2 Prilli i 1991, ka hyrë në historinë e Shqipërisë dhe e pranuar edhe sot nga të gjithë krahët e politikës, si një krim monstruoz e makabër, ku u vranë 4 djem të rinj dhe u plagosën mbi 97 vetë, disa prej të cilëve mbetën invalidë për të gjithë jetën, të gjithë të rinj e të reja (siç thotë Umberto Eço: “E vërteta dhe vetëm e vërteta do të na shpëtoi”). Shkaku për të shkruar këto refleksione është se, po dëgjojmë dhe lexojmë të deformuar me dashje ose pa dashje, historinë e ngjarjes së 2 prillit 1991. Për këto shënime, nuk më shtynë as urrejtja, as hakmarrja, as ambicia, as interesi, por vetëm ndërgjegjja për të thënë të vërtetën, publikisht, ashtu siç ka ndodhur.
Nga Tanush Mulleti
Më 31 mars 1991, ishin zgjedhjet e para pluraliste mbas vitit 1945, që u lejuan dhe u pranuan të bëhen nga Partia e Punës (ish Partia Komuniste). Nën presionin e ‘Lëvizjes Antikomuniste të 14 Janarit 1991’, të zhvilluar në Shkodër, heqja e bustit të Stalinit, ‘Protestat e Kavajës’, ‘Lëvizja Studentore’ dhe pranimi i pluralizmit partiak, më vonë kemi ‘13 Dhjetorin 1990’, heqja e bustit të Enver Hoxhës në Shkodër, etj. Me gjithë kohën e shkurtër për përgatitjen e zgjedhjeve, në Shkodër ishte forcuar mendimi se, humbja e komunizmit ishte e padiskutueshme.
Mëngjesi i 1 prillit ’91, më gjeti me Besnik Komin, bashkanëtar në Komisionin e Votimeve në rrethin e Shkodrës, ku u informuam se, rezultati ishte, humbja e plotë e Partisë së Punës, e cila kishte fituar vetëm me 3 deputetë, kurse Partia Demokratike, plot 16 deputetë. Ky rezultat, edhe për faktin, se rrethi i Shkodrës, për arsye dhe rrethana që tashmë janë të njohura, ishte absolutisht i djathtë. Rastësisht, dëgjuam se, korrespondenti i RAI-t nga Tirana, në 7 të mëngjesit, informoi se, Partia e Punës, ka fituar 62 % të votave. Për opinionin masiv të Shkodrës, kjo ishte e pabesueshme!
Rezultatin e zgjedhjeve, RAI, e përsëriti disa herë në lajmet e tij. Kjo bëri, që, një pjesë e popullit, u grumbulluan para selisë së degës së Partisë Demokratike të Shkodrës, te ish-Muzeu Ateist dhe aty kërkuan informacion të saktë. Në këtë kohë, në katin e dytë të asaj godine, doli një aktivist i PD-së, Eduart Përjaku, por njerëzit kërkuan me insistim, që të dilnin drejtuesit e PD-së. Mbas pak kohësh pritje, erdhi sekretari i degës së PD-së, Xhemal Uruçi, por edhe këtë njeri, nuk e pranuan. Pas një ore, në një nga dritaret të katit të dytë, doli Azem Hajdari, i cili kishte dalë deputet fitues në Shkodër dhe natën e zgjedhjeve, kishte fjetur në Shkodër. Azemi filloi të tregojë se, Partia Demokratike e Shqipërisë, kishte fituar në qytetet në mbarë vendin dhe rezultati është pranuar.
Publiku filloi të dyshojë, duke thënë: “Kur i numëruan kaq shpejt këta”, kur dihet infrastruktura e prapambetur e asaj kohe. Atëherë, filloi përplasja e njerëzve në bisedë e debatet, duke ju kundërvënë, Azem Hajdarit: “A e di çdo të thotë fitore e komunistëve?! Do të fillojnë me arrestu, siç kanë arrestu më 14 Janar ’90-të, në demonstratën për heqjen e bustit të Stalinit) dhe 13 Dhjetor ’90-të, për heqjen e bustit të Enver Hoxhës para Komitetit Ekzekutiv, ku nuk kishte asnjë punonjës në zyrë, rreth orës 14:00-15:00 ”.
Në këto debate me Azem Hajdarin, i cili fliste nga kati i dytë, pa mikrofon, njerëzit nuk u bindën dhe me dyshim u larguan të pakënaqur. Pesëdhjetë metra më larg këtij vendi, ku kishte qenë busti i Stalinit, ndodhej Dedë Kasneci, i cili kishte dalë pak ditë para nga burgu, një ndër protagonistët kryesor për heqjen e bustit të Stalinit, i dënuar me dymbëdhjetë vite burg.
