Avokati i Popullit prezanton raportin 2025, Shabani në Vlorë, fokusi te pronat dhe ankesat

10 Korrik 2026, 22:20Sociale TEMA
Avokati i Popullit prezanton raportin 2025, Shabani në Vlorë, fokusi

Avokati i Popullit, Endri Shabani, prezantoi në Vlorë Raportin Vjetor për vitin 2025, ndërsa u shpreh se vizita kishte për qëllim dëgjimin e ankesave të qytetarëve. Sipas tij, shqetësimet kryesore në këtë qytet lidhen me çështjet e pronave dhe menaxhimin e tyre.

“Pjesa më e lartë e ankesave që na ka ardhur nga Vlora për vitin e kaluar, se ne kemi nxjerrë raportin tonë vjetor, lidhet kryesisht me kadastrën, lidhet me të drejtën e pronës, lidhet me institucione të cilat në fakt prej 36 vitesh ende nuk po i japin dot drejtim të kësaj problematike”, u shpreh Shabani.

Shabani u shpreh se Avokati i Popullit nuk mban qëndrim mbi kërkesat e protestuesve, por ndërhyn vetëm në rastet kur cenohen të drejtat e qytetarëve ose kur institucionet shkelin detyrimet e tyre.

“Aty ku abuzohet, aty ku policia nuk arrin të ruajë rendin, por e tejkalon këtë, ja delegon këtë kompetencë sektorit privat, siç ka qenë në rastin e Zvërnecit, ne kemi rekomanduar marrje masash”, tha ai.

Për komentet negative ndaj bizneseve, Shabani tha se mungojnë të dhënat e plota, por nëse cenohet liria e shprehjes së qytetarëve, Avokati i Popullit do të nisë hetim dhe do të reagojë zyrtarisht.

“Do ta vlerësojmë. Nëse kemi rast ku policia po kufizon të drejtën e fjalës, padyshim që jemi kundër, sepse e drejta për të shprehur lirisht është një e drejtë që është fituar në 1991”, theksoi avokati.

Raporti i Avokatit të Popullit për vitin 2025 u prezantua në praninë e përfaqësuesve të pushtetit vendor, drejtësisë, policisë, prokurorisë dhe qytetarëve të Vlorës.

Lini një Përgjigje