Zbardhen kurthet e Sigurimit për të futur në grackë Vilson Blloshmin! Provokimet e agjenteve dhe arrestimi i tij

17 Korrik 2022, 12:51Dossier TEMA

Zbardhen kurthet e Sigurimit për të futur në grackë Vilson

Poeti Vilson Blloshmi ishte në listat e “kontingjenteve armike” të regjimit komunist. I cilësuar si bir një familjeje kulake me baba e xhaxha të burgosur, ai nuk kish si t’i shpëtonte goditjes së luftës së klasave.

I lindur në një familje arsimdashëse, me një inteligjencie natyrale për t’u admiruar, adhurues i madh i librit dhe poet që do ta kishte luks çdo vend, Vilsoni ishte preja e një regjimi ziliqarësh e kriminelësh. Me mbarimin e shkollës së mesme pedagogjike, atij nuk iu dha e drejta të punonte në arsim.

Raporti i parë për të u soll në vitin 1970 kur ishte në moshën 22-vjeçare. Ishin përgjithësisht shprehje për çështjen e punësimit të tij. Më vitin 1974 informatori “Bleta” sillte bisedën me Vilsonin rreth përkthimit të Lamartinit, një diskutim për jetën i ndarë në dy faza, nga rinia te pleqëria me kthimin në fund te besimi për Zotin. Këtë kohë Vilsoni punonte në minierën e Përrenjasit. Diskutimi ishte filozofik dhe jo politik, por raportimi analizohej se Vilsoni ka “përbërje shumë të keqe politike”. “Bleta” në Përrenjas shkonte sërish më 12.10.1974 në dhomën e Vilsonit gjoja për të mësuar frëngjisht. Atje gjeti një person tjetër, Genc Lekën, të cilin Vilsoni ia prezantoi si shokë dhe të afërm. Vilsoni diskutoi me Gencin për letërsinë dhe artin. “Bleta” vërente se “Genc Leka ishte njeri me kulturë dhe e njihte mirë letërsinë, gjithashtu ai vuri re se të dy kishin shumë libra, nga të cilët dhe të autorëve të papërkthyer në shqip si Dideroi, Shatobriani, Lamartini etj.. Vilsoni i kishte thënë se atij i pëlqenin shumë idealistët në teori, për mënyrën se si ata i kundërvihen materialistëve.


Më 15.2.1975 është marrë vendimi për vënien e tij në përpunim paraprak (PP). Më 19.4.1975 informatori “Shkumbini” raportonte se i kish rënë në sy se “Vilson Blloshmi, lexonte shumë literaturë të huaj në gjuhën frënge”, ndërsa Genc Leka i thoshte se Vilsoni frëngjishten e kishte gjuhën e vet. Në vijim jepen dy informacione të përgjithshme që nuk janë rënduese ndaj Vilsonit.

Më 11.8.1975 Vilson Blloshmi, i cilësuar “shtresë e pasur kulak”, u ngrit në kontroll operativ 2B. Jepeshin si arsye bisedat me bashkëpunëtorët “Studenti” dhe “Bleta” “për arsye se ka komentuar me bashkëpunëtorin pakënaqësi të theksuar ndaj partisë dhe qeverisë, nuk është dakord që arti ynë të përshkruhet nga një partishmëri e thellë”. Por siç i bënte Sigurimit punët, niveli i informacionit ishte jo cilësor. Madje vëllai i Vilsonit, Bedriu, shkruhet në listën e lidhjeve familjare si “kushëri” i tij.

Më 5.11.1975 operativi Vesel Gjorga shkruan disa detyra në drejtim të përpunimit të Vilson Blloshmit, ku peshën më të madhe e mbajnë “Studenti” dhe “Shkumbini”. Vija e sjelljes ndaj tyre është ajo provokuese. Do pyetej se ishte me shkollë të mesme dhe nuk i jepnin të drejtën e dhënies mësim. Edhe shakatë që bënte Vilsoni e që mbështeteshin në ngjarje të njohura, operativët i shkruajnë me nëntekste armiqësore e të qëllimta.


Për të ndezur pak situatën, organizohet djegia e muzeut të Bërzheshtës. Për këtë qëllim, informatori “Dardha”, me porosi të Vesel Gjorgës provokon Vilsonin, të cilin e takon më 20.3.1976 në Qukës. Vilsoni i thotë se djegien mund ta ketë bërë Sigurimi për të marrë njerëz në qafë, por ishte i sigurt se asnjë prej tyre (të deklasuarve) nuk e kish bërë këtë gjë. Madje ishte shkruar edhe një letër për gjoja kryengritje, etj..  Më 17.4.1976 operativi Xhevat Karriqi kërkon të ngrihet Vilsoni në përpunim aktiv 2A “si armik klase dhe të ecet drejt goditjes së tij”. Pas kontrollit që i është bërë në shtëpi, ai kërkon të gjendet lista e librave të ndaluar. Kërkon kontrollin edhe të gruas së Vilsonit dhe të kihej kujdes se mund të arratiseshin të dy.

Më 10.5.1976 vendoset ngritja në përpunim aktiv 2A e Vilson Blloshmit. Si arsye jepen origjina si kulak, zhvillimi i agjitacionit e propagandës kundër pushtetit (në dosje janë opinione, por jo të atilla që plotësonin elementin penal), si dhe kallëzimi i datës 9.5.1976 (në fakt, në dosje është kallëzimi i datës 15.5.1976) i qytetarit Ferit Çota se Vilsoni mund të arratisej. Feriti kishte qenë shok ushtrie me Vilsonin. Nga shqyrtimi i dokumentacionit nuk rezulton me personalitet të qëndrueshëm.

Kallëzimi i Çotës (në të cilin ishte futur edhe një element që mund të lidhej me “terrorin”, marrja e dy minave) i bëhet i njohur sekretarit të parë të PPSH-së në rreth, Sotir Koçollarit si dhe Drejtorisë së Parë të Sigurimit të Shtetit në MPB.

DPB Librazhd miraton edhe planin e masave agjenturiale operative për parandalimin e arratisjeve të Vilsonit, Genc Lekës, etj. Më 14.5.1976 Ferit Çota instruktohet si ta provokojë Vilsonin, përfshi edhe një incizim të fshehtë në vendin e caktuar, që u realizua po atë ditë. Ndaj Vilsonit vendoset survejimi. Një vijësjelljeje tjetër për denoncuesin harton edhe operativi Xhevat Karriqi. Çota e realizon incizimin, por në të nuk ka asgjë thelbësore, nuk arrin ta fusë në kurth Vilsonin. Duket që edhe kallëzimi i tij ishte i rremë. Ai e provokon vazhdimisht Vilsonin se do të arratisej. “S’jemi takuar hiç ne të dy”-i thotë Vilsoni.

Kur ishte zhvilluar goxha bisedë, Vilsoni e fton të bisedojnë jashtë godinës, por Çota refuzon. “Për çfarë më ndjek mua prapa ti”- i thotë Vilsoni që duket e ka kuptuar lojën e tij. Në këtë mënyrë dështoi gjithë plani i përgatitur nga DPB Librazhd për të futur në kurth Vilson Blloshmin. Dështimi i gjithë shtetit dukej qartë edhe në shënimin e fundit sepse “objekti” (Vilsoni) nuk kishte besim te denoncuesi. Për këtë arsye, Ferit Çota më 15.5.1976 nënshkruan para hetuesit Lulo Ymeri dhe operativit Spiro Lera një kallëzim (të rremë) penal ndaj Vilson Blloshmit, duke kaluar kështu drejt veprimeve legale hetimore-gjyqësore.

Sipas kallëzimit, më 9 maj, kur ishin duke gjuajtur peshk, Vilsoni gjoja i kish thënë se do arratisej në Jugosllavi. Por as këtu Vilsoni nuk kapet në kurth. Ai shkon në DPB Librazhd dhe kallëzon Ferit Çotën për kallëzim të rremë. Zgjuarsia e Vilsonit arrin në një pikë vërtet të pabesueshme. Ai akuzon Feritin se i kishte para borxh si dhe ndërton kundërakuzën e tij bazuar në provokimet e tij (Feritit), duke nxjerrë se ishte provokuesi ai që i kish thënë të arratiseshin.

Dështimi i F.Çotës, detyron operativ V.Gjorgën të dërgojë informatorin “Dardha”. Gjorga shkruan se Blloshmi ndiqej për tentativë arratisje dhe si kulak. Operativi tjetër Xhevat Karriqi, porosit “Studentin” të provokojë Vilsonin se kush e kish djegur muzeun e fshatit. Karriqi çon “Nogolin” dhe ndryshe nga Vesel Gjorga shkruan se Vilsoni ndiqej për agjitacion e propagandë, e jo për tentativë arratisje. Të dy operativët, ngatërrohen me njëri-tjetrin. Nuk ishin kurrkund me planin e tyre.

Më 20.6.1976, DPB Librazhd miraton një plan masash kundër Vilsonit, të hartuar operativi Xh.Karriqi dhe miratuar nga zëvendëskryetari Spiro Lera. Plani synonte aktivizimin më të madh të bashkëpunëtorëve “Dardha” e “Studenti”, si dhe identifikimin e përkthimeve e librave të ndaluar që mbante Vilsoni. Akuza qartësohej për agjitacion e propagandë. Shënimi i fundit për Vilsonin është në lidhje me shkrimet dhe librat që i kishin marrë.

Pasi të gjithë dështojnë, Vilsoni arrestohet më 5.8.1976.

Dita e fundit e dy poetëve të dënuarve me vdekje – 17 korrik 1977

 Policët më ushqyen me forcë pasi kisha ditë që nuk e prekja ushqimin. Më pas e mora vesh pse-në. Menjëherë më zuri një gjumë i thellë e, i rëndë. Të nesërmen, siç bëja çdo ditë në mëngjes, të parën gjë, hodha si gjithmonë sytë nga birucat e tyre; ashtu i rënduar siç isha, patjetër nga droga në ushqimin e djeshëm. Me dëshpërim vura re se polici, që i ruante vazhdimisht, mungonte. Këpucët që i linin jashtë, mungonin. Dita e 35 e mundit dhe vuajtjeve, në pritje të zbatimit të vendimit, kishte marrë fund ashtu si jeta e tyre. Zhurma e zinxhirëve, prej 35 ditësh, që tringëllonte nëpër korridorin e errët nuk dëgjohej më, as kollitja e tyre tek dera e banjës, saherë hynin e dilnin. I kishin marrë përgjithmonë, tinëz meje. M’u nxi zemra dhe më ra të fikët. Tani, për ne, mbetej ta varrosnim dhimbjen në zemër, përgjithnjë….

Nga Bedri Blloshmi

Të dielën e 17 korrikut familja erdhi për takim por unë s’doja të dilja. E çfarë t’u thoja? 35 ditët pas vendimit i kisha kaluar në një dëshpërim që s’thuhet. S`më ndihmonte asnjë shpresë. Thonë se njeriut i dhimbset mbi të gjitha koka e vet, por kjo, në atë rast, për mua s’vlente. Kisha një dhimbshuri kaq të madhe për Vilin, pasi qysh në vegjëli e kisha pasur idhull. Dhe marazi më i madh, po e përsëris, ishte që do t`i pritej në mes pasioni për të shkruar e për të lexuar, të cilit i sakrifikonte edhe gjumin. Nga ana tjetër, sapo kishte krijuar familje, madje një muaj pas arrestimit ishte bërë me vajzë. Çfarë t`i dëshiroja po të shpëtonte, veç burgut 25 vjeçar që më priste mua, nën shkopinjt e gomës e duke shtyrë vagona në galeri? Isha tërësisht i asgjësuar nga kjo mynxyrë që na kishte rënë kaq papritur. Dhe çudi, ndjeja mall për jetën e mjeruar që posa kishim lënë pas. Për ato biseda mes tij e xhaxhait, për fjalën e tyre të pjekur, së cilës i bashkohesha duke iu gëzuar që ishim bashkë në mbrëmje. Ah, si mundën e ma morën këtë vëlla? Si ia punuan Gencit të gjorë atje në zyrë? Me çfarë e droguan apo mashtruan, të pabesët? A me të dyja bashkë? Përplasja kokën ndër duar, dhe vetëm shokët e hallit të përbashkët që kisha pranë, me fjalë të ngrohta, më jepnin një arsye për t`i rezistuar vuajtjes së madhe.

Gjyqi ishte me dyer të mbylluara. Familjarëve tanë u ishte mohuar prania. Dera për ta ishte e mbyllur. Në sallë ishin të pranishëm vetëm sigurimsat dhe antarë partie. Të gjithë me ftesa në dorë. Mendoja se, edhe takimi do të ishte një poshtërim tjetër për mua, me ata që do vëzhgonin dhe mund të ndërhynin, prandaj refuzova të dilja në takim. Por, shokët e dhomës me detyruan që t’i takoja; diçka t’iu shpjegoja ose të paktën t’i shikoja edhe një herë. Në dhomë ishin tre burra, të cilët kishin qenë edhe më përpara brenda me babain dhe xhaxhain tim, e tani po riburgoseshin si të ridënuar. Më thonin që familja ka nevojë për kurajo, prandaj dil takoi, mos i lër në dëshpërim. Kështu dola, në dhomën e ndriçuar dobët dhe u pamë, por me hekurat që na ndanin. Pashë fytyrën e mamasë dhe të motrës, dhe mbrapa tyre ishte kryetari i degës Merdar Hasa, shefi i hetuesisë Selim Caka, hetuesit Lulo Ymeri dhe Nevruz Hamiti si dhe disa civilë-rrozga të tjerë. Nga ana ime, prapa krahëve, kisha nja tre a katër policë. Mamaja dhe motra vetëm qanin. Në hapësirën mes hekurave, më merrnin duart, m’i fërkonin, m’i afronin në faqe e, i puthnin. Më në fund, mamaja e mbytur në lot, foli: “Ç’është kjo hata që na gjeti o bir? Erdhëm në gjyq dhe na përzunë. Mbas ca ditësh dëgjuam në fshat, se ishit dënuar të tre me vdekje, pushkatim. U kërkova këtyre të takoj përpara Vilsonin, që t’i jepja sihariqin që është bërë me vajzë”. Më pushtonte kokën mbas vetes por ç`e do, fytyra ime haste në hekura e jo në gjoksin e mamasë time. Aty ja ktheva: “Mos u mërzisni dhe ti mos shpreso se do ta takosh Vilsonin, sepse ai është mbas kurrizit tim, i lidhur kokë e këmbë, dhe këta, sa të ikni ju, shumë shpejt do ta shuajnë”. Gjatë takimit, isha më shumë i egërsuar se sa i dhembshur, prej prezencës së atyre mbrapa, duke vazhduar pa mëshirë: “Dhe ti mjaft lotove para këtyre, se këta atë duan, të të shohin duke qarë e të kënaqen se ja arritën qëllimit. Ikni shikoni hallet tuaja, mbani veten e qëndroni të fortë, tani do të jetoni me fatin tonë!”. Mamaja psherëtiu mes lotëve dhe më tha: “Mos fol ashtu Bedri. Ai s’ka bërë asgjë të keqe, vetëm libra e libra lexonte, ah, mos kanë faj ato librat e shkretë? Se asgjë të keqe s`ka bërë…”  I thashë për të fundit herë: “Mama, mbase prandaj është këtu ku është, se s’ka bërë asgjë”. Në çast kryetari i degës ndërpreu takimin, dhe unë iu ktheva kurrizin menjëherë…

Në mbrëmje, në dhomën ku isha unë, kur po dilnim për në banjo, erdhi Selim Caka (shefi i hetuesisë). Të gjithë lëvizën vendit, kurse unë vazhdova të rrija ulur siç isha, pa luajtur asnjë gisht. Ai m’u drejtua: “Ti kulak, çke që s’ngrihesh në këmbë?” Unë vazhdoja të qëndroja ulur. Ai ulëriti dhe, unë, përsëri ashtu ulur, i kthehem: “Në këmbë çohem kur të kem frikë … ose respekt. Për ty, as njërën as tjetrin nuk e kam.”

“Mirë, – më tha, – erdhi përgjigja nga Gjykata e Lartë, ti e ke dënimin aq sa ta dhamë ne, 25 vjet njëher për njëherë. Në atë moment, e vetmja gjë që nuk më interesonte ishte vetja ime, ndaj e pyeta për vendimin e Gencit dhe Vilsonit.

“Jo, – më tha, – për ata, asnjë ndryshim.” Më pas, mori një të dënuar dhe ia çoi Gencit në birucë. Mesa kuptova ia çuan për t`i treguar bisedën time me shefin e hetuesisë. U dëgjua një zhurmë dhe, disa çaste më vonë, dëgjova policin që i tha në telefon dikujt: “Thërrisni urgjentisht mjekun”, si duket Gencit i kish’ rënë të fikët nga lënia në fuqi e vendimit me vdekje. Ndërkohë në dhomë, policët më ushqyen me forcë pasi kisha ditë që nuk e prekja ushqimin. Më pas e mora vesh pse-në. Menjëherë më zuri një gjumë i thellë e, i rëndë. Të nesërmen, siç bëja çdo ditë në mëngjes, të parën gjë, hodha si gjithmonë sytë nga birucat e tyre; ashtu i rënduar siç isha, patjetër nga droga në ushqimin e djeshëm. Me dëshpërim vura re se polici, që i ruante vazhdimisht, mungonte. Këpucët që i linin jashtë, mungonin. Dita e 35 e mundit dhe vuajtjeve, në pritje të zbatimit të vendimit, kishte marrë fund ashtu si jeta e tyre. Zhurma e zinxhirëve, prej 35 ditësh, që tringëllonte nëpër korridorin e errët nuk dëgjohej më, as kollitja e tyre tek dera e banjës, saherë hynin e dilnin. I kishin marrë përgjithmonë, tinëz meje. M’u nxi zemra dhe më ra të fikët. Tani, për ne, mbetej ta varrosnim dhimbjen në zemër, përgjithnjë./Kujto.al

 Skeda e përndjekjes së Vilson Blloshmit

-15.2.1975 në përpunim paraprak PP

-11.8.1975 në kontroll operativ 2B
-10.5.1976 në përpunim aktiv 2A

-5.8.1976 arrestohet

-17.7.1977 ekzekutohet

Skeda e jetës së Vilson Blloshmit

18.3.1948 u lind në Bërzeshtë

1962-1966 nxënës në Shkollën Pedagogjike “Luigj Gurakuqi” Elbasan

1966-1968 punëtor në ndërmarrjen e drurit në Stravaj

1968-1970 ushtar në Tale të Lezhës

1970-1973 në kooperativë bujqësore

1973-1975 minator në minierën e Përrenjasit

1975-1976 në kooperativë bujqësore

10 Komente

  1. I
    Ilirjan Velaj

    Duhet patjeter te njohim e te vleresojme dhe te denojme cdo gje nga e kaluara 50 vjecare ,vetem se keto shkrime per figura ndricuese si Vilson Bloshmi,Kane nje fillim shkrimi ene vazhdim njelloj si ato paratheniet ne cdo liber shkolle para 90 "nen udheheqjen e mesimeve te pa sh en.,..e vazhdon. Eshte nje impression imi dhe me depreson

    1. c
      ca po thua

      O Ilirjan, ca thua? Si more ".. te denojme cdo gje nga e kaluara 50 vjecare", po ajo eshte periudha me e lavdishme e historise shqiptare ne cdo aspekt, deri me sot. E pse? Sepse na del nje koqe kanari ketu dhe na quan poet nje mesues me shkolle te mesme? Qe na lexonte ne frengjisht e prandaj eshte "figure ndricuese". A i therret mendjes or njeri, keto shkrime jane propagande qesharake dhe bajate, qe i hyn ne tru vetem debilave. Personat ne fjale jane denuar per te tjera arsye (te provuara) e jo per vargje kalamajsh!

      1. s
        shqip

        Shko mor kar e thyej qafen me te kaluaren "e ndritur 50 vjecare", qe vriste e persekutonte kot njerez te pafajshem. Ngjarjen e ketyre djemve e kam ditur qe ne ate kohe qe u denuan, pasi kam degjuar njerin nga funksionaret e DPB te Librazhdit, qe e kishim farefis, te shprehej per pafajesine e tyre ne nje bisede me babain tim, ne shtepine tone qe u be nje dite pasi Gjykata e Larte la ne fuqi vendimet e Gjykates se Librazhdit. Ata u vrane per te terhequr vemendjen e opinjonit publik vendas nga problemet e medha politike e ekonomike qe po kalonte vendi yne. U vrane qe ti mbyllnin gojen njerezve te thjeshte per te mos ngritur krye per vuajtjet e tyre, te shkaktuara nga nje bande idjotesh qe udhehiqnin vendin me teorira komuniste me ne krye idjotizmin e "mbeshtetjes ne forcat tona". Hajvanet me dy kembe si puna jote, jane mostra qe kane spijunuar dhe shpifur per keta djem me kulture, pasi i kishit inat per inteligjencen e tyre, qe i bente nder popullit tone. Ne ndryshim me ta, juve jeni jashteqitja e kombit shqiptar. Keni qene, jeni dhe do vdisni si zvarranike.

        1. c
          ca po thua

          GOMAR! Ata jane denuar ne 1977, ne kohen e lulezimit me te madh te shtetit komunist, kur nuk kishte asnje problem ekonomik apo politik ne vend dhe zhvillimi ishte ne kulm te vet! (me Kinen u prishem ne 1978 dhe kriza ekonimike filloi pas 1985-s). Mashtrues ordines, idiot i lindur.

    2. k
      kot per informacion

      Per ceshtjen Blloshmi, asnjehere ne keto shkrime nuk tregohet AKTAKUZA dhe ARSYET e denimit. Thuhen fjale anesore, derdelliset jo po agjitacion, jo po "poet", jo po antikomuniste, jo po i provokuan, jo po i fabrikuan fakte e ndodhi e idiotizma te tilla. Por per cfare saktesisht u akuzuan, askush nuk e thote te verteten. Prandaj askush nuk kupton dot asgje. Dosja dhe gjyqi jane aty, dikush duhet ti publikoje te plota dhe te sakta. Aktakuza permban : 1. Vjedhje dhe shperdorim me permasa te medha i pasurise publike (1 milion leke te atehershem, nga pasuria e kooperatives). 2. Veprimtari agjenturore dhe lidhje me UDB jugosllave 3. Veprimtari sabotuese dhe shkaterrim i veprave publike (tentative per shkaterrim me dinamit te nje ure ne rrugen nacionale) 4. Agjitacion dhe propagande kunder pushtetit Keto jane akuzat per te cilat denimi shkonte deri ne "denim me vdekje". Sa per dijeni denimi maksimal per vepren "agjitacion e propagande" shkonte deri ne 5 vjet. Kuptuat? Pra keta persona (bashke me kete Blloshmin qe "boton libra") nuk jane denuar per agjitacion e propagande, as sepse "kane shkruar vjersha" e na ishin "poete", as sepse "lexonin ne frengjisht", sepse e shumta do ishin denuar deri ne 5 vjet. Jane akuzat e tjera te cilat gjykata i ka pranuar dhe personat jane denuar 2 me vdekje dhe ky Blloshmi me 25 vjet burg!

