
Vetëm gjatë një vjeti, u themeluan dy parti të mëdha punëtore: Hapoel Hazair (Punëtori i ri), në të cilën kishte ndikim të madh A. D. Gordon, dhe Ahdut Ha-avoda, të cilës i takoja edhe unë. Ahdut Ha-avoda mbështetej në ideologjinë e socializmit dhe kosniderohej pjesë e Internacionales socialiste. Dhe, përkundër dallimeve që kishin, ato u bashkuan në një parti, Mapaj, që do të thotë Partia punëtore e shtetit të Izraelit. Partia Hashomer Hazair (Roja e re), e cila përbëhej kryesisht nga pjesëtarët e kibucit me ideologji marksiste, ishte në ngritje e sipër.
Shumë më vonë, në vitet e dyzeta, një grup u nda nga Mapaji dhe u bashkuar përfundimisht me Hashomer Hazairin, me qëllim të krijimit të partisë së re, e cila u quajt Partia e Bashkuar Punëtore. Edhe më vonë, nga fundi i viteve të gjashtëdhjeta, ndodhën kombinime dhe ndryshime vendimtare. Megjithatë, gjatë gjithë këtyre viteve, Mapaj mbajti pozitën dominante. Historia e Mapajit është histori e vetë vendit. Në shtetin e Izraelit nuk pati qeveri që nuk i takonte shumicës së Mapajit, pavarësisht nga ajo se sa e parëndësishme ishte nganjëherë ajo mazhorancë. Mapaj, që nga fillimi, ishte partia ime. Kurrë nuk u luhata në përcaktimin tim për të ose në bindjen time se Partia e Bashkuar Punëtore është i vetmi themel i sionizmit punëtor, në të cilën janë të përfaqësuara idetë e ndryshme. Viteve që pasuan kam pasur fatin jo një herë që këtë bindje ta vërtetoj në praktikë.
Pioneer Women tregoi shumë interesim për zhvillimin e ngjarjeve në Palestinë. Isha shumë e lumtur kur kuptoja se edhe unë kam ndikuar në punën e tyre. Natyrisht se më brengoste vendosmëria e tyre të mbeteshin bashkësi judishte në vendin në të cilin nga viti në vit binte emigrimi hebraik nga Evropa. Zaten, më bindnin se të gjithë fëmijët e tyre flasin judisht dhe se gazetat e teatrot në judishte edhe më tej po lulëzonin në Amerikë. Por, edhe unë kisha ardhur nga vendi i emigracionit, por isha e bindur se, në Palestinë, judishtja do të zëvendësohej plotësisht me hebraishten. E kisha të qartë se, po qe se Pioneer Women dëshironte t’i mbijetonte edhe dhjetë vjetët e ardhshme, duhej ta zgjeronte bazën e saj dhe t’i pranonte femrat e reja, të amerikanizuara, të cilat flasin anglisht. Për këtë pata biseduar gjerësisht me shoqet e mia amerikane.
Motra ime, Clara, nuk dëshironte të vinte në Palestinë
Shkova në Klivlend për të vizituar Clarën. Ajo u martua me të riun Fred Stern dhe me të lindi djaloshin e bukur dhe të mençur që quhej Daniel David. Clarën nuk e kisha parë nga vitet e saj të tinejxheres dhe, edhe pse kohë pas kohe mbanim korrespondencë (natyrisht, prindërit e mi i shkruanin rregullisht), m’u desh një kohë e caktuar t’i afrohem. Sikur të ishim nga botëra të ndryshme. Të gjitha që i doja unë ishin në Palestinë. Të gjitha ato që i donte Clara ishin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kështu u rrita me sionizmin, sa që në radhët e Lëvizjes punëtore të Jishuvit bëra “karrierë” (kjo fjalë është fare e huaj për mua). Clara dhe Fredi ishin që të dy sociologë. Kur u njoha me të, ai kishte mbaruar doktoratën. Ishte, mbi të gjitha, njeri intelegjent, shumë i dijshëm dhe i edukuar. Fëmijërinë e kaloi, pak a shumë, rrugëve të Milvokit. Nga mosha 6 vjeçe shiti gazeta, ishte “self made man”. Që të dy, Clara dhe Fredi, sikur edhe unë, ishin bashkëpjesëmarrës në jetën hebraike, por jo edhe në aktivitetin politik e nacional të komunitetit dhe në punën shoqërore. Flisnim me gjuhë krejtësisht të tjera. E dija se Clara do të mbetej në SHBA. Nuk jetonte më mirë aty (më la pa gojë fukarallëku në të cilin jetonte), por ndjenjte se i takon atij vendi. Për Palestinën interesohej vetëm në aspektin akademik. Fred pastaj më tregoi se dënon çdo nacionalizëm dhe se sionizmin e konsideron lëvizje reaksionare.
Clara dhe Fredi dëshironin të kishin vetëm një fëmijë me qëllim që t’ia plotësonin të gjitha dëshirat. Por, “njeriu ëndërron, Zoti përcakton”, siç më thoshte zakonisht nëna. Daniel Davidi vdiq kur ishte 18 vjeç, nga një sëmundje e rëndë gjatë shërbimit në ushtrinë amerikane. Pastaj u sëmur Fredi. Humbi një këmbë dhe me vite të tëra u lidh për shtrati. Clara, ndërkaq, edhe më tej punonte shumë, duke mos e kursyer vetveten. Dhe, përkundër tragjedive personale, ajo arriti suksese të mëdha në profesion. Para se të vdiste Davidi dhe para se të sëmuhej Fredi, kjo familje u trasnferua në Brixhport, Kënektikat, ku Clara u bë drejtoreshë e United Jewish Councilit të atjeshëm. Por, më 1929, m’u bë e qartë se motra ime nuk do t’i bashkohet të tjerëve në Palestinë dhe ky fakt më shqetësoi shumë.
Në Palestinë, britanikët na shikonin si një soj të rëndë atdhetarësh
Më 1930 vizitova “Conference of Socialist Women” në Angli. Erdhën ay më shumë se një mijë delegatë. Për herë të parë në jetë përjetova atë që njerëzit jashtë Palestinës – johebraikë – të interesoheshin për të ashtuquajturin “problem palestinez”. Para konferencës mbajta vetëm një fjalim disaminutësh. Ndërsa, pastaj, më lutën t’u flas bashkësive të vogla në pjesë të ndryshme të Anglisë. Kështu, për herë të parë i njoha britanikët në vendin e tyre vetanak. Femrat e atjeshme, që më vërshuan me pyetjet për Histadrutin, për kibucet dhe për Këshillin e grave-punëtore, duke dashur të dinin se si jetojmë dhe se si sillemi me arabët, ishin krejtësisht të tjera nga damat britanike, të cilat i njihja që nga Palestina. Në Palestinë, britanikët na shikonin si një soj të rëndë atdhetarësh, të cilët janë më pak dashamirës se sa arabët nënshtrues dhe pitoreskë, e që kanë kërkesa të mëdha dhe që janë të pakortë. Por, atje në Angli – në Londër, në Mançester dhe në Hull – u fola femrave që vërtet ishin të mahnitura me “eksperimentin” sionist. Edhe atëherë kur nuk nuk na e mbanin anën, dëshironin të njiheshin me faktet.
Aftësia sioniste për të mbajtur fjalim sigurisht se nuk do të linte shumë përshtypje. Disa të vërteta, të thjeshta dhe të qarta, mund të ishin më dobiprurëse. Më 1929, sërishmi ndodhi valë e incidenteve arabe. Myftiu i Jerusalemit, Haxhi Amin el Huseini (i cili më vonë do të bëhet i njohur për shkak të agjitimit të vet profashist e nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore) nxiste urrejtjen e arabëve. Ç‘është e vërteta, britanikët sërish qetësuan situatën. Por, te arabët ishte krijuar përshtypja se ai që do të vrasë një hebre apo që do të plaçkisë pasurinë hebraike, nuk do të dënohet shumë. Prandaj, u gëzova shumë kur m’u dha rasti që motrave të mia socialiste në Angli t’ua sqaroj zhvillimin e vërtetë të ngjarjeve.
Gjatë kësaj vizite, gjithashu për herë të parë, u njoftova e gratë anëtare të kooperativave britanike dhe dëgjova raportet e tyre mahnitëse për çudirat e Rusisë sovjetike. Po të vinin në Palestinë dhe të shihnin se çfarë kishim arritur ne, mendoj se njësoj në mënyrë mahnitëse do të flisnin edhe për ne. Edhe më tej mendoj se vizita Izraelit është më e vlefshme se njëqind fjalime.
Pjesa dërrmuese e hebrenjve të Palestinës i besonte anglezëve
Po atë vit erdha edhe njëherë në Londër, për një a dy javë, që si i deleguar të marr pjesë në Imperial Labour Conference. Ramsay MacDonald ishte asokohe kryeministër. Ai ishte për zgjidhjen e problemeve të Jishuvit, por mu qeveria e tij botoi Librin e Bardhë famëkeq (të njohur si Passfield White Paper), me të cilën u kufizua migrimi i hebraikëve në Palestinë dhe ndërtimi i vendbanimeve për ta. Trembëdhjetë vjet pas Deklaratës së Balfourit, britanikët sikur ishin më të interesuar t’i qetësonin arabët se sa t’i përmbushnin premtimet e veta ndaj hebrenjve. Në Londër dikush më tha në mënyrë cinike: - Ju, hebrenjtë, po doni shtetin tuaj nacional; e gjithë ajo që do të fitoni është banesa me qira!
Mirëpo, e vërteta ishte edhe më e keqe. Qiradhënësi ynë britanik sikur dëshironte të prishte kontratën mbi qiranë. Më 1930, ishte vështirë të paramendohej se britanikët pas tetëmbëdhjetë vjetësh do të kuptojnë se me pushtet mandator nuk arrihet gjë.
Sharmit britanik nuk iu nënshtrova aq shumë sa disa kolegë të mi, ngase unë kisha jetuar aq shumë në Amerikë. Krenohesha me ta dhe e doja popullin britanik dhe Partinë Laburiste. Ama, nuk befasohesha personalisht pse britanikët, në shumë raste, na kishin lënë si peshkun në zallë. Pjesa dërrmuese e hebrenjve të Palestinës besonte forcërisht asokohe – pavarësisht nga faktet që flisnin për të kundërtën – se Anglia, përkundër trysnisë përditë e më të madhe arabe dhe përkundër qëndrimit tradicional proarab të shërbimit kolonial, do t’i mbajë premtimet që na kishte dhënë. Arsye për këtë është sigurisht fakti se shumica e hebrenjve, të rritur në Evropën Lindore të shekullit XIX, kishin respekt të madh për demokracinë britanike dhe nuk mendonin se anglezët nuk do t’i përmbushin premtimet ndaj sionistëve edhe më tej dhe në çdo aspekt.
Hebrenjtë kurrë nuk e humbën shpresën se do të përkrahen deri në fund nga britanikët
Unë tashmë kisha jetuar në një demokraci dhe, në këtë aspekt, nuk mund të më imponohej as kjo e dyta. Përkundër konfrontimit tonë të gjatë, të ashpër dhe shpesh të tmerrshëm me britanikët dhe përkundër mënyrës se si përfundoi ky konfrontim më 1948, izraelitët edhe më tej e respektojnë popullin britanik. Por, lënia në lloq nga britanikët, izraelitëve u dhimbte më shumë se sa ta kishte bërë këtë cilido popull tjetër. Për këtë ekzistojnë arsye të ndryshme. Anglia ishte ajo që dikur na e dha Deklaratën e Balfourit. Pastaj, hebrenjtë kurrë nuk harruan se britanikët i ishin kundërvënë të vetmuar nazizmit. Me këtë rast duhet përmendur respektin e lindur hebraik ndaj traditës. Gjithsesi, Jishuvi, për ato tridhjetë vjet sa zgjati mandati, gjithmonë dalloi qartë pushtetin mandator palestinez nga populli britanik, njeriun në rrugë nga nëpunësi i shërbimit kolonial a Ministrisë së Punëve të Jashtme. Hebrenjtë kurrë nuk e humbën shpresën se do të përkrahen deri në fund nga britanikët. Së paku në rrafshin politik, kjo dashuri mbeti e pakthyer.
Sigurisht se, herët a vonë, do të më dërgonin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës por, më 1932, Sara u sëmur shumë rëndë, prandaj propozova që me fëmijët të kthehem në Amerikë, me qëllim të trajtimit sa më të mirë mjekësor të saj. Mjekët dyshonin nëse ajo do të përballonte rrugën. Dukej shumë keq. Fytyra e saj aq e imtë u enjt aq shumë sa që vështirë ia shihja sytë. Vazhdimisht kishte temperaturë. – Do ta mbysni nëse e dërgoni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – më tha mjeku ynë. – Nuk guxoni ta kaloni oqeanin me të!
Specialistët i jepnin të drejtë. Kishte ditë kur Sara pinte vetëm gjashtë apo shtatë gota me çaj shumë të ëmbël, duke mos futur asgjë tjetër në gojë.
Sërishmi në Amerikë
Një natë, derisa Menahemi e Sara flinin, unë e Morrisi qëndruam në tarracë deri në agim duke menduar se çka të bëjmë. Në mëngjes vendosëm. Shkova në Këshillin e grave-punëtore dhe pyeta se a mund të më dërgonin si shliha, si emisare në Pioneer Women.
- Nëse nuk e marr me veti, ndoshta do të vdesë këtu dhe tërë jetën nuk do ta dimë se a bëmë gjithë atë që mundëm për të – ua sqaroja prindërve të mi, ngasë më konsideronin të marrë nëse nisem për në atë rrugë aq të gjatë me fëmijë aq të sëmurë. Por, e dija se nuk kemi zgjidhje tjetër, se nuk mund të rrija duarkryq afër shtratit të saj dhe ta shikoja çdo ditë e më të sëmurë dhe më të zverdhur.
Plani i rrugës nuk ishte i thjeshtë. Morrisi do të mbetej në Haifa për të punuar, ndërsa unë do të udhëtoja e vetme me fëmijët, së pari me tren deri në Port Said, pastaj me një kamion të madh francez deri në Marsej, pastaj me tren deri në Çerburg dhe, përfundimisht, me “Bremen” deri në Nju-Jork. Kjo udhë do të zgjaste së paku dy javë dhe kush e dinte se çfarë do të ndodhte me Sarën gjatë këtij udhëtimi. Ama, e dinim se nuk ka zgjidhje tjetër dhe kështu u nisëm në rrugëtimin tonë të rrezikshëm.
Nuk besoj që për ato dy javë të kem pushuar së paku një minut. Menahemi ishte i mirë dhe gjatë tërë kohës merrej me vetveten. Sara qëndroi çuditërisht fort nëse kihet parasysh se ishte vetëm gjashtë vjeçe dhe ishte shumë e sëmurë. Në “Bremen” kishim kabinën me dy shtretër. Në mbrëmje merrje karrigen që shtrihej, shtrihesha afër Sarës, e shikoja dhe lutesha në mënyrën time personale.
Fanny dhe Jacob Goodman, miq tanë të vjetër, na pranuan në banesën e tyre në Bruklin. Sarën menjëherë e shtriva në “Beth Israel Hospital” në Stivesant Skuer Ist. Dhe, vetëm ai që e ka dërguar ndonjëherë fëmijën në klinikë e di se çka do të thotë ta lësh djalin apo vajzën e vogël në spital. Nuk ishte çështja vetëm te ambienti i huaj. Sara nuk dinte asnjë fjalë anglisht. Dy javët e para dëneste nga mëngjesi deri në mbrëmje dhe më luste të mos e lija aty.
Lini një Përgjigje