Dëshmia e ish-ministrit të Brendshëm: Me urdhër të Enver Hoxhës, unë qëndrova në spital deri sa Nako Spiru vdiq dhe pastaj ai më tha t’i kontrolloja xhepat e kufomës së tij, ku gjeta…

25 Janar 2023, 18:49Dossier TEMA

Dëshmia e ish-ministrit të Brendshëm: Me urdhër të

“Ndoshta dy vjet më parë, megjithëse kjo nuk ka edhe ndonjë rëndësi të veçantë për çka do të shkruhet me poshtë, në manifestime të ndryshme masive, që zhvilloheshin në vende të ndryshme të Evropës Lindore, me kërkesat për më shumë liri e demokraci, shpalosej madhështore edhe një parullë impresionante: “Proletarë të të gjithë vendeve na falni”! Doemos, lajmet e dhëna në ato vite ishin shpresëdhënëse, tronditëse, veç të tjerash, për këtë parullë të re, tronditëse do të thoja, më bëri shumë përshtypje, e them se për kushtet dhe gjendjen time, ky sllogan i ri, më bëri më shumë kureshtar se çdo lajm tjetër i atyre viteve, për anën e veçantë të tij.

Dëshmitë e Nesti Kerenxhit, për Enverin, Nako Spirun, Koci Xoxen, etj

Më shumë se vetë lajmi për rrëzimin e Murit të Berlinit, dhe kjo, jo sepse Muri i Berlinit ishte në moshë më të re se parulla e famshme e shkruar në mbyllje të Manifestit Komunist; as sepse Muri i Berlinit, ky simbol i shtypjes, i diktaturës, i krimit, i gënjeshtrës dhe i mashtrimit diktatorial nuk ka se si krahasohet me bashkimin e proletariatit, me qëllimet e këtij bashkimi, duke lënë mënjanë të përbashkëtën e tyre, ideologjinë.

As edhe pse rreth 143 vjet mbas Marksit dhe Engelsit, gazeta “Zëri i Popullit”, organi qendror i PPSH-së, mban ende në ballë po atë parullë, ashtu si gjatë gjithë ekzistencës së saj, sepse në kuadrin e vazhdimësisë dhe të rinovimit, ky organ, një mëngjes të bukur, do të dalë me të njëjtin emër, por pa parullën-thirrëse, të njohur si kushtrim të proletariatit botëror.

E pra, përshtypja është më e madhe, sepse më përforcoi bindjen se jo vetëm në vende të tjera, por edhe te ne ishte imperative kërkesa drejtuar popullit që të na falë: “Shqiptarë të të gjitha viseve, na falni!” A nuk do të tingëllonte shumë fisnike kjo thirrje-kërkesë e re!

Dhe të na falë, jo vetëm ne iniciatorët e krijimit të Partisë Komuniste të Shqipërisë, që kemi mbetur ende gjallë nga të “200 petritët” zemërplasur e sakatosur, syrgjynosur e burgosur (përjashto ata të paktë bashkëpunëtorë të ndërtimit të Shqipërisë së re socialiste, sipas mësimeve të “arkitektit të ndritur” Enver Hoxha, por të gjithë të zhgënjyerit e tjerë).

Unë, patjetër, ashtu si shumë shokë të mi, faljen e kam kërkuar heshturazi, në zemër të përsëritur ashtu si rrahjet e saj sa herë më dalin parasysh pasojat e rënda të asaj kohe që, Enver Hoxha e ka quajtur me mburrje “Kur hidheshin themelet e Shqipërisë së Re” dhe që duhet quajtur: kur çeleshin konturet e greminës së re, kur ne, me atë sinqeritetin e kohës, moshës dhe zemrën e çiltër ishim të bindur se punonim e luftonim për lirinë, demokracinë, mirëqenien e, siç thoshim atëherë: për bukë, paqe e liri.

