
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko deklaroi se institucioni që ai përfaqëson nuk ka në plan të ndërhyjë për të ndaluar forcimin e mëtejshëm të lekut në tregun e këmbimit valutor ndërsa mbështeti qëndrimin e qeverisë, e cila thotë se ky forcim, nuk është rrjedhojë e parave të pista, por e suksesit ekonomik të vendit në turizëm dhe sektorë të tjerë.
Në konferencën për shtyp në të cilën njoftoi vendimin për të mos ndryshuar normat e interesit, Sejko gjithsesi pranoi se institucioni i tij ka blerë 120 milionë euro në këtë vit si pjesë e “operacioneve të zakonshme” dhe ka në plan të vijojë të blejë me objektiv final 160-220 milionë euro deri në fund të vitit.
Leku shqiptar shënoi rekordin e vet absolut historik të mërkurën në kuotën 104.55 lekë për euro, sipas të dhënave të kursit mesatar fiks të Bankës së Shqipërisë. Një vit më parë, euro kushtonte 119 lekë ndërsa në janar të këtij viti, kushtonte rreth 116 lekë.
“…kemi rritje të të ardhurave nga hyrjet nga turizmi, që pothuajse janë dyfishuar, si dhe nga investimet e huaja direkte që kanë një rritje të konsiderueshme gjithashtu. Këtu përfshihen dhe blerjet e pasurive të patundshme nga jorezidentët dhe gjithashtu ne kemi rritje të remitancave,” deklaroi Sejko, duke shtuar se Banka e Shqipërisë “nuk sheh arsye për të ndërhyrë.”
Forcimi i lekut me ritme të tilla ka ngritur shqetësime mes kompanive eksportuese të vendit, të cilat vërejnë fitimet dhe të ardhurat e tyre nga eksportet duke u gërryer përkundrejt shpenzimeve që i kanë kryesisht në lekë dhe të vështira për t'u reduktuar. Duke pranuar ekzistencën e problemit, qeveria ka propozuar me ligj urgjent në parlament heqjen e detyrimit të kompanive eksportuese për të mos parapaguar këstet e zakonshme të tatimit mbi fitimin, të cilat vlerësohen në bazë të fitimit të vitit të kaluar. Sipas relacionit të qeverisë për projektligjin [link], kompanitë që realizojnë më shumë se 70% të të gjitha shitjeve në eksport, do të kenë të drejtë të mos parapaguajnë këstet e tatimit mbi fitimin, masë që synon të lehtësojë gjendjen e tyre të likuiditetit.
“Fuqizimi i monedhës vendase në ekonominë e një vendi ka një ndikim të lartë. Eksportet bëhen më të shtrenjta, pra kemi një rënie të kërkesës për eksporte, ndërkohë që importohet më lirë, pra rritet kërkesa për mallra të importuara. Për rrjedhojë, kemi më pak kërkesë për mallra të prodhuara në vend, gjë e cila ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në frenimin e rritjes ekonomike,” shkruan Ministria e Financave në relacionin shoqërues të projektligjit.
Ndryshe nga sa argumenton qeveria dhe Banka e Shqipërisë mbi origjinën e flukseve valutore që kanë sjellë forcimin e lekut, shumë ekspertë si dhe opozita, argumentojnë se paratë e pista janë një burim i dukshëm i këtij forcimi, me pasoja katastrofale afatshkurtra dhe afatgjata në ekonomi. Ndërsa leku forcohet, interesi i operatorëve ekonomikë për të prodhuar mallra dhe shërbime, si për eksport, ashtu edhe për konsum vendës bie, ndërsa importet bëhen gjithnