Vizita e ministrit të jashtëm gjermano-lindor, Fischer, në Tiranë në 1989: Karl Marksi adhuronte Skënderbeun

11 Korrik 2022, 12:14Dossier TEMA

Vizita e ministrit të jashtëm gjermano-lindor, Fischer, në

Fundvitet 1980 karakterizohen nga shumë zhvillime të rëndësishme politike. Nevojën e hapjes me jashtë të Shqipërisë, pas një izolimi të gjatë, e shikonin si të domosdoshme jo vetëm shqiptarët, por po ashtu edhe vendet e tjera europiane, qofshin ato Perëndimore apo Lindore.

Në këtë kuadër, një vend të rëndësishëm në këto marrëdhënie zinin të dyja Gjermanitë, si ajo Perëndimore dhe Lindore.

Republika Federale Gjermane ishte ajo që hodhi hapi e parë në këtë drejtim, çka filloi në vitin 1984 me vizitën e parë të kryeministrit të Landit të Bavarisë, Franz Joseph Strauss, dhe përfundoi në vitin 1987, kur RFGJ hapi ambasadën e saj në Tiranë. Ndërkohë, Strauss e vizitoi Shqipërinë edhe dy herë të tjera, në maj 1986 dhe në nëntor 1987.

Të dyja Gjermanitë filluan tentativat që ta nxirrnin Shqipërinë nga izolimi i saj. Gjermania Perëndimore pati më shumë sukses në këtë drejtim. Tirana pranoi dhurata prej Bonit në shumën 6 milionë dollarë në vitin 1987 dhe 10 milionë dollarë në vitin 1988. Po ashtu, firma gjermanoperëndimore filluan të ndihmojnë në përmirësimin e pajisjeve teknologjike në uzinat shqiptare.  

Për të mos ngelur pas, ministri i jashtëm i Republikës Demokratike Gjermane,  Oscar Fischer, vizitoi Shqipërinë më 19 -21 qershor 1989.

Më poshtë po japim një raport të nënshkruar nga ministri i Brendshëm Simon Stefani, drejtuar Ramiz Alisë nga fondi i Komitetit Qendrot të PPSH, për vizitën e Fischer-it në Shqipëri:

Raporti

Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë                                    

Sekret

Ministria e Punëve të Brendshme                                                     

Ekzemplat nr. 1

Nr. 351                                                                                                            

Tiranë, më 6.XI.1989

Lidhur me vizitën e ministrit të jashtëm gjermanolindor Fisher në vendin tonë, Luis Zanga, ekspert për problem të Evropës Lindore, vendit tonë, Kosovës dhe Jugosllavisë, me punë në qendrën e zbulimit amerikan në RFGJ, komenton:

Vizita e Oskar Fisher në Shqipëri ishte e para vizitë e një politikani të rëndësishëm prej bllokut lindor qysh nga koha e shkëputjes së Shqipërisë prej Moskës në vitin 1961. Në miqësinë e ripërtërirë midis Gjermanisë Lindore dhe Shqipërisë përfshihen edhe disa aspekte të rëndësishme. Edhe pse të dyja vendet përfaqësojnë vende të ndjekjes së një linje të ashpër brenda lëvizjes komuniste ndërkombëtare, përsëri, nga pikëpamja e politikës së jashtme të tyre, ato qëndrojnë larg njëra-tjetrës milje të tëra. RDGJ është anëtar besnike e Traktatit të Varshavës, ndërsa Shqipëria krenohet për pavarësinë e saj dhe që nuk ka marrëdhënie me dy superfuqitë.

Në këto vitet e fundit, Tirana ka bërë përpjekje për ngushtimin e izolimit të saj të vetimponuar për të përmirësuar marrëdhëniet me sa më shumë vende të jete e mundur, si në Lindje e Perëndim.

Fakti i përmirësimit të marrëdhënieve midis Gjermanisë Perëndimore dhe Shqipërisë mund të ketë nxitur edhe Gjermaninë Lindore për të kërkuar përmirësimin e marrëdhënieve me Tiranën. RDGJ është i pari vend i Traktatit të Varshavës që 20 muaj më parë kërkoi ngritjen e marrëdhënieve më nivel ambasadorësh. Një gjest të tillë më vonë e përsëritën edhe vende të tjera të Bllokut Lindor.

Vizita e Fisherit në Tiranë lidhet ndoshta edhe me motive ekonomike. RDGJ e furnizon Shqipërinë me pajisje të ndryshme industriale dhe merr prej saj krom dhe prodhime bujqësore.