      1. B
        Balo

        Ky koment është serioz dhe shumë afër të vërtetës! Sido që të jetë duhet lexuar dosja, sepse aty mund të ketë edhe shumë gjëra të tjera..ama ...ka qenë në praktikën e Partisë goditja herë pas here e elementit të persekutuar që përfshinte edhe dënime me vdekje ,si në rastin e djalit të Teme Sejkos apo të Protoduarëve në Poshnje. Kjo bëhej për t'i mbajtur njerzit nën panik dhe për t'u justifikuar për "thellim të luftës së klasave"! Por është po ashtu e vërtetë se këtyre "elementëve" ,maksimumi që mund t'u vërtetohej nga provokatorët me emra të shpifur ishte Agjitacion e Propaganda kundër Shtetit,që ndonëse ishte e besueshme për opinionin se ata kishin njerëz të pushkatuar nga ai regjim,përsëri nuk i çonte dot në plumb... Prandaj Sigurimi shpikte sabotimin,terrorizmin,vjedhjen etj.. si Sokol Sejko që do " digjte Kombinatin " me shkrepse apo Luftar Protoduari që "do e hidhte në erë" me duar...!! Një milion lekë abuzime në kooperativë, në cilën në atë të sat ëme apo të time ëme !????? Si i binin në dorë aq lek një kulaku më 1974 o kabëll !!?? "Do hidhnin në erë urën"!!??? Mirë atëhere ,po sot e kupton dot seç po thua!??Dy bujq do hidhnin në erë një urë!??? Bashkëpunim me UDB???? Po të ishin vërtetë agjentë të shërbimit jugosllav do ishin drejtorë ndërmarrjesh në atë kohë o shqiptar! Këto ishin akuza idiote të Sigurimit, dhe të sponsorizuara nga njëra nga figurat më të zeza të Komunizmit,çobani pederast Sotir Koçollari,që për të bërë karrierë (u bë deri President në Bashkimet Profesionale fëlliqësira) ,bëri namin në Librazhd në ato vite! Edhe të ndjerin Sherif Merdani ky qelbësirë e burgosi ....! Kurse ti mos na bëj sikur linde sot,dhe na e nxjerr pa faj Sotirkën,Sigurimin dhe Gjykatën ,se helbete një njeri që donte të hedhë në erë urën unë edhe sot do e dënoja me vdekje!Por ja që nuk është ashtu... Gjithmonë kujtoj sentencën lapidare të Mehmet Shehut,kur pushkatoheshin pa asnjë ligj 22 vetë ,për " bombën" e ambasadës Sovjetike: " Përse,ligjet tona do na pengojnë ne!??"

        1. s
          shqip

          Balo-komenti yt eshte brilant. Faleminderit. Une nuk i kam njohur keta djem, por kam degjuar per ta ne kohen qe u ekzekutuan. Sic e kam shkruar edhe me siper, nje farefisi yne (HR) ka qene funksionar i larte ne DPB te Librazhdit dhe i ka thene time eti se ata po denohen pa asnje prove te vertetuar prej gjykates. Por-shtoi ai,-ky eshte vendim nga lart. Pra, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka u denuan pa gjygj, pasi gjygji ndaj tyre ishte thjesht formal, sepse vendimi ishte paracaktuar qe kur ata u arrestuan.

          1. k
            kot per informacion

            Balo, nuk te pelqen e verteta? Na plasi trapi ...

