Vargje vdekjeprurëse: Si u ekzekutuan poetët Vilson Blloshmi dhe Genc Leka

15 Korrik 2022, 10:06Dossier TEMA

Vargje vdekjeprurëse: Si u ekzekutuan poetët Vilson Blloshmi dhe Genc

Vilson Blloshmi dhe Genc Leka u ekzekutuan më 17 korrik 1977 mbi bazën e pretendimeve se poezitë e tyre përbënin një kërcënim për regjimin komunist të Shqipërisë, edhe pse ato nuk ishin botuar.

Nga Fjori Sinoruka

Homazhet me lule bëhen çdo korrik pranë dy kokave të mëdha prej bronzi që ndodhen krah për krah në një pellg me ujë të kristaltë në një platformë betoni në qytetin qendror shqiptar të Librazhdit.

Lulet përkujtojnë Genc Lekën dhe Vilson Blloshmin, të cilët u ekzekutuan nga regjimi i diktatorit komunist Enver Hoxha më shumë se katër dekada më parë për shkak të poezive që ata shkruanin, megjithëse ato nuk ishin botuar kur ata u nxorën në gjyq.

Pas një gjyqi që zgjati vetëm shtatë ditë, Leka, atëherë 36 vjeç, dhe Blloshmi, 29 vjeç, u dënuan me vdekje dhe më pas u ekzekutuan natën e 17 korrikut 1977.

Të lindur në të njëjtin fshat – Berzheshtë, në zonën e Librazhdit – dy poetët jetuan një jetë të shkurtër dhe të vështirë nën regjimin e Hoxhës, i cili e mbajti vendin të izoluar nga bota demokratike për më shumë se katër dekada.

Ky izolim pasqyrohej në një nga poezitë e Blloshmit, “Saharaja”, e cila e solli atë para gjykatës.

“Saharaja shkëmb rërë e gurë, që shok ka vetëm emrin e saja,” thuhet në poezi.

“Agjitacion dhe propagandë”

Në vitin 1966, Blloshmi mbaroi studimet në Shkollën Pedagogjike në qytetin e Elbasanit, por përpjekjet e tij për të gjetur një punë mësues nuk patën sukses.

Familja e tij ishte etiketuar “kulakë”, një fjalë që e kishte origjinën në Bashkimin Sovjetik nën sundimin e Stalinit dhe përdorej për të përshkruar pronarët e tokës bujqësore në shkallë të vogël që konsideroheshin armiq të komunizmit.

Genc Leka gjithashtu studioi në Shkollën Pedagogjike në Elbasan. Leka punoi disa vite si mësues, por pasi kreu shërbimin e detyrueshëm ushtarak, nuk u lejua të kthehej në mësimdhënie dhe përkundrazi u dërgua të punonte në bujqësi.

Kjo përfundoi kur ai u arrestua në gusht 1976. Të dy u akuzuan për “sabotim të ekonomisë” dhe “agjitacion dhe propagandë” kundër regjimit komunist.

Shërbimi i Sigurimit të Shtetit, i frikshmi Sigurimi, kreu një hetim dhe zbuloi se poezitë që të dy po shkruanin – të cilat u botuan vetëm pas vdekjes së tyre – ishin shumë të trishtueshme dhe për këtë arsye nuk përfaqësonin “realitetin”.

Ndër ato që janë bërë vargjet më të njohura të Lekës janë vargjet: “Nëse më i vdekur jam nga çdo i gjallë, Mirë, pra, mí gjallë jam se çdo i vdekur”.

Kërkesat për revokimin e dënimeve me vdekje të dy burrave u injoruan nga autoritetet dhe ata u ekzekutuan.

“Një gjyq qesharak”

Autoritetet komuniste e shikonin artin dhe kulturën si të lidhura fort me ideologjinë politike dhe çdo vepër ekzaminohej nga afër. Pasojat e shkeljes së rregullave ideologjike ishin burgimi, internimi në kampet e punës, persekutimi dhe në disa raste edhe vdekja.

Kujto.al, një organizatë që mbledh materiale për krimet e kryera në kohën e komunizmit në Shqipëri, tha se dy poetët janë “akuzuar nga Sigurimi i Shtetit, me prova të fabrikuara, si pjesë e të ashtuquajturit grup sabotatorësh në bujqësi”.

Akuzat bazoheshin në fletoret e dy poetëve, sepse vepra e tyre ishte e pabotuar. Për vëllain e Vilson Blloshmit, Bedriun, çështja ishte një farsë: “Ai ishte një gjyq qesharak”.

Asnjërit prej tyre nuk iu dha mundësia të mbrohej gjatë procedurës, shpjegoi ai. “Unë dhe vëllai im nuk i kemi pranuar fare akuzat. Ishin përralla fare”, tha Bedri Blloshmi.

Ai i ka kushtuar një pjesë të madhe të jetës së tij që prej rënies së regjimit komunist në vitin 1991 edhjes dritë mbi rastin e vëllait të tij.

I shënuar nga regjimi si i padëshiruar përkrah vëllait dhe pjesës tjetër të familjes, ai u arrestua dhe kaloi shumë vite burg.

Ai tha se edhe pas rënies së regjimit komunist askush nuk është shprehur i penduar për atë që ka ndodhur. “Ata as që mendojnë të kërkojnë ndjesë”, tha ai.

“Këtu në Shqipëri është bërë një gabim – që nga viti 1991, asnjë nga këta persona nuk është nxjerrë para drejtësisë”, shtoi ai.

“Të helmuar nga injoranca”

Vitin e kaluar, Bedri Blloshmi botoi një libër që përfshin dokumente të përdorura nga autoritetet shqiptare në gjyqin e vëllait të tij, me titullin “Dosja e formularëve, Kategoria 2, nr. 840” – emri i dosjes që Sigurimi mbante për poetin.

Dokumentet zbulojnë se vëllai i tij ishte spiunuar nga njerëz që raportonin çdo lëvizje të tij tek autoritetet. Informatorët u udhëzuan të fillonin biseda politike me të për të mësuar pikëpamjet e tij për sistemin komunist dhe më pas të raportonin.

Historiani Kastriot Dervishi, njohës i periudhës komuniste, tha se në bazë të dosjeve që ka parë, Vilson Blloshmi fillimisht ka arritur t’i rezistojë dhe ta mposht regjimin.

“Sigurimi i Shtetit përpiqej gjithmonë të sigurohej se personi që ata po ndiqnin ose po përpiqeshin të rekrutonin nuk i dinte teknikat e tyre”, shkruan Dervishi në librin e Bedri Blloshmit.

“Por Vilsoni mund ta kishte mësuar këtë nga persekutimi dhe burgimi i xhaxhait dhe babait të tij. Duke dëgjuar përvojën e të moshuarve, ai ia doli të mos binte në asnjë kurth të ngritur për të, derisa regjimit iu desh të sajonte akuza për ta arrestuar dhe dënuar me vdekje.”

Gjithashtu në dosjen e Vilson Blloshmit kishte analiza të poezive dhe shënimeve të tij nga njerëz që Sigurimi i cilësonte si “kritikë”.

Një shembull, i shkruar nga dikush i quajtur Myzafer Xhaxhiu, theksonte “pikëpamjen pesimiste të Blloshmit për jetën” dhe tha se veprat e tij “flasin qartë për një prirje nihiliste, pesimiste”.

“Ato flasin për mërzi, për vdekje, mohojnë jetën dhe kuptimin e punës së dobishme”, shkroi Xhaxhiu.

Një tjetër “ekspert” i quajtur Koci Petriti, doli në përfundimin se poema “Saharaja” është “e errët në përmbajtje dhe figuracion”.

“Poezia ka edhe shumë vargje të pakuptimta, të errëta dhe kontradiktore që shprehin konfuzionin, pakënaqësinë me realitetin tonë dhe frikën për të mos dhënë një mendim drejtpërdrejt”, shkruan Petriti.

Historiani Dervishi tha se këta “ekspertë” kanë bashkëpunuar me zyrtarët e Sigurimit për të vërtetuar se poezitë e Vilson Blloshmit kërkonin ndjekje penale.

“Të gjithë ata, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, të verbuar e të helmuar nga injoranca dhe dritëshkurtësia e tyre, gatuan një krim kundër një intelektuali, ndaj një poeti dhe shkrimtari në kulmin e tij”, shkruan Dervishi.

 “Ajo që ndodhi ishte groteske”

Pas përfundimit të periudhës komuniste, dy poetët u rehabilituan dhe në vitin 1994 presidenti shqiptar i nderoi si Dëshmorë të Demokracisë dhe disa vite më vonë si Mësues të Popullit. Në vitin 2010, të dyve iu dha titulli Nderi i Kombit, një dekoratë shtetërore e nivelit të lartë.

Profesori i Universitetit të Tiranës, Bardhyl Musaj, ishte shok i Blloshmit dhe Lekës në rininë e tyre dhe tha se ishte tronditur kur ata u ekzekutuan.

“Ata të dy kishin një jetë interesante dhe të dhimbshme. Të dy ishin njerëz që kishin botën e tyre dhe nuk kishin kryer asnjë krim”, shtoi ai.

Musaj argumentoi se më shumë se 30 vjet pas rënies së komunizmit në Shqipëri, Blloshmi dhe Leka ende nuk janë përkujtuar siç duhet nga shteti ose rëndësia e punës së tyre duhet të njihet siç duhet nga shoqëria.

“Ajo që ndodhi ishte groteske”, tha ai. “Shoqëria duhet të rivendosë dinjitetin e tyre.”

Musaj së fundmi ka nisur një studim akademik të poezive të Blloshmit dhe Lekës, që synon të përjetësojë kujtesën e tyre.

“Ne synojmë që vepra e tyre të jetojë përgjithmonë, për hir të fjalës së lirë dhe shpirtit të tyre poetik”, tha ai.

 

 

 

 

 

 

 

8 Komente

  1. M
    Mokrari

    Keta padyshim nuk kane pasur faj, por kane ruajtur traditen e kushurinjve te tyre te cilet ne luften e dyte boterore vllezrit Blloshmi nga Berzeshta njihen ne zone si antare te ballit kombetar te cilet ne bashkepunim me balliste te tjere ka kryer masakra te temershme ne fshatrat e zonens se mokres, ne masakra perfshiheshin plackitjet, vrasje e njerezve te pafajshem dhe djegje e shtepive, keto masakra kane ndodhur per te vetemen aresye se antare te familjeve te masakruara moren pjese ne luften nacionalclirimtare krah cetave partizane te krahines se mokeres te komanduara nga komandati legjendar RESHIT ÇOLLAKU. Ju si gazetare duhet te ivestigoni ne zone per te mesuar me shume per historin pastaj te nxirrni lajme te tilla

    1. q
      qe te kuptosh

      As Blloshi e as Leka nuk ishin "poete". Ceshtja e tyre nuk ka lidhje fare me "krijimtari letrare" sic perpiqen sot te thone. Ceshtja Blloshmi sic e shikoni edhe ne kete "shkrimin" e mesiperm apo edhe ne "librin" qe ka shkruar ky Blloshmi tjeter, nuk tregohet dhe nuk thuhen AKTAKUZA dhe ARSYET e denimit. Thuhen fjale anesore, derdelliset jo po agjitacion, jo po "poet", jo po antikomuniste, jo po i fabrikuan ca akuza e idiotizma te tilla. Prandaj askush nuk kupton dot asgje. Dosja dhe gjyqi jane aty, dikush duhet ti publikoje te plota dhe te sakta. Ky Blloshmi qe eshte gjalle, eshte ai qe i ka denoncuar te gjitha, i ka pranuar dhe i ka vertetuar ne gjykate te gjitha akuazat qe i jane bere. Aktakuza permban : 1. Vjedhje dhe shperdorim me permasa te medha i pasurise publike (1 milion leke te atehershem, nga pasuria e kooperatives). 2. Veprimtari agjenturore dhe lidhje me UDB jugosllave 3. Veprimtari sabotuese dhe shkaterrim i veprave publike (tentative per shkaterrim me dinamit te nje ure ne rrugen nacionale) 4. Agjitacion dhe propagande kunder pushtetit Keto jane akuzat per te cilat denimi shkonte deri ne "denim me vdekje". Sa per dijeni denimi maksimal per vepren "agjitacion e propagande" shkonte deri ne 5 vjet. Kuptuat? Pra keta persona (bashke me kete Blloshmin qe "boton libra") nuk jane denuar per agjitacion e propagande, as sepse "kane shkruar vjersha", sepse e shumta do ishin denuar deri ne 5 vjet. Jane akuzat e tjera te cilat gjykata i ka pranuar dhe personat jane denuar 2 me vdekje dhe ky Blloshmi me 25 vjet burg!