Një arsye tjetër që ato kërkojnë marrëdhënie më të ngushta lidhet me faktin se të dyja po i rezistojnë liberalizimit politik dhe reformave ekonomike. Kritikat e Tiranës kanë qenë të hapta ndaj reformave që po prekin vendet e Bllokut Lindor dhe autoritetet e RDGJ nuk e kanë fshehur mosaprovimin e tyre ndaj këtyre reformave. Nuk ishte e rastit, që ndërsa Fisher ishte në Tiranë, shtypi gjermanolindor botoi kritikën e bërë nga Tirana kundër rivarrosjes së Imre Nagit në Budapest.

Vizita e parë e Fisherit në Tiranë ishte e suksesshme. Ai u takua me politikanë të rëndësishëm përfshi edhe udhëheqësin e Partisë e të Shtetit Ramis Alinë. Midis dy vendeve u firmosën marrëveshje të rëndësishme dhe u theksua se vizita e Fisherit do të ndihmonte përmirësimin e marrëdhënieve në të ardhmen.

Në takim e Fisherin, ministri i jashtëm shqiptar Reis Malile brenda praktikës standarde të udhëheqësve shqiptarë për të kritikuar superfuqitë, ai kritikoi ashpër Moskën dhe kjo mund të këtë kënaqur edhe Fisherin, i cili u shpreh: “Asnjë, bile edhe superfuqitë, nuk mund të zëvendësojnë rolin që luan Komuniteti Ndërkombëtar dhe se të gjitha shtetet kanë të drejtën për të patur vendin dhe për të thënë fjalën e tyre”.

Ai u shpreh gjithashtu se “ne vlerësojmë me nderim të thellë luftën heroike të popullit shqiptar për liri, demokraci dhe pavarësi kundër shtypjes shoqërore dhe kombëtare. Ne jemi krenarë që K. Marksi tregoi interes për historinë, gjuhën dhe traditat e popullit shqiptar. Marksi pëlqente veçanërisht heroin shqiptar Skënderbeu”.

Fisheri vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin ballkanik dhe kontributin e Shqipërisë në këtë drejtim. Ajo që mund të merret gjest pajtimi ka të bëjë me vendosjen nga ana e Fisherit të një kurore me lule në varrin e udhëheqësit shqiptar Enver Hoxha.

Në takim me Kryeministrin Adil Çarçani u theksua gjetja e rrugëve të reja për zgjerimin e bashkëpunimit midis dy palëve. Shtypi gjermanolindor e konsideroi vizitën e Fisherit në Shqipëri si një “pikë kulminante” dhe sidomos takimin e tij me Ramiz Alinë, që zgjati më shumë se një orë. Në takim me Ramiz Alinë, Fisher theksoi se RDGJ “shikon me respekt sukseset e popullit shqiptar të arrira në kushte të vështira”, aluzion ky ndaj presionit ekonomik bërë Shqipërisë nga ana e Bashkimit Sovjetik dhe Kinës, kur Shqipëria preu marrëdhëniet me këto dy vende. Ai theksoi gjithashtu se “marrëveshjet e firmosura e bëjnë atë optimist he se të dyja vendet janë të vendosura për të hyrë në një fazë të re bashkëpunimi”.

Për dy vjet rresht, të dyja Gjermanitë filluan tentativat që ta nxirrnin Shqipërinë nga izolimi i saj. Gjermania Perëndimore pati më shumë sukses në këtë drejtim. Tirana pranoi dhurata prej Bonit në shumën 6 milionë dollarë në vitin 1987 dhe 10 milionë dollarë në vitin 1988. Firmat gjermanoperëndimore po punojnë për zëvendësimin e disa makinerive të vjetra. Kohët e fundit në Gjermaninë Perëndimore shkoi për vizitë edhe një delegacion parlamentar shqiptar dhe janë bërë edhe vizita të tjera. Bashkëpunimi gjermanoperëndimor po rritet në shumë fusha. Si Gjermania Lindore dhe Shqipëria, thekson më tej autori, “janë të dyja vende socialiste dhe bashkëpunimi midis tyre u forcua nga vizita që bëri Fisher në Shqipëri. për të ardhmen, RFGJ do të jetë një nga miqtë e rinj të gjetur më të rëndësishëm të Tiranës në arenën ndërkombëtare”.

Ministri i Punëve të Brendshme

(Voxnews.al)

1 Komente

  1. F
    Firmat e themeluesve të PD-së 1991

    Emigrantët shqiptar në Gjermani janë në të njëjtat kushte me afrikant sepse Presidenti yn nuk është me origjinë Gjermane si kristiani Rumanis.

    Lini një Përgjigje