        2. A
          Amant Dregjoni Boston

          E gjithe odiseja e poeteve te librazhdit eshte nje farse e ngritur me kujdes nga sigurimi i shtetit te asaj kohe per te mbuluar krimin shteterore, siç eshte asgjesimi i tyre me humbje jete. Vilson Blloshmit nga qe ishte djale inteligjent dhe foles e njohes i pese gjuheve te asaj kohe, ne nje arestim te fshehte tek ura e librazhdit me batanie ne koke dhe çuarjen urgjent ne tirane i propozuan detyren e agjentit te sigurimit ne mesin e te aratisurve te Brukselit. Shkurt per te zevendesuar Cufe Mullain e Anton Konomin. Ishte vete ministri i brendshem i asaj kohe Kadri Hazbiu qe i a propozoi dhe e siguroi per familjen e gjitheçkah me pas deri ne kthimin e tij. Vilsoni ishte studjuar me kujdes nga sigurimi dhe e gjithe loja u be qe ta perlyenin si armik per te krijuar legjenden. Por ai nuk pranoi. E refuzoi duke treguar karakter per tre dite me rradhe. Pas kesaj i u pre edhe ''kostumi'. Ne biseden me ministrin ishte shpalosur edhe plani i ''arratisjes'' dhe deri tek vajtja ne Bruksel duke i thene se atje do te gjente edhe njerez te tjere te sigurimit ne grupet e te aratisurve. Thuhet qe Kadriu ishte i sigurte ne thyerjen e vilsonit dhe siç duket llapi pak me shume duke i ofruar garanci dhe njohje me te tjeret atje. Poeti nga Berzeshta ishte i vendosur dhe nuk pranoi kurrsesi.. E kthyen ne Librazhd dhe u porositen qe te mbledhnin fakte e prova krimi me qellim qe ta pushkatonin. Pjesa tjeter eshte garniture qe nga poezia ''Sahara'' e deri tek ''sabotazhi i rende ekonomik'' duke e akuzuar se ishte derdhur ne perua nje gjysem thesi me miser kur ai na kishte qene kafshar ne kooperative.... E dhimbeshme. Ndersa Genci, kushuriri i tij ishte dhe mbeti viktime e te atit, Bardho Lekes, nje ish zurtar ne zyrat e shtetit te asaj kohe qe u aratis ne maqedoni, struge. Vinte vazhdimisht naten edhe ne shtepine e tij dhe flinte edhe me gruan. Por ku ikte linte ne kofi nga nje cope leter ku shkruante. Edhe kete rradhe nuk me kapet. U a hodha... Mirepo Genci u vu ne shenjestren e sigurimit sapo u kthye nga ushtria. Nuk e pranuan me mesue's fshati ku kishte qene me pare dhe e bene pjese e planit me vilsonin. I lane te punonin bashke ne kooperative me qellim qe ky do te deshmonte per te zezat e kushuririt nga sigurimi i shtetit kur ai do tê ''arratisej''. Por plani ndryshoi... I bene bashke per ti groposur. Pastaj gjyqi qe ishte dhe mbeti nje farse fund e krye antiligjore me vendimin qe nuk argumentonte dot asgje. Keta dy djem duhej qe te vleresoheshin per qendresen e forcen e karakterit dhe ju per legjendat e poezive krejt te pabotuara dhe qe ne fakt jane dhe mbeten veçse nje vjersherim fshati. As Genci dhe as vilsoni nuk shkelqenin ne ate fushe aq sa te trondisnin sistemin. Sot behet politike per shume interesa ku perzihen partite, miq, te aferm e shoke te tyre duke fshehur thelbesoren. Le te jete Vilsoni nje shembull i qendreses dhe perballjes e sfidimit qe i beri sistemit te asaj kohe. Kjo eshte e verteta. Ne fund te viteve nentedhjete kam degjuar te inçizuar nje interviste te nje gazetari me nje nga drejtuesit politike te policise se Librazhdit i cili kishte drejtuar edhe togen e pushkatimit tek Perroi i Ferrit. Ishte nje rrefim i sinqerte prej afro dy oresh dhe dukej se i intervistuari po ''lante shpirtin'' nga ai gjynah i madh. Me pas ai e kyçi gojen. Drejtuesit dhe falangat e sigurimit i bene presion siç dukej dhe sot ndjehet i frikesuar, aq sa kur i a kujton se çafare ka thene mbyll gojen dhe iken si lepur pa te dhene me pergjigje. Ky njeri ende jeton por tashme ka bere pakt me djallin...Mbase edhe gazetari qe ka ende kaseten... Une deshmoj se e kam degjuar disa here ate rrefim se bashku me intervistuesin... Me respekt

          1. p
            per tru bunkeret

            Ja shiko si komentijne ish sigurimsat , jashteqitja e kombit e jo vetem , keshtu eshte kur i ke duart e lyera me gjak shqipetaresh , mbase nuk keni shume faj mbasi ju trashigoni nje tru shperlarje te pa imagjinuar ....njeriu i ri i sakatuar ne çdo pikpamje ,.... dhurate nga kjofte largu gjakatare Enver Halja .... Heu bre ajo periulle eshte periulla mbase ma e turpeshme e historise se kombit tone , harruat plehra komuniste kur shqipetari burgosej per nje fjale goje , nejse ju deshtuat ju tru pjerdhurit , e rate ne hale te bunkereve bashke me kjofte largun , si perfundim ju tru shperlaret na hani M...tin qysh mbas fitimit te lirise se vertete ne 1990 Mallkim per tru shperlaret qe me sa shihet jane e keqja ma e madhe e Shqiperise ne 100 vjetet e fundit .....shkoni ne Rusi Kube Kore ose ne Kine plehre komunisto islamike ......

            Lini një Përgjigje