Dokumenti i Sigurimit, nëntor 1970: Si u interesua miku i prof. Çabejt nga Vjena për portin detar ushtarak në Vlorë. Roli i Kinës

30 Mars 2024, 18:20Dossier TEMA

Dokumenti i Sigurimit, nëntor 1970: Si u interesua miku i prof.

Nga Nebil Çika

Është folur vazhdimisht që shkencëtari i shquar shqiptar, profesor Eqerem Çabej, është trajtuar si një armik nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës, mirëpo fakti qe ai ka qenë një nga njerëzit më nën kontroll nga Sigurimi i Shtetit, nuk dihej me saktësi. Në këtë material ekskluziv që “Minerva” po e boton për herë të parë, shihet qartë rreziku dhe presioni i madh në të cilin ka jetuar e punuar Prof. Eqerem Çabej. Dhjetëra drejtues e oficerë të Sigurimit dhe dhjetëra agjentë e spiunë, janë venë në ndjekje të tij, ndërkohë që të ndjekur e të rrezikuar, kanë qenë shumë miq e bashkëpunëtorë të tij, kryesisht njerëz të njohur në rrethet shkencore, letrare e politike. Kjo dosje, por edhe të tjera që ne do të mundohemi t’i bëjmë publike në të ardhmen, dëshmon edhe njëherë rëndësinë e hapjes së dosjeve te Sigurimit të Shtetit dhe lustarcionit të politikës shtetit e shoqërisë shqiptare, jo vetëm për të shkuarën, por edhe të tashmen e, sidomos të ardhmen tonë. Po e botojmë të plotë dosjen, pa shume komente, për t’i lënë lexuesit mundësinë të gjykojë vet mbi veprimtarinë të një prej organizatave me kriminale të diktaturës komuniste, Sigurimin e Shtetit, ish-drejtues e funksionar të së cilit, janë ende aktiv e me shumë pushtet në Shqipëri.                                                            

Shkrimi i më poshtëm është njëri nga 60 letrat që Eqerem Çabejt Sigurimi i Shtetit ja hapte, ja kontrollonte dhe në fund përpilohej një relacion, për përmbajtje të letrës. Nuk dihet a i shkonin në dorë letrat personave që i adresoheshin. (Numri i letrave të hapura e kontrolluara, është 56).

Dërg. Eqerem Çabej, Prof. i Fakultetit Filologjisë, Universiteti Tiranë

Merr. Prof. Aleksandra Rrosette, Bukuresht, Rumani

                                                                      Përmbledhje

Nga studimi i bërë kësaj del se; Në fq. 1, rreshti 2, thotë:

“Me anë të kësaj letre, lejohem t’ju njoftoj, se kam afër tre vjet që kam përgatitur një vepër kritike të mendimtarëve (dijetarëve) shqiptar të gjuhës shqipe, atij më të vjetrit, Gjon Buzukut (1555).

Kjo përmban kopjen e fotografisë, transliteracionin dhe transkriptimin (përshkrimin) fonetik (zanor). Përpjekjet mija për ta shtypur këtë vepër, kanë mbetur deri sot, pas kësaj qarqet tona universitare do të mirëpresin, sikur kjo të shtypej në Rumani.

Megjithëse marrëveshja jonë kulturore me Republikën Popullore Rumune, mjerisht deri sot është angazhuar (ngarkuar) me të tjera detyrime. Prandaj unë dëshiroj që lutjen t’ime, t’ia drejtoj Juve, që Ju t’interesoheni për këtë pranë Akademisë Rumune, që kjo vepër të mund të vihet në shtyp. Po qe se kjo ndërmarrje shkencore, do të pranohet parimisht nga Akademia, atëhere un do të përpiqem që Universiteti ynë, të bëjë hapat e nevojshme, etj., etj.

                                       “Furtuna”
29/3/1961

(“Furtuna” është pseudonimi i përkthyesit që përkthente letrat që i vinin Eqerem Çabejt në gjuhën Gjermane).

Teksti i mëposhtëm, është një raport i përgatitur nga organet e Sigurimit në bazë të të dhënave që ka dhënë bashkëpunëtori “Jaku” (“Jaku”, duhet të ishte nga Lezha).

Ardhur nga Dega e Sigurimit, Ministria e Brendshme, në Shkodër, Nr. 213 dt. 24-7-1969.

                                   Dhënë: B.p. “Jaku”

                                   Dat 16/VII/ 1969

                                                                      R a p o r t i

Me datën 14/VII/1969, ai vajti në Tiranë dhe atje u takua me Eqerem Çabeun, në Institutin Histori-Gjuhësi. Eqeremi e përgëzoj atë për veprën që do t’i botohej dukë i thënë njëheri atij, ti bënte ndo një ndryshim sa për sy e faqe, mbase ashtu e don puna që t’i thuash derrit dajë. (Në dokument e nënvizuar rreshti).

Kështu e bëj edhe unë, i tha Eqeremi atij, nuk ka rrugë tjetër, bëj ca ndryshime të dorës së dytë, të cilat i reklamoj me të madhe, kurse ato më të rëndësishme, nuk i lozi fare. Na ka zënë ky hall more zotni, nuk kemi çfarë të bëjmë. Me kaq biseda u mbyll, mbasi në dhomë na erdhi një person tjetër.

                                      “Jaku”

Personi që implikohet në raport, nuk njihet nga ana e jonë, është ose jo në përpunim, apo kontingjent.

E dhëna ka vlerë operative për personin tonë, mbasi Eqeremi paska në vetvete pakënaqësi dhe e shpreh për kundër pushtetit.

Lidhur me raportin bp. Nuk ju dhanë detyra, mbasi ky për disa ditë do të qëndroj me pushime në Tiranë, nga ku do të marrë kontakt me sh. Bajram Doçin, nga ku do ti jepen detyrat po të jetë nevoja.

Raporti të shtypet në një kopje dhe t’i dërgohet Drejtorisë të Punëve të Brendshmesh Tiranë.

                                       Shefik Hasku

Marrë: Nga P.Op. Ropi Postoli                              

                                    Dhënë: B.p. “Moli”

                                                                         R A P O R T

Në vazhdim të bisedave që pati ai me doktorin austriak (në gjuhësi) Hermann Olberg, dolën këto të dhëna:

– Kur u diktua për portin detar ushtarak – a është Vlora apo cili qytet është, Olbergu shprehu mendimin se kinezët po ndërtojnë në bregdetin tonë porte nëndetësesh dhe pyeti atë nëse është e vërtetë.

– Duke diskutuar me të, Olbergu ngriti në qiell nivelin e jetesës në Austri, duke i thënë atij, që nuk ja vlen të riparosh asgjë, sepse kushton shumë më lirë ta blesh të re dhe se kjo është atje gjë e zakonshme.

– E ardhmja e botës është e zezë dhe e pa qartë, sepse sot bota ka 2-3 miliardë njerëz, por në vitin 2000, do të ketë 15 miliard dhe s’dihet çdo të bëhet me njerëzimin, ai po shkon drejt rrugësh të pa njohura. Kur ai dhe Pali Zizi e kundërshtuan, ai tha se ju jetoni këtu të mbyllur e të izoluar dhe s’dini gjë, por po të kishit parë edhe ju si unë, një qytet me 7-8 milion njerëz, të rrasur në një sipërfaqe aq të vogël, do ta mendonit ndryshe.

– Ju nuk e njihni botën, ju jetoni në mono-sistem, atje ku njeriu ose duhet t’i bindet partisë, të bëjë autokritikë, ose është i destinuar të zhduket. Unë e di mirë çdo të thotë një parti e vetme në drejtim të një vendi, babai im është burgosur nga nazistët për shkakun tim. Këtu partia është perëndia.

Ju i hyjnizoni udhëheqësit tuaj, kurse ne i quajmë njerëz të zakonshëm – që kryejnë disa punë shtetërore. Sa kohë që i pëlqejnë punën e tyre, ata qëndrojnë në postin e vet, përndryshe i heqin dhe s’ka hyjnizim si këtu.

Në mono-sistem s’merret vesh, p.sh. një herë u hyjnizuan Lavdia e Stalinit e u ngrit në qiell, erdhën të tjerët e e përplasën përtokë, kushedi çdo ngjasë me to, kur të vijnë të tretët. Te ne s’ka gjëra të tilla.

– Takimi i Olbergut me Eqerem Çabejn, qenë jashtëzakonisht të shpeshta, deri në të bezdisshme. Me sa kuptoj ai, iniciatori kryesor për këto takime qe E. Çabej. Qysh se kishte ardhur Olbergu në “Dajti”, pa kaluar 5’ E. Çabej kërkoi në telefon, që të mësonte nëmurin e dhomës së Olbergut, “për ta uruar mirëseardhjen”!

Pastaj vazhdoi kjo punë dhe rastësisht takimet bëheshin në mungesë të tij (vetëm pa e ditur Çabej, nja dy herë u përplas me atë, Çabej mendonte se ai do vinte ma vonë. Një natë ai me Olbergun, kishin prerë biletat për në teatër, por Çabej kishte shkuar në “Dajti”, e kishte marrë Olbergun shëtitje, duke i thënë që ka kohë dhe e solli para teatrit, kur dera tashmë ishte mbyllur.

Ai kishte lajmëruar përpara në teatër dhe dera u hap ekstra për Olbergun, pasi shfaqja kishte filluar. Edhe natën e fundit Çabej, erdhi për t’u përshëndetur, kur Olbergu me A. Kostallarin, M. Domin e atë, sapo ishin ulur për darkë. Çabej u tërhoq në kafe, për ta pritur.

Kur ne shkuam në kafe dhe thamë që Olbergu duhet të shkojë të çlodhet, Çabej shfaqi dëshirën, të rrinte ende vetëm me Olbergun edhe Olbergu i tha gjermanisht (që e kuptonte vetëm Çabej e ai, po jo Domi e Kostallari), ne po rrinim akoma, pasi të ikin këta, apo jo?

Pasi Kostallari s’lejoi të rrinte më gjatë as Çabej, Çabej u përshëndet “përfundimisht” me Olbergun, duke i uruar etj., etj., por për çudinë e atij, të nesërmen Çabej, kishte ardhur qysh në orën 7.30’ ( a ndoshta dhe më para) dhe ishte takuar përsëri me Olbergun). (“Ai” i kishte thënë Olbergut, që do të vinte në orën 8.30’, por erdhi në orën 7.45’ dhe e zuri Çabejn, duke dalë nga “Dajti”. Çabej i tha se u përshëndeta.

– Olbergu e quante një fat të Shqipërisë, që neve tani për tani “na lenë rehat” fuqitë e mëdha, por sa do të vazhdojë kjo?
– Ai e lidhte edhe me “udhëheqësin” tonë të sotëm, me shokun Enver: Sa rron një udhëheqës, në shumë vende ka pasur një drejtim të qartë, po pas atij kudo shpeshherë, është bërë ndryshe nga ç’ka qenë.

– Të shtypet dhe t’i dërgohet Degës II-të

– Të nxirret ekstrakt për Eqerem Çabejnë

                                   Bajram Doçi

                 Detyra:

B.p. nuk iu dhanë, pasi Olbergu u largua për në Austri. U porosit që të mundohet të bisedojë me Çabeun, për Olbergun, duke i thënë atij se i ishte dukur njëri i mirë, gjatë kohës që e kishte shoqëruar, etj.

                                  Punëtori Operativ

                                    Ropi Postoli

(Bashkëpunëtori i Sigurimit të shtetit “MOLI“, duhet të jetë një punonjës i institucionit ku ka punuar Eqerem Çabej. Ky bashkëpunëtor, vazhdimisht jepte informacione për Çabejn).

                                                                     Proçes – Verbal

Unë Faik Gora, hetues i Ministrisë P. Brendshme, mora në pyetje të pandehurin Mark Dema, (përkthyes) i cili mbasi e pyeta deklaroi:

Në vitin 1943, në Romë jam njohur me të quajturin Eqerem Çabej, që kishte ardhur në Romë, për studime filologjike. Ma parë nuk e kisha njohur personalisht, por rreth tij kisha dëgjuar dhe lexuar nga revista françeskane, “Ylli i Dritës”. Në vitin 1960, me E. Çabejnë, kam zhvilluar biseda armiqësore kundra Pushtetit.