    2. F
      Firmat e themeluesve të PD-së 1991

      Po ngele në shpresa të të tjerrëve, bëji gropën vedit.

      1. Çelesi

        Jeni injorante krejt. Mjaftonit te informoheshit para se te shkruanit emrat e Myzafer Xhaxhiut apo Koçi Petritit. Kete te fundit Partia Demokrarike e beri dekan te fakultetit Histori-Filologji ne Tirane ne vitin 1993. Kurse Myzafer Xhaxhiu ka qene profesor legjendar ne ate fakultet. Autor i teksteve mbi.letersine antike. Persona dhe profesioniste serioze, jo si ca palolektore te sotem qe falin provimet. Edhe Ismail Kadarene apo nje kritik tjeter poezie te kishin pyetur asokohe te njejtin perfundim kishin per te nxjerre pasi duhet te gjykonin permes kritereve te realizmit socialist. Kete gje duhet ta dinin shume mire dy poetet. Ai regjim ishte mizor e shtazarak po pergojimi i eksperteve nuk duhej bere ne kete artikull. Te gjithe ne ate kohe, qe ne hartimet e klases se trete fillore e kishin te qarte sa mund ta shtrinin jorganin.

        1. q
          qe te kuptosh

          Ata nuk ishin "poete" dhe nuk jane denuar per te ashtuquajturat vargje! Personat ne fjale jane denuar per arsye madhore, jo per agjitacion e propagande, qe ne fund te fundit mund ti denonin deri ne 5 vjet e shumta dhe vetem kaq! Nuk kemi te bejme me "poete" ...

        2. T
          Taci Naci Baci

          Zoti Dervishi, fjala Sigurimi është fjalë e pergjithshme... Dhe Sigurimi i frikshem i merrte udhezimet dhe urdhrat nga Partia... Por ju asnjehere nuk keni hetuar rolin e Nanes Parti... Nuk ju vjen per shtat apo aq dini, ec e merre vesh... Me dashje pa dashje, jubuloni autoret e vertete te krimeve te Shtetit-Parti...

          1. o
            opa opa

            Nuk ka c'te mbuloje, sepse nuk ka "krime", ka vetem propagande per gjoja krime ...

          2. F
            Fjala ime

            Jeni bere qesharak si gjithe ata qe duan te ndryshojne historine. Ato qe trillohen per keta te dy jane te paverteta dhe genjeshtra si njeri qe hipte maje fikut e permirrte e thote se jam i perndjekur poplitik. Keta vinin parrulla te shkruara ne mapot e Librazhdin neper xhame qe shanin Enver Hoxhen dhe kerkonin te benin dhe ndonje reprezalje prej injorantesh se kujtoni se s'do i kapnin dot. Patjeter qe instruktoheshin nga dikush tjeter qe i frynte zjarrit dhe vete u fsheh pas ketyre , ndersa sot ka marre thesin me parà si i perndjekur por ne fakt bashkepuntor me nazi-fashizmin. Ashtu si genjeni ashtu do denoncoheni deri ne fund, ta kene te qarte gjithe shpura fashiste. Dhe e qeshura therese eshte se femijet e tyre sot flasin hapur ne emer te lirise se i vrane per ashtu e per keshtu, kur nuk dine fare se nga pjerdh gomari. Ky eshte frymezimi qe kane marre per te pasur armik shqiptari shqiptarin dhe kete , si çdo krim, e tha hapet Sali Sheqere Kerme Berisha. Kundershtaret politik i ka armiq. Pika u rente.

            Lini një Përgjigje