Thirrja “Proletarë të të gjithë vendeve na falni!” i shtoi dhe po i shton radhët e të zhgënjyerve. Me mijëra komunistë e anëtarë partie dorëzojnë sot teserat e Partisë, shumë të tjerë, punëtorë, fshatarë, intelektualë nuk besojnë më në ideologjinë gënjeshtare të PPSH, në demagogjinë e paskrupull të saj, në mashtrimet dhe gënjeshtrat e Enver Hoxhës dhe sahanlëpirësve të tij bashkëfajtorë. Fushata për rinovimin e Partisë së Punës të Shqipërisë, e filluar para Kongresit të saj të 10-të, synonte të ndalonte hemorragjinë e saj të brendshme, shthurjen e saj, por pa dobi.

Parapërgatitja ose më mirë përpunimi i opinionit të brendshëm dhe të jashtëm për orientimin e Kongresit të 10-të të PPSH-së, lidhur me kërkesën për falje popullit për bëmat e “ndritura” (Intervista e Spiro Dedes), synonte të shpëtohej çka mund të shpëtohej nga ajo që tashmë e ka marrë të tatëpjetën. Nuk mund të merret si një përpjekje e pastër, e të pranohet si falje, njohja në atë masë të të metave, gabimeve, krahas të ashtuquajturit qëndrim kritik të mbajtur ndaj figurës së Enver Hoxhës. Jo! Kurrsesi, jo!

Përkundrazi, këtu kemi të bëjmë thjesht e vetëm me një mashtrim. Me përpjekjen për vazhdimësi të PPSH-së enveriste, pa Enver Hoxhën, por me Sekretar të Përgjithshëm të PPSH, Ramiz Alinë. Askush më mirë se Kongresi i 10-të i PPSH-së, nuk mund t’i drejtohej popullit dhe partisë për falje, për ndjesë, për një rënie më gjunjë si fëmija miturak përpara nënës.

Vetëm ai i kish të gjitha mundësitë dhe atributet e plota, madje kishte në dispozicion arkivin e KQ të PKSH-së dhe PPSH-së, qoftë edhe atë pjesë të pa zhdukur apo të pa përpunuar (siç thuhet) për të goditur drejtpërsëdrejti, punën shkatërrimtare 47- vjeçare të sistemit diktatorial stalinisto-enverian, për të përcaktuar rolin e figurës së Enver Hoxhës në këtë gjysmë shekulli të sundimit të perandorisë së tij e të lakenjve të tij: të gënjeshtrës, mashtrimit, frikës, tmerrit, shtypjes, krimit, dhunimit, zhdukjes së njerëzve dhe të debatit e të së drejtës së fjalës e të shtypit të lirë, të shkatërrimit sistematik të personalitetit të njeriut e shpërfytyrimit të shoqërisë etj.

Por le të mos keqkuptohemi, askush prej shqiptarëve nuk duhet dhe nuk është për një përgjegjësi kolektive me diktatorin Enver Hoxha, ashtu siç mund ta konceptojnë ose ta dëshirojnë pasonjësit e tij. Vetëm ish-sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Punës të Shqipërisë, Ramiz Alija, i cili zakonisht i lëkundur në shumë çështje, duket se përsëri ashtu i lëkundur, kërkon rrugëdalje pa u lagur dhe kujton se po e gjen atë, me lënien e përcaktimit të figurës së Enver Hoxhës, në dorë të historisë. Me të drejtë pyes: të cilës histori?

Të asaj historie që bën populli me punën, guximin dhe gjakun e tij, apo të historisë që mundohen të bëjnë liderët, pseudoliderat, udhëheqësit, pseudo udhëheqësit, diktatorët, mikrodiktatorët, diktatorucët, të cilët duhen quajtur, pa ngurruar, me emrin e tyre. Ndaj populli, i cili vuajti, vuan dhe do të vuajë edhe për një farë kohe nga bëmat e mbrapshta të Enver Hoxhës, ka ende të gjalla shumë kujtime që nuk po ia lë historisë t’i gërmojë dhe interpretojë, përkundrazi, me çdo mjet po i denoncon sheshit, për ditë nëpër sheshe.

Sa kujtime kemi ne që e kemi njohur Enver Hoxhën pak si shumë nga afër, kur atë ende nuk e njihte vetë e shoqja dhe bashkëfajtorja e tij, Nexhmija. Por a do të mundemi ne vallë, t’i japim me një herë, notën që i takon, vendin e merituar në histori, t’i bëjmë të njohura vetëm me vërtetësi, pa ndikime, fërkime, frikësime e imponime publike nga njerëz ordinerë që do të shfaqen e do të na shiten si martirë të diktaturës, si “demokratë” të kulluar, si njerëzit më të përgjëruar për të vërtetën. Besoj se jo.

Do të na duhet edhe shumë kohë ta presim këtë çast. Sepse nuk ka autoritete, personalitete, institucione, nuk ka dëshirë e guxim që të mund ta kryejnë këtë aksion tepër të vështirë. Gjithsesi, do të përpiqem të përmend me vërtetësi shumë fakte për çka është shkruar në të kaluarën dhe të vërtetoj edhe një herë me shumë sinqeritet se kush është Enver Hoxha, cila është fytyra dhe karakteri i tij tinzar”.

Si u ngrit në krye të komunistëve shqiptar Enver Hoxha?

“E kam njohur Enver Hoxhën që në Korçë, kur jepte mësim në Liceun Francez me orë të reduktuara, si pedagog i jashtëm. E kam njohur edhe më luftë, kur ndodhej në Qarkun e Korçës. Kam qenë i pranishëm në servilizmat patologjike të tij ndaj Svetozar Vukmanoviç Tempos në Kucakë, si dhe ndaj Miladin Popoviçit e Dushan Mugoshës në Kucakë e në Vithkuq.

E kam parë në Konferencën e Parë të Vendit të Partisë Komuniste Shqiptare, në Labinot, kur me gjithë këmbënguljen e madhe të Miladin Popoviçit, për ta zgjedhur Enver Hoxhën Sekretar të Përgjithshëm, delegatët e Konferencës e kontestuan propozimin e Miladinit, për zgjedhjen e tij si Sekretar të Përgjithshëm dhe kërkuan që në vend të tij, të zgjidhej Koçi Xoxja, megjithëse ai nuk ishte i pranishëm, sepse ndodhej i burgosur në Burgu e Ri në Tiranë, ku ishte dënuar me vdekje dhe nga ku ai dhe 27 të burgosur të tjerë, u arratisën nga tuneli i nëndheshëm i hapur nga vetë të burgosurit politikë, të drejtuar nga Koçi Xoxja.

Në këtë kohë, “atdhetari i madh” Enver Hoxha, i cili nuk kishte asnjë aktivitet të shquar luftarak personal, çka në kohë lufte ky fakt ishte shumë i rëndësishëm, propozoi shokun Josif Broz Tito, për Sekretar të Përgjithshëm të PKSH-së, duke lënë gojë hapur të gjithë delegatët me mençurinë dhe në të njëjtën kohë me servilizmin e tij. A nuk flet ky fakt, për atë që Enver Hoxha, nuk kishte asnjë lloj ndjenje atdhetarie.

E kam parë në Panarit, në dimrin e 1943-1944, kur i kishin rënë puplat dhe ngrehosja e vetëkënaqësisë karakteristike të tij, kur Grupi operativ i Shtabit të Përgjithshëm, jo vetëm pa drejtimin e tij nxorën të pa prekura nga rrethimi i madh asgjësues gjerman i Operacionit Armik të Dimrit, kur ai u kthye i turpëruar nga inkursioni “Triumfator i Martaneshit” dhe ku kryesisht për faj të tij, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare, i shkëputi të gjitha lidhjet me forcat kryesore të ushtrisë dhe me zor kaloi lumin Shkumbin.

Kjo, në një kohë kur në zonën e Martaneshit, Shpiragut, Arbanës, Shën-Gjergjit e Pezës, kishte dy brigada sulmuese, Grupin e Elbasanit dhe Grupin e Pezës e, nuk mundi të lidhej me to e me ndihmën e tyre të siguronte kalimin në Jug të vendit, por gati sa nuk u asgjësua efektivi kryesore i Shtabit të Përgjithshëm.

Kam pasur fatin e madh ta shoh në Plenumin e Dytë të KQ të PKSH-së të Beratit kur, raporti politik i përgatitur nga Sejfulla Maleshova, ia bënte kurrizin më të butë se barkun, por askush nuk kishte synim ta izolonte Enver Hoxhën, përkundrazi, ai pas Beratit, me miratimin e KQ të PKSH-së u shpall Kryeministër, Gjeneral-kolonel, Komandant Suprem, Sekretar i Përgjithshëm i KQ të PKSH-së, e plot ofiqe të tjera. Pa shikoni ju lutem se çfarë kameleoni tregohet Enver Hoxha, thuajse në të gjitha rastet, kur ai përgatitet për të ngritur kurthe apo komplote makabre pa kursyer askënd.

Propozimi në Plenumin e 8-të të KQ të PKSH-së, që Tito të njihej si Sekretar i Parë

Unë, edhe sot e kësaj dite, nuk arrij ta konceptoj qartë në logjikën time qëndrimin politik, ideologjik, atdhetar, partiak e moral të Enver Hoxhës, si dhe propozimin e shfaqur rishtas nga ana e tij në Plenumin e 8-të të KQ të PKSH-së, që shokun Josif Broz Tito, ne duhej ta konstituonim si Sekretar të Përgjithshëm të K.Q. të Partisë Komuniste Shqiptare, ndërsa atë (Enver Hoxhën), si zëvendës të tij në Shqipëri! Marrëzi dhe poshtërsi më të madhe unë nuk kam dëgjuar kurrë nga goja e ndonjë politikani shqiptar, i çfarëdo spektri politik qoftë!

Kjo është e shkruar siç thotë populli, e zezë mbi të bardhën, në proces–verbalin e mbledhjes së Plenumit të KQ të PKSH-së, në qoftë se nuk më ka lënë kujtesa, e kam mbajtur unë personalisht, veç në qoftë se nuk e kanë zhdukur ose falsifikuar. Dua të theksoj dhe të pyes me këtë rast, për dokumentet themelore të historisë të PKSH-së, PPSH-së, Historisë së Shqipërisë, ku janë dokumentet si: proces-verbali i Mbledhjes Themeluese të PKSH-së? Do të thoni ju, e ka sekuestruar policia sekrete italiane gjatë një aksioni “blic”. Bukur!

Po pse nuk është kërkuar në arkivat italiane? Ku ndodhen materialet origjinale të Konferencës së Parë të Vendit, ku kontestohet zgjedhja e Enver Hoxhës si, Sekretar i Përgjithshëm dhe propozohet për këtë post Koçi Xoxe? Pse nuk botohen origjinalet e tyre apo, për të fshehur gjurmët e punës së dobët të Enver Hoxhës, Miladinit dhe Dushanit? Ku është? Pse nuk gjendet pas kaq vitesh, raporti politik i mbajtur nga Sejfulla Maleshova në Plenumin e Dytë të K.Q. të PKSH-së të Beratit?

Apo mos vallë se ky është raporti më analitik për veprimtarinë negative, fajet dhe gabimet në vijën politike të Enver Hoxhës gjatë Luftës? Ku janë materialet e Plenumit të 8-të të KQ të PKSH-së? Pse nuk janë përfshirë në veprat e Enver Hoxhës të plota, pse janë manipuluar deri në atë farë feje?! Mos vallë për të fshehur gjurmët e servilizmit të tij, krupë ndjellës?! Shembuj të tjerë të kësaj natyre, besoj se nuk është nevoja të rendis të tjerë se ka me dhjetëra.

“Vetëvrasja” e Nako Spirut dhe roli i Hoxhës

Njëri nga problemet shumë seriozë dhe që ka mbetur i mbështjellë me tymnajën e spekulimit politik është vrasja, vetëvrasja apo eliminimi fizik i shokut tonë të mrekullueshëm, Nako Spiru. Kush e vrau Nako Spirun? Veli i mjegullës vazhdon ta mbulojë këtë çështje mjaft të rëndësishme. Nuk e di me saktësi nëse deri më sot, jurisprudenca, pra shkenca e drejtësisë, a ka mundur ta përcaktojë ndarazi teorinë e saj, lidhur me vrasjen dhe vetëvrasjen e detyruar. Sigurisht që ka mundur.

Nëse e ka përcaktuar drejt raportin apo masën e njësimit apo të barazimit midis vrasjes “proprement dite” (e thënë pastër) siç thotë frëngu dhe vrasjes me vetëvrasje të detyruar!? Nako Spiru vrau veten se e detyruan, kjo tashmë dihet mirëfilli dhe është e vërtetuar qartë, si një e një që bëjnë dy. Atë, Nakon pra, e detyroi udhëheqja e Partisë, Byroja Politike e KQ të PKSH-së (ashtu si funksiononte ajo në atë kohë, e plotë dhe jo, me mbledhje të planifikuara e të paralajmëruara ose jo, me rend-dite të caktuar ose të rastit).

A është rasti këtu për ta mbyllur çështjen, duke përcaktuar vetëm përgjegjësinë kolektive, apo ka vend të nxirret krahas saj dhe përgjegjësia personale? Unë them po. Ka vend. Përgjegjësia personale duhet kërkuar vetëm te personi Enver Hoxha, sepse ai ishte Sekretar i Përgjithshëm i Partisë, Kryeministër i padiskutueshëm dhe arsyetimet e mëvonshme të tij, për rolin e Koçi Xoxes në drejtimin e punëve të Partisë, nuk pinë ujë.

Logjika e ftohtë e sendeve thotë: çështja e Nakos, akuzat kundër tij janë thjesht ekonomike. Ç´ka të bëjë Koçi Xoxe këtu?! Nëse Byroja Politike e KQ të PKSH-së, nuk luante rolin e saj që i takonte, siç pretendohet, përsëri faji nuk është i Koçi Xoxes, por është i tij, i Enver Hoxhës, i Sekretarit të Përgjithshëm të KQ të PKSH-së.

Sekretar i Përgjithshëm i KQ të PKSH-së, nuk do të thotë paprekshmëri, do të thotë përgjegjësi, do të thotë përgjegjësi në shkallën më superiore. Përgjegjësia e tij del qoftë edhe duke gjykuar mbi vetë paraqitjen e çështjes nga ai personalisht, duke arsyetuar mbi bazamentin e çështjes të përgatitur nga dora vetë.

Po ashtu, nga ky shkrim, del edhe ndonjë vlerësim apo përshtypje e veçantë e imja, që ka të bëjë me metodat e ushtrimit të presionit, me koordinimin e masave që nga refuzimi i dhënies së afatit të kërkuar nga vetë Nako Spiru për shqyrtimin e çështjes së tij deri edhe në dhënien e urdhrit për vëzhgimin e Nakos nga organet e posaçme të Sigurimit të Shtetit.

Si mund të shpjegohet ardhja e vetë Enver Hoxhës, bashkë me Koçi Xoxen në sallën e spitalit, ku bëheshin përpjekjet intensive për mjekimin e shpëtimin e tij. Sipas porosisë së Enver Hoxhës, unë qëndrova në spital, deri në fund të mjekimit të pasuksesshëm dhe pas vdekjes së Nako Spirut, kontrollova xhepat e tij, ku gjeta vetëm teserën e Partisë, letër njoftimin dhe një shami, të cilat ja dorëzova të gjitha Enver Hoxhës. Ja, pra, ky është Enver Hoxha.

Të detyron të vetëvritesh e pastaj jep urdhër të kontrollohet edhe i vetëvrari dhe pastaj mblidhuni o burra ta qajmë. Pastaj ta zhvarrosim e ta pështyjmë. Pastaj ta rivarrosim e të tjera. Pyes më insistim, po këto varrime e zhvarrime, Koçi Xoxja i ka bërë, vepër e tij janë këto? Po represioni i dhjetëfishuar ndaj komunistëve dhe masës së gjerë të kuadrove pas pushkatimit të Koçi Xoxes, vepër e kujt janë? A nuk janë të Enver Hoxhës me shokë…?! Memorie.al

17 Komente

  1. r
    raqka

    Ende ne Koci Xoxen ky i vonuari ...?

    1. Z
      Zen bibilushi.

      Pirdh pirdh se pjerdh mirë.

      1. m
        maksi

        Vertete, ato qe nuk lane gje pa bere, tani pas lufte na hiqen si parimore e te drejte. Po a thua vetem ishte enveri ne dramen qe i shkaktoj ketij vendi?

        1. m
          maksi

          Vertete, ato qe nuk lane gje pa bere, tani pas lufte na hiqen si parimore e te drejte. Po a thua vetem ishte enveri ne dramen qe i shkaktoj ketij vendi?

          1. m
            maksi

            Vertete, ato qe nuk lane gje pa bere, tani pas lufte na hiqen si parimore e te drejte. Po a thua vetem ishte enveri ne dramen qe i shkaktoj ketij vendi?

          2. T
            Tartufi

            Lepiresi i topeve te Enverit [ Nerenxi ] na kujton per te mesuar krijesen Enver ! Nuk eshte per te cuditur me krijesat e uleta te shoqerise te shkelura me kembe dhe te c nderuara me prak te familjes te degjoshe brockollina pas vjeljes se vreshtit. Enver Hoxha do te ngelet ne historine [ e vertete te ketij populli ] si c nderusi me i madh i familjes komuniste ,qe per 50 vjet resht me te gjitha format e kesaj klase te c nderuar [ c nderoj per dite popullin e vet ,familjen e vet ] vec ato familje qe burrgoseshin dhe internoheshin nuk hariten dot te c nderonin .Enver Hoxhes i takon medalia me e larte per kete detyre kaq fisnike ,kunder komunisteve.

            1. a
              alphade

              Pyetja ime eshte aq e thjeshte sa naive : Si nuk na dolen Punetoret e Fshataret per te treguar “lemerite” qe kane pare nga re- gjimi i Enver Hoxhes por na dolen kalem- xhijt, anetare te BP dhe te KQ te PPSH …..! Po i pergjigjem po vete kesaj pergjigje : Elbasansit kane nje shprehje ; E kane kruajtur prapanicen me gastare dhe kur e kruan ate te shkrte me gastare del gjak nga prapanica ! Degjoni di deshmi Todi Lubonjen,i jati Fatos Ljubovicit kur thote : E morem Enverin nga rruga sepse na duhej nje mysliman ! Cfare divorci ben ky qe duke i thene vetes ne ate “Komunist” ka kaq lakra ne koke !? Dhe se fundi, Enverin e denoi SISTEMI ! Ra sistemi ne gjithe Lindjen dhe Shqioeria nje nje pellembe vend nuk mund te bente perjashtim pavaresisht cfare derdelliste Ramiz Alia qe “ Shqiperia s’eshte as Lindja as perendim……!

              1. K
                Kastriot

                Kujtimet e Nesti Kerenxhit? Enver Hoxha e paska propozuar Josip Broz Tito-n për sekretar të parë të Partisë Komuniste të Shqipërisë! Nesti Kerenxhi thotë "ku mbetë ndjenja e atdhetarisë e Enverit?" E delegatët me ndjenjën e atdhetarisë e paskan propozuar Koçi Xoxe-n, një bullgar etnik. Të gjitha pakicat etnike në Shqipëri, grekët, bullgarët (më vonë quhen maqedonas), serbët, malazezët, romët, vllehët, etj. e kanë simpatizuar Partinë Komuniste. Sigurisht që edhe përbërja e delegatëve kishte shpërputhje të madhe në krahasim me përqindjen e pakicave etnike në popullsinë e përgjithshme të Shqipërisë! Edhe vetë Nesti Kerenxhi i takon atyre pakicave. Prandaj edhe politika e Partisë Komuniste nuk ishte atdhetare. Serbët, kur e vranë malazezin Miladin Popović, donin që në krye të PKSh ta vendosnin Koçi Xoxe-n, duke eliminuar Enver Hoxhën. Enveri, kur e ka propozuar Titon e ka bërë me qëllim që ta rrëzoj propozimin e "atdhetarëve" për Koçi Xoxe-n.

                1. T
                  Ten Siao Ping

                  E Hoxha.Udheheqes i madh i nje populli te vogel

                  1. p
                    per tru shperlaret

                    Pyetja ime eshte si ka mundesi qe paskan komentuar vetem tru shperlare , ose tru pjerllur ish hetuesa gjakatare , e ish oficera tru bunkera te cilet akoma e kane trurin te mbushur me diktaturen e proletariatit e me arrestime ne emer gjoja te popullit e te tjera budalliqe te kohes se perenduar te koleres komuniste . Pyetja e dyte ... cfare nuk eshte e vertete ne kete artikull fantastik , keto jane nje pakice nga krimet e kjofte largut gjakatare i cili nuk i pati kursyer as ish shoket e tij gjoja te nje ideali , plus shume komuniste e mire pati ba , por duhej te burgoste shume ma teper nga kjo fare e poshter sllavo bolshevike ...... E megjitheate doni sdoni ju tru pjerllurit ne 91 u fitua liria e vertete , jo si ne 44 kur vendi u pushtua nga buth grisurit komunista pa fe e atdhe ne praktike , se ne teori patet premtuar se do te behemi vendi ma i lumtur ne bote ....

                    1. S
                      Ska

                      Besoj se Nesti thote te verteten. Ne fund te fundit pse duhet te genjeje. Por te vertetat e tia Jane shokuese. Komunistet deshen K. Xoxen, kurse Milladini duke mos perfillur parimin demokratik zgjedh hipokritin Enver qe desheronte Titon per Sekretar te pergjithshem. Kete gje Enveri e perserit edhe ne Pleniumin e 8, duke kerkuar Titon per sekretar te pergjithshem, sipas Kerenxhit qe ka mbajur proces verbalin. Ne qofte se keto jane te verteta na del se Enveri ka qene me filojugosllav se K. Xoxe te cilin e pushkatoi per ate mekat. Gjithmone kam menduar se Tuk Jakova dhe Koci Xoxe kane qene vetmet komuniste me preardhje proletare dhe si te tillle skane patur hipokrizine dhe veset e tjera te Enverit.

                      1. m
                        much I tanes

                        shko mer pirdhu,

                        1. k
                          kacidhja

                          karnavalet e demokracise liberale

                          1. S
                            SPARTAK

                            ky te pakten kerkon te falur.edhe liri belishova kerkoi te falur.kta te tjeret hic...perkundrazi i dhuruan shqiperise sali shpellarin....

                            1. F
                              Fisnik

                              Para shumë vitesh e kam lexuar librin e Dušan Mugoša-s "Na zadatku" ("Në detyrë"). Ishte e shkruar në përgjithësi në mënyrë kritike kundër Enver Hoxhës. Por e mbaj mend se thoshte se Enver Hoxha e njihte shumë mirë frëngjishten dhe në fund të çdo mbledhje e shkruante ecurinë e mbledhjes ku fuste çdo detaj, çdo imtësi, me një lehtësi mahnitëse, në gjuhën frënge. Kritikat më të mëdha i bënte për tolerancën që kishte Enveri ndaj nacionalistëve, ndaj ballistëve, dhe për lëshimet ndaj tyre në Mbledhjen e Mukjes.

                              1. T
                                Te fala Kaqol kaqolat te arrave.

                                Nesti kerenxhi nuk ka qene asnjehereminister i brendeshem.zv minister po.

                                1. P
                                  Pjeter Nik Doda

                                  Keta pushter benin shurren ne breke kur shikonin Dullen , tani ai i shikon nga ferri apo parajsa dhe prape tallet me keta , mbase do e takojne prape aty ku eshte dhe ......

                                  Lini një Përgjigje