e lidhur me marrëdhëniet e luhatshme mes Tel Avivit dhe Uashingtonit. Burime anonime amerikane, të cituara nga CNN, janë treguar të kujdesshme ndaj mesazhit të transmetuar nga Izraeli. Sipas tyre, mund të bëhet fjalë për një përpjekje për të ndikuar te presidenti amerikan. Një tjetër informacion që rindez mosbesimin e një pjese të administratës amerikane ndaj aleatit izraelit, jo vetëm për çështjet e inteligjencës./ Corriere della Sera

Lini një Përgjigje