Dossier/ Parlament 1991, fjalimi i Petraq Kolevicës: Zotërinj, ne e kaluam Rubikonin, s’kthehemi më prapa...

8 Janar 2025, 11:46Dossier TEMA

“Zotërinj ambasadorë,

Më lejoni t’ju kujtoj se ky popull mbetet skllav i karakterit të vet dhe e ka të vështirë të lutet, e ka të pamundur të nderë dorën për të lypur. Kuptojeni, ju lutem!”

Petraq Kolevica ishte deputet në kuvendin e parë pluralist të vitit 1991. Një parlament që vinte si prudukt I zgjehdjeve të para pluraliste të vitit 1991. Tre muaj më heret kishte rënë diktatura komuniste dhe zgjedhjet e para pluraliste u zhvilluan në një situatë dramatike kur Shqipëria kishte prekur kufijtë ekstremë të varfërisë dhe po përballej me valët e forta të emigracionit. Mijëra shqiptarë po largoheshin çdo ditë jashtë vendit me anije por edhe përmes kufinjve tokësor.

Protestat masive kishin pushtuar gjtihë vendin dhe në këtë klimë po miratohej në parlament qeveria e parë pluraliste e drejtuar nga Fatos Nano. Në atë seancë për miratimin e qeverisë Nano ishin të pranishëm ambasadorë të të gjtiha vendeve që ishin të akredituar në Tiranë. Shumica e fjalimeve në kuvend ishin mbështetëse për qeverinë e re, e para qeveri e tranzicionit.

Përbërja e atij parlamenti është ndër më cilësoret përsa i përket arsimimit, me shumicën e deputetëve me tituj shkencorë. Nga 250 deputetë të atij kuvendi, 38 ishin ekonomistë, inxhinierë 57, agronomë 53, mësues 38, mjekë 20, juristë 7, gazetarë ose shkrimtarë ishin 6 prej tyre… një ndër ta ishte edhe shkrimtari Petraq Kolevica, që mbahet mend për fjalimet pikante në atë vit të parë të demokracisë në Shqipëri.

TemA sjell pjesë nga fjalimi I Kolevicës, I cili I drejtohet kryesisht ambasadorëve që ishin të poranishëm në miratimine qeverisë së re.

 

Petraq Kolevica, parlament 1991

Sot kemi gëzimin të shohim qeverinë e parë pluraliste. Por, ende jemi larg ditës kur do t’u fryjmë fanfarave për triumfin e vërtetë të demokracisë.

Për këtë qeveri, për programin dhe disa pjesëtarë të saj kam rezerva e vërejtje, por të gjitha këto i zhyta e i mbyta në fund të ndërgjegjes sime, me shpresën e madhe se po hedhim një hap të sigurt në të mirë të kombit. Prandaj përshëndes Kryetarin e qeverisë se re dhe zotërinjtë ministra, për aktin e lartë moral të marrjes së drejtimit të shtetit në këtë situatë, që është ndoshta më e rënda në historinë tonë, dhe ftoj të gjithë deputetët t’i japin votëbesimin. Por ç’do të mund të bëjë kjo qeveri po të mos ndihmohet nga brenda dhe nga jashtë? Në këtë rast e ndiej për detyrë t’u drejtohem zotërinjve ambasadorë që na nderojnë me praninë e tyre: Zotërinj, sigurisht ju e keni studiuar historinë e popullit tim dhe tani përpiqeni ta njihni atë nga afër, po ju lutem të më falni që po ju kujtoj se tani po shihni në ditë të keqe një fis tepër krenar. Shqiptari është tipi i njeriut, karakterin e të cilit poeti na e ka dhënë me këto dy vargje: “S’dua gjë mbi krye, vetëm qiell me yje”. Ndërsa poeti tjetër na thotë: “S’më duhet argjendi mua, Dua liri dhe nder, Dua të bëj si të dua, Jo si të duan të tjerë”. 

E ja pra, këtë tipar madhështor të krenarisë shqiptari i eksodit fatkeq e barti me vete dhe shpesh duket i çuditshëm e s’kuptohet dhe keqtrajtohet, i uritur e i përbuzur po mat me këmbë udhët e botës. Ndërsa ne që jemi këtu, s’na mbeti vetëm të përsëritim me vete monologun e Makdafit: “O komb i shkretë i shtypur, i përgjakur, kur do të shikosh një ditë të bardhë prapë”?

Zotërinj ambasadorë,

Më lejoni t’ju kujtoj se ky popull mbetet skllav i karakterit të vet dhe e ka të vështirë të lutet, e ka të pamundur të nderë dorën për të lypur. Kuptojeni, ju lutem! Bëjuni të njohur qeverive tuaja se popullit shqiptar, për t’u ngritur në këmbë i duhen urgjentisht ndihma humanitare. Po për të ecur i duhen kredi e investime të konsiderueshme. Vetëm kështu mund ta ndihmoni të qëndrojë e të veprojë kjo qeveri e brishtë që e keni pritur dhe duartrokitur të gjithë.

Po qeveria ç’duhet të bëjë?

Zotërinj deputetë,

Te këta 70 vjetët e ekzistencës së shtetit shqiptar kemi një përvojë, që mbase na vlen ta kujtojmë sot. Në vitet 20, për krjimin e administratës së parë shtetërore shqiptare u thirrën organizatorë të aftë nga Europa. Këtë veprim koha e miratoi dhe e gjeti të dobishëm. Sot partia që ka shumicën në Parlament, thotë që po rinovohet. Nga të gjitha sa dëgjuam, vlen të theksohet një e vërtetë që doli prej andej: partia u quajt socialiste, por hoqi dorë përfundimisht nga ndërtimi i socializmit.

Pra, te ne do të ndërtohet një shoqëri që ngjan të jetë kapitaliste, si dhe vetë ekonomia e tregut. Për ta kryer me sukses ndërtimin e një shoqërie të tillë, neve na mungon përvoja. Prandaj qeveria do të bënte mirë të merrte specialist, organizatorë të aftë nga jashtë për të gjithë sektorët. Për sa thashë, nuk besoj të keqkuptohet nga specialistët tanë, sepse s’kemi kohë të bëjmë eksperimente. Kohën që humbëm, nuk e fitojmë dot. Të mos humbasim kohë tjetër.

Zotërinj, ne e kaluam Rubikonin, s’kthehemi më prapa. Dhe bota që na sheh me dashamirësi, kemi besim se do të na ndihmojë. Por sot është e domosdoshme të kujtojmë e ta bëjmë moton e jetës sonë këngën e rilindësve tanë të mëdhenj, që thotë: 

“Punoni dhe vetë, pa unë do t’ju ndihmoj. Mos thoni duke ndenjur: shpëtona perëndi!”. 

Falemnderit!

Dossier/ Parlament 1991, fjalimi i Petraq Kolevicës: Zotërinj, ne e

 

TemA

4 Komente

  1. J
    Jorgo

    vetem 7 (shtate) juriste!!!!!!

    Përgjigjjuni
    1. M
      Messerschmitt

      Petraqi nje zemer lig dhe ziliqar qe mbas 90 pushoi shok e koleg nga puna qe e kishin shpetuar nga burgu. Koqe fare njeri....

      Përgjigjjuni
      1. T
        Trifoni

        Sa për sqarim të atij që ka shkruajtur artikullin. Petraq Kolevica ishte inxhinjer o artikull shkrues dhe pastaj ishte shkrimtar. Nuk di të them se çfarë ka bër e si është sjell me kolegët, po për komshi që e kam padur ka qënë burrë zotëri.

        Përgjigjjuni
        1. d
          dikur

          Po mor Petraq ashtu kujtonim në atë kohë. Ndihmat të tipit "Plan Marshall" nuk erdhën kurrë. "Çekun e Bardhë" Gramozi shpresoj t'a ketë parë në botën tjetër se në këtë botë nuk e takojë . Miqtë tanë të rinj kishin hall vetëm sa të rrëzonin komunizmin e armatosur rrezikshëm . Kishin hall sa ti hiqnin Shqipërisë koburen dhe krenarinë që të jep arma. Fabula e famshme e Isa Boletinit në Londër u përsërit në përmasa kombëtare . Në atë ngjarje tregohet kush ishte halli I perëndimorëve me Shqipërinë dhe shqiptarët. Vlerësimi I tyre për ne ishte "njerëz të egër që duhet të çarmatosen " . Edhe pasi të çarmatosen do i ulin vetë brekët bashkë me krenarinë e tyre proverbiale. Dhe në fakt ashtu ndodhi. Pasi dorëzuam armët dolëm në semaforet e Evropës me brekë nëpër këmbë. U futëm në lidhjen islamike duke bërë miq, ata kundra të cilëve luftoi deri sa vdiq , heroi ynë kombëtar, me armët e lavdishme të të cilit ne krenohemi . Në fakt tani që mendoj ambasadorin Hollandez e kuptoj pse ndihmat që shpresonim ne nuk erdhën kurrë. Krenar si pasardhës I Gjergj Kastriotit nuk të jep kush ndihma. . Tjetër lloj "krenarie" nxisin dhe pëlqejnë ambasadorët. Këtë ,ne në atë kohë, as nuk e dinim as nuk e imagjinonim. Çfar tallje .....

          Përgjigjjuni

          Lini një Përgjigje