
Ligji për shtypin në vitin 1993, letra e kryetarit të parlamentit Pjetër Arbnori drejtuar gazetarit Mero Baze dhe Neni 24/1 që parashikonte 8 milionë lekë gjobë.
Raportet e politikës me median në Shqipërinë e tranzicionit kanë qenë shpesh konfliktuale. Ka nisur qysh në fillime kjo betejë, atëherë kur politika po merrte vendime për fatin e lirisë së medias në Shqipërinë që sapo kishte nisur rrugëtimin drejt formimit të shtetit demokratik. Debati i ligjit për shtypin u shtri në disa seanca parlamentare në tetor të vitit 1993.
Të gjitha gazetat e kohës ishin kundër propozimeve të politikës për ligjin për shtypin, duke përfshirë: "Rilindja Demokratike", "Zëri i Popullit", "Republika", "Alternativa SD", "Koha jonë", Radiotelevizioni Shqiptar, ATSH, "Populli PO", "Drita", "Balli i Kombit", "Dita Informacion", "Bashkimi", "Tirana", "24 Orë". Kryetar i Shoqatës së Gazetarëve të Shqipërisë ishte Mero Baze.
Ndërsa ligji në parlament ishte hartuar dhe propozuar nga këta deputetë: Uran Butka, Rudolf Marku, Ali Spahia, Leka Toto, Galip Ramolli, Ylli Vejsiu, Luan Skuqi, Dashamir Shehi, Nevruz Çela, Hajrie Kruja, Vedat Sazani, Agim Hoxha, Ndue Gjika, Tomor Dosti, Robert Ndrenika, Gaqo Rota, Hasan Halili, Gëzim Mema, Abedin Elmazi, Roland Tafili, Fadil Çepele, Gëzim Luli, Menduh Dërguti, Halit Shamata, Emanuel Heba, Ferdinand Petrela, Eduard Selami, Blerim Çela, Liri Abazi, Ibrahim Vasjari.
Projektligji ishte shoqëruar me debate në komisionet parlamentare, ku morën pjesë edhe përfaqësues të medias. Ata e kundërshtuan pjesën më të madhe të projektligjit dhe një prej neneve më të kundërshtuara ishte ai i ndëshkimit ligjor të gazetarit. Neni 24/1 parashikonte gjobë prej 8 milionë lekësh që barazohej me pagën mujore të 15 viteve. Më 23 shtator 1993, Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë publikoi një deklaratë ku theksohej ndër të tjera:
"Sot paradite, në një nga mjediset e Lidhjes së Shkrimtarëve, përfaqësues të gazetave: 'Rilindja Demokratike', 'Zëri i Popullit', 'Republika', 'Alternativa SD', 'Koha jonë', Radiotelevizioni Shqiptar, ATSH, 'Populli PO', 'Drita', 'Balli i Kombit', 'Dita Informacion', 'Bashkimi', 'Tirana', '24 Orë' dhe gazeta të tjera, me iniciativën e Lidhjes së Gazetarëve të Shqipërisë, pasi morën në shqyrtim p/ligjin për shtypin, paraqitur Kuvendit Popullor nga një grup deputetësh, kërkuan bllokimin e projektligjit të paraqitur Kuvendit, i cili sanksionon mungesën e lirisë së shtypit në Shqipëri dhe bie ndesh me ligjin kushtetues për liritë dhe të drejtat e njeriut."
Përfaqësuesit e mediave nuk u përfillën nga politika dhe projektligji kaloi në seancë parlamentare pa u ndryshuar. Kryetari i parlamentit, Pjetër Arbnori, sqaroi se ishte përpjekur të përfshinte përfaqësuesit e medias, duke cituar një letër që i kishte dërguar kryetarit të Shoqatës së Gazetarëve të Shqipërisë, Mero Baze:
“Unë po ju them që i kam shkruar vetë, si Kryetar i Parlamentit, një letër zotit Mero Baze, së cilës nuk i është përgjigjur, dhe i kam thënë që në çdo kohë e në çdo moment ai dhe gazetarët e tjerë mund të vinin të takoheshin me mua ose me dy nënkryetarët dhe ishin të mirëpritur për t'u këshilluar me komisionet e ndryshme dhe po qe se kërkohej mendimi i tyre, do t'u merrej. I kam dërguar zotit Mero Baze edhe të gjitha vërejtjet e Komisionit të Masmedias, Komisionit të Ligjeve dhe Komisionit të Arsimit e Kulturës dhe mua më vjen shumë keq që ata nuk kanë ardhur asnjëherë këtu”, deklaronte Arbnori.
Ndër nenet më të debatuara ishte 24/1, i cili parashikonte që një gazetar mund të dënohej për shpifje me një gjobë deri në 8 milionë lekë.
“Pse gjoba është caktuar 8 milionë lekë? Ne duhet të jemi vërtet të shqetësuar lidhur me faktin që ka kaq kohë që në Kodin tonë Penal parashikohet një gjobë qesharake, nga 50 deri 1000 lekë. Unë po ju them se kam qenë dëshmitar në një proces gjyqësor dhe kur u dha gjoba 10 mijë lekë të vjetra, e tërë salla filloi të qesë para. Nuk ka fyerje më të rëndë për drejtësinë”, shprehej ndër të tjera Zef Brozi.
Argumentit të Brozit, deputeti Teodor Keko do t’i përgjigjej kështu: “Zoti Zef Brozi preferon më mirë gjobën prej 8 milionë lekësh sesa burgun. Mendimi im personal, po natyrisht është gjithmonë personal, është që më i mirë është burgu sesa 8 milionë lekë, sepse 8 milionë lekë është rroga e 10 vjetëve ose 15 vjetëve. Ky është falimentim total. Unë kam shumë frikë që me shtypin do të ndodhë e njëjta gjë që ka ndodhur edhe me Postë-Telefon-Telegrafin. Dikur Enver Hoxha na i hapte telefonat me kanal. Tani regjimi i sotëm, që është yni, demokratik, të gjithë jemi me demokracinë, bën një gjë tjetër, dërgon një faturë në shtëpi, që bën 300-400 dollarë, dhe të detyron ta mbyllësh telefonin me jashtë, që kur të kërkosh të flasësh me jashtë, ta hapësh nëpërmjet postës, që ta dëgjojnë këta. Kështu që edhe mua më duket pak e rrezikshme kjo puna e 8 milionëshit. Ky është falimentim më i madh se në kohën e Enverit. Prandaj, ju lutem, ndërhyni, të paktën mbushjani mendjen që të ulet masa e gjobës.”
Moikom Zeqo, ishte gjithashtu ndër deputetët më aktivë në këtë debat. Mbështetur në një citim të Xhefersonit, Zeqo argumentonte pse Shqipërisë në këto momente i duhej liria e shtypit dhe jo dhunimi i ligjësuar, jo një ligj i një censure të institucionalizuar. "Liria jonë varet nga liria e shtypit”, ka thënë Xhefersoni, “Ajo nuk mund të kufizohet pa e humbur dhe kufizuar vetë lirinë në përgjithësi". Amendamenti i parë i Kushtetutës amerikane thotë shprehimisht se "Ndalohet nxjerrja e ligjeve që kufizojnë lirinë e mendimeve dhe të bindjeve". Autori i këtij amendamenti dihet që është Xhefersoni, i cili ka kundërshtuar deri në fund të jetës së tij nxjerrjen e ligjeve për shtypin. Por kjo nuk do të thotë që edhe në legjislacionin e Amerikës nuk ka rregulla juridike që disiplinojnë shtypin. Madje Xhefersoni ka thënë që në qoftë se do të zgjidhte midis një qeverie pa gazeta dhe gazetave pa qeveri, do të preferonte këtë të fundit”, shprehej Zeqo.
Rudolf Marku, mbrojti ligjin në emër të deputetëve që e kishin propozuar. Për të kundërshtuar Moikom Zeqon, Marku do ti përgjigjej me një tjetër citim të Xhefersonit:
“Pikë së pari, ligji për shtypin rrjedh nga dispozitat kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe mendoj se ajo që citoi zoti Moikom Zeqo, i cili është edhe gazetar, edhe shkrimtar, dhe unë e respektoj si të tillë, është kundër vetë atij. Kështu, te kreu i parë 'Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut', në nenin 16, paragrafi i 6, thuhet: 'Ushtrimi i të drejtave dhe lirive (bëhet fjalë për të drejtat për t'u informuar dhe për lirinë e shprehjes së mendimit) nuk mund të kufizohet përveçse në rastet e parashikuara me ligj', çka do të thotë që ky përcaktim kushtetues krijon domosdoshmërinë e formimit të një ligji për shtypin. Unë mund të them se pikërisht Amerika, që nuk ka ligj për shtypin, ka procese gjyqësore më tepër se çdo shtet tjetër për gazetarët dhe gazetat... Ndërsa për sa i përket Xhefersonit, është e vërtetë se atij i takon shprehja e famshme: 'Në qoftë se do të më lejojnë të zgjedh mes një qeverie pa gazeta dhe gazetave pa qeveri, unë do të zgjidhja këtë të fundit'. Por po aq e vërtetë është që po ky Xheferson, kur 20 vjet më vonë pas kësaj thënie u bë President i SHBA-së, i shkruan një miku të vet: 'Nuk njoh gjë më të bezdisshme sesa gazetat. Unë personalisht nuk lexoj asnjë gazetë që kur jam bërë President i SHBA-së.' Pra, shihet këtu se nganjëherë këndvështrimet ndërrojnë”, deklaronte Rudolf Marku.
Deputeti Teodor Keko do të shprehej plotësisht kundër ligjit, duke e cilësuar atë si pranga për lirinë e shtypit. “Është turp që një pushtet të prodhojë pranga për shtypin. Atje ku ndodh kjo, kemi të bëjmë me pseudodemokratë ose me kriptokomunistë, siç i pëlqen t'i quajë maxhoranca. Është turp i madh që një pushtet të arrestojë gazetarët, duke i akuzuar për shpifje, për fyerje etj., është shenjë dobësie, është shenjë përsiviteti. Nëse jeni demokratë, pranoni rregullat e lojës së demokracisë, pranoni alfën që në demokraci shtypi duartroket tepër rrallë pushtetin dhe kritikon, bile shan në mënyrë permanente”, shprehej Keko.
Debati zgjati me muaj dhe si shumë ligje të tjera në vend, por koha tregoi se nuk kishin aspak rëndësi ligjet që miratoheshin në kuvend, por mënyra se si do të zbatoheshin ato. Në vitet që pasuan, media dhe gazetarë të shumtë u bënë viktima të agresionit të politikës, përmes presionit, censurës, burgut dhe dhunës fizike.
TemA
Normale percapjet per kufizomin e gazetareve... Mendoni të dilte ne gazete qysh ne fillim, varkari i familjes Hoxha, të dilte qysh ne fillim mashtrimi se gjoja po vendosej demokracia, kur duhej te thuhej rivendosja e demokracise: Shqiperia kish qene demokratike 1920-1944, e plot të tjera... Eh mer zagare të 8 Nentorit 1941...
Shtypi nga shprehja e lire dhe mbrojtes i se vertetes, kaloi ne sherbim te qeverise dhe oligargeve, duke shitur plotsisht dinjitetin dhe profesionalizmin e tij. Shtypi dhe mendja po i sjellin sot demin me te madh demokracise.
Problemi eshte se ne nuk kemi gazetari, pasi nuk kemi gazetare. Gazetaret tane shpifin ne darke dhe ne mengjez i besojne si teveteta. Ne cdo vend te botes demokratike ka penalizime per gazetaret nese ata shpifin. Perse keta tanet na u ankokan per ligjin kunder shpifjes?
Media paska te drejte te shpifi dhe te shkaterroje jete njerezish por nuk duhet te shkojne ne burg si çdo qytetar tjeter???
E drejta per te thene fjalen i takon cdo njeriu.E verteta eshte perparim.Shtremberimi i te vertetes ose shpifja sjellin konflikt dhe dhune.Gazeta apo gazetari qe spekullon me fjalen e lire duhet ndeshkuar.Demokraci eshte kur e drejta jote nuk cenon te drejten e dikujt tjeter duke shpifur.