“Dolën me parulla ‘Enver-Hitler!’ ‘Hekuran-Sllobodan!”, Ramiz Alia në panik për revoltën në Kavajë: Borgjezia do të na përdorë e të na hedhë

12 Korrik 2022, 13:39Dossier TEMA

“Dolën me parulla ‘Enver-Hitler!’

Ramiz Alia, ish-Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës, menjëherë pas ngjarjes së 2 korrikut 1990, futjes së qindra qytetarëve shqiptarë në ambasadat e huaja në Tiranë, duket se ka përjetuar një dilemë të madhe.

Një dilemë që i rrinte si Shpata e Damokleut në kokë dhe që i kërkonte të vendoste përpara dy alternativave: ose të lejonte reformat demokratike, që kishin përfshirë të gjitha shtetet e Lindjes Komuniste, ose të shtrëngonte rripin dhe të ruante sistemin socialist. Duket, duke bërë llogari të holla në kokën e tij, Alia kupton, apo drejt këtij vendimi i anonte natyrshëm barra e mendjes, dhe vendos që të këmbëngulte në ruajtjen e sistemit socialist.


Një vendim që të paktën sipas fjalëve të Ramiz Alisë në këtë mbledhje të Byrosë Politike, përmbajtja e së cilës do të jetë e plotë më poshtë, tregon një panik të madh për fatin e tij personal. Duket Alia bën mirë llogaritë se çfarë do të ndodhte me të personalisht në rast të ndryshimit të sistemit komunist. Ai merr në analizë atë se çfarë ka ndodhur me krerë të tjerë komunistë në shtete të ndryshme, që tentuan apo realizuan ndryshimin e madh të sistemeve politike. Dhe në mendje i del, se borgjezia, pasi i ka përdorur ata krerë komunistë për të arritur ndryshimin, i ka flakur tej si limonë të shtrydhur. Pra, duke bërë vetëm hesapet e kokës së vet, duke mos menduar në asnjë rast për fatet e pjesës që quhet popull, këtë logjikë Alia ua injekton edhe anëtarëve të Byrosë Politike.

Madje me shembuj të ilustruar, si me historinë e Dubçekut në Çekosllovaki, që sipas Alisë tashmë e kanë lënë në hije, me historinë e Presidentit bullgar Mlladenov, që e kanë rrëzuar nga pushteti apo edhe me fatin e drejtuesve të shtetit jugosllav. Pra, Alia, përmes këtyre shembujve u përcjell byroistëve panikun që duket e ka përfshirë, duke u sqaruar atyre se në rast se do të lëshonin dhe ndryshonin sistemin politik në Shqipëri, do të përfundonin shumë keq. Kjo logjikë shërbente për të forcuar besimin në mbajtjen me të gjitha forcat të sistemit socialist, një sistem ku ata riskonin më pak të humbin pozitat në krye të shtetit bashkë me privilegjet respektive.

Në të njëjtën mbledhje të Byrosë Politike merren në analizë ngjarjet e Kavajës, mosfunksionimi i shtetit në këtë qytet për shkak të revoltës popullore dhe mbase për herë të parë bëhet publik fakti se aty, pothuaj fshehurazi ishin dërguar forca ushtarake. Forca që në një situatë emergjente mund të shtypnin me gjak revoltën. Një veprim krejt i ngjashëm me ndërhyrjen e dhunshme të sovjetikëve në Hungari (1956) dhe në Çekosllovaki (1968).


DOKUMENTI

Sekret

Procesverbal

“Dolën me parulla ‘Enver-Hitler!’

Mbajtur në mbledhjen e Byrosë Politike të KQ të Partisë më 14 korrik 1990 Byroja Politike, në mbledhjen e datës 14 korrik 1990 mori në shqyrtim këtë çështje:

1. “Analizë për ngjarjet e 2 korrikut dhe të Kavajës e disa konkluzioneve për punën e Partisë”. Në mbledhje marrin pjesë anëtarët e kandidatët e Byrosë Politike të KQ të Partisë, shokët: Ramiz Alia, Adil Çarçani, Besnik Bekteshi, Hekuran Isai, Lenka Çuko, Muho Asllani, Pali Miska, Simon Stefani, Xhelil Gjoni, Hajredin Çeliku, Pirro Kondi, Qirjako Mihali, Kiço Mustaqi, Llambi Gegprifti, Niko Gjyzari, Xhemal Dymylja. Mbledhjen e Byrosë Politike e drejton shoku Ramiz Alia, Sekretar i Parë i Komitetit Qendror të Partisë. Zhvillimi i mbledhjes. Shoku Ramiz Alia: Në këtë mbledhje, shokë, mendoj të shkëmbejmë mendime lidhur me ngjarjet e kohëve të fundit e sidomos të datës 2 korrik, kur u futën në ambasadat e huaja rreth 4700 veta.

Ngjarja e 2 korrikut i zuri në befasi organizmat tona dhe pas saj u krijua një situatë e rëndë. Në një pushim ndërmjet seancave të Plenumit të 11-të të Komitetit Qendror, Presidiumi i Kuvendit Popullor nxori dekretin për pajisjen me pasaporta për jashtë të të gjithë atyre që u futën nëpër ambasada. Para dy ditësh, siç e dini, u bë evakuimi i plotë i tyre. Mbrëmë janë larguar ata që u strehuan në Ambasadën Hungareze dhe sot ikin të fundit, ata që gjenden në Ambasadën Turke. E rëndësishme është se rreth 4400 veta prej tyre ishin të zënë me punë, pra, jo siç shpifin disa që thonë se kanë ikur të papunët. Veç fëmijëve, 20 për qind janë gra, ky është një veprim tepër i ulët.

Nga pikëpamja e nivelit arsimor me shkollë të lartë ishin relativisht pak, rreth 70-80 veta, por edhe këta janë tipa pa karakter. Në këto ngjarje, padyshim, pasqyrohet puna e dobët e organeve të punëve të brendshme, veçanërisht e Sigurimit të Shtetit, të cilët u zunë në befasi, si dhe puna e dobët e Komitetit të Partisë së Rrethit të Tiranës. Është e çuditshme që në organet tona emrat e atyre që ishin futur në ambasada nuk i dinin, kështu që u detyruan t’i merrnin nga kërkesat për pasaportat! Jam i bindur se edhe sot e kësaj dite qendrat e punës nuk dinë se kush u është futur në ambasada. Kur këtu në Tiranë administratat e ndërmarrjeve nuk njohin mirë punëtorët e tyre dhe nuk dinë kë paguajnë, merreni me mend se ç’mund të bëhet me ndërmarrjet që kanë punëtorë sezonalë si sharrat e Pukës, në Vermosh, në Bushtricë apo gjetkë?!

Organizata e Partisë e Tiranës nuk e tregoi veten në nivelin e duhur, nuk tregoi militantizëm, nuk ishte në rolin udhëheqës, ndërsa komunistët e Tiranës u tulatën. Duhej të organizonim dje mitingun që të ngrihej morali i tyre, se në përgjithësi morali i njerëzve, por edhe i komunistëve, kishte rënë shumë. Natyrisht, pas ngjarjeve të 2 korrikut u bënë disa përpjekje, u ngritën disa njësi a detashmente, siç u quajtën, për të forcuar vigjilencën. Mirëpo duhet pasur parasysh se në Tiranë militojnë 25 mijë komunistë, por forca e tyre nuk u ndie fare, përkundrazi, dominonin parullat e armikut, të reaksionit, të kolonës së pestë, që janë nga më ekstravagantet.

Në ngjarjen e 2 korrikut ka pasur ndikim edhe veprimtaria armiqësore e huliganëve të rretheve të tjera. U bënë tentativa për të hyrë në ambasada, ose për të bërë ndonjë rrëmujë nga grupe huliganësh, që erdhën nga Shkodra apo nga Durrësi. Forcat e Policisë janë detyruar t’i largojnë. Ngjarje të shëmtuara kanë ndodhur edhe në Kavajë, ku gjendja, mund të themi edhe sot e kësaj dite është e rëndë. Veç faktit që atje ka një fermentim armiqësor, ndodhi edhe një ngjarje shumë e hidhur: u vra një njeri kur forcat e policisë e të Sigurimit vajtën me “teorinë e krehjes”. Kanë dalë në skenë edhe teoria tani! Dhe “krehën” bukur! Vrasja e këtij njeriu shkaktoi një turbullim në tërë qytetin. U lëshuan njerëzit e thyen tërë xhamat e vitrinave të qytetit.

