Miku im i dytë i ngushtë që takova në vitet e para të veprimtarisë sime zyrtare ishte David Remez, të cilin e kam përmendur tashmë. Sikur edhe Eshkoli, kishte dëshirfë të zgjidhte probleme praktike të sionizmit. Ai rrjedh nga alia e dytë (nga vala e rreth 35 mijë hebrenjve që hynë në Palestinë nga viti 1909 e deri në fillimin e Luftës së Parë Botërore). Në njëfarë mënyre, ai ishte njeri tipik për atë brez pionierësh. Në rini shkruante vjersha, lexonte dhe fliste për socializmin, ndërsa gjithë jetën u interesua për hebraishten. Studioi drejtësinë (një kohë në Carigrad, ku u njoh me Ben Gurionin, me Ben Cvinë dhe me Mosha Sharetin e ri). Por, kur erdhi në Palestinë, la teorinë dhe mësimin nga librat, kapi shatin dhe lopatën dhe punoi, konform parimeve që kishte, pesë vjet të rënda si punëtor në plantacionet hebraike të portokajve dhe në vreshta.
Gjatë tërë jetës së tij (vdiq më 1951), Remez u mor seriozisht jo vetëm me përmbatjen shpirtërore të Lëvizjes, jo vetëm me unitetin e punëtorëve dhe me ardhmërinë e socializmit në shtetin nacional hebraik, por edhe me mënyrën e zbatimit të tyre. Ai është meritor për ringjalljen e hebraishtes njësoj si, ta zëmë, për transportin me anije. Për të pushuar, një nga mënyrat e tij ishte krijimi i fjalëve të reja të nevojshme hebraike nga rrënjët e moçme të kësaj gjuhe. Ishte aktiv në udhëheqjen e Lëvizjes punëtore. Shumë vite ishte sekretar i përgjithshëm i Histadrutit. Dhe, natyrisht, më 1948 është njëri nga autorët e Deklaratës izraelite të pavarësisë. Pas krijimit të shtetit, ai ishte ministri i parë i transportit, pastaj ministër i arsimit. Takoheshim shumë shpesh dhe, me mënyrën se si i qaseshim problemeve, kishim shumëçka të përbashkët. Remez ishte një nga shokët e paktë me të cilin bisedoja edhe për problemet personale, jopolitike. Shumë e kam çmuar këshillën e tij. Edhe sot do ta dëgjoja me dëshirë.
Berl Katznelson nuk e priti shtetin e Izraelit
Pastaj, ishte aty edhe Berl Katznelson. Vdiq më 1944 dhe nuk e priti shtetin e Izraelit. Shpesh e kam pyetur vetveten se çka do të mendonte ai për këtë shtet dhe për themeluesit e tij. Dhe, nuk dyshoj se shumë gjëra do të ishin krejt tjetërfare dhe më të mira po të ishte Berli me ne në tridhjetë vjetët e fundit. Lëvizja punëtore, lider i pakontestueshëm shpirtëror i të cilës ishte, sigurisht se do t’i mbetej besnike vetvetes dhe parimeve të veta. Sigurisht se do të arrinim të kishim më shumë barazi në shoqërinë e re. Roli i Berlit në Lëvizjen punëtore ishte e veçantë, ndonëse në të kreu shumë pak detyra zyrtare. Më vjen turp që deri më sot kush nuk ka shkruar biografinë e vërtetë të tij, edhe pse janë botuar dymbëdhjetë vëllime me esetë dhe me fjalimet e tij. Nuk jam historiane prandaj nuk mundem (dhe nuk dua) të vlerësoj madhështinë e ndikimit të Berlit në ne ose që ta analizoj, por dëshiroj që për të të dihet në botë, jashtë kufijve të Izraelit, sepse ishte njeri të cilin të gjithë ne, përfshirë këtu edhe Ben Gurionin, e respektonim shumë. Ishte personalitet shumë i çmueshëm dhe i pakontestueshëm moral për të gjithë ne.