Atëherë turma që ishte aty, filluan thirrjet kundër komunizmit duke rrethuar Dedën e duke e hedhur përpjetë e brohoritur “Rroftë Deda”! “Poshtë Komunizmi”, “Enver Hitler”! “Liri Demokraci”, etj. Turma u shtua dhe po shumëfishohej, duke u drejtuar drejt godinës së Komitetit të Partisë së rrethit. Nga ora 11.00 e paradites, deri në orën 23.00, të darkës vonë, populli që kishte dalë në shesh, nuk lëvizte prej aty, duke ndenjur ulur, në gjithë ditën e datës 1 Prill.
Në orën 23.00 të darkës vonë, bashkë me bashkëshorten time, Safetin, kam qenë tek dera e sallës së leksioneve të Komitetit të Partisë, ku Eduard Përjaku, i degës së PD-së si dhe Shefi i Policisë së Degës së Brendshme, na bënë thirrje, që ta mbyllim protestën dhe të vijmë nesër. Pas kësaj thirrje, njerëzit u shpërndanë. 2 Prilli më gjeti në punë. Sa filluam punë, rreth orës 8:00, u dëgjuan bataret e armëve. Atëherë ne lamë punën, e nxituam gjithsecili me vrap, me shku pranë fëmijëve nëpër shkolla.
E vërteta ishte se, nxënësit e gjimnazit “Jordan Misja”, u kishin bërë thirrje gjimnazistëve të “29 Nëntorit”, (sot “28 Nëntori”) të dilnin në protestë. Nga informacionet që kishim, thuhej se, Policia kishte marrë urdhër, të sulmonte që në fillim, të gjitha grumbullimet e mundshme. Kështu, sapo u grumbulluan protestuesit, Policia ndërhyri dhe iu përgjigj me shkopinj gome, e më vonë me armë.
Kjo gjë shënoi dhe fillimin e përplasjes mes popullit të revoltuar dhe forcave të policisë. U vranë katër vetë dhe u plagosën disa të tjerë. Policia mori përforcime dhe e zmbrapsi turmën, dy-tre herë. Kjo gjë u duk disi e papritur, pasi një ditë më përpara, Policia ishte sjellë në mënyrë paqësore me protestuesit dhe nuk ka patur asnjë incident me forcat e policisë!
Gjatë kësaj kohe, qarkulloi lajmi se; ra Komiteti Qendror i Partisë së Punës së Shqipërisë në Tiranë, kanë arrestuar Ramiz Alinë, Xhelil Gjoni u vu në krye të Partisë së Punës. Policia solli një automjet të blinduar (Diagaç) me municione, i cili u prish në rrugë, para “Kafe Rinia” në lagjen Parrucë. Disa arka me fishekë u shpërndanë në asfalt. Meqenëse Xhelil Gjoni, ishte i klanit të Hysni Kapos, populli sulmoi dhe nuk e pranoi. Një pjesë e popullit, kuptohet që paska patur besim tek Ramiz Alia.
Tek libri “Kujtime, Saga e Traboinëve”, Kolec Traboini, faqe 294 ka shkruara: “Unë shkova të bisedoj me shefin e Policisë te Komiteti i Partisë dhe i thashë: Çfarë bën? Ka rënë Komiteti Qendror dhe ti do të vritesh kot”?! Atëherë populli hyri në Komitet të Partisë. Policia braktisi objektin me urdhër dhe u shpërnda, pasi municioni kishte mbaruar. (Biseda me Kryetarin e Degës së Brendshme, Çapajev Taçi me Gjek Çela, faqe 87).
U dogj godina e Komitetit të Partisë. Pas Komitetit të Partisë, populli iu drejtua Bibliotekës së qytetit, e cila kishte libra me vlera dhe intelektualët shkodranë, i bënë thirrje popullit, duke i thënë se, biblioteka nuk mund të digjej se ka vlera historike. Atëherë, Drejtori i Bibliotekës, Skënder Beci, i ndaloi njerëzit edhe tha: “I qes unë librat e Enver Hoxhës”. Nxori dy a tre karroca, me veprat e Enver Hoxhës dhe gjendja u qetësua. Atëherë, populli mbarë, shkoi drejt godinës së Radio-Shkodrës.
Rrugës, kam parë nja dy karroca romësh, që kishin vjedhur orenditë e Komitetit të Partisë, si; kolltuqe të vjetër, perde, etj. Populli i ndali në Parrucë, i ktheu mbrapa, dhe këto u hodhën në zjarrin që ishte ndezur tek Komiteti i Partisë dhe u dogjën aty.
Më datën 2 prill, gjatë kësaj kohe, duke shkuar drejt Radio Shkodrës, (aty ku sot është monumenti i 2 Prillit), takuam Kryetarin e Sindikatës së Shkodrës, Ferdinand Temali, një djalë trim, kurajoz edhe inteligjent. Ai na kërkoi që, të shkojmë, të flasim përpara Radio Shkodrës, në emër të Sindikatës që, duhet të ruhet Radio-Shkodra.
Kështu, bashkë me Besnik Komin, shkuam tek godina e Radio Shkodrës, ku populli ishte grumbulluar para saj. Protesta vazhdonte me thirrje kundër komunizmit. Tek dera, ishte një polic i dobët, prag të pensionit, i cili po ruante kot derën nga brenda se, s’kishte çfarë të bënte. Aty pashë Paç Bilalin, me një flamur pa yll e me qeleshe në kokë, që e valëvitte në ajër sa mundte.
Fola para protestuesve, në emër të Bashkimit të Sindikatave të Shkodrës dhe nuk lejuam njeri të dëmtonte Radio-Shkodrën.
Aty ishin dhe nja 7-8 ushtarë që, i kishin veshur me rrobe doku blu, si ato të policisë. Ato të shkretët, 19 vjeçar, po dridheshin nga frika dhe ne i morëm në mbrojtje. Pas kësaj, morëm takim me drejtorin e Radio Shkodrës, Gëzim Podgoricën dhe biseduam tek tryeza e kryeredaktorit, duke insistuar që të nxirrnim një mikrofon dhe t’i flasim popullit. Për këtë, na ndihmoi një teknik, Gajtani e kishte mbiemrin.
Pasi lidhëm disa copa telash, nxorëm mikrofonin stativ tek ballkoni (konsola e hyrjes në radio) dhe filluam t’i flisnim popullit që ishte grumbulluar para godinës së Radio-Shkodrës. Gjatë kësaj kohe, njerëzit donin të shkonin tek Dega e Punëve të Brendshme, për të liruar të burgosurit politik, shumica e të cilëve, ishin të arrestuar për ngjarjet e kaluara, si protestat e 14 Janarit ’90-të dhe 13 dhjetori ’90-të. Nuk dëgjoheshin armë më.
Mbas orës 23.00, u dëgjua një krismë arme. Unë kërkova, të bisedoj me Kryetarin e Degës, në telefon. Një punonjës operativ, i veshur civil, më afroi një radio-marrëse dore dhe bisedova direkt me të. E këshillova, duke i thënë shprehimisht: “Jam Tanush Mulleti, përfaqësues i Sindikatave të Pavarura. Duhet të kesh shume kujdes se, gjakrat janë nxehur dhe po të vij populli tek Dega e Brendshme, do të shkojnë punët shumë keq”!
Ai m’u përgjigj: “Është një pensionit, një veteran i vjetër që ka gjuajt me armë dhe u mbyll ajo punë”. Pas kësaj, kemi folur me personalisht me nën kryeministrin e asaj kohe, Shkëlqim Cani, të cilit i shpjegova situatën dhe i kërkova që të jenë shumë të kujdesshëm se, gjakrat ishin nxehur dhe mund të kishte pasoja tragjike edhe më vonë, e nuk duhet të bëhej asnjë arrestim. Ai më premtoi se, nuk do të përsëritet më “13 Dhjetori”, “14 Janari”, etj., kur ishin bërë arrestime në darkë.
Gjatë kësaj kohe, kur ne po flisnim me popullin, rreth orës 12.00, erdhi nga Tirana urgjent, Azem Hajdari së bashku me Blerim Çelën, të cilët kishin dalë deputet të Shkodrës. Biseduam me to dhe i thamë që; duhet t’i flisnin popullit, se si do ruhej Shkodra në darkë që, mos të ketë vjedhje e shkatërrime në qytet e rrethina.
Po kështu, Besnik Komi, u thotë: “A i dilni zot popullit të Shkodrës se, tani jeni deputetë”. Azemi iu përgjigj: “Ne e duam pushtetin me votë”. Blerimi tha: “Këtu, nuk ka as tre ditë bukë”! Atëherë ne u thamë: “I flisni popullit”. Azemi doli tek ballkoni i Radio-Shkodrës, nëpërmjet një dritareje, për t’i folur popullit, tek mikrofoni statik. Gjatë fjalimit, kishte moskuptim me popullin, mbi mundësinë e arrestimit të protestuesve, mbi lirimin e të burgosurve politik në Degën e Brendshme dhe shkatërrimet që mund të ndodhnin në mbrëmje në qytet.
Azemi, mbeti keq. Kur hyri brenda, tek zyra e kryeredaktorit, i ra të si të fikët. Besniku, mori një broke ujë, ia lagu fytyrën dhe Azemi erdhi në vete e tha: “U bë e dyta herë që, nuk po merrem vesh me shkodranët”! Ferit Lluja, i tha: “Mor Azem, komunistët janë të pabesë. Me 14 janar kanë arrestuar rreth 300-400 vetë, me 13 dhjetor kanë arrestuar mbi 100 vetë”.
Ndërkaq, në këtë situatë, Besnik Komi, shprehet: “Ne nuk kemi më çfarë të bëjmë këtu! Këta janë deputetë edhe t’i dalin për zot popullit”! Bashkë me Besnikun edhe Ferit Llujën, u larguam nga Radio-Shkodra. Besniku mori me vete edhe shtatë a tetë ushtarë, që po dridheshin prej frike dhe i tha të hiqnin kapelet, xhaketat e rripat dhe i shoqëroi deri tek rrugica e “Kafes së Madhe”, tek Kulla e Kapidan Gjon Markagjonit. “Tani – u tha- shkoni në Degë të Brendshme! Shkoni në repartin tuaj”! Edhe ne ikëm.
Në edicionin informativ të drekës, në Radio-Shkodra, u fol për lajmet me të rejat e asaj dite. Lajmet janë dëgjuar vetëm në qytetin e Shkodrës, për arsye se, Drejtori i Radios, Gëzim Podgorica, kishte ulur fuqinë e valëve të antenës nga 24 Kë, në 1 Kë. (Libri me kujtime i Shaqir Vukaj, faqe 83). Me këtë rast, drejtori, paska shkelur ligjin e informimit publik. Kishte filluar pluralizmi politik.
Pasdite, rreth orës 15:00, të datës 2 prill, në qytetin e Shkodrës, erdhën efektivët e Forcave Speciale nga Tirana, të cilët, menjëherë rrethuan vendin dhe morën në kontroll, godinën e Komitetit të Partisë, që tashmë ishte i djegur. Sipas një burimi të besueshëm, një instruktor në Komitetin e Partisë (K.), ka thënë se; ato kishin ardhur me qëllimin se, në bodrumet e Komitetit të Partisë, një vend shumë i sigurt si rifuxho, ka më shume se 200 armë, të vendosura aty për kohë lufte. Forcat Speciale, i kanë marrë armët dhe i kanë larguar nga aty dhe si rezultat, populli nuk i ka gjetur këto armë në atë kohë.
Ngjarjet e datës 3 Prill
Më 3 prill, u organizua në mënyrë madhështore, ceremonia e varrimit të tre të vrarëve: Arben Broci, Bujar Bishanaku, Besnik Ceka. Arkivolet me trupat e tyre, u përcollën nga gjithë populli i Shkodrës, duke i shoqëruar në këmbë, nga qyteti i Shkodrës, deri në varreza, ku mbajtën fjalimet e rastit, Pjetër Arbnori dhe me lutjet fetare, Hafiz Sabri Koçi. Me iniciativën e Sindikatave të Pavarura, u shpall grevë dhe në orën 20.00, të datës 3 prill, u fikën gjithë dritat e qytetit, për 5 minuta, në shenjë respekti dhe nderimi, për të vrarët dhe të plagosurit e 2 Prillit.
Më 4 prill, kryesia e Sindikatës së rrethit të Shkodrës, vendosi krijimin e dy grupeve: a) Ferdinand Temali, kryetar i Sindikatës Shkodër, Tanush Mulleti, Besnik Komi edhe Myfit Tukiçi, do të merrnin takim me, kryetarin e Komitetit Ekzekutiv të rrethit, Tereza Marubi. b) Grupi i dytë, i përbërë nga Arben Borshi, sekretar i Sindikatës, së bashku me Frederik Radovanin, shkuan në Korpusin Ushtarak, për të falënderuar Komandantin e Korpusit, që nuk dha urdhër për të nxjerrë tanket kundër protestuesve. Në pritje me Tereza Marubin, ishin edhe nënkryetarët; Esma Ulqinaku edhe Lutfi Troshani, gjithashtu gjetëm edhe grupin e të Drejtave të Njeriut, me kryetar, Cin Jubani, N. Grezda edhe të tjerë.
Kryetari i degës së Sindikatës së Shkodrës, Ferdinand Temali, paraqiti situatën aktuale edhe i kërkoi kryetares, Marubi, të prononcohen në Radio-Shkodra e në shtyp, për atë masakër që ishte bërë një ditë më parë, ku u vranë dhe u plagosën qytetarë shkodranë, të gjithë të rinj e të reja. Marubi u përgjigj: “Nuk mund të komandoj Degën e Brendshme dhe Policinë, nuk na dëgjojnë”. Unë iu drejtova: “Do të ishte mirë, që në këtë situatë, të dilni edhe të prononcoheni e të jepni dorëheqjen”.
Grupi i të Drejtave të Njeriut, me në krye Cin Jubanin, kundërshtoi dorëheqjen e Tereza Marubit. “Duam apo nuk duam ne, kjo ngjarje tejet e rëndë, ka ndodhur, kur kryetare, ka qenë Tereza Marubi”, u përgjigja unë. “Emri i Marubëve po keqpërdoret nga Partia e Punës”. U ngrit nënkryetarja, Esma Ulqinaku dhe tha: “Edhe ne i kemi fikur dritat mbrëmë, 5 minuta, në orën 20.00”. Besniku i tha: “Shumë mirë keni bërë! Por përse nuk keni marrë pjesën në ceremoninë e varrimit?! Keni patur frikë nga populli i Shkodrës, apo nga Partia? Nuk do të kishte qytetar shkodran të ju prekte me dorë e, të ju fyente”.
Tukiçi u tregoi të pranishmëve se, ishte vrarë pabesisht edhe Nazmi Kryeziu, i cili kishte qenë bashkë me të. Mbas kësaj situate edhe këtyre bisedave, kryetari Temali, propozoi të mbyllnim bashkëbisedimin dhe u larguam, duke lënë grupin e të Drejtave të Njeriut, të vazhdonte bisedat me kryetaren. Nga mbledhja e këshillit të Sindikatës, u deklarua se; Sindikata do të ndjekë zbardhjen e krimit dhe dënimin e autorëve, pasi tre të vrarë, ishin anëtarë të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura.
Propaganda e Partisë së Punës, Radio-Televizioni, gazetat edhe në Parlament, tregonin variantin, ku thuhej: “Është djegur godina e Komitetit të Partisë dhe janë vrarë protestuesit”.
Ndërsa e vërteta, ishte krejt ndryshe. Ishin vrarë protestuesit fillimisht dhe më vonë, si kundërpërgjigje, nga turma e popullit të irrituar, është djegur godina e Komitetit të Partisë. Ky variant, u pranua më vonë, edhe nga Parlamenti Shqiptar me shumicën e majtë, të Partisë Socialiste. Me hapjen e punimeve të Parlamentit të ri pluralist, u kërkua një minutë heshtje, për vrasjet e 2 Prillit në Shkodër. Grupi i Partisë së Punës, nuk u çua në këmbë. Insistimi ynë, e detyroi Qeverinë e Partisë së Punës, të fillojë bisedat me Sindikatën e Pavarur në Shkodër.
Në selinë e saj, erdhi zëvendësministri I Punëve të Brendshme, Aredin Shyti, i shoqëruar nga nënkryetari i Degës së Brendshme të Shkodrës, Naim Reçi (sipas Aredin Shytit, Çapajev Taçi dhe Dilaver Papare, ishin izoluar). Në atë takim, Ferdinand Temali, në cilësinë e kryetarit të Sindikatës, u bëri një ekspoze ngjarjeve të 1 dhe 2 prillit, ku sindikalistët dhe anëtarët e kryesisë, morën pjesë në diskutim, duke u ndalur në fenomenin, se; më 1 prill, Policia ishte paqësore, kurse më 2 prill, u përdor që në fillim dhuna, shkopinjtë e gomës edhe armët.
Ndër të tjera, unë personalisht, thashë: “Ju sot keni vrarë veten me duart tuaja”! “Përse?!- tha, Aredin Shyti. “Bataret e armëve që, keni përdorur për të trembur protestuesit, na bënë, që ne, të lëmë punën dhe të shkojmë në shesh. Edhe varianti juaj, që, atë ngjarje e ka nxitur e inskenuar Partia Demokratike, me Azem Hajdarin në krye, nuk qëndron.
Azem Hajdari me Blerim Çelën, erdhën pas orës 12.00, nuk kanë fjetur në Shkodër atë nate. Edhe një natë më përpara, më datë 1 Prill, Azem Hajdari, ka ikur rreth orës 11.30 – 12.00. Po të ishte organizuar ajo gjë nga Partia Demokratike, Këshilli i Sindikatës do të ishte i gjithi në shesh”.
Edhe pas insistimit tonë, ata nuk na treguan se kush e ka dhënë informacionin e manipuluar, për ngjarjet e Shkodrës në Radio-Televizion (Muaj më vonë edhe gjatë hetuesisë, është vërtetuar se; deklaratën, informacionin, e ka dhënë kryetari i Degës së Brendshme të Shkodrës, Çapajev Taçi, së bashku me kupolën e Policisë, për më mbuluar gjurmët. A. Shyti faqe 150-151).
Afërsisht mbas dy javësh, një grup sindikalist, i përbërë nga: Arben Borshi, Sekretar, unë (Tanush Mulleti) dhe Skënder Strica, morëm një takim me drejtorin e Përgjithshëm të Radio-Televizionit Shqiptar, Fatmir Kumbaro, të cilit, i kërkuam burimin e informacionit për ngjarjet e 2 Prillit. As aty nuk doli burimi i informacionit. Vazhdonte mashtrimi!
Në prill të vitit 1991, një grup i madh, përfaqësues të institucioneve shqiptare, i kryesuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, profesor Aleks Luarasi (hetues, prokurorë, ministra, deputetë e të tjerë) u mblodhën në sallën e madhe të Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Shkodrës, ku u zhvillua një ballafaqim, ndërmjet përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, qytetarëve shkodranë, Partisë Demokratike dhe Sindikalistëve.
Grupin e PD-së, e drejtonte doktor Ali Spahia, grupin e Sindikatave, e drejtonte Ferdinand Temali, ku ishin edhe forca të tjera politike, bashkë me grupin e të Drejtave të Njeriut.
Profesor Aleks Luarasi, në krye të tavolinës, paraqiti ngjarjet e 2 Prillit, sipas variantit qeveritar. “Është djegur Komiteti i Partisë, më vonë janë vrarë e plagosur protestuesit”. Ai, u tregonte shkodranëve, se çfarë ka ndodhur në Shkodër. Në këtë situatë, me shumë takt e finesë, ndërhyn doktor Ali Spahia e, thotë: “Zoti, Sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë, kjo tregon se ju, nuk keni informacion të saktë”.
Ndërkaq, Prof. Luarasi, vazhdonte me avazin e variantit të Qeverisë. Doktor Ali Spahia, ndërhyri përsëri: “Zoti, Sekretar i Përgjithshëm, nuk je i saktë”! Luarasi përsëri, vazhdonte me të tijën. Ali Spahia, i tha: “Nuk është e vërtetë”! Luarasi përsëri vazhdonte në modelin e tij. Ali Spahia, u shpreh: “Kjo është një gënjeshtër e madhe, e krijuar në zyrat e errëta e institucioneve komuniste”. Luarasi vazhdonte prapë. Doktor Spahia i tha: “Zoti Sekretar i Përgjithshëm, është e turpshme për ju, si profesor, të paraqisni këtë manipulim monstruoz edhe kriminal, që ka ndodhur në Shkodër, ditën për diell, pasi, e gjithë Shkodra, e din të vërtetën. Nuk mbulohet dielli me shoshë”.
Ndërkaq, nga salla u dëgjua një zë: “Këta me rrena e kanë nisur tash 45 vjet, me rrena po e përfundojnë”. Ky ishte Fritz Radovani. “Nuk kemi çfarë të dëgjojmë! Pallavra”?!, -kështu tha dhe Ferdinand Temali. Dolëm përjashta, lamë mbledhjen e ikëm. Nuk kishim më se çfarë të bisedonim. E përfunduam detyrimin karshi Qeverisë. Kishte mbetur vetëm presidenti, Ramiz Alia. Një ditë prej ditësh, shkuam takuam presidentin Alia në Tiranë. Sindikata e Shkodrës, u kryesua nga Ferdinand Temali, (ishte edhe Eqerem Kavaja, nënkryetar i Sindikatave të Shqipërisë), anëtarë të Këshillit Presidencial si: Kiço Blushi, Rexhep Mejdani, Lufter Xhuveli, të cilët, i propozuan grupit të sindikatës: “Ndihmoni Presidentin, se e keni edhe shkodran”!
Ferdinand Temali, iu përgjigj: “Ju dhe presidentit, i ka dekë ora bashkë me Partinë Komuniste”. Ramiz Alia ndër të tjera tha: “Hetuesia edhe Prokuroria, pretendojnë që, nuk është bërë ekspertiza. E merrni ju përsipër zhvarrimin e tyre?! Ne do të mundohemi ta realizojmë këtë kërkesë”, I’u përgjigjëm ne. Ndërkaq, Ramiz Alia, i pranoi rrjedhën e ngjarjeve sipas variantit tonë, se kështu i kishte thënë edhe një kushëri i afërt i tij, që, e kishte parë (në majë të gishtave).
