Golda Meir: Izraeli im (10) Nga Tel-Avivi në Jerusalem

20 Tetor 2023, 16:48Dossier TEMA

 

Golda Meir: Izraeli im (10) Nga Tel-Avivi në Jerusalem

 

Përkundër punës së rëndë, ato vite, isha shumë e lumtur. E doja kibucin, por edhe kibuci më donte mua. Më zgjodhën në komitetin ekzekutiv të vendbanimit – komitet ky që përcaktonte politikën e përgjithshme, dhe kjo punë ishte nder për të sapoardhurin. Pastaj më zgjodhën delegate të Merhavisë në kongresin e lëvizjes së kibuceve, që u mbajt më 1922. Ky ishte nder i veçantë për mua. Isha e lumtur që po e përfaqësoja kibucin tim në një tubim aq të rëndësishëm. Për më tepër, vetëm mua më lejuan që vërejtjet t’i paraqes në judishte, ngase hebraishten e flisja shumë dobët. Kongresi u mbajt në Degania, “nënë e kibuceve”. Gordoni ishte bashkëthemelues i këtij vendbanimi. Aty edhe u varros më 1922.

 

Në Palestinë, në atë kohë, kishte shumë pak kibuce

 

Në mbledhjet në të cilat prezentoja, delegatët kryesisht merreshin me çështjen e ardhmërisë së kibuceve. Njeriut të huaj mud t’i dukej e çuditshme dhe joreale që një grup njerëzish kalonin ditë të tëra duke debatuar për atë se cila është madhësia optimale e kibucit, se sa herë mund të shkojë nëna brenda ditës në vizitë fëmijëve në çerdhe, ose se si mund të testohet më mirë konkurruesi për anëtarësim në kibuc. Përfundimisht, në Palestinë, në atë kohë, kishte shumë pak kibuce dhe ato kishin disa qindra anëtarë. Në Palestinë ndodhën incidentet shumë serioze antihebraike. Pozita e 83 mijë hebrenjve (më 1922 kjo shifër paraqiste gati 11 për qind të popullatës), ishte e paqartë. Por, askush nga njerëzit e tubuar në kibuc, të cilët gjithë ditën punonin në kushte që sot do të konsideroheshin të papërballueshme (natën bënin roje e pastaj debatonin për probleme të komplikuara ideologjike), nuk dyshonte aspak në fakin se këtu është vënë guri themeltar i shoqërisë ideale në fillim të eksperimentit të madh të historisë hebraike. Natyrisht, ata kishin të drejtë.

Në Degania, atë javë, njoha shumë personalitete të rëndësishme të Lëvizjes Punëtore “Jishuv”, jo vetëm Ben Gurionin e Ben Cvinë, të cilët i kisha takuar qysh në Milvoki, por edhe njerëz të tjerë të rëndësishëm që më vonë do të bëhen miq të mi të ngushtë dhe kolegë, si: Abraham Hartzfeld, Jichak Tabenkin, Levi Eshkol, Berl Katznelson, Zalman Rubashov (Shazar), David Remez dhe shumë të tjerë. Në Degania, asokohe, i kisha dëgjuar vetëm fjalimet e tyre. Nuk kisha guxim të flisja me ndonjërin prej tyre. E inspiruar nga ata, u ktheva në Merhavia. Mezi prisja që t’i tregoja Morrisit për ato që u thanë e u bënë.

Ato vite më ra edhe ta shëtis pakëz vendin. Kur e vizitoi Palestinën zonjusha Philip Snowden – ishte e fejuar me njërin nga liderët e njohur të Partisë Laburiste britanike, por edhe vetë ishte personalitet i rëndëshëm politik – i duhej cicerone që njihte gjuhën angleze, prandaj Lëvizja Punëtore më ftoi në Tel-Aviv dhe ma dha këtë detyrë. – A duhet ta shpenzoj kohën duke u shëtitur me dikë nëpër vend? – pata pyetur me nervozë, por detyra partiake ishte më e fortë dhe prandaj pranova. Pastaj, isha e lumtur që veprova kështu. Në atë udhëtim, për herë të parë pashë kamp beduinësh. Zonjusha Snowden dhe unë hëngrëm, të ulura në tokë, sasi të mëdha të mishit të qengjit, të orizit dhe të pites e, për këtë qëllim, nikoqirët arabë na dhanë të përdorim edhe lugë, ngase dukesha e habitur vetëm kur mendoja se do të hamë me duar, ashtu siç vepronin të gjithë të tjerët. Me gjasë kjo i pëlqeu edhe zonjushës Snoëden, sepse pastaj edhe shumë herë më kanë lutur të shoqëroj përreth personalitete të rëndësishme, por këtë nuk e bëra kurrë gjatë orarit të punës.

 

Pse ika nga kibuci?

 

Por, kur njeriu mendon se gjithçka po shkon mirë, atëherë i paraqiten komplikimet. Morrisi ndjehej në Merhavia jo vetëm pakëndshëm, por tash ishte vërtet i sëmurë. Klima, sulmet e malaries, ushqimi, puna e rëndë në fushë – e gjithë kjo ishte tepër për të. Edhe pse këtë nuk e shfaqte para meje, më bëhej përditë e më e qartë se, një ditë, do të duhej ta braktisnim kibucin. Dhe, ajo ditë erdhi më shpejt se që paramendoja unë. Në Merhavia kishim bërë dy vjet e gjysmë, por që Morrisi ishte i sëmurë kishte disa javë. Një pasditeje mjeku më tha seriozisht se assesi nuk duhej të rrinim më në kibuc, pos nëse dëshiroja që Morrisi të bëhej i sëmurë kronik. Merhavinë duhej ta braktisnim sa më shpejt.

Shumë vite pas kësaj shpesh e kam pyetur vetveten se a ka mundur Morrisi t’i përshtatet më mirë, fizikisht dhe shpirtërisht, jetës në kibuc po t’i kisha kushtuar më shumë kohë dhe po të isha angazhuar më pak për bashkësinë. Por, mes nesh kishte dallime të mëdha dhe të thella në mendime. Unë dëshiroja fëmijë, ndërsa Morrisi kundërshtonte format kolektive të edukimit të fëmijëve në kibuc. Thoshte: ose Merhavia, ose fëmijët! Ndoshta me kohë do ta ndryshonte mendimin në këtë aspekt, por gjendja e tij shëndetësore ishte aq e keqe sa duhej patjetër të largoheshim nga aty.

Sërish – për herë të tretë gjatë tri vjetësh – u bëmë gati dhe u përshëndetëm. Më erdhi shumë rëndë ta lë kibucin, por më mbante shpresa se do të kthehemi sërishmi që të dy. Besoja se Morrisi do të shërohej shpejt, se do të kishim fëmijë dhe se kështu do të përmirësoheshin raportet tona aq të keqësuara në Merhavia. Në këtë mënyrë e binda veten se mund të ikim nga kibuci për një kohë. Për fat të keq, ndodhi e kundërta.

 

Nga Tel-Avivi në Jerusalem

 

Në Tel-Aviv qëndruam disa javë. Ndërkohë, edhe Shamaj erdhi në Palestinë. U vendos me familje në shtëpinë e re (me banjë). Shejna kishte pagë shumë të mirë. Shamaji gjeti punë si kryepunëtor në një kooperativë jo fort të suksesshme për prodhimin e këpucëve. Por, të dy kishin kulm mbi kokë dhe fitonin mjaft për jetë. Në krahasim me ne, pozita e tyre në çdo aspekt ishte për lakmi. Ne, thjesht, nuk arritëm të gjejmë vendin tonë në Tel-Aviv. Unë u punësova në Histadrut si arkëtare në Shërbimin për punë publike dhe ndërtimtari (më vonë u quajt sërish Solel Boneh). Morrisi sërish përpiqej të shërohej. Por, nuk dinim ta gjenim veten në qytet. Kibuci më mungonte më shumë se sa që kisha menduar. Morrisin e mbuluan letrat e nënës dhe motrës së tij të cilat e përbenin të kthehej në SHBA, duke i thënë se edhe rrugën do t’ia paguajnë. E dija se nuk do të më lente mua dhe vendin, por që të dy ishim jo të qetë dhe të rraskapitur.

Krahasuar me “fushat e gjera të Zotit” në Emek, Tel-Avivi na dukej padurueshëm i vogël, i zhurmshëm dhe i stërngarkuar. Kaloi shumë kohë derisa Morrisi u ngrit sërishmi në këmbë dhe tejkaloi pasojat e sëmundjes shumëmuajshe. Lakmoja Merhavinë dhe ndjehesha e humbur dhe pa perspektivë. Më mungonin shumë miqësitë që kisha krijuar në kibuc. E pyesja vetveten se ku mbetën elani dhe optimizmi im, se çfarë do të bëhej me ne. Pa ia thënë njëri-tjetrit, akuzoheshim mes veti për gjendjen në të cilën ndodheshim.

Kur e takova një ditë David Ramesin, të cilin e kisha njohur në Degania, dhe ai më pyeti se a dëshirojmë unë e Morrisi të punojmë në zyrën Solel Boneh në Jerusalem, menjëherë shfrytëzuam rastin që të iknim nga Tel-Avivi. Menduam se ndoshta do të mundemi që, në ajrin e freskët malor të Jerusalemit, të fillojmë jetën e re dhe pastaj gjithçka do të jetë si është më së miri. Si shenj e mirë për këtë m’u duk edhe fakti se, një mbrëmje para se të largoheshim nga Tel-Avivi, kuptova se jam shtatzënë.

 

Nuk kishim ardhur në Palestinë për të përmirësuar pozitën tonë materiale

 

Atë vjeshtë, më 23 nëntor, në Jerusalem na lindi djali ynë, Menahemi, një fëmijë i bukur dhe i shëndoshë, prandaj unë dhe Morrisi u bëmë prindër të entuziazmuar. Orë të tëra kalonim afër tij duke e shikuar dhe duke folur për ardhmërinë e tij. Por, unë ende nuk kisha mundur ta tejkaloja lakminë për Merhavinë dhe, kur Menahemi mbushi gjashtë muaj, shkova me të për pak kohë në kibuc. Mendova se në këtë mënyrë do të mund ta gjeja veten sërishmi. Por, kjo nuk ishte punë edhe aq e lehtë. Nuk munda të rrija aty pa Morrisin, por as nuk e mashtroja vetveten duke menduar se ai ndonjëherë do të kthehej në Merhavia. Duhej vendosur dhe kjo varej nga unë. Duhej të vendosja se çka është më e vlefshme për mua: obligimi im ndaj burrit, familjes dhe fëmijës, apo mënyra e jetës të cilën e doja aq shumë. Nuk pati zgjidhje tjetër: u desh t’i jepja fund lakmisë pas jetës e cila nuk mund të ishte imja. Dhe, kështu u ktheva në Jerusalem, jo pa ngërçe, por e gatshme t’ia nis të gjithave nga fillimi. I kisha të gjitha parakushtet për të qenë grua e lumtur. Isha e martuar për njeriun të cilin e doja. Ishte e vërtetë se ai njeri nuk ishte krijuar për të jetuar në komunë dhe nuk ishte i krijuar për punë fizike, por doja të mbesja gruaja e tij dhe ta bëja të lumtur deri kur mundja. Po qe se përpiqem, mendoja, kjo patjetër duhet të më shkojë ndoresh. Para së gjithash, tash, kur e kishim djalin.

Mirëpo, përkundër të gjitha shpresave dhe qëllimeve të mira, nuk m’u plotësua dëshira për jetë të qetë familjare. Katër vjetët që kaluam në jerusalem ishin vitet më të tmerrshme në jetën time. Gati se gjithçka na shkonte mbrapsht. Nganjëherë mendoja se po e kaloja pjesën më të vështirë të jetës së nënës sime. Më binin ndërmend ngjarjet që na i rrëfente për vitet të cilat i kaloi ajo me babain në Rusi, në skamje e mjerim. Nuk është fjala këtu për paratë që nuk i kishim, sepse parasë kurrë nuk i kam kushtuar rëndësi të madhe. Kisha forcë që të heqja dorë nga luksi. Tekefundit, ne nuk kishim ardhur në Palestinë për të përmirësuar pozitën tonë materiale. Njësoj sikur unë, edhe Morrisi e dinte mirë se çka është mjerimi.

 

Më mungonte mu ajo për çka edhe kisha ardhur në Palestinë

 

Thënë më së buti, që të dy ishim mësuar me një standard fare normal jetësor. Kënaqeshim me atë nëse kishim mjaft për të ngrënë, nëse kishim vend të pastër për të fjetur dhe nëse kishim para për të blerë ndonjëherë ndonjë libër të ri apo pllakë të re gramafoni. Të ashtuquajturat gjëra të shtrenjta të jetës për ne në atë kohë ishin të paarritshme dhe të panjohura. Po t’i kishim rrethanat pakëz më të lehta, me të ardhurat e vogla të Morrisit do t’ia dilnim shumë lehtë në fund.

Por, rrethanat nuk ishin të lehta. Ekzistonin nevojat themelore që duhej plotësuar, edhe tonat por edhe të fëmijëve. Fëmijët donin ushqim të mirë dhe kulm mbi kokë. Dhe, është e drejtë themelore e të gjithë prindërve të mos kenë frikë se nuk do të mund t’ua sigurojnë fëmijëve të tyre këto dy gjëra kryesore. Unë e kisha përjetuar këtë frikë dhe kurrë më nuk do ta harroj atë përvojë të keqe. Një nga përparësitë e mëdha të jetës në kibuc është edhe ajo se askush nuk ka nevojë të frikësohet për këtë. Fëmijët e kibucit kanë ushqim të mjaftueshëm, edhe atëherë kur kibuci është shumë i ri ose atëherë kur për të merr vit i keq dhe kur të mëdhenjtë duhet ta shtrëngojnë rripin. Në kohërat e tilla të vështira në Jerusalem shpesh më kujtohej me mallëngjim Merhavia. Pas njëzet vjetësh, në fillim të Luftës së Dytë Botërore, duke kujtuar këtë kohë të Jerusalemit, propozova publikisht që i tërë Jishuvi, sa zgjat kjo kohë e vështirë, të shndërrohet në njëlloj kibuci dhe, mes tjerash, të krijojë një rrjet të kuzhinave kooperativiste, në mënyrë që fëmijët në çfarëdo rasti të kenë ushqim të mjaftueshëm. Ky propozim imi nuk qe pranuar, por edhe sot mendoj se ka qenë i arsyeshëm.

Isha e palumtur jo vetëm për shkak të skamjes dhe frikës së vazhdueshme se fëmijët s’do të kenë çka të hanë. Vuaja edhe nga vetmia dhe izolimi i pazakonshëm. Ndjeja se më mungonte mu ajo për çka edhe kisha ardhur në Palestinë.

2 Komente

  1. L
    Luani

    O mero , te ka mbetur gjilpera po ne nje vrime. Fike fare me mire.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje