Një vështrim athinas mbi demokracinë amerikane

11 Korrik 2026, 09:30Bota TEMA
Një vështrim athinas mbi demokracinë amerikane

Në moshën 250-vjeçare, Amerika po prodhon tashmë një fuqi të verbër e brutale dhe një paqëndrueshmëri që rritet në mënyrë eksponenciale. Mundësia e katarsisit që i karakterizonte Shtetet e Bashkuara në dyqindvjetorin e tyre është e vështirë të përfytyrohet gjysmë shekulli më vonë — në dëm të të gjithëve ne.

Nga Yanis Varoufakis, Project Syndicate

Fill pas 250-vjetorit të pavarësisë së Amerikës, ndjeva nevojën e pazakontë t’i rezistoja prirjes sime të zakonshme për analiza ekonomike dhe gjeopolitike ndaj pretendimeve në favor ose kundër Shteteve të Bashkuara. Në vend të kësaj, iu dorëzova një vështrimi emocional, personal, madje athinas, mbi hegjemonin global, zhvillimi dhe veprimet e të cilit na kanë formësuar të gjithëve.

Kujtimi im më i hershëm për Amerikën si faktor në jetën time daton në një pasdite të nxehtë të fillimit të qershorit 1968. Kishte kaluar pak më shumë se një vit që kur një grusht shteti i mbështetur nga CIA e kishte vendosur Greqinë nën një diktaturë fashiste. Unë dhe nëna ime po shëtisnim jashtë stadiumit të lashtë të restauruar, ku në vitin 1896 ishin zhvilluar Lojërat e para Olimpike moderne. Papritur, qetësinë e prishi një gazetashitës, i cili thërriste me sa kishte në kokë për një amerikan që kishte vdekur. Sytë e nënës sime u mbushën me lot. “Ishte shpresa jonë e fundit”, tha ajo.

Amerikani i vdekur ishte Robert F. Kennedy, tek i cili nëna ime, me të drejtë ose jo, kishte varur shumë shpresa, jo vetëm për çlirimin tonë këtu në Greqi, por edhe për paqen botërore. Ky do të ishte mësimi im i përshpejtuar mbi rëndësinë që Amerika kishte për të gjithë ne, por edhe mbi kundërthëniet e saj të brendshme.

Sigurisht, kishte pasur edhe më parë lajme për vrasje amerikane që të copëtonin shpirtin, veçanërisht ato të Martin Luther King Jr. dhe Malcolm X-it. Ndërsa në vitet që pasuan, lajmet sillnin çdo ditë tmerret e Vietnamit dhe ndërlikimet e skandalit Watergate. Megjithatë, këto ekuilibroheshin nga kritikat amerikane prekëse, të nuancuara dhe estetikisht të sofistikuara ndaj gjithë kësaj.

A ka mënyrë më të mirë për të kuptuar marrëzinë kriminale të Luftës së Vietnamit sesa "Apocalypse Now" i Francis Ford Coppola-s? Apo një demaskim më të mirë të korrupsionit endemik në Kaliforni sesa "Chinatown" i Roman Polanski-t? Apo të skandalit të Watergate-it sesa "All the President’s Men" i Alan Pakula-s? Apo një paraqitje më të mirë të përdorimit të CIA-s si armë sesa "Three Days of the Condor" i Sydney Pollack-ut? Apo një portretizim më të mirë të botës së errët dhe të rrezikshme të vendit sesa "The Godfather" i Coppola-s apo "Taxi Driver" i Martin Scorsese-s?

Teksa rritesha dhe filloja të lexoja libra të vështirë, ishin autorët amerikanë ata që më hapën dritare prej nga mund të vështroja peizazhet magjepsëse të kundërthënieve të Amerikës. "The Theory of the Leisure Class" e Thorstein Veblen-it më dha një kuptim më të mirë të kapitalizmit amerikan se çdo tekst ekonomie, qoftë tradicional apo polemik. "The Grapes of Wrath" e John Steinbeck-ut më nguliti tmerrin e Depresionit të Madh dhe vlerësimin për New Deal-in që pasoi, në një mënyrë që asnjë ekonomist nuk arriti ta barazonte.

Në muzikë, rock’n’roll-i ishte porta ime drejt rhythm and blues-it, i cili u bë mësuesi im për të kuptuar se çfarë ishte në të vërtetë liria amerikane — ose mungesa e saj. A mund të ketë përmbledhje më të mirë të mënyrës se si koncepti dialektik i lirisë te Hegeli u shkri me Jugun amerikan sesa vargu i asaj kënge të mrekullueshme blues, të interpretuar fillimisht nga Ray Charles dhe më vonë nga Solomon Burke: "None of us are free, if one of us are chained?" (“Askush s’është i lirë, nëse dikush mbahet në zinxhirë”?)

