Kina realizoi të premten, 10 korrik, testin e saj të parë të suksesshëm të një rakete të ripërdorshme, një arritje e rëndësishme në përpjekjet për të sfiduar dominimin amerikan në lëshimet hapësinore.
Raketa Long March 10B u lëshua në orën 12:15 sipas kohës lokale nga qendra hapësinore Hainan, në jug të Kinës, raportoi televizioni shtetëror CCTV.
Gjashtë minuta pasi faza e sipërme, që transportonte ngarkesën e misionit, u nda nga raketa, faza e parë u kthye në Tokë dhe u ul vertikalisht në një rrjetë të vendosur mbi një platformë lundruese.
Long March 10B konsiderohet si ekuivalenti kinez i raketës Falcon 9 të SpaceX, e cila përdoret për të dërguar në orbitë ngarkesa me peshë mesatare.
Raketa kineze është zhvilluar nga Akademia Kineze e Teknologjisë së Mjeteve të Lëshimit (CALVT) dhe ka kapacitet të transportojë deri në 16 tonë ngarkesë në orbitën e ulët të Tokës.
Ndryshe nga Falcon 9, e cila gjatë kthimit ulet mbi platforma në tokë ose në det, Long March 10B përdor grepa për t’u kapur në një rrjetë të tendosur.
Raketat e ripërdorshme ulin ndjeshëm koston e misioneve hapësinore, pasi lejojnë rikuperimin dhe ripërdorimin e fazës së parë, që përbën pjesën më të kushtueshme të çdo rakete.
Falcon 9 realizoi uljen e saj të parë të suksesshme në vitin 2015. Më pas, në vitin 2025, edhe raketa New Glenn e kompanisë Blue Origin, në pronësi të Jeff Bezos, arriti një sukses të ngjashëm.
Kina po punon prej rreth një dekade për zhvillimin e raketave të saj të ripërdorshme.
Në këtë garë janë përfshirë edhe disa kompani private kineze, megjithatë testi i vitit të kaluar i kompanisë LandSpace nuk rezultoi i suksesshëm.
Raketa e re i përket familjes Long March 10, e cila pritet të përdoret për misionin e parë me astronautë kinezë drejt Hënës, i planifikuar rreth vitit 2030.
Sipas CCTV, faza e parë e raketës që u rikuperua të premten do të përdoret në një tjetër lëshim testues në fund të këtij viti.
Lini një Përgjigje