Jo vetëm kaq, por të nesërmen në varrim morën pjesë mijëra vetë. Kjo mori njerëzish, e irrituar, me t’u kthyer nga varrimi dogjën makinën e sekretarit të parë të Komitetit të Partisë të rajonit të Kavajës. Kavaja faktikisht ishte në duart e tyre. Dhamë urdhër që të mos ndërhynte policia se me ato nerva të tendosura e atë rritim nga ta dyja palët çdo gjë mund të ndodhte. Komunistët e Kavajës nuk u ndien fare. Parullat që u hodhën ishin nga më reaksionaret, më armiqësoret kundër Partisë e pushtetit si “Enver-Hitler”, “Muho-Sllobodan”, “Hekuran-Sllobodan”! Natyrisht, ne dërguam forca ushtarake në Kavajë, të gatshme për çdo eventualitet, por urdhëruam të qëndronin brenda në kazermë, dhe ato në fakt nuk bënë asnjë veprim. Megjithatë situata në Kavajë vazhdon të mos jetë e mirë. Elementët e këqij tani dalin në rrugë e gjuajnë me gurë dhe para vetes vënë gratë e fëmijët për t’u mbrojtur.

Te vendi ku ndodhi vrasja vendosin lule çdo ditë. Ngjarja e fundit e Kavajës nuk është e re. Gjatë 3-4 muajve të fundit janë përsëritur ngjarje të tilla. Shoku Muho është paralajmëruar të ketë kujdes. Të paktën 2-3 herë e kam thirrur unë. Pavarësisht nga kjo, duke qenë se ngjarjet ishin të rënda, ai duhet t’u kishte kushtuar më tepër vëmendje. Mirëpo shoku Muho vazhdon të punojë me metodën e stilin e vjetër, nuk përdor dialogun e debatin, por vazhdon të japë urdhra e komanda. Në Kavajë është krijuar një situatë e papëlqyeshme. Ta themi hapur, kavajasit nuk e shohin dot me sy Muho Asllanin. Deri tani komiteti i Partisë i rrethit nuk ka marrë asnjë masë për të qetësuar situatën në Kavajë. Sot unë kam dërguar në Kavajë shokun Foto (Foto Çami, red.), jo për të bërë mbledhje me njerëzit, por për të parë nga afër gjendjen e për të ndihmuar. Agron Tafa për mendimin tim duhet hequr si sekretar i parë i Komitetit të Partisë të rajonit të Kavajës.

Ne gabuam, ta themi hapur, që nga kryetar degë e vumë sekretar partie, por morëm parasysh ndërhyrjet e konsideratat e mira për të, të shokut Muho e të shokut Hekuran. Shokë të mirë e të aftë ka plot, por duhet t’i dojë populli, por populli nuk e donte Agron Tufën. Ai mund të punonte shumë mirë në një vend tjetër, por nuk ishte për sekretar partie në Kavajë. Para se të futem në disa gjëra konkrete dua të theksoj, megjithëse fola dhe në Plenumin e 11-të të Komitetit Qendror, se sot zhvillohet një luftë e rreptë për jetë a vdekje midis pushtetit popullor e socializmit, nga njëra anë dhe reaksionit botëror nga ana tjetër, i cili kërkon shkatërrimin e pushtetit popullor, zhdukjen e socializmit, eliminimin e komunistëve. Kjo duhet kuptuar mirë nga të gjithë ne. Ne luftojmë për të forcuar e për të shtuar fitoret e revolucionit.

Rruga për t’i arritur këto që përmenda e për të forcuar pozitat e lirisë e të pavarësisë së Atdheut tonë është ajo rrugë që kemi përcaktuar nëpër plenumet e ndryshme të Komitetit Qendror, domethënë rruga nëpërmjet demokratizimit të mëtejshëm të jetës së vendit e të Partisë, nëpërmjet forcimit të lidhjeve të Partisë me masat, nxitjes së iniciativës dhe rritjes së rolit të tyre, shkatërrimit të çdo pengese burokratike që pengon iniciativën e masave dhe frenon zhvillimin e vendit. Këto ne i kemi sintetizuar në reformën ekonomike, në ligjet e ndryshme, në forcimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve shoqërore, në fushën e politikës së jashtme, etj. Askush nuk duhet të mendojë se këto janë veprime taktike për t’ia hedhur ndokujt, por duhet të kuptojmë që janë masa, korrigjime, plotësime, rregullime e krijime për të forcuar pozitat e socializmit, të pushtetit të popullit.