Më kujtohet se në Mars të 1960, kam shkuar në Universitetin Shtetëror Tiranë, për të takuar me Kolë Papariston, të cilin nuk e takova. Me këtë rast kam kërkuar të takohem me Eqerem Çabeun dhe u takova. Ai më pyeti se pse ke ardhur në universitet dhe unë i tregova për çështjen e Eniedës. Ai më tha se kishte bërë një punë të madhe, por kujt i’a thoja. Në këtë sistem njerëzit me pozitë, nuk i vlerësojnë këtë gjëra.

Këtu te ne ngrihen njerëz jo sipas aftësisë, por sipas meritës së Luftës. Mjerë ne ku jemi. Për ne ishte vendi ku kemi ndejnë (Italia). Dhe bënë shumë mirë ata që qëndruan në atë anë. Ne s’patëm mend dhe erdhëm. Tani le të vuajmë! Mirë e kemi. Pa i bërë asgjë askujt, duhet t’u pushpitemi tjerëve, dhe më tregojë si Aleksandër Xhuvani, e kishte mbrojt dhe mbajt afër vetes.

Më ka folur dhe për intrigat e disa kolegëve të punës, si Selman Riza, Androkli Kostallari, etj., që u mundonin ta mposhtnin atë.

Eqeremi më ka thënë se në vendin tonë, për të ecur përpara njerëzit injorant bëhen servile e batakçi, ndërsa njerëzit e devotshëm vuajnë. Më ka shprehur Qeremi, se kultura e sotme as që mund të krahasohet me atë të së kaluarës, e se kultura sovjetike, që nga ngulur rrënje tek ne, është mohim i të gjithë vlerave shqiptare.

Unë i kam thënë se tragjedia jonë, është se nuk kemi liri në këtë Pushtet dhe njerëzit si ne, veprojnë sipas rregullave të diktuara nga ai me imponim. Unë kam thënë se në të gjitha fushat, si të shkencës si të gjuhësisë, njerëzit që kanë kryer studime në vendet perëndimore, janë shumë më të ngritur e të aftë se ata të tjerët, që vijnë nga vendet ku është në fuqi sistemi komunist. Prandaj s’na duan dhe na kanë halë në sy, ashtu siç i kemi dhe ne.

Eqeremi duke vazhduar bisedën më ka thënë: “Gjithçka e bëj hallall, veç të na hapin kufijtë, s’po ju dua gjë tjetër. Por mjerisht kjo është utopi”. Dhe unë i kam thënë se ne që s’e duam këtë pushtet, jemi të destinuar të vuajmë për tërë jetën, të mbyllur në vendin tonë, pa asnjë shpresë shpëtimi. Më vonë jam takuar me Eqeremin, por nuk kemi bërë bisedë armiqësore, për shkak se ai doli dhe jashtë shtetit, si Austri, Rumani e Kosovë.

Proces-verbalin e përpilova vetë dhe e firmosa me firmën time.

I pandehuri                                Hetuesi

Mark Dema                                  Faik Gora

                                                                       A p r o v o h e t

Zv. Drejtori Drejtorisë së I-rë

Ekzeplarë Nr____
Tiranë me 7.7.1972

                                                                     RELACION

MBI VLERËSIMIN E MATERIALEVE NË NGARKIM TË EQEREM ÇABEJT

Eqerem Çabej është i biri i Hysenit, i datëlindjes 1907, lindur në Gjirokastër dhe banues në Tiranë, në rrugën “Qemal Stafa” Nr. 393/12, në punë në Institutin e Gjuhësisë të U.SH.T., me profesion punonjës shkencor.

I përmenduri gjatë okupacionit gjerman, është emëruar Ministër i Arsimit. Një vëllai i tij, është pushkatuar si armik i popullit. Ka të arratisur jashtë shtetit, të vëllanë e gruas, ndërsa vetë gruaja e Eqeremit, ka qenë e dënuar me burg për aktivitet armiqësor.

Bazuar në këto të dhëna biografike, Eqeremin e kemi regjistruar në evidencat e kontingjenteve armike. Përveç kësaj në ngarkim të Eqeremit kemi edhe disa material në fashikullin e informative, të cilat tregojnë se i përmenduri, nuk është në pozita të shëndosha.

Konkretisht nga të dhëna dt.22.2.1970, e B.p. “Jaku”, del se Eqeremi duke qenë i mërzitur nga disa kritika që i kishin bërë lidhur me shkrimet e veta, të shkruara shumë kohë më përpara ishte shprehur: “Këta more Zotni, duan të nxjerrin çdo gjë vetë dhe për të tjerët, kanë mendimin se nuk dinë dhe s’marrin vesh për asgjë.

Një ditë kur ka qenë i nxehur i ka thënë një shokut të tij të zyrës, se ja kemi falur shpirtin shejtanit, pasi punojmë e nuk na dihet fare. Ndërsa lidhur me botimin e një libri nga ana e B.p. “Jaku”, Eqeremi ka i thënë këtij të fundit, që bëji ato vërejtje si ti kërkojnë këta, mbasi nuk kemi se çfarë të bëjmë, duhet t’i themi derrit dajë.

Kurse në të dhënën e tij dt.10.1970, B.p. “Moli” raporton se: “Takimet e Olbergut me Eqerem Çabejn, qenë jashtëzakonisht të shpeshta, deri të bezdisshme. Me sa kuptoi ai, iniciatori kryesor i këtyre takimeve ishte Eqeremi. Qysh se kishte ardhur Olbergu në “Dajti”, pa kaluar pesë minuta, E. Çabej kërkoi në telefon që të mësonte nëmurin e dhomës së Olbergut, “për t’i uruar mirëseardhjen” (Sipas Eqeremit).

Pastaj kjo punë vazhdoi dhe takimet bëheshin kryesisht në mungesë të atij (të B.p.) Theksojmë se Olbergu është doktor austriak, në fushën e gjuhësisë dhe nga kontrolli që atij ju bë gjatë kohës që qëndroi në vendin tonë, la dyshime të një zbuluesi, që kishte ardhur këtu me detyra të caktuara (Në dokument, kjo pjesë e tekstit është nënvizuar)

Nga një shënim – operativ dt. 29.VI.1970, i përpiluar nga P. Operativ V. Shiko, rezulton se Eqerem Çabej, ka pasur shoqëri me Kadri Hoxhën, i cili është ndjekur aktivisht nga Dega e P. Brendshme Vlorë, bile ky i fundit dhe bashkëshortja e tij, natën e dt. 23.6.1970, kanë fjetur në shtëpinë e Eqeremit.

Në muajin prill ose maj të vitit 1970, nga Seksioni i I-rë i Drejtorisë P. Brendshme Tiranë, është bërë një përgjim me T.O. (Teknikë Operative) midis objektit Kadri Hoxha, Eqerem Çabejt, dhe djalit të këtij të fundit.

Nga biseda e zhvilluar ka dalë se aty është biseduar me nënkuptime, ndërsa djali i Eqeremit, ka shfaqur shprehje me karakter armiqësor, gjë që tregon për ndikimin e babait të tij mbi të (Në dokument kjo pjesë e tekstit, është nënvizuar) Informacioni i T.O., ndodhet në dosjen e Kadri Hoxhës.

(Në tekstin anash me laps, me shkrim të imët, janë dy shënime:

– Shënimi i parë “A e implikon Kadri Hoxha, Eqeremin”?

– Shënimi dytë; “Djali i Eqeremit është 13 vjeç vinte 100 kg dhe është me të meta mendore, pastaj u hodh nga ballkoni e vdiq”!

Sipas Xhevit Beqirit, ish shifrant në ambasadën tonë në Austri, doli se: “Në vitin 1970, profesori Eqerem Çabej, ishte në Vjenë për të kuruar djalin e tij. Aty ai ka mbajtur kontakte me mjaftë të huaj, si me Shvaken, lidhje e ngushtë e Komitetit “Shqipëria e Lirë”, i cili ka shkruar në gazetë artikuj kundër Republikës Popullore të Shqipërisë. Më këtë person, Eqeremi ka shkuar e është takuar në një vilë jashtë Vjenës dhe ka qëndruar më se katër orë me të.

Eqeremi ka bërë në Vjenë shpenzime jashtë mundësive. Veç të tjerave, ai bleu katër orë dore. Kur është njoftuar që të kthehej në Shqipëri, se i kaloi afati, ka kundërshtuar me të madhe, duke thënë se kjo është e padrejtë dhe me nervozizëm ka përplasur dyert e tavolina. Kohët e fundit Eqerem Çabej implikohet për aktivitet të përbashkët armiqësor, me të pandehurin Mark Dema, i cili thotë se: “Në vitin 1960, me Eqerem Çabejn kam zhvilluar biseda armiqësore kundra pushtetit.

Për çështjen e Eniedës, ai më ka thënë se kisha bërë një punë të madhe, por ç’e do, kujt t’ja thoja. Me këtë sistem njerëzit në pozitë, nuk vlerësojnë këto gjëra. Këtu te ne ngrihen njerëzit jo sipas aftësive, por sipas meritave të Luftës. Mjerë neve ku jemi. Për ne ishte vendi ku kemi ndenjur (Itali) dhe bënë shumë mirë ata që qëndruan në atë anë. Ne s’patëm mënd dhe erdhëm. Tani le të vuajmë. Mirë e kemi. Pa i bërë asgjë kujt, duhet t’u përëhpitemi të tjerëve, etj.

Eqeremi na ka thënë gjithashtu, vazhdon Mark Dema, se në vendin tonë, për të ecur përpara, njerëzit injorant bëhen servilë dhe batakçi, ndërsa njerëzit e ndershëm vuajnë. Kultura e sotme as që mund të krahasohet me atë të së kaluarës. E se kultura sovjetike, që nguli rrënjë te ne, është mohim i të gjitha vlerave shpirtërore. Pasi i kam folur edhe unë nga pozita armiqësore, përfundon Mark Dema, Eqeremi ka vazhduar bisedën duke thënë; “Gjithçka e bëj hallall, veç të hapen kufijtë. Por mjerisht kjo është utopi.”

Komisioni për vlerësimet e materialeve në ngarkim të të lartpërmendurit, vendosi që të tërhiqet dosja e tij 2/B e arshivuar në degën e IV-të dhe pas studimit të saj, në vartësi të materialeve që gjinden në këtë dosje, të konkludohet për marrjen e tij në përpunimin 2/A, sepse implikohet si më sipër. Kjo të behet deri 31/7/1972. Memorie.al

Kapiteni Degës IV-të                                                                    Z. Kapiten Degës IV-të

Kapllan Bano                                                                                     Kadri Papali

                                                            Kadri Ismailati

4 Komente

  1. S
    Spiunet Ordinere Jetojne akoma !

    Keshtu i perpilonte ne " Dosjet e Spiunave te kohes se vjeter edhe Operativi Ilir Dako...iish ne Repartin ushatarak i Kimise 1990 ne Tirane ..( tek Rapi i treshit ) ndersa Spiunet Ordinere Operati Ilir Dako kishte ish Drejtorin e Repartit ushtarak i KImise 1990 sote Miliardere Lllazar Angjelin.....nderkohe dhe nje Spiun po Oedinere ish Inxhinierin Pellumb Shyti..... Sote Jetojne te qehte ....dhe jan ene pritjes te mbyllejes te kapijtve te Jetes te tyre...ku me nderim do te percillen me Ceremoni per kontributin qe kane dhene per PPSH.

    1. G
      Gjuetari

      Ky shkrim, e larteson edhe me shume, figuren e profesor Eqrem Cabej !

      1. S
        SPA mezi presim vendimet ! Flm

        Shikojeni ne foto se si Pederasti Hoxha i eshte cacaruar ish Profesorit te nderuasr ..z.Eqerem Cabej.... trashgimatari i ish pedersatit hoxha eshte trasheguar nga po pederasti Ramiz Alia dhe deri tek po Spiuni Sali qe ndodhet sote i mbyllur ne katin e tetet per krimiet vrasje vjedhje te shqiptarizmit.... Qytetaret presin pa durim ndeshkimin Ligjore per vrasjet dhe kriminalitet qe ka bere ish Spiuni Penecilina...ne sherbim te UDB...Pastaj ju vjen rradha dhe Florrive te kerrabes me frupet e tjera te Ciftelise dhe grupeve te tjera te pederastave ne te dyja krahet majtas dhe djathtas...

