
Në këtë kohë udhëtoja shpesh në botën e jashtme. Kur udhëtoja, më shtohej ndjenja e fajësisë se mos po i lija në harresë fëmijët. Kurrë nuk jam kthyer pa dhurata për ta.
Sara, me vite të tëra, fare nuk ishte e shëndoshë. Dyshohej se vuante nga veshkët. Nuk kalonte as një muaj e të mos kërkonim mjek për të. Ishte vajzë e bukur, e gëzueshme dhe shumë e gjallë. I përmbahej dietës së rreptë dhe gëlltiste barnat e përshkruara. Nganjëherë, javë të tëra duhej t’i kalonte në shtrat. Në kohën kur duhej të rrinte shtrirë, assesi s’mund ta lenim askund. Kur çohej, duhej gjithë kohën të kujdeseshim për të. Shejna dhe nëna më ndihmuan shumë, por vazhdimisht kisha ndjenjën se duhej t’u kërkoja falje pse në mëngjes shkoja në punë e kthehesha vonë pas dite.
Shejna më fajësonte se jam shndërruar në “personalitet publik”
Me kërkesë të Pioneer Women, më dërguan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që atje të qëndroj disa javë. SHBA-të po i shihja sërishmi pas shtatë vjetësh. Rrugës vizitova edhe Internacionalen Socialiste, që asokohe ishte mbledhur në Bruksel. Ky qytet më impresionoi. Kisha harruar plotësisht se si dukej bota jashtë Palestinës. Mezi u besoja syve të mi: drunj, tramvaja, shitore të luleve e të pemëve, ftohtë, kohë e vranët – krejt ndryshe nga Tel-Avivi. Isha e mahnitur me të gjitha. Meqë isha anëtari më i ri i delegacionit tonë (në delegacion ishin edhe Ben Gurion e Ben Cvi), kisha kohë të vizitoja monumentet historike e kulturore, ose që me orë të tëra të dëgjoja fjalimet e socialistëve në zë, të cilët nuk i kisha parë kurrë në jetë, si Arthur Hendersoni, lider i Partisë Laburiste britanike, që ishte kryetar i Internacionales Socialiste, apo Leon Blumin, i cili më vonë do të bëhet kryetari i parë socialist dhe hebraik i qeverisë franceze. Hendersoni pat deklaruar aty se është i gatshëm të organizojë Ligën e punëtorëve palestinezë. Dhe, mu për këtë e sulmuan ashpër hebrenjtë socialistë josionistë. Atmosfera ishte shumë e tensionuar. Përkundër të gjitha këtyre, çdo ditë gjeja nga një orë kohë me qëllim që ta siguroja Shejnën nga largësia se nuk jam egoiste dhe se nuk jam nënë e keqe.
“Ju lus vetëm për një gjë” – i shkruaja nga Brukseli – “që të keni mirëkuptim për mua dhe të më besoni. Aktivitetet e mia shoqërore nuk janë të dorës së dytë, ato janë për mua absolutisht të domosdoshme... Para se të udhëtoja, mjeku më ka bindur se shëndeti i sarës lejon këtë udhëtim timin. Për Menahemin kam ndërmarrë masat e domosdoshme... Në situatën e tashme, nuk kam mundur ta refuzoj këtë ftesë...”.
Edhe pse edhe Shejna dëshironte të kthehej për një kohë të shkurtër në Amerikë në studimedhe t’i lente dy fëmijët e saj më të mëdhenj në Palestinë, edhe më tej më fajësonte se jam shndërruar në “personalitet publik”. Edhe nëna më qortonte edhe më tej. Që të dyja më bënin vërejtje se shumë shpesh jam jashtë shtëpisë dhe se fëmijët, pa mua, duhej të ushqeheshin në restorantin e mirë vendor në lagjen e punëtorëve në rrugën “Hajarkon” në veri të Tel-Avivit, ku banonim.
Selia qendrore e Histadrutit tash është e vendosur në një godinë të madhe në njërën nga rrugët kryesore të Tel-Avivit. Godina i ngjet një koshereje të madhe ku gumëzhijnë qindra zëra, maqina shkrimi dhe telefona. Dikur ishte krejtësisht ndryshe. Kishim vetëm disa dhoma, disa maqina shkrimi, vetëm një telefon dhe të gjithë njiheshim mes veti. Në plotëkuptim të fjalës, ndjeheshim si haverim (shokë). Asokohe krijova shumicën e lidhjeve, të cilat, në këtë apo në atë mënyrë, i kam ruajtur deri në fund.
Kush ishte Rubashovi?
Tre ose katër nga grupi ynë u bënë të njohur edhe jashtë Jishuvit. Ben Gurioni, me arsye, në gjithë botën konsiderohet personifikues i Izraelit. Si një nga hebrenjtë e mëdhenj të shekullit XX, ai vërtet do të hyjë në histori. Ishte i vetmi nga ne për të cilin mund të thuhet se praktikisht ishte i pazëvendësueshëm për popullin hebraik dhe për luftën e tij për pavarësi. Por, asokohe atë e njihja pak. Ndër ata që kam takuar shpesh ishin Shneur Zalman Shazar, më vonë kryetari i tretë i shtetit të Izraelit, Levi Eshkol, kryeministri i tretë izraelit, David Remez dhe Bert Katznelson, pastaj Josef Shprinzak, i cili më vonë do të bëhet kryetari i parë i Knessetit.
Shazarin (mbiemri i tij para se te habraizonte ishte Rubashov) e njoha pasi ikëm nga Merhavia dhe u vendosëm në Tel-Aviv. Ishte data 1 Maj – Dita e Punëtorëve. Morrisi dhe unë shkruam në manifestimin që e kishte organizuar Histadruti në oborrin e “Herzlia High School”. Kurrë nuk i kam dashur fjalimet e gjata, e as kur ishte fjala për Lëvizjen punëtore. Isha ngapak e habitur kur një i ri doli në foltore. Edhe sot e kam para syve: një djalosh i fuqishëm i veshur me rubashkë (bluzë ruse, të cilën në atë kohë e mbanin punëtorët në Izrael), me rrip në bel dhe me pantollona ngjyrë të verdhë në të mbyllët. Fliste me aq pasion dhe në një hebraishte të mrekullueshme, sa që menjëherë pyeta se kush është ai. – Ai është Rubashovi – m’u përgjigjën kërcënueshëm sikurse unë duhej të dija se kush është ai. Ishte poet dhe shkrimtar. Njeri i rëndësishëm. Kur u njoha me të, më la përshtypje shumë të mira. Shumë shpejt u bëmë miq të mirë. Ai ishte edhe gazetar i talentuar, eseist dhe redaktor.
Shazari vdiq më 1974, në moshën 85-vjeçare, një vjet pasi la postin e kryetarit të Izraelit. Shumë vjet botoi “Davar”-in (gazetë e Lëvizjes punëtore). Më kujtohet të më ketë thënë dikush njëherë se Zalmani më me dëshirë përmirëson atë që shkruajnë të tjerët, se sa të shkruajë vetë. Kurrë nuk punoi në arsim, por më 1948 ishte ministri i parë izraelit i arsimit. Është shumë interesant tregimi për ditën e tij të parë në ministri. Kuptoi se ka vetëm një dhomë dhe vetëm një sekretar, por jo edhe maqinë shkrimi. Vari kapelën, u ul dhe në mënyrë energjike i tha sekretarit të ri: - Ju lutem, shkruani. Nuk ke maqinë shkrimi? S’ka lidhje! Shkruaj me dorë! I gatshëm? Shkruaj: “Të gjithë fëmijët izraelitë ndërmjet katër dhe tetëmbedhjetë vjeç do të kenë nga sot shkollim pa pagesë të kualitetit më të lartë”. Kur sekretari i tha se do të kalojnë disa ditë derisa të aplikohet kjo, meqë shteti ekziston qe vetëm një ditë, Shazari tha me mllef: - Kur është fjala për arsimim, nuk dua të më kundërshtojë kush. Ky është vendimi im i parë si ministër kompetent. Shumë shpejt pastaj aplikoi në praktikë ligjin izraelit për arsim.
Kur Shazari ishte kryetar shteti e unë kryeministreshë, takohesha me të sa herë kisha mundësi.
Levi Eshkol mbikëqyri themelimin e gati mbi 400 fshatrave të reja hebraike
Levi Eshkol (mbiemri i tij i mëhershëm ishte Shkolnik) bën pjesë në radhën e njerëzve me të cilët u miqësova që në vitet e njëzeta. Ai më dukej krejtësisht tjetër nga Shazari. Ishte më shumë njeri i punës se sa i fjalëve. Në Palestinë erdhi kur ishte djalosh 19-vjeçar. Meqë punonte në pjesë të ndryshme të vendit, bashkë me Ben Gurionin dhe me Ben Cvinë u anëtarësua në Legjionin hebraik. (Gjithmonë rrahte gjoks se Ben Gurionin ai e kishte bërë tetar). Pas luftës u bë anëtar i kibucit Degania. Edhe pse shumë shpejt e zgjodhën në Histadrut, ai gjithë jetën mbeti i lidhur ngusht me kibucin. Eshkoli ishte idealist tipik i kohës, por më me dëshirë merrej me problemet e vështira dhe reale. Politika, në kuptimin abstrakt, nuk i interesonte shumë. Nëse dëshirojmë që hebrenjtë të kenë shtetin e vet nacional, duhet të vendosen dhe të mos brengosen për atë se sa kushton toka dhe cilat pengesa ia bën pushteti mandator institucioneve hebraike, thoshte. Më vonë ai e kaloi kohën duke kërkuar vende për ndërtimin e vendbanimeve të reja. Si udhëheqës i Jewish Agency’s Land Settlement Department mbikëqyri themelimin e gati mbi 400 fshatrave të reja hebraike. Ishte e pamundshme të krijosh vendbanime të reja pa gjetur burime të ujit, prandaj Eshkoli u dha pas hulumtimit intensiv të ujit. Kjo punë kushtonte shumë dhe ai filloi të kërkojë para. Dhe, ia arriti t’i gjejë të dyjat, por jo në masë të mjaftueshme.
Por, nëse njeriu nuk ka as tokë e as ujë të mjaftueshëm dhe, karshi kësaj, ka edhe fqinj deri-diku armiqësorë, atëherë duhet të blejë armë dhe të krijojë armatën. Historia e pjesëmarrjes së Eshkolit në armatosjen e Izraelit nga viti 1921 (kur u bë anëtar i Komitetit mbrojtës të Histadrutit) deri në kohën kur u zgjodh kryeministër dhe ministër i Mbrojtjes, më 1963, tek do të duhej të shkruhej. Gjatë luftës gjashtëditëshe më 1967, Eshkol ishte kryeministër dhe qe kritikuar për hezitim. Për, gjoja, paaftësinë e tij që të vendosë qenë krijuar gjithfarë barcoletash. Megjithatë, drama e tij e viteve të fundit (vdiq më 1969 nga sulmi në zemër) është zënka e tij me Ben Gurionin, ithtar i të cilit ishte me dekada dhe me dëshirën e të cilit, duke kundërshtuar, mori detyrën e kryeministrit. Në këtë konflikt të ashpër, i cili ndau përgjysmë Izraelin, u involvua edhe tërë Lëvizja punëtore.
Vërshimi i qindra-mijëra hebrenjve të paatdhe
Eshkoli nuk kishte (do ta përdor fjalën e njohur) karizmë të veten. Unë e doja dhe kisha besim në të që nga fillimi, por kush do të mendonte edhe në ëndërr gjatë punës sonë të përbashkët në Tel-Aviv se ai do të jetë kryeministër, ndërsa unë trashëgimtare e postit të tij. Viteve të pesëdhjeta, kur Eshkoli ishte ministër izraelit i Financave dhe unë ministre e Punës, shpesh kishim konflikte mes veti, por kurrë në planin personal. Në ato vite, shteti i Izraelit ishte i vërshuar nga qindra e mijëra hebrenj të gjorë e të pangopur me bukë dhe të paatdhe, nga DP-kampet e Evropës (displaced persons, ose njerëz të çatdhesuar) dhe nga getoja e shteteve arabe. E vetmja mundësi të përballohej kjo valë njerëzish ishte të aplikoheshin kampet e strehimit për ta.
Një ditë, Eshkoli erdhi në zyrën time. – Duhet t’i heqim ata njerëz nga kampet! – bërtiti. – Duhet t’i shpërndajmë nëpër gjithë vendin. Nuk e di se si do ta bëjmë këtë dhe se si do të jetojnë ata njerëz, por duhet të veprojmë kështu! I thashë se kjo është plotësisht e pamundshme në këtë moment, se për këtë duhet kohë, por ai ishte këmbëngulës dhe – pati të drejtë.
Kur më kujtohet sot kjo çështje, mendoj se Izraeli nuk do të mund të mbijetonte ato vitet e para të zorshme pas vitit 1948, po të mos i tërhiqte Eshkoli gati 700 mijë ardhacakë nga kampet e strehimit dhe po të mos i vendoste nëpër qytezat-tenda, që i rregulluam për ta. Këto tenda mbinin për disa ditë sikur kërpudhat pas shiut.
Si ministreshë e Punës e kisha për detyrë t’i punësoja këta njerëz dhe t’i nxirrja nga tendat e mjera. Vazhdimisht kërkoja para nga eshkoli për financimin e projekteve të caktuara dhe për ndërtimin e shtëpive. Por, ai i jepte përparësi një çështjeje tjetër. – Shikoni – thoshte – shtëpia nuk “mjelet”, ndërsa lopa po. Nëse ju duhen para, do t’jua jap menjëherë, por vetëm për lopë!
Njëherë shkova nervoze te Ben Gurioni dhe i thashë se jap dorëheqje: unë jam ministreshë e Punës dhe e Ndërtimit (ku bënte pjesë edhe ndërtimi i banesave), e jo minstreshë e papunësisë dhe e tendave! Megjithatë, nuk dhashë dorëheqje, ndërsa Eshkoli sërishmi gjeti diku para për ndërtimin e banesave.
Vertet qe kjo Golda sionistja me shoke kane bere sakrifica duke perdorur çdo menyre e çdo mjet per t’ja rrembyer Palestinen palestinezeve derdimene.
qija robt edhe te ambasada e izraelit arrite te marresh fonde Mero, i madh je
Ti leme gallatat, lideret e Shqiperise se neserme duhet te mesojne nga kjo burreshtetase. Ky eshte liber per tu pershtatur e studjuar ne shkolla...duke shpresuar se nje dite do çlirohemi nga llumi qe blen vendin e punes dhe pastaj na ben gjemen, duke shpresuar...