Pa këto masa nuk mund të zhvillohej ekonomia, nuk mund të forcohet liria dhe pavarësia, nuk mund të shkojë përpara socializmi. Kjo është pozita dhe vija jonë. Kundër kësaj vije e kundër këtyre pozitave lufton armiku, veçanërisht armiku i jashtëm. Armiku lufton me parulla të njëjta me tonat: “për demokraci”, “për liri të individit”, “për pluralizëm politik” etj. Por nëse synimi ynë është të forcojmë pushtetin e popullit, synimi i armiqve është të likuidojnë socializmin, të zhdukin komunistët. Parullat e tyre “të demokratizojmë jetën”, “të pluralizojmë veprimtarinë politike”, “të zhvillojmë tregun, pronën private, kapitalet e huaja”, “të zhvillojmë fenë”, kanë për qëllim të zhdukin pushtetin popullor dhe socializmin.

Këtë të mos e harrojmë. Pse e them këtë? Sepse ka shumë njerëz te ne që kanë rënë e po bien viktimë e propagandës së armiqve. Jo rastësisht dëgjohen fjalët: “Pse nuk marrim kredi?” Po cili vend i ka hapur kasafortat dhe vetëm të zgjatësh dorën dhe të marrësh para? Këta njerëz, e të tjerë, nuk e kuptojnë që qëllimi i reaksionit është më larg – krijimi i shoqërive private në Shqipëri. Po dhe për këtë pyesin: “Pse nuk krijohet kapitali privat në Shqipëri?” T’i hapet rruga kapitalit privat do të thotë të zhduket pavarësia dhe socializmi në Shqipëri! “Pse nuk eksportojmë fuqi punëtore?” është një parullë tjetër. Po cili shtet ka kërkuar fuqi punëtore? Askush.

Atëherë pse e ngrenë këtë çështje? Qëllimi është i qartë: të diskreditojnë socializmin, të largojnë njerëzit nga rruga e drejtë, t’i vënë kundër pushtetit. Këta njerëz nuk e kuptojnë se parullat për demokracinë, për lirinë e individit ose për pluralizmin” kanë synim të zhdukin Partinë, të zhdukin komunistët. A nuk mjaftojë disa shembuj shokë, që t’i kemi parasysh? A ka komunistë që i kanë bërë shërbime më të mëdha imperializmit se komunistët jugosllavë? Nuk ka. Po çfarë po ndodh aty? Edhe ata imperializmi po i heq nga pushteti, po i zhduk. Çfarë bën imperializmi në Slloveni apo në Kroaci?

Ç’po kërkon të bëjë ai në Serbi? Ai nuk do të dëgjojë më fjalën komunist, nuk do të dëgjojë më fjalën socializëm, por do një pushtet të borgjezisë. A nuk “meritonte” në linjën e tyre një monument Dubçeku, i cili ishte paraprirës i këtij reformizmi të madh dhe që sovjetikët e rrëzuan nga posti me tanke? Si u soll me të borgjezia? E ka vënë në një qoshe dhe nuk ndihet fare. Borgjezisë nuk i duhen ata që kanë emrin komunistë, pale të jesh komunist me fytyrë njeriu, siç e quante veten Dubçeku. Asaj aktualisht i duhet Haveli, Shvarcenbergu, reaksionarët e klasit të parë. A nuk e shikoni ç’po ndodh në Rumani dhe në Bullgari? Iu desh Mlladenovit (Presidenti i parë postsocialist bullgar, red.) të kalonte fazën e parë dhe tani nuk i duhet më borgjezisë. Lexojmë nëpër axhanset fjalën “reformistë”.

Borgjezia nuk i ka për zemër as reformistët dhe as konservatorët. Ato janë fjalë boshe me qëllim që të përçajnë e të shkatërrojnë çdo gjë përparimtare. Ajo nuk do askënd që është kompromentuar me socializmin. Borgjezia për të realizuar qëllimet e veta po peshkon vagabondë e huliganë. Për qëllimet e veta dhe një prostitutë e bën heroinë, por pas pak ditësh e flak etj. Këto janë manovrat e njohura të borgjezisë. A nuk i shpjegon Partia jonë këto fenomene që po ngjasin në Lindje? Për konsekuencë a nuk duhet ne të mbledhim të tëra forcat?

2 Komente

  1. F
    Firmat e themeluesve të PD-së 1991

    Të gjitha premtimet që pedofili francez dhe Gjermania nazi i bënë udhëheqësve të byros politike nuk u mbajtën.

    1. h
      heu bre

      O gazeKar, c'jane keto idiotizma qe kerkon te shpjegosh o psikopat! Se nga ato qe shkruhen ketu, te tjera gjera kuptojme o gazeKar!

      Lini një Përgjigje