        1. a
          astrit

          Sigurimi i shtetit e kontrollonte ne menyren me te ndyre gjuhetarin e madh duke i vene bashkepuntoret si ne qendren e punes dhe kudo qe ai levizte. Jane me dhjetra relacionet e bashkepuntoreve kunder tij. Bashkepuntoret ishin nga instituti i gjuhesise dhe nga te njohur te tij te fushes se gjuhesise neper rrethe. Ai ishte vazhdimisht nen presion. Ai e dinte qe survejohej e mundohej te izolonte veten vetem te puna e tij shkencore.Sigurimi kishte hapur dosje dhe per gruan e tij dhe te bijen. Po ju tregoj vetem nje nga qindra faqet qe sigurimi mbushte per aktivitetin armiqesore te profesorit:RAPORT-KATEGORIZIMI Për aktivitet kundërshtar antipopullor qi ka treguar dhe vazhdon të tregoj, propozojmë të përpunohet dhe të regjistrohet nga kategorija 2.B që është në kategorinë 2.A të kartotekës elementi kundërshtar personin e poshtëshënuar me tendenca anti pushtet (naziste) Eqerem Çabej. i biri i Hysenit dhe i Aishes, lindur më 1907 në Gjirokastër dhe banues në Tiranë, Lagja 17 nëndori, Rr Mine Peza Nr 30 me punësim pran Institutit të Shkencave dhe me Profesion Prof. Allbanollog, ka mbaru studimet Unversitare për Filozofi në Vjenë din me fol e me shkrue gjermanisht, frëngjisht, italisht, dhe latinisht, rrjedh nga një shtresë e pasur qytetare, ashtë prekur nga reforma dhe ligjet e shtetit tonë, pse iu është marë pasuri dhe pushkatuar i vëllai i tija i quajtur Selaudin Çabej nga forcat partizane në Kosovë ku atje ka qene me detyrë Prefekt, ka dhëndrin e tijë të quajtur Selim Dovrani të aratisur si kriminel lufte, i pa martuar, ka në familje: nanë dhe dy motra, të quajtura…….. shtetësi e kombësi shqiptare, feja muhamedane. I përmenduri prej vitit 1915 deri 1920 ka kryer shkollën fillore dhe qytetare në Gjirokastër dhe në vitin 1921 ka shkuar me bursë shteti në Austri, dhe atje mbeti dy vjet studimi, ka dalë me bursën e tijë private dhe ka kryer 6. Klasë gjimnaz në qytetin ST. POLTEN dhe klasën e 7. Në qytetin GRAZ më 1926 ka kryer maturën në KLAGENFURT po në këtë vit ka shkuar në itali dhe është kthyer më 1927 d.m.th. ka ndenjur vetëm një vit emandej ashtë kthyer përsëri në Austri ku atje ka ndjekur studimet e larta Universitare në fakultetin e filozofisë ku ka bërë 3 simestra në universitetin e GRAZIT dhe 5. Simestra tjera në universitetin VJENË duke u specializuar në Linguistikë të përgjithshme e Indoevropjane, në Allbanollogji tek profesor JOKL dhe për histori e Ballkanit më 30.12.1934 ka marrë diplomën e Doktorit në filozofi, e mandej në fillim të vitit 1934 ashtë kthyer në Shqipëri…. Ka ardhë në shqipëri është emëruar profesor në gjimnazin e Shkodrës, në vitin 1934-1935. Profesor në normalen e Elbasanit, 1935-1936 shef seksioni në Ministrinë e Arsimit e me 1937 ka kryer 10 muaj shërbimin ushtarak në shkollën e plotësimit ku ashtë lirue me të drejtën e gradës Aspirant. Në vitin 1938 ka qenë profesor në Gjirokastër e në vitin 1938 drejtor i Liceut në Tiranë ku ka qëndruar deri në vitin 1940. Në vitin 1940 dërgohet në itali dhe caktohet me punë shkencore pranë Akademisë Mbretëror në Romë këtë çështje në autobiografinë e tij mundohet me u justifikue duke thanë: pse isha kundërshtar i fashizmit më dërguan në Itali si gjysëm i internuar, porse ky është dërguar me punë në Romë nga Ernest Koliqi, gjë të cilën e fakton edhe vetë në një lutje që i dërgon nga roma me 24 Mars 1944 ku thotë:Në vitin 1944 shumë të tjerë përfituan tokë nga qeveria, unë isha dërgue me mision nga fashizmi këtu në itali etj. Më 5 nëndor 944 sado që ndodhet në Itali por emërohet Ministër i Arsimit dhe i dërgojnë 3 muaj rrogë dhe shpenzimet e udhëtimit për ta kthyer në Shqipëri, në atë kohë lufta Nax-Çlirimtare kishte marrë proporcione të gjëra dhe ishte fundi i nazismit ai nga frika dhe për tu ruajt veten nuk vjen në detyrë. Eqeremi në Romë është dërguar si përfaqësues i Ernest Koliqit në Institutin e studimeve për gjuhën Shqipe dhe ashtë pague me rrogë të majme qoftë nga qeveria e athershmë qoftë nga fashizmi.Në vitin 1934 ka qenë në Dalmaci për verim ku ka ndenjur nji muaj gjithashtu thonë se në Itali në vitin 1938 ka ndenjur dy muaj. Nga Italia, Eqeremi kthehet në Korrik 1944, gjatë verës ka punuar në Ministrinë e Arsimit në komisionin e teksteve Inspektoriate Epror dhe mandej Maj 1944 ashtë emëru si nëpunës teknik pranë Institutit të Shkencave ku atje gjindet edhe sot. Qëndrimi i të përmendurit gjatë luftës pasqyrohet nga vetë e kaluara e tij d.m.th. se ka qenë një njeri i pozocionuar për armikun e mandej edhe sot vazhdon të veprojë, sepse ky njeri mbas çlirimit dhe sot vazhdimisht është parë të shoqërohet me element që janë të tipit të tijë. Që kanë bërë punë armiqësore p.sh. Sabiha Kasimati etj e cila për veprimtarinë e saj kundra pushtetit tonë popullor ashtë pushkatuar mandej shoqërohet edhe me këto përsona: Shurete Turkeshi, bijë e një tregtari të tatuar dhe vetë kjo ka qenë më lëvizjen qysh në fillim por për punë armiqësore kundra partisë e Pushtetit ashtë përjashtuar nga partia. Rrok Zojzin fashist me emër,Sejfulla Malëshovën tradhëtar i partisë Isuf Çekën edhe ky fashist, Fatbardha Prodani, Anton Krajnin ish krysekretar i M. Arsimit, prof. Filip Ndocaj, Ndoc Ashtën, Spiro Belkovin etj asht tregue dhe tregohet i pa kënaqur në punën e tij. Eqeremi ka kritikue dhe urren veprën mbi linguistikën qi orjentohej nga ish professor Marri.( kjo vepër linguistike sot është e gabume dhe ka ranë poshtë nga shoku Stalin”) porse Eqeremi nuk e kishte kritikuar dhe urryer pse e dinte se ishte gabim, përse kjo ishte sovjetike, dhe këtë tani e justifikon duke thënë ; Unë një gjë të tillë e kam thënë qysh në kohë. Sipas deklaratën e lëshuar nga i quajturi Rako Hila me punë në Sh.N.U.M. të Beratit del se Eqeremi ban pjesë në një organizatë demokratike dhe Rako i ka thënë Vangjel Zoto sot i arestuar për marie pjesë në këtë organizatë, se në këtë organizatë bajnë pjesë shumë Intelektualë si Eqerm Çabej,Gjergj Kokoshi, Rrok Zojzi etj e për më tepër siç del nga deklarata Eqeremi kryeson këtë organizatë. Veç kësaj, nga B.P. Drojtje del se Eqeremi frekuenton shtëpinë e Rrok Sojzit ku venë dhe element të dyshimtë si Prof Filip Ndocaj, Ndoc Ashta, Spiro Belkovi etj, Kur ka qenë në Itali, në vitin 1944 dukë qenë shumë i afërt me gjermanët ashtë interesuar për dërgimin e disa t’internuarvë për në Shqipëri. Duke u nisur nga të gjitha këto aktivitete, dhe duke marë parasysh se është një element shumë inteligjent me një kulturë të gjërë dhe eksponet i dorës së parë për reaksionin se dhe një shënim që ka vënë titullari i këtij dikasteri Gjeneral Leitnant Mehemet Shehu për tu vënë në përpunim aktiv, propozojmë kategorizimin e tij nga kategoria 2/B në kategorinë 2/ A PROPOZUESI PËLQEHET N/TOGER TAIP RADA SHEF. SEKSIONI.M.PUSHTETIT KAPITEN I.-rë KOLI SHUKE 4.10.52

          Lini një Përgjigje