
Gjatë viteve të qëndrimit në Jerusalem, kam udhëtuar rrallë për në Tel-Aviv. Më së shpeshti e vizitoja Shejnën dhe familjen e saj, ose edhe prindërit e mi të cilët, më 1926, kishin ardhur në Palestinë. Takoja edhe miqtë, në mënyrë që të informohesha lidhur me atë se çka po ndodh në Lëvizjen punëtore. Dëgjoja thashethemet nga Merhavia. Kisha bindjen, vetëm për disa orë sa rrija me ta, se jam bashkëpjesëmarrëse në gjithë atë që zhvillohej në vend. Më duket se babai im ishte përfaqësues tipik i emigrantëve të vitit 1926 dhe 1927, edhe pse kishte ardhur nga SHBA-të e jo nga Evropa.
Prindërit e mi u përshtatën shumë shpejt në Palestinë
Babai arriti që në Milvoki të kursejë pak para me të cilat dinjitetshëm bleu dy ngastra tokë në Palestinë, pjesërisht nga fakti se si sionist dëshironte të jetonte aty e pjesërisht se dëshironte ta bënte bashkë sërishmi familjen e vet. Të dy ngastrat ndodheshin në terrenet ku pos rërës gati nuk kishte asgjë tjetër: njëra në Herzlia, ca kilometra nga Tel-Avivi, ndësa tjetra në Afula, skaj Merhavisë, ku babai dëshironte të ndërtonte shtëpinë. Kur e pata pyetur se pse dëshiron të jetojë mu në Afula, ku nuk do të na ketë afër as mua e as Shejnën, m’u pat përgjigjur se është paraparë që në Afula të ndërtohet godina e parë e operas në Palestinë dhe se ai dëshiron të jetojë në një qendër të madhe arstistike. E njihja mirë Afulën, ngase atje punoja shpesh derisa banonim në kibuc. Afula ishte një fshat i vogël plot pluhur. Dhe, atje sigurisht se nuk do të ndërtohej godina e operas, së paku jo në një të ardhme të afërt. Por, babai ishte këmbëngulës. Një kohë të gjatë nuk dëshiroi t’i dëgjonte arsyet tona. Na fajësonte mua dhe Shejnën se nuk kemi vetëbesim. – A nuk është ngritur Tel-Avivi mbi kodrina rëre? – pyeste me nervozë. Meqë nëna pajtohej me ne, babai braktisi idenë të jetojë në Emek. U pajtua të vendosej në Herzlia, pa operë.
Shtëpinë e vet e ndërtoi kryesisht me duart e veta, si i ka hije latuesit të mirë. Ishte ajo një nga shtëpitë e para të vërteta në atë anë dhe prindërit e mi u përshtatën aq shpejt atje sikur në Milvoki. Babai filloi të punojë në sinagogën vendore. Meqë nuk kishte kantor (këngëtar i parë), u paraqit ta kryejë vetë këtë punë. U lajmërua edhe në kooperativën e latuesve, por meqë nuk kishte punë, kjo gjë ishte e kotë. Por, nëna me shpirtin plot vullnet, vendosi të përgatisë ushqim dhe të shërbejë dreka. Babai duhej t’i ndihmonte. Asokohe, në Palestinë, kishte shumë pak restorante, ndërkaq në Herzlia nuk kishte fare kafene. Nëna ia arriti në këtë punë. Me pak piasterë (para të argjendta) furnizonte punëtorët e rrethinës me udhqim të lirë dhe të mirë.
Prindërit, zaten, vendosën të krijojnë jetën e tyre personale në Palestinë, por ishin të moshuar dhe vuanin shumë për shkak të situatës ekonomike që mbretëronte në vend. Më kujtohet njëherë kur, një javë para festës sonë të madhe të quajtur Pashë, shkova në Herzlia t’i ndihmoj nënës në përgatitjen e solemnitetit. Morrisi duhej të vinte natën e festës, ndërsa edhe Shejna me familje pati paralajmëruar ardhjen.
Pse fillova t’i dua qentë?
Por, ishim aq të varfër sa nuk arritëm të përgatisim asgjë. Babai shëtiste përreth nesh me asi fytyre, sikur t’i kishte rënë dikush në kokë. Paramendoni: ishte me familjen e vet në Palestinë (Clara ende ishte në kolegj në Uiskonsin, por do të vinte sapo ta kryente doktoratën), ndërsa në shtëpi nuk kishte asnjë kuti macesi (bukë e thatë, e prerë holl, që hahet për Pashë), nuk kishte asnjë shishe me verë, e të mos i zë ngoje gjërat ushqimore për Seder (darkë solemne e natës së parë dhe e natës së dytë për Pashë). Nuk munda të duroj që babai të duket aq mjerueshëm. Dukej i poshtëruar. Atë skamja kurrë nuk kishte arritur ta mposhtte sikur tash.
Pastaj, ndodhi “çudia”. Më kafshoi qeni dhe, meqë duhej të shkoja në Tel-Aviv për të më dhënë gjilpërë kundër tërbimit, kisha mundësinë të takoja ndokë që do të më huazonte pak para. Gjeta një bankë, e cila ishte e gatshme të m’i hauzonte dhjetë funta (për atë kohë kjo ishte shumë e madhe), me kusht që të kem ndonjë garant. Shëtita gati tërë qytetin, por të gjithë ata që i gjeta nuk ishin të besueshëm për bankën, ndërsa njerëzit që m’i propozoi banka nuk dëshironin të rrezikonin. Në fund e gjeta një njeri me kapital të mjaftueshëm, njeri me autoritet dhe me zemër të mirë prej hebreu. U ktheva në Herzlia me dhjetë funta në xhep, të cilat ia dhashë babait, dhe me simpati më të madhe se herëdokur për qentë.
Gjatë atyre pak vizitave në Tel-Aviv, gjithmonë më indispononin dhe më tmerronin të papunët nëpër skaje rrugësh dhe pamja e dhimbshme e godinave vetëm deri në gjysmë të ndërtuara nëpër tërë qytetin. Sikur kishte tretur vrulli i madh i forcës. Njeriu nga jashtë, gjithsesi, kishte përshtypje tjetër. Por, përkundër krizës ekonomike, mijëra hebrenj jetonin në Palestinë, rritnin fëmijët e tyre, ksihin zgjedhur udhëheqjen e tyre, kishin krijuar vendbanime bujqësore dhe qytete. Dhe, pas gjitha këtyre qëndronte, në fund të fundit, vetëm lëvizja sioniste jashtë vendit, e cila vetvetiu paraqiste vepër të denjë për respekt. Mbase historianët do ta shikojnë këtë periudhë të errët në një dritë tjetër, më të mirë, por unë nuk isha as njeri nga jashtë e as nuk isha historiane. Mëtoja që të ndihmoj aktivisht në përmirësimin e gjendjes.
U gjetëm para detyrës që nga asgjëja të krijojmë diç
Për fatin tim, Histadruti (“Shoqata e përgjithshme e punëtorëve hebraikë”), ku do të punoj shumë vjet, u interesua për mua. Qysh në Tel-Aviv dhe pakëz në Jerusalem kisha punuar për Solel Boneh. Njihja shumë njerëz në Lëvizjen punëtore. Mburresha me ata burra dhe me ato gra dhe i doja. Kisha dëshirë të punoja me ta dhe të mësoja nga ta.
Në çdo aspekt, Histadruti ishte i veçantë. Gjatë themelimit të tij, nuk mund të merrej si shembull ndonjë organizatë tjetër e punëtorëve, sepse pozita e punëtorëve hebraikë në Palestinë ishte asokohe krejtësisht tjetër në raport me punëtorët anglezë, francezë apo amerikanë. Zaten, sikur gjithkund në botë, edhe te ne duhej të mbroheshin interesat ekonomike të punëtorëve hebraikë (por gjithashtu edhe të atyre arabë), ndër to: e drejta për grevë, e drejta për pagë reale, e drejta për pushim vjetor me pagesë, e drejta për pushim mjekësor, etj. Dhe, edhe pse emërtimi i tij zyrtar ishte “Shoqata e përgjithshme e punëtorëve hebraikë”, do të ishte mëkat që Histadruti të shikohej si një sindikatë, sepse ishte shumë më shumë se sindikata kur merret parasysh se çfarë detyrash i përcaktonte vetvetes, por edhe i kryente ato. Histadruti ishte bashkim i të gjithë atyre që punonin në Jishuv, qofshin ata në marrëdhënie të përhershme pune, qofshin anëtarë të kibucit, qofshin nëpunës, qofshin punëtorë fizikë a intelektualë. Në luftën e hebrenjve për Palestinën, kjo organizatë ishte, që nga fillimi, në linjën e parë të frontit. Njëkohësisht, ajo kishte mbi supe edhe barrën e atyre hebrenjve që vinin përditë e më shumë në Plestinë. Tjetër, Palestina nuk kishte ekonomi meritore që do të mund të absorbonte ardhjen e vazhdueshme të emigrantëve hebraikë. Natyrisht, në fillim ekzistonte një industri e vogël dhe repartet bujqësore. Por, ato nuk ishin të afta të mbanin vendin me popullatë që shtohej përditë. Ne, që kishim ardhur në Palestinë për t’ia bërë shtëpinë popullit hebraik, e dinim shumë mirë se së pari duhej të ngrisnim atë që sot shkarazi quhet “ekonomia popullore”. Nëse kihet parasysh se çka përfshin ajo – industrinë, tregtinë, ndërtimtarinë, thesarin e shtetit, e të mos përmendim institucionet sociale – ne u patëm gjetur asokohe para detyrës që nga asgjëja të krijojmë diç.
Ndarja me Morrisin
Meqë nga fillimet e veta ishte i motivuar nga ideali sionist, Histadruti i konsideronte njësoj të rëndësishme të gjitha aspektet e jetës në shtetin nacional të hebrenjve. Histadruti, për shembull, zhvilloi ndërmarrjet e veta ekonomike duke bartur gjithë kontrollin e tyre mbi punëtorët. Që më 1924 u themelua organizata Hevrat Ha Ovdim (“Bashkimi i përgjithshëm i shoqatave të punëtorëve hebraikë në Izrael”). Histadruti ishte në krye të të gjithave.
Një ditë me shi po rrija duke biseduar me një të njohur para zyrës së Histadrutit në Tel-Aviv. David Remez (i cili para katër vjetësh më kishte propozuar që unë dhe Morrisi të punonim në Solel Boneh në Jerusalem), më pyeti sërish se a dua të punoj si sekretare e Këshillit të grave-punëtore (Moetzet Hapoalot) në Histadrut. U gëzova shumë dhe e ndjeva veten të përkëdhelur me këtë propozim.
Kur u ktheva në Jerusalem, mendova gjatë për të gjitha. Ky nuk ishte vendim i lehtë. Nëse e pranoj këtë detyrë, duhet të udhëtoj shpesh nëpër Palestinë dhe jashtë vendit. Duhej të gjenim banesë në Tel-Aviv, që ishte bukur vështirë. Nëse sërishmi punoj, duhet të pajtohem me fatin se ky është fund i përpjekjeve të mia që t’i përkushtohem familjes. Edhe pse nuk doja ta pranoja, as para vetvetes, gjatë këtyre katër vjetëve në Jerusalem m’u bë e qartë se jeta ime bashkëshortore e pati. Por, unë dëshiroja të isha nëna e mirë për Menahemin dhe për Sarën dhe që njëkohësisht të çoja një jetë përmbajtësore dhe interesante, të cilën e mëtoja aq shumë.
Natyrisht, gjithçka mori kahje krejt tjetër. Kurrë nuk shkon ashtu si dëshiron njeriu. Përkundër kësaj, kurrë nuk jam penduar për shkak të vendimit tim. Ç‘është e vërteta, më vinte shumë keq që nuk ia arrita qëllimit që bashkëshortësinë tonë ta bëj të lumtur. Morrisi dhe unë ishim në bashkëshortësi dhe duheshim mes veti deri atë ditë të vitit 1951, kur vdiq në shtëpinë time, pa qenë unë aty, fakt që flet shumë. Vendimi, që mora më 1928, ishte hapi i parë drejt ndarjes, edhe pse kjo ndodhi vetëm pas dhjetë vjetësh. Megjithatë, Morrisi mbeti pjesë e jetës sime sepse i takonte jetës së fëmijëve të mi. Lidhja mes Sarës, Menahemit dhe Morrisit nuk u këput kurrë. E adhuronin dhe takoheshin me të shumë shpesh. Ai kishte çka t’u jepte, mu sikur që më dha shumë edhe mua. Edhe derisa jetonim të ndarë, ai ishte baba i mbrekullueshëm për ta. U lexonte me zë, u blente libra dhe me orë të tëra bisedonte me ta për muzikën. Jeta e tij shpirtërore ishte shumë e pasur, më e pasur se imja.
Ben Gurioni më ka quajtur “mashkulli i vetëm” në kabinetin e tij
Më 1928 ika nga Jerusalemi dhe, me Sarën e Menahemin, u vendosa në Tel-Aviv. Morrisi vinte te ne vetëm në fund të javës. Fëmijët shkonin në shkollën që e financonte Lëvizja punëtore. Unë iu përkushtova punës.
Këshilli i grave-punëtore dhe organizata e këtij këshilli në botën e jashtme, Pioneer Women, ishte organizata e parë dhe e vetmja e grave për të cilën kam punuar në jetë. Gratë duhet të jenë të barabarta me meshkujt në çdo aspekt. Kjo vlen edhe për popullin hebraik. Në Izrael flitet se Ben Gurioni më ka quajtur “mashkulli i vetëm” në kabinetin e tij. A mos ka menduar ai (ose dikush tjetër që e ka shpikur këtë) se ky është komplimenti më i madh që mund t’i bëhet një gruaje? Dyshoj shumë se do të ndjehej mirë cilido politikan po të thoja për të se është e vetmja “femër” në qeveri!
Është fakt se gjatë gjithë jetës kam punuar bashkë me meshkujt. Fakti se jam femër nuk më ka penguar kurrë, në asnjë mënyrë. Kurrë nuk kam vuajtur nga kompleksi i inferioritetit ose nga ajo se meshkujt zoti i ka bërë më të mirë se femrat. Kurrë nuk kam menduar se është e tmerrshme të lindësh fëmijë. Por, as meshkujt kurrë nuk janë sjellur ndaj meje sikur po më japin përparësi. Gjithsesi, shumë më vështirë e kanë femrat që duan të ketë jetë të plotë edhe publike e edhe familjare, ngase bartin mbi supe barrë të dyfishtë.
Jeta ime në Tel-Aviv, pasi u transferuam atje nga Jerusalemi, në njëfarë mënyre ishte shembull i kësaj dileme dhe e këtyre vështirësive. Vazhdimisht isha në lëvizje, nga njëri vend në tjetrin: në punë, në shtëpi, në ndonjë mbledhje. Nxitoja me Menahemin në orët e muzikës, me Sarën te mjeku, dëshiroja të bleja diç, të bëj gati ushqimin, vrapoja për në punë dhe mbrapa e në shtëpi. Dhe, përkundër të gjithave, nuk di nëse deri më sot ua kam bërë ndonjë dëm fëmijëve apo nëse i kam lënë anash. Por, jam përpjekur që asnjë moment më shumë se ai që ishte i domosdoshëm të mos jem larg tyre. Ata janë rritur, janë bërë të shëndoshë, krijues, të talentuar dhe janë prindër të mrekullueshëm për fëmijët e tyre, por janë edhe shokë të mi të shkëlqyeshëm. Por, kur u rritën, me sa di unë, ishin shumë të dëshpëruar me veprimtarinë time jashtë shtëpisë.
A ishin fëmijët krenarë me mua, atëherë dhe më vonë?
Kur me një rast po kryesoja një mbledhje dhe për disa gjëra po lusja të gjithë në sallë të ngrisnin duart “për”, u befasova kur pashë aty Sarën dhe Menahemin (që kishin ardhur të më merrnin) me gishta të ngritur përpjetë në shenj tumirjeje. Ajo ishte dëshmia më e mirë e besimit që më është dhënë ndonjëherë. Por, e kisha të qartë se mundësia e përcaktimit për nënën tënde as për së afërmi nuk është aq e mirë dhe aq e rëndësishme sa bindja se ajo është në shtëpi kur ti kthehesh nga shkolla.
Lini një Përgjigje