Pamja e tij e jashtme nuk të lente përshtypje. Ishte i vogël, mbante flokë të kërleshura, vazhdimisht i kishte rrobat e ndrydhura. Por, buzëqeshja e ëmbël rrezonte nga fytyra e tij, ndërsa sytë e tij, mbase paksa të dëshpëruar, të shponin tejpërtej. Kushdo që ka folur vetëm një herë me të, nuk e ka harruar kurrë. Ende më del para syve ashtu si e përjetoja shpesh: të sharruar në një kolltuk të vjetër të mjerë, në njërën nga dy dhomat e tij të stërmbushura me libra, në qendër të Tel-Avivit. Punonte në atë banesë dhe aty pranonte vizitat, ngase e kishte mërzi të shkonte në zyrë. “Berli dëshiron ta vizitosh” – këto fjalë ishin sikur urdhër të cilin nuk e kundërshtonte kush. Nuk vardisej dhe nuk imponohej, por në Lëvizjen punëtore dhe në Jishuv asgjë e rëndësishme nuk ka mundur të ndodhë pa u pyetur Berli. Po të jetonte deri më 1948, sipas mendimit tim, do ta refuzonte detyrën e ministrit. Mekanizmi i politikës, thjesht, nuk e ka interesuar. Atë e quante trivial. Në vitet e tridhjeta dhe të dyzeta, nuk kishte njeri në Lëvizjen punëtore, i cili, kur merreshin vendime të rëndësishme, së pari të mos pyeste detyrimisht: - Çka mendon Berli lidhur me këtë?
Berli është i pari ndër ne që kuptoi se na është shumë i domosdoshëm shteti i pavarur
Në çka besonte Berli? Ai mendonte se duhej të krijonim njëlloj socializmi vetanak. Vazhdimisht na e përkujtonte se shoqërinë që po ndërtonim nuk guxojmë ta zëvendësojmë me Lidhjen e sindikatave të punëtorëve dhe se është e pakuptimtë lufta e klasave në shoqërinë ku ende nuk ka klasë. Sionizmin e çmonte si njërën nga lëvizjet më të mëdha revolucionare në botë. E quajti “plan nga i cili varet historia bashkëkohore hebraike”. E cilësoi si “kryengritje kundër robërisë së diasporës – në çdo formë” dhe si “krijimtari e popullatës punuese hebraike, e cila di të gjendet në të gjitha fushat e bujqësisë dhe të industrisë”. Ai u bë baba shpirtëror i shumë institucioneve të rëndësishme të Histadrutit. Berli ishte ai që theksoi domosdonë e bankës së punëtorëve, të shoqërisë kooperativiste për tregti me shumicë dhe të arkës shëndetësore për punëtorët.
Ai u angazhua i pari për vendosjen joselektive të hebrenjve, në kohën kur në Lëvizjen punëtore ekzistonte tendenca që në rend të parë të ndihmoheshin ata pionierë të cilët ishin shkolluar në botën e jashtme për bujqësi. Pastaj u deklarua për të ashtuquajturën vendosje “ilegale” të hebrenjve në Palestinë. – Tash e tutje – thoshte – do të na udhëheqin të mërguarit e jo pionierët. Angazhohej për punë parimore dhe për zhvillimin e mëtejmë të Jishuvit – për vepra madhështore me pak mund. Shumëçka nga ajo që inicioi ai, u jetësua më vonë, por Berli nuk jetoi mjaft gjatë edhe për t’i përjetuar ato. Berli është i pari ndër ne që kuptoi se na është shumë i domosdoshëm shteti i pavarur, ndërsa Ben Gurioni gjithsesi ishte ai që, më 1942, në një mbledhje, në një hotel të Nju-Jorkut, ia tërhoqi vërejtjen botës për këtë domosdoshmëri.
Kur mendohet për atë se si u edukuar Berli, është interesante të dihet se ai kurrë nuk ka shkuar në shkollë. Meqë në fëmijëri ishte mjaft i sëmurë, e arsimuan n shtëpi dhe kështu gjeti kohë për lexim. – Kam lexuar gjithë atë që më binte në dorë – më pati treguar njëherë. Talmudin në hebraishte dhe në armenishte, Pushkinin e Gorkin në rusishte, Mendele Moiher Sforimin në judishte dhe Gëten e Hajnen në gjermanishte. Kur ishte trembëdhjetë vjeç, Berlit i vdiq babai. Ndihmoi mbajtjen e familjes duke punuar privatisht si mësues. Ben Gurionin e çmonte si shtetarin më të madh, të cilin, “në kohën tonë”, e dha Lëvizja dhe populli hebraik. Fotografia e Berlit qëndronte gjithmonë në tavolinën e punës së Ben Gurionit. (Kjo është fotografia e vetme që kam sot në dhomën time të ditës). Megjithatë, mungesa e vullnetit të Berlit për t’u mahnitur me politikën e Ben Gurionit, bëri që së paku një herë Ben Gurioni të humbasë në votime brenda Partisë Punëtore. Berli nuk u përpoq të mbledh vota kundër tij, apo ta detyrojë dikë në drejtimin tjetër. Mjaftonte që krerët partiakë të kuptojnë se Berli ishte kundër ndonjë gjëje dhe që ata të mendonin shumë kujdesshëm për atë çështje, qoftë edhe nëse Ben Gurioni mendonte ndryshe.
Nuk dinim nga do t’ia mbanim pa Berl Katznelsonin
Më 1937, Ben Gurioni u angazhua për propozimin e Komisionit të Peelit për ndarjen e Palestinës. Perli ishte kundër pajtimit tonë me planin e ndarjes me arsyetimin (që u tregua i drejtë) se anglezët nuk mund ta zbatojnë këtë plan, ndërsa pajtimi ynë do të merrej në dijeni dhe pastaj do të shfrytëzohej kundër nesh.
Berli ishte njeri i urtë. Në të nuk kishte trohë cinizmi. Kohën më të madhe ia kushtoi kujdesit ndaj të rinjve, ndoshta nga fakti se nuk kishte fëmijë të vetin. Sa herë që dëshiroja të bisedoja me të, shëtiste gjatë me mua. Shëtisnim andej e këndej, në gjysmë të natës, nëpër parkun e Rothschildit dhe debatonim për të gjitha gjërat e mundshme: për ngjarjet në Rusi (i urrente bolshevikët), për rolin e rëndësishëm të hebraishtes në revolucionin sionist, për domosdonë e botimit të librave të mirë argëtues në hebraishte, për unitetin e popullit hebraik... Berli urrente orarin që, për shembull, në orën nëntë ta bënte këtë, në orën nëntë e gjysmë ta bënte atë. Më përkushtohej aq kohë sa dëshiroja unë, pa e shikuar orën asnjëherë. E doja edhe për këtë shkak. Me grupet e rinisë takohej gjithkah nëpër vend dhe dëgjonte se çka kishin për t’i thënë ata. Pak para vdekjes së tij, shkova me një grup të rinjsh (ndër ta edhe Sara) në një kibuc ku kishte shkuar Berli për uikend. Berli, gjatë tërë pasditës, qëndroi në një livadh, i rrethuar nga nja pesëmbëdhjetë djem e vajza, duke debatuar me ta. Më 1943, bashkë me të rinjtë e gjithë Palestinës, përgatiti kursin njëmujor në Rehovot.
Kurrë nuk do ta harroj atë natë të tmerrshme kur vdiq Berli nga sulmi në zemër në Jerusalem. Pas shumë vitesh, kur u vra presidenti Kenedi dhe populli amerikan u step nga tmerri dhe pikëllimi, aty për aty m’u kujtua ajo natë e para tridhjetë vjetëve kur vdiq Berli. Askush nga ne asokohe nuk dinte se nga do t’ia mbajmë pa të. Isha në Tel-Aviv në shfaqje të teatrit Habim. Derisa po kthehesha në shtëpi me autobus, dëgjova si pëshpërisnin njerëzit mes veti se kishte ndodhur diçka e tmerrshme. Viti 1944 ishte vit i tmerrshëm dhe kur, para shtëpisë ku banoja në rrugën “Hajarkon”, pashë shumë miq të mi, u shqetësova bukur shumë. Më pritnin mua. – Ka vdekur Berli! – më thanë. Më nuk kishte fjalë. Menjëherë u nisa për në Jerusalem. Atë natë, Ben Gurioni ishte në Haifa. Pasi kishte dëgjuar lajmin, askush nuk kishte guxim të fliste me të. Gjithë natën e lume qëndroi i shtrirë në shtratin e tij duke u dridhur e duke qarë. Kishte humbur njeriun e vetëm, mendimin e të cilit vërtet e çmonte shumë. Kishte humbur, ndoshta, mikun e vetëm të vërtetë.
Nuk i doja udhëtimet e gjata
Në vitet 1929 e 1930 më binte puna shpesh të mos isha në Palestinë. Me kërkesë të Këshillit të grave-punëtore një herë udhëtova në SHBA. Anglinë e vizitova dy herë, gjithashtu si përfaqësuese e Lëvizjes punëtore. Në atë kohë nuk ishte punë e thjeshtë të udhëtosh me aeroplan përtej Atlantikut (faktikisht, për herë të parë udhëtova me aeroplan për në Amerikë, më 1929, dhe gjatë gjithë kohës së fluturimit isha e shtangur nga frika sikur qiriu, duke shpresuar se dukem më e guximshme se sa ndjehem). Çdo udhëtim në botën e jashtme zgjaste disa javë. E dija se Menahemi dhe Sara urrenin udhëtimet e gjata. As vetë nuk i doja. Nëse ndonjëherë ndodhte të mos shkoja në punë në Tel-Aviv për shkak të kokëdhembjes, ata ishin të stërkënaqur, kërcenin rreth meje dhe këndonin: - Nëna do të rrijë sot në shtëpi, nënës po i dhemb koka. Do të rrijë në shtëpi!
Kjo nuk m’i ndalte dhimbët e kokës, përkundrazi më dhimbte edhe në zemër. Por, njeriu mund të adaptohet me të gjitha nëse kjo është e domosdoshme, qoftë edhe nëse vazhdimisht e konsideron veten fajtor.
Ishte e pazakontë të gjendeshe sërish në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas shtatë vjetësh. Më dukej se po vizitoja një shtet të huaj. Dhe, m’u desh pakëz kohë për orientim. Së pari, m’u desh sërish të adaptohem me Nju-Jorkun. Të mësoj të endem përreth me planet e udhëtimit të tramvajave dhe të adaptohem me gjuhën angleze rreth meje. Shumica e grave me të cilat kisha punë fliste, gjithsesi, në judishte. Organizatën Pioneer Women (Hadassa) e kishte themeluar Rachel Yanait – Ben Cvi. Tri ose katër vjet para kësaj, për themelimin e organizatës ishin angazhuar gratë, burrat e të cilave punonin në Lëvizjen punëtore sioniste amerikane. Pothuajse të gjitha këto gra ishin të lindura në Evropë. Në shtëpi dhe më fëmijët e tyre flisnin vetëm në judishte. Ato ishin gra të reja idealiste dhe liberale, të interesuara për politikë dhe të cilave u interesonte shumë ajo që ndodhte në Palestinë. Gjenin kohë të bashkëpunonin me organizata dhe të mbledhnin kontribute për fermat në të cilat mësoheshin vajzat e reja për punë në bujqësi, siç ishin Petah Tikva, Nahlat Jehuda dhe Hadera – vende këto që ato nuk i panë dhe nuk do t’i shohin kurrë.
Bëra gjithë atë që ishte e mundur t’i ndihmoja dhe t’i trimëroja këto gra.
Ore keni 1 jave qe na cate trapin me kete "Izraelin tim". Pak halle kemi ketej?? Po na arrestojne kokat e krimit.