(Dy vite më vonë, në bisedë më Ramiz Alinë, ai më tregoi se, kushëriri i tij, ishte H.C.) Sipas Aredin Shyti, faqe 150-151, Ramiz Alia, e dinte të vërtetën e ngjarjeve se, pasi në informacionin e Degës së Punëve të Brendshme, ishte ndryshuar radha e episodit të ngjarjes. Ai informacion, ishte pasqyruar fjalë për fjalë, në komunikatën e Ministrisë Brendshme, i shpjegova se, renditja e gabuar, ka ardhur nga pakujdesia…”! “E po mbaje me shëndet”, tha Ramiz Alia. Gjatë diskutimeve në zyrën e Aleks Luarasit, gjeta kryetarin e Hetuesisë së Përgjithshme Qemal Lame, Prokurorin e Përgjithshëm, Rrapi Mino, etj. Qemali lexoi deklaratën. Ndër të tjera, thoshte se; zvarritje e hetimeve, ishte faji i Policisë.
Presidenti Alia, u shpreh: “Ju (të Sindikatës), duhet të denonconi në Prokurori, që të hapet proçesi”. Mbas disa ditësh, grupi i ekspertëve, i përbërë nga profesor Meksi, doktor Çiço, doktor Troshani, Beci, e të tjerë, si dhe ekspertët e Qendrës së Kriminalistikës pranë Ministrisë së Brendshme, krye-hetues, kryeprokuror të rrethit dhe të shtetit, filluan procesin e zhvarrimit të trupave të vrarë.
Për t’u bërë të besueshëm, kishin futur edhe dy përfaqësues të Partisë Demokratike, Fatmir Bërdica, ndërsa, përfaqësues i Sindikatave të Pavarura, isha unë. Mbas zhvarrimit, Bujar Bishanakut, iu gjet plumbi në aortë. Plumbi ishte, sa një thua gishti. Atë plumb unë e kam mbajtur në dorë. Kameramanit të Ministrisë së Brendshme, një burrë ezmer dhe i shëndoshë, i ra të fikët. Nuk u filmua më. Mbaroi xhirimi me kamera. Disa fotografi, i kam bërë unë më pas, kur ka ardhur dikush tjetër, për të fotografuar, nga Kriminalistika. Memorie.al
Te gjithe genjejne rreth kesaj ngjarje per dt 2 prill dhe nuk tregojne se si dhe kush ishin ata qe nxoren nxenesit nga shkollat J Misja dhe gjimnazi 29 mendor.Ata ishin te gjithe pa te drejte vote se ishin nen 18 vjeç .Kush e vrau Brocin dhe pse e ktheu kufomën e tij perseri ne shesh Ali Spahija.Si ka mundesi qe ka ardhur tv jugosllav qe heret dhe i gjeten vend te mire per transmetim ,kush i solli.Keta qe shkruajnë merren vetem me pasojat dhe jo me shkakun
Pse ishin tv e Malit te zi ate dite ne Shkoder,cfare aktiviteti beri Hajdari ato dite kush e shfrytezoi politikisht ate rast?Nuj ishte rastesi jo.U krijua me ate ngjarje balanca me demostraten e heshtur te Stalinit...
Gjeja e autoreve te asaj vrasje duhet te ishte nje detyre e SHENJTE per PD. PD qendroi ne pushtet deri ne vitin 1997, pra 7 vjet. Pse nuk u muar ekspertize nderkombetare? Pse? Pse?
Problemi eshte se PPSH-ja nuk kishte se perse ti vriste keta djem, pasi ajo fitoi zgjedhjet dhe i duhej qetesia dhe jo trazirat. Ata qe u vrane nuk ishin ne te njejtin vend, prandaj eshte llogjike qe te pretendohet se vrasja e tyre ishte nje veper e studjuar dhe e realizuar nga dikush qe kishte te tera mjetet per ta realizuar. Me siguri qe aresyeja e eleminimit te tyre ka qene dhenia e nje shkaku qe populli te fillonte kryengritjen, gje qe nuk i interesonte PPSH-se. Pra, kush i vrau djemte e Shkodres? Sipas te tera gjasave nuk ishte PPSH-ja, por ajo force qe kishte humbur zgjedhjet dhe kete e realizoi me ndihmen e nje fuqie te huaj, me shume mundesi te sherbimeve serbe. Populli i Shkodres ka mbi 30 vjet qe manipulohet nga e ashtuquajtura "forcat e djathta", qe ne fakt e kane treguar me vepra qe vetem te djathte nuk jane. Kur lexova titullin e artikullit, shpresova qe me ne fund te hidhej drite mbi te verteten e vrasjes se djemve te Shkodres, por mbeta i zhgenjyer, pasi ky artikull nuk eshte as mish e as peshk.
E pse duhesh besuar ti? Ky variant i yti mban pak erë, kanë kaluar 33 vjet, shumë kanë vdekur nga ata që bënë puçin. Nuk besoj se më bind me këto që shkruan… sa ngjarje kanë ngelur pa hetuar e me këto përrallat tuaja, vështirë të na mbushësh mëndjen se thua të vërtetën.
Or trap te gjithe librin e ke vene ketu ,kush po duron me e lexuar perrallen tende ,nja 100 here i kemi degjuar e kexuar ato ngjarje ,ti per cfare na i kujton ,te verteten e 4 te vrareve e di gjithe populli i Shkodres ,e politika per interesat e veta akuzoj qeverine e asaj kohe ,njeri vrases iku per lesh ,Ali Spahia po per lesh ,ka ngele baca Sali Krimineli Non Grata gjalle ,e ju Shkodran ( derra ) a ( thi ) votoni prap kete kriminel ,
Ku jane autoret?
Sa ma shume shkrimi te ketij lloj ku autori jep versionin e tij per ngjarjen e 2 Prillit 1991 aq ma mire per zbardhjen e kesaj histori te erret e te dhimbeshme. E falenderoj Z. Tanush.
Ik ore zagar mos na hap barkun me perrallat e tuaja. Ali Spahija me urdher te Sali Berishes dhe ndihmen e UDB-se vrane kater te rinj idealiste te djathte per perfitime politike personale. Kete pune beri edhe ne 21 Janar 2011, dhe ja faturoi vrasjen atyre me çadra-pushke dhe stilo-pistolete. Te jesh i djathte i vertete eshte nder dhe lavdi. Te jesh qelbesire dhe te perkrahesh qelbesirat eshte TURP. Nuk gjen ne Shqiperi me shume mentalitet bolshevik se sa ne Shkoder.
Boll me keto mashtrime alla Sale e Azem. E di gjithe Shqiperia se si eshte e verteta.Nuk hetohen dot Spahia dhe Arbenori se jane ne bote tjeter. Po ashtu si Azemi. Sepse u mor si i vertete mashtrimi i mesiperm prandaj ka 30 vjet qe Shqiperia vuan me shume se kurre peshen e mashtrimeve dhe korrupsiont.
Ky shkrim nuk frymëzon. Ai të kujton një periudhë kaosi dhe shkatërrimi komplet të shtetit shqiptar. Shkodranët nuk ka pse të jenë krenarë se dogjën dhe plaçkitën. Si erdhën punët më pas nuk ka asgjë për tu mburrur. Ishte revanshi i turmës, i hajdutëve dhe burgaxhinjve ordinerë. Populli i thjeshtë nuk fitoi asgjë. Shkatërrimi i Shqipërisë filloi më 1991 dhe përfundoi më 1997 me ardhjen e fuqive të huaja për të rivendosur rendin në vend. Prandaj këto kujtime ndjellin vetëm trishtim. Thjesht diktatura u zëvëndësua nga anarshia. Sigurimi famëkeq nga mafia. Që të rrëmbente deri edhe vajzat nga shkolla për t'i shfrytëzuar si prostituta në Itali. Ajo demokracia e 1991 - 1997 më mirë të mos kishte ardhur kurrë. Sesa erdhi ashtu si erdhi.
Ajo qe keni shkruar eshte sa e vertete po aq edhe e trishtueshme. E verteta absolute eshte se PD-ja e Salihut apo e Azem Hajdarit, tradhetoi idealet liridashese te atyre djemve qe u vrane pabesisht ne Shkoder me 2 prill; tradhetoi idealet e nje populli te tere qe nuk u ngrit kunder nje diktature per ti dhene mundesine nje kaste te re te privilegjuarish qe te mbushin xhepat me parate e vjedhura.
Ky zoteria prandaj ka ngelur gjalle se i mbahet perrallave.2prilli do mbahet mend si dita kur autoriteti dhe frika ndaj policise mori fund.Eduart Perjaku ky bishtak i kamufluar del ne shume detaje te kesaj masakre dhe asgje nuk i ka hyre ne kembe.Ato vrasje nuk jane enigme dihen kush i ka bere ne qoftese nuk ke kurajo mos na hap barkun boll kemi degjuar kane ndodhur gjera me te renda viteve ne vazhdim kujt i plasi per ata kater qe vrane per te shpejtuar ardhjen e djallit ne pushtet.
Si banor I shkodres ne ato kohe,Eshte turp qe shkodranet donin me shume Serbine se Qeverine shqiptare Edhe pse komuniste,Shume here qellonin policine me sakica e me gure ,cfare ironie ka 32 vite dhe kujtojne se do ju sillte demokracine nje Karaduz secretary partie dhe Jozefina qe na sillte Info .Nuk ka qytet me antishqiptar .ata qe u vrane I vrane vete
Haha shkrim leshi, dhe ky palla do te genjeje po nuk di te genjeje, mbase mund te jete dhe nje nga vrasesit e atyre djemve fat keq qe u shuan ne moshe te re. I vrane vet mbrapa kraheve burracaket e PDse.