Si arriti inxhinieri tepelenas, Haxhi Brahimi, që “me forcat e veta”, në mesin e viteve ’70, të prodhojë në Fier, një makineri gjermano – perëndimore?!…
Nga leximet dhe shënimet e ndryshme, kokë pas kohe, më ka ngelur në bllokun e kujtesës thënia e një inxhinieri të njohur hungarez, Theodore von Kármán: “Shkencëtari përshkruan atë që tashmë ekziston, inxhinieri ndërton diçka që nuk ka ekzistuar më parë”. Nuk e di, se sa mund t’i shkojë për shtat një thënie e tillë, jetës profesionale të inxhinierit tepelenas, Haxhi Teme Brahimi, lindur në fshatin Komar të krahinës së Buzit në 12 prill 1939, moment që përkon edhe me ditën e fundit të fushatës pushtuese të Italisë fashiste ndaj Shqipërisë. Pasiguria apo mëdyshja ime qëndron në faktin, se Haxhiu nuk është një inxhinier i zakonshëm zbatimi, por novator e konstuktor me emër i një makinerie, që në kohën e ekonomisë së centralizuar socialiste tek ne, prodhohej kryesisht në perëndim…
Rruga e mundishme drejt dijes
Vitet e para të pas Çlirimit e gjetën Haxhi Brahimin në moshën e duhur për të nisur rrugën e shkollimit e të dijes. Ishte momenti, kur asgjë më shumë se sa dhimbja nuk të rriste e të mësonte për të shijuar jetën që kishe përpara. Vendi sapo kishte dalë nga lufta. Qenë kohë të vështira. Shqipëria ishte e mbërthyer nga mjerimi ekstrem, njerëzit e saj – nga padija dhe analfabetizmi. Por kjo situatë e përgjithëshme, paraqitej akoma më dramatike nëpër fshatra, ku gjithë shpresa e banorëve të tyre varej tek ajo pak ekonomi familjare, që ishte siguruar, kohë pas kohe, mes flakëve të luftës. Sakrifica ishte kryefjala drithëruese e jetesës së përditshme, në qytetin dhe fshatin e asaj periudhe. Kuptohet, në fshatrat e zonave të thella, gjendja ishte akoma më e keqe; atje jetohej në miserabilitet të plotë. Në një pozitë të tillë gjeografike, por dhe sociale, ndodhej edhe Komari, vendlindja e Haxhiut; një fshat skajor i Tepelenës, në kufi me fshatrat e Beratit. Por kalimi përbri tij i një prej rrugëve më të hershme të ndërtuara në Shqipëri, i asaj Këlcyrë – Berat, që lidhte jugun me pjesën tjetër të vendit tonë, dhe ekzistenca qysh në vitin 1916 e një shkolle fillore në anë të kësaj rruge, në vendin e quajtur Malas (lagje e fshatit Gllavë), kishin ndikuar sado pak tek banorët vendas për të patur një nivel social – kulturor me të avancuar për kohën, në raport me të tjerët rreth e qark. Mirëpo këto faktorë favorizues ishin të papërfillshëm, krahasuar me problematikën e gjithanshme të asaj kohe, ku çdo hap drejt së ardhmes hidhej me mund e sakrifica të shumta. Shpesh ekzistencën e atyre pak kushteve të përshtatshme infrastrukturore i zhvleftësonte mentaliteti provincial i nevojës për t’ju bërë “krah pune” familjes. Jeta reale ishte me vite larg konkretizimit të shprehjes civilizuese, sipas të cilës; “shpirti ushqehet me mësim, ashtu si trupi me ushqim”. Kjo ishte një arsye, sa privuese, aq edhe “burrëruese” për fëmijtë e fshatit në vitet e para të pas Çlirimit, e cila shkonte përkundër dëshirës së përgjithëshme për të përhapur e marrë dije. Sidoqoftë, ky lloj mentaliteti prapambetës nuk prekte shkollimin fillor, i cili u bë i detyrueshëm për fëmijtë nga shteti i kohës. Haxhiu e kreu këtë cikël arsimor në vitet 1947 – 1951. “Në mbarim të vitit të katërt të fillores, -tregon ai, -mësuesi na porositi, që së bashku me një nga pridërit të shkonim për të tërhequr dëftesën. Unë shkova me nënën, pasi babai ishte i zënë me punë. Erdhi dhe nënë Fatimeja me ne; një grua e zgjuar dhe me autoritet në fshat, nga farefisi ynë. Ardhja e saj, me sa duket duhet të ketë qenë një ogur i mirë për shkollimin tim të mëtejshëm. Prindërit e mi, për shkak se familja jonë kishte shumë bagëti, si askush tjetër në fshat, ishin të dyzuar nga nevoja për krah pune, por ndërhyrja e nënë Fatimes qe përcaktuese, që unë të vazhdoja shkollën në të gjithë nivelet e saj deri në universitet…”.