Vite më vonë, skulpturat e Donald Judd-it në Marfa të Teksasit më ndihmuan të kuptoja rëndësinë e prodhimit industrial në formësimin e gjurmës kulturore të Amerikës. Pikërisht atje kuptova për herë të parë se si artefaktet e industrisë amerikane — fakticiteti i zhveshur i materialeve të saj industriale — kishin formësuar mënyrën se si i kuptonim hapësirat përreth nesh dhe ndërveprimin mes dritës dhe vëllimit, madje edhe këtu në Evropë.

Ishin kohë kur një introspeksion krijues kolektiv përshkoi Amerikën, i mbarsur me mundësinë e katarsisit. Siç shpjegonte Aristoteli te "Poetika", tragjedia nuk kishte të bënte kurrë thjesht me argëtimin; ajo ishte një gjykatë qytetare.

Kjo ishte ajo që po bënin autorët, muzikantët dhe kineastët e Amerikës: po nxirrnin para gjyqit ankthet e tyre më të thella. Ata e kuptonin se heronjtë e vërtetë tragjikë — si Edipi, Antigona dhe Prometeu — nuk janë në thelb as të mirë, as të këqij; ashtu si shumica e amerikanëve, ata vepronin sipas ndjenjës së tyre të thellë të drejtësisë, sipas një “të vërtete” që ndiheshin të detyruar ta mbronin.

Tragjedia e tyre qëndronte në faktin se universi, ose më shumë gjasa polisi, i shndërronte veprimet e tyre në forca kundërshtuese dhe dërrmuese. Duke dëshmuar vuajtjen që pasonte, mëshira dhe tmerret e grumbulluara brenda publikut pastroheshin dhe çliroheshin. Ky ishte çasti i katarsisit që, në fund, Amerikës iu mohua.

Ajo që ua rrëmbeu amerikanëve katarsisin ishte kalimi i dhunshëm i ekonomisë nga prodhuese e tepricave në gjeneruese deficitesh, i simbolizuar nga “Shoku i Nixonit” i vitit 1971, i cili i dha fund sistemit të Bretton Woods-it. Deri në vitet 1980, filmat dhe librat që dashuroja u zëvendësuan nga modele të një shovinizmi të vrazhdë si Rambo, Top Gun dhe The End of History e Francis Fukuyama-s.

Sigurisht, aftësia për vetëreflektim nuk u humb plotësisht. Çasti katartik i Amerikës u shua sepse elitat e saj arritën t’i shndërronin deficitet amerikane në një burim fuqie të pamasë dhe të pagdhendur. Ndërsa kapitali i huaj derdhte me entuziazëm fitimet dhe rentat në qytetin e Nju Jorkut, Wall Street i Oliver Stone-it kapi ngritjen e Gordon Gekko-ve që pasoi.

Filmi i Stone-it erdhi në fillimin e një epoke në të cilën qëndrueshmëria e fuqisë amerikane është shoqëruar nga një pasiguri ekonomike në zgjerim të vazhdueshëm — një proces që ka varfëruar shumë njerëz në SHBA dhe në pjesën tjetër të Perëndimit, ndërsa u ka mundësuar zotëruesve të kapitaleve të konsiderueshme të denominuara në dollarë të bëhen përrallisht të pasur. Për më shumë se katër dekada, është zhvilluar një luftë globale klasash kundër njerëzve që punojnë kudo në botë, dhe veçanërisht në SHBA, duke penguar një zgjidhje pastruese të tragjedisë amerikane.

Përkundrazi. Financiarizimi dhe, më së fundmi, ngritja e kapitalit të resë kompjuterike, Big Tech-ut dhe inteligjencës artificiale po e çimentojnë përçarjen brenda shoqërisë amerikane, e cila përfundimisht solli presidencën e Donald Trumpit. Si pasojë, Amerika po prodhon tani një fuqi të verbër e brutale dhe një paqëndrueshmëri që rritet në mënyrë eksponenciale. Mundësia e katarsisit që e karakterizonte Amerikën në dyqindvjetorin e saj është e vështirë të përfytyrohet gjysmë shekulli më vonë — në dëm të të gjithëve ne.

2 Komente

  1. S
    Shigjetari

    Ju te Temas nga nje ane shani komunizmin, nga ana tjeter publikoni shkrime komunistesh si ky greku.

    Përgjigjjuni
    1. H
      Hoxha qe u be prift

      KY paska bo hartim dhe histori,aspak analize. Le te vije ne koncertin e ketij amerikoni dhe te kendoje me keta tonet.

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje