Zhdukja e 43 studentëve, Izraelit i kërkohet të dëbojë zyrtarin meksikan

22 Shtator 2022, 22:40Bota TEMA

Zhdukja e 43 studentëve, Izraelit i kërkohet të dëbojë

Të afërmit e 43 studentëve meksikanë që u zhdukën në vitin 2014 kanë protestuar jashtë ambasadës së Izraelit për të kërkuar ekstradimin e një ish-hetuesi të lartë të kërkuar në lidhje me këtë çështje.

Tomas Zeron, i cili më parë drejtoi Agjencinë e Hetimit Kriminal të Meksikës, u akuzua për manipulim të hetimit në një nga tragjeditë më të rënda të të drejtave të njeriut në vend.

Ai thuhet se ka qenë në Izrael për rreth dy vjet.

Zeron është një nga arkitektët e “të vërtetës historike” – versioni zyrtar i çështjes i paraqitur në vitin 2015 që u hodh poshtë nga të afërmit e viktimave dhe ekspertë të pavarur.

“Izraeli po mbron Tomas Zeron, një shkelës të të drejtave të njeriut, i cili torturoi ata që i arrestoi në atë kohë për të ndërtuar të vërtetën historike”, tha Meliton Ortega, një përfaqësues i familjeve të studentëve.

Por ambasadori izraelit në Meksikë Zvi Tal kritikoi veprimet e demonstruesve.

Një raport i fundit zbuloi se zhdukja e 43 studentëve pasi u zunë pritë nga oficerët e policisë në vitin 2014 ishte një krim i nxitur nga shteti që përfshinte autoritetet federale dhe shtetërore në nivelet më të larta të qeverisë.

Komisioni hetimor konfirmoi se qeveria federale, duke përfshirë ushtrinë dhe policinë federale meksikane, ishin në dijeni të lëvizjeve të studentëve.

Një dijeni që nga koha kur ata u larguan nga kampusi i shkollës së tyre rurale në shtetin e Guerrero deri në mbërritjen e tyre në qytetin Iguala ku u rrëmbyen natën e 24 shtatorit.

Më pas, zyrtarët lokalë të zbatimit të ligjit punuan në bashkëpunim me një grup të madh personash të armatosur të kartelit dhe vëzhgues për të zhdukur me forcë studentët.

Sakaq, raporti bazohet në më shumë se 41 mijë dokumente – duke përfshirë transkriptet e telefonatave, mesazhet me tekst dhe raportet – si dhe 50 video që tregojnë torturimin e të burgosurve në këtë rast.

Presidenti Andrés Manuel López Obrador u premtoi familjeve të studentëve të zhdukur se çdo agjenci qeveritare që i përgjigjet degës ekzekutive do të bashkëpunonte me komisionin për të “arritur tek e vërteta” e çështjes.

Dhe ai premtoi se nuk do të kishte pandëshkueshmëri.

Rasti tronditi vendin edhe pse qeveria meksikane u përpoq të mbulonte krimin, duke këmbëngulur se vetëm autoritetet lokale dhe anëtarët e kartelit ishin përgjegjës për krimin.

Deri më sot, eshtrat e vetëm tre prej 43 studentëve janë identifikuar.

Ushtria meksikane ka një kazermë vetëm pesë minuta nga vendi ku studentët u sulmuan, por sekretari i atëhershëm i mbrojtjes fillimisht pretendoi se trupat nuk ishin në rrugët e Iguala natën e sulmit.

Por komisioni zbuloi se ushtria po monitoronte nga afër studentët dhe nuk lëvizi për t’i shpëtuar ata nga oficerët e policisë lokale që ndihmuan në zhdukjen e tyre.

Po ashtu konfirmoi se një ushtar ishte infiltruar në grupin e studentëve dhe ishte në autobusët që kishin përdorur për të udhëtuar në qytet.

Ushtari, konfirmoi komisioni, mbetet i zhdukur bashkë me shumicën e studentëve.

Komisioni konfirmoi gjithashtu se studentët nuk u dërguan kurrë në një vendgrumbullim të mbetjeve aty pranë, siç kishte pretenduar administrata e mëparshme.

Ekspertët e zjarrfikësve dhe mjekësisë ligjore, të sjellë nga familjet e studentëve, e kishin hedhur poshtë teorinë.

Lini një Përgjigje