Po, përveç nënë Fatimes, Haxhi Brahimi, siç do tregojmë më poshtë, ka patur edhe mbështetjen e nënës “Rastësi”, që filozofia e trajton si “mbret i domosdoshmërisë”, apo siç thuhet në zhargonin e përditshëm – “mbret i fatit”. Nuk kishte fat më të madh për fëmijtë e asaj kohe, se sa ekzistenca e një shkolle sa më afër vendbanimit të tyre. Konkretisht në vitin 1951, kur Haxhiu sapo mbaroi filloren, në Buz, fshatin fqinj, gati 3 km larg Komarit, që përfaqësonte njëkohësisht dhe qendrën e krahinës, hapet shkolla shtatëvjeçare, që përbënte hallkën bazë të sistemit tonë arsimor në atë kohë. I njëjti fat do të përsëritej për të, edhe me ngritjen e Univeritetit Shtetror të Tiranës në 1958-ën, ndërkohë që atë vit, Haxhiu, me “dëftesën e pjekurisë” në dorë, do të bëhej një ndër studentët e parë të këtij universiteti, në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike. Por ai vet, fat, madje “fat të madh” të jetës së tij, konsideron shkollën e mesme në Politeknikumin “7 Nëntori” ose ish Shkolla e Mesme “Harry Fultz”, Tiranë. “Sapo mbarova me rezultate shumë të larta shkollën 7-vjeçare në Buz, -tregon Haxhiu, - më thërret Baba Xhelo, mjaft i përkushtuar për zgjidhjen e problemeve sociale të fshatit e zonës, dhe më rekomandon që të bëhesha mësues, pasi në këtë profesion mjaft të kërkuar për kohën, nuk kishte asnjë djalë apo vajzë nga Komari. Mua nuk më pëlqente një profesion i tillë, pasi mësues në atë periudhë bëheshe dhe me fillore, mjafton të ndiqje një kurs specializimi në pedagogjiken e Elbasanit. Por Baba Xhelo e kuptoi ngurimin time, duke më thënë: “S’ka gjë bir, ku të të bëhet më mirë, shko!” U ktheva në shtëpi, por nuk ndjehesha i qetë, se mos kisha bërë ndonjë mëkat, që nuk mora parasysh dëshirën e Babait të Teqesë…”.
Nga rrëfimi i mësipërm i Haxhiut, ndonëse në moshë të vogël, bie sy largpamësia dhe vizioni i tij për t’u shkolluar, jo vetëm në përputhje me prirjet e zellin, por dhe me cilësitë e karakterit, të cilat nuk mund t’i mësosh dot kur të rritesh. Sepse siç thotë Seneka: “Mësimet e marra në vegjëli janë të ngulitura në thellësi”. Kësisoj, fati i njeriut bashkohet me dhuntitë individuale të tij, duke u bërë një aliazh i fortë virtytesh. Në shkollimin e mëtejshëm të Haxhiut, sipas prirjeve dhe rezultateve të larta mësimore të arritura në përfundim të shtatëvjeçares, ka ndikuar disi dhe bashkëfshatari i tij, Laze Pashaj; në atë kohë, sekretar lokaliteti i krahinës së Buzit. Falë këmbënguljes së tij, Haxhiu do të shkollohej në Politeknikumin “7 Nëntori”, Tiranë, duke materializuar thënien e një dramaturgu anglez të fundshekullit të 17-të dhe fillim shekullit të 18-të, lidhur me këto çështje, i cili thekson: “Fati gjithmonë u bëhet ndihmë veprimeve të virtytshme; dhe shpërblimi, ndonëse vonon, vjen patjetër”.
Mbarojnë mësimet e shkollës, por jo të jetës…
Pse e konsideron Haxhiu “fat të madh”, shkollimin e tij në Politeknikumin “7 Nëntori”, Tiranë? Shumçka e lidh me qënien atje të Marko Menahem si mësues, i cili ishte me origjinë hebreje dhe i pajisur me dy diploma universitare, si inxhiner mekanik dhe inxhinier kimist. Kishte përfunduar në Shqipëri në vitet e Luftës së Dytë Botërore, duke ardhur prej ish – Jugosllavie. Zotëronte gjashtë gjuhë të huaja, përfshirë dhe gjuhën shqipe që e njihte me themel. Ndonëse ishte emëruar kryetar i degës mekanike të shkollës, regjimi nuk e shihte me sy të mirë, madje e kishte dënuar me akuzën, se; “… shtonte fjalë në përkthimet e bëra, për t’u paguar më shumë (!?)”. Por ai, përveçse një enciklopedi e gjallë përvojash jetësore, edhe të tjerët i njihte duke i lexuar gjithnjë tek vetvetja. Të njëjtin standard zbatonte dhe në procesin e mësimdhënies, duke u kërkuar nxënësve, që asnjëherë të mos prisnin “ndihma imagjinare”, por të mbështeteshin në zotësitë vetjake. Kësisoj, këshilla e parë e tij, qysh në takimin e parë me nxënësit, siç pohon vet Haxhiu, ishte: “Gjithçka duhet mësuar që të përdoret, jo që të thuash se e di”. Pra, sipas tij, asnjë mësim nuk ka vlerë nëse nuk të shërben në jetë. “Të gjitha zanatet serioze ti mëson jeta, jo shkolla”, thoshte Tolstoi. Dhe Politeknikumi i Tiranës ishte e vetmja shkollë – jete në Shqipëri, që të mësonte shumë “zanate”, si atë të mekanikut, elektriçistit, gjeologut, etj. Tek kjo shkollë teknike, vazhdonte po ajo traditë e krijuar qysh në fillim të viteve ’20 të shekullit të kaluar, ku për më shumë së një dekadë, atë do ta drejtonte Harry Trevlye Fultz, duke bërë një histori krejt ndryshe nga shkollat e tjera profesionale në Shqipëri.
Qënia në një ambient me njerëz të ditur e plotë përvojë është një shkollë me vete. E tillë ishte dhe ndërmarrja e Sharrave Pukë, me qendër në Fushë-Arrëz, ku Haxhiu u emërua si inxhiner, menjëherë pas mbarimit të universitetit. Ishte ndërmarrja më e madhe e kësaj natyre në shkallë republike, me mbi njëmijë punëtorë. Në varësi të saj ishin shtatë stabilimente, me personel drejtues më vete, nga të cilat 5 në Pukë, një në Shkodër dhe tjetri në Shënmëri të Kukësit. Kudo ku ai shkonte, përgjatë 9 viteve të qëndrimit në Fushë – Arrëz të Pukës; në sektorët apo stabilimentet e kësaj ndërmarrjeje gjigande, përveç eksperiencës së krijuar në vitet e pasçlirimit, gjente dhe gjurmë të mjeshtrave që kishin punuar këtu në përbërje të shoqërive të huaja italiane në periudhën e dy luftrave botërore. Madje këto lloj eksperiencash të huaja i bënin më shumë përshtypje; i shkonin më shumë për shtat formimit të tij profesional, i sillnin në vëmendje këshillat dhe prakticitetin e Marko Menahemit, profesorit me origjinë hebreje të Politeknikumit. Haxhiu bënë pjesë në ata pak njerëz që mëson prej këshillave, po aq sa dhe prej eksperiencës së krijuar kohë pas kohe. Dhe një gjë e tillë ka ndodhur gjatë gjithë jetës së tij, duke arritur kulmin pas vitit 1972, në periudhën që do të transferohej në Fier, fillimisht në Ndërmarrjen Industriale të Mallrave të Përdorimit të Gjerë (N.I.M.P.GJ.) dhe më pas në Ndërmarrjen e Prodhimeve të Ndryshme (N.P.N.). Kishte mësuar aq shumë sa që kishte ardhur momenti të shpikte apo të krijonte diçka, e cila të mbante vulën e kontributit dhe formimit të tij profesional, duke “…përzier tru e lëndë…”, siç thotë inxhinieri i njohur amerikan, Çarls Ketering...
Makineria “Dekorfikuos” – me “tru perëndimor” dhe “lëndë lindore”
Gjithçka kemi rrëfyer deri tani për inxhinierin Haxhi Brahimi ka patur si qëllim që të mbërrijmë tek një prej ngjarjeve më të rëndësishme në jetën e tij profesionale. Bëhet fjalë për prodhimin me “forcat e veta” të një makinerie për zhvoshkjen e farës së lule diellit që përdorej në industrinë e prodhimit të vajit. Kjo lloj shpikje i takon periudhës së viteve ’70, kur Shqipëria po transformohej nga “…një vend agraro – industrial”, në “…një vend idustrialo – agrar”. Të frymëzuar nga politikat ekonomike të BRSS-së së Stalinit, në këtë dekadë (1970 – 1980), prioritet do t’i jepej zhvillimit të industrisë, në raport me bujqësinë. Në strategjinë e zhvillimit të vendit filloi të konsolidohej koncepti dhe praktika e “mbështetjes vetëm në forcat e brendshme”. Sipas këtij parimi punonte, individi, brigada, ndërmarrja, rrethi; gjithë ekonomia e vendit. Qëllimi final ishte materializimi në jetë i plotikave sociale për rritjen e mirëqënies materiale dhe kulturore të qytetarëve shqiptarë, kudo ku ndodheshin, në fshat apo qytet. Në këto kushte, një rëndësi të veçantë merrte edhe zhvillimi i industrisë së lehtë e ushqimore, e cila lidhej drejtpërdrejtë me plotësimin e këtij objektivi madhor të partisë e shtetit të asaj kohe. Vlen të theksohet, se në varësi të kësaj ministrie ishte dhe Ndërmarrja e Prodhimeve të Ndryshme (N.P.N.), Fier, ku Haxhi Brahimi kryente detyrën e kryeinxhinierit. “Ministria e Industrisë së Lehtë e Ushqimore, -tregon ai, -prej vitesh kishte kërkuar prej inxhinierëve dhe specialistëve të ndërmarrjeve vartëse në rrethin e Fierit, që t’i jepnin zgjidhje teknike e teknologjike problemit të zhvoshkjes së farës së lule diellit. “Isha në vitin e tretë të punës, kur takohem në Fier me profesorin tim të Teknologjikes, Marko Menahem, për të cilin fola pak më lartë, -tregon Haxhiu. -Ai kishte punët e veta, pasi qysh nga 1972-shi ishte i angazhuar si një prej specialistëve më aftë në vendin tonë për shfrytëzimin e gazrave që dilnin nga oxhaqet e fabrikave të ndryshme, në mënyrë që të mos ndotnin ajrin. E diskutova me professor Markon këtë shqetësim të ministrisë për një nga rrethet më të mëdha të republikës, dhe më tha: “Merru ti Haxhi me këtë zgjidhje, jam i bindur që do t’ja dalësh me sukses!”. Në ditët në vijim fola dhe me një grup teknikësh që kisha në varësi, si me Vasillaq Dhimitrin, Anastas Janon, Agron Veliun, Kujtim Çuçalla, etj. Ata ma mirëpritën idenë dhe propozimin duke më garantuar për mështetjen e tyre të pakursyer. Më në fund i shkova në zyrë drejtoreshës së ndërmarrjes, Donika Goga (Kilica), motra e “Piktorit të Popullit”, Vilson Kilica dhe e vë në dijeni për iniciativën e marë…”.
Kaq u desh dhe u vu në lëvizje gjithë qeveria, duke filluar nga zëvendëskryeministri i kohës Adil Çarçani, si dhe ministrat Pali Miska e Myqerem Fuga, që drejtonin sektorët e industrisë së vendit, të rëndë e të lehtë, siç emërtoheshin në atë kohë. Lajmi mori dhénë, siç thoshin për mirëpritjen dhe propogandimin e ngjarjeve të tilla të rralla për atë periudhë hermetike, përsa i përket pasqyrimit të tyre në media. Por më përpara ishte zhvilluar një takim në zyrën e ish zëvendëskryeministrit Adil Çaraçani, ku përveç Haxhiut dhe drejtoreshës së NPN-së Fier, Donika Goga, ishin dhe ministrat përkatës të Ministrisë së Industrisë dhe Minierave dhe Ministrisë së Lehtë dhe Ushqimore. “Unë pata studjuar jo pak rreth kësaj çështje, -tregon Haxhiu, -si literaturë teknike lindore ashtu dhe perëndimore dhe kisha krijuar bindje të plotë për modelin e prodhimit “me forcat e veta” të një makinerie tip gjermano – perëndimore për zhvoshkjen e farës së lulediellit. Këtë gjë ja pohova edhe zëvendëskryeministrit në takimin që patëm, i cili përveç krijimit të një fondi të veçantë nga qeveria për shpenzimet e prodhimit të kësaj makineri urdhëroi ministrat prezent aty, që çdo ndërmarrje apo diksatër t’i kishte dyertë e hapura për çdo material që na duhej…”.
Gjatë kthimit për në Fier, drejtoresha i thotë Haxhiut: “I ke bërë llogaritë mirë, se mos dështojmë, dhe t’i e di ku përfundojmë të dy, tek “shtatë penxheret”. Atje ishte mbledhur gjithë qeveria, dhe na u vendos në dispozicion gjithçka na duhet”. Por ai gjatë parapërgatitjeve të bëra për këtë qëllim kishte krijuar bindje të plotë, madje kishte zgjedhur dhe modelin të cilit do t’i referohej. Duke shkuar ndërmarrje më ndërmarrje, në Fermën e Thumanës, Haxhiut i kishin zënë sytë një makineri të nxjerrë jashtë përdorimit, që përputhej disi me skicimet e bëra gjatë shfletimit të literaturës së huaj. Brenda pak kohësh u bë e mundur prodhimi i makinerisë për ndarjen e lëvores së lulediellit nga buka e saj, që përdorej për nxjerrjen e vajit vegjetal. Në kushtet e ekonomisë së mbyllur, kjo ishte një shpikje e mirfilltë, që meritonte patentim. Shumë mirë mund të merrte emrin e autorit, Haxhi Brahimit, por nuk të lejonte “kulti i individit”, ndaj ju vendos emërtimi “Dekorfikuos”. U shkul gjithë qeveria kur u bë inagurimi dhe përgjithësimi i “përvojës së përparuar”, nëse falim me sloganet e asaj kohe. Pastaj filloi prodhimi në seri i kësaj “makinerie – kombinat”, dhe brenda fundit të viteve ’70 u prodhuan plotë 12 copë të tilla, të cilat u shpërndanë në rrethet kryesore të vendit, si në Tiranë, Durrës, Shkodër, Lushnjë, Berat, etj. Ndërkohë Haxhiu vazhdoi me një novacion tjetër, që ishte prodhimi i sobave me vajguri për ngrohje, duke filluar nga viti 1981 e në vazhdim. Emri dhe fama e tij kishin arritur cep më cep të Shqipërisë, ndërkohë që ai ishte evidentuar si një nga specialistët më të mirë të fushës nga stukturat e larta qeverisëse. Nuk ishin arritje të vogëla këto, në një kohë kur duhet të punoje, shpikje e prodhoje mbi bazën e ligjësive ekonomike të socializmit që po jepte shpirt brenda 28 mijë kilometrave katrorë të vendit tonë. Por veçanërisht në këto kushte, veprat ishin më të vyeshme se sa fjalët. Haxhiu ishte njeri i veprave që pakkush mund t’i arrinte në atë kohë, ku gjithçka realizohej me moton e “interesit të përgjithshëm shoqëror”, duke shkrirë plotësisht në çdo punë e vepër të ndërmarrë; shpirtin, mendjen dhe intelektin e tij. Duke parë gjithë këto punë e arritje mbreslënëse të Haxhiut, në gjysmën e dytë të viteve ’80, atë e transferojnë në Regjimentin e Helikopterëve. Prishja e marrëdhënieve me “Kinën Popullore” e kishte detyruar qeverinë shqiptare, që t’i mbante sa më afër specialistët novatorë. Kudo, në çdo sector të ekonomisë kërkoheshin specialist të tillë me emër, por sektori i Helikopterëve ishte tepër delikat dhe kërkonte njohuri, saktësi e përgjegjësi të mëdha. Nga puna në këtë sektor, Haxhiut i ka ndelur në mendje ngjarja tragjike e 22 nëntorit 1989, në Qafën e Llogarasë, ku humbën jetën 23 persona, midis të cilëve dhe piloti Tafil Agaj, po nga lagjia e tij në fshatin Komar. Teksa kujton këtë ngjarje, i mbushen sytë me lotë edhe tani pas 35 viteve që kanë kaluar, qysh nga ajo ditë. “Duhet të ketë qenë fund shtatori ose fillim tetori i vitit i vitit 1989, pak ditë para se të ndodhte tragjedia e mësipërme, -kujton Haxhiu. –Zhvillohej një stërvitje me helikopter në itinerarin Tiranë – Pogradec. Tafili kishte helipoterin më të mirë, që e përdorte Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë… “Do vish me mua?”, më thotë. Jo, i përgjigjem me shaka, sepse po u rrëzua helikopteri, jemi të dy nga një lagje… “Po qe e shkruar nuk i ruhesh dot…”, e mbylli këtë bisedë të shkurtër, teksa po bëheshim gati për t’u nisur. Profecia e tij u vërtetua në ngjarjen tragjike të Llogarasë. Aq e kishte të shkruar. Nuk ishte në shërbim atë ditë, por shkoi të zëvendësonte të shokun e tij që mungonte për arsye shëndetësore. Gjithçka mund të parashikohet e realizohet përveç fatit, -e mbylla ai këtë bisedë, Haxhiu”.
*
Thuhet rëndom, se janë rrethanat ato që krijojnë njerëzit e veçantë dhe veprat e tyre, por siç definon një dramaturg francez, “njeriu përbëhet nga zgjedhjet dhe rrethanat…”, ky natyrisht në dorë ke vetëm zgjedhjet. Asnjë rrethanë nuk të favorizon po qe se t’i nuk bën zgjedhjet e duhura në jetë. Shembulli i inxhinier Haxhi Brahimit këtë tregon, qëkurse zgjodhi shkollën dhe profesionin që dëshironte. Si rrethanë mund të kunsiderojmë faktin, që në atë kohë kishte një farë mundësie që të zgjidhje disi, për shkak se nevoja për kuadro e specialist ishte e lartë. Më vonë do shkoje atje ku të caktonte Partia. Megjithatë, siç thotë një shkrimtare hollandeze, Etty Hillesum: “Në të gjitha rrethanat mund të nxirren gjëra pozitive nga jeta”. Pra edhe në rrethanat e një shoqërie dhe ekonomie të mbyllur, sikundër bëri për afro tre dekada rresht, duke filluar nga 20 gushti i vitit 1963 e në vazhdim inxhinieri, tepelenas Haxhi Brahimi.
Padyshim , shembuj te tille te bejne krenar e jane frymezim per brezat e rinje, sidomos ne kushtet e stme ku nisiativa e lire eshte baza e cdo arritje.Por nje falenderim te vecant meriton dhe autori qe evidenton e sjell per nje publuk sa me te gjere raste te tilla. Z. Haxhi i urojme nje pleqeri sa me te mire e z. Feti suksese ne punen e tij si gazetar!
Zotin Haxhi qe e njihka e gjithe Shqiperia nuk e kam degjuar ndonjehere, packa se kam kaluar me se 40 vjet ne profesionin e inxhinjerit mekanik. Si Haxhiu ka patur shume inxhinjere te afte ne vendin tone, pasi shkolla jone ishte e modelit sovjetik dhe teper e forte. Perqindja e perfundimit te studimeve ne inxhinjeri ka qene jo me shume se 20% e atyre qe fillonin dhe arrinin ti perfundonin keto studime. Nga sa shkruan autori i ketij shkrimi, makineria qe paska "shpikur" zoti Haxhi ne fakt paska qene nje kopje e nje makinerie te vjeter me sa duket e prodhuar ne Gjermanine Perendimore. Sot, ne gjuhen teknike kjo quhet "Reverse Engineering" qe ne shqipen e thjeshte perkthehet as me shume e as me pak ne: "kopje e origjinalit". Me kete nuk dua aspak te ul vlerat profesionale te zotit Haxhi, por per te qene i sakte ne perdorimin e fjaleve "shpikje" dhe "kopje e origjinalit". Te kopjosh nje makine nuk kerkon ndonje zotesi te madhe nga inxhinjeret e zot, por mbeshtetje nga drejtuesit e ndermarrjeve dhe fondet apo materialet perkatese. Ne kohen kur ka qene ne pune zoti Haxhi, ka patur me teper mbeshtetje nga drejtuesit per te prodhuar paisje qe ndihmonin prodhimin, por mbas viteve 80 ekonomia ra ne ato nivele kur cdo iniciative qe kerkonte materiale apo fonde shtese mbetej rruges. Ne ate kohe u prodhuan motorret apo traktoret e pare ne Kombinatin e Autotraktoreve ne Tirane, por qe nuk gjeten treg, pasi ishin kopje te motorreve apo traktoreve te vjeter ruse e kineze. Edhe keto arritje u trumbetuan si suksese te medha, packa se as suksese nuk mundet te quheshin. Regjimit i duheshin shembuj suksesesh edhe aty ku nuk kishte te tilla per te justifikuar politikat e tyre te deshtuara ekonomike qe e katandisi popullin tone te kalonte ore te tera ne rradhat pa fund per te blere 6 kokrra veze dhe dy kile domate gjysem te prishura. Artikullshkruesi, zoti Feti Zeneli, si nga Tepelena qe duhet te jete (nisur nga mbiemri i tij) i ka bere nje te rrahur shpatullave te zotit Haxhi, packa se arritjet qe permenden ketu jane gjera pa vlere per aktivitetin e nje inxhinjeri te mirefillte inovator qe gjerat i shpik dhe nuk i kopjon. Sidoqofte i uroj te dyve, gazetarit dhe personazhit te ketij shkrimi jete te gjate dhe te shendetshme.
Epo, me emrin Feti, ç'do të bëjë tjetër: do të feti-shizojë, sigurisht !?
Njerëz të tillë në atë kohë kishte shumë dhe krahas vullnetit dhe inteligjencës që kishin kryesorja është se në atë kohë shkollat ishin ma standarde të larta,hynin në një kurs në universitet 50 studentë dhe kur mbaronte dilnin apo jo gjysma sot hyjnë 50 dhe dalin 100 sepse paguajnë.
Eh. More zoti. Inxhinjer. HAXHIUN. e. njohu koha. poty nuk te njeh. askush.
Zotin Haxhi nuk e njoh, por kam shprehur mendimin tim mbi ate qe eshte shkruar ketu per te, ndersa juve nuk me njihni dhe me gjykoni pa asnje baze. Ne degen e industrise ku une punoj me njohin shumica e specialisteve te tjere dhe kjo jo ne Shqiperi, por ne Ameriken e Veriut. Ketu ne nuk kopjojme dot, pasi ligjet nuk ta lejojne kete gje, por shpikim paisje qe riparojne Reaktore nukleare qe Haxhiu me shoke nuk i kane pare as ne enderr. Kjo jo sepse ndonjeri prej tyre si Haxhiu p.sh. nuk do kishin aftesine per te bere kete qe bej une dhe koleget e mi sot, por ato ishin mundesite e asaj kohe.
O loqe-ajo qe thote inxhinjeri eshte me se e vertete. Lexoji mire ato qe thote se mbase i kupton. Ne kohen e Enverit kemi patur plot inxhinjere apo teknike te talentuar, por ne fund te fundit vetem kopjonin ato qe te tjeret i kishin bere me pare. Motorret qe u prodhuan ne Kombinatin e autotraktoreve dhe traktoeret per te cilat flet edhe inxhinjeri ishin kopje. Asgje nuk u shpik ne Shqiperi se po te ishin shpikur gjerat, mbase ekonomia jone nuk do kishte shkuar per lesh sic shkoi.
O ben ata qe e jetuan ate kohe bene aq sa munden po ky inxhinjeri na paska shkuar ne Amerike per te rregulluar Ameriken sepse Amerika na paska nevoje per teknike (xhenerike )sepse kaq ka qene niveli i shkolles dhe e universitetit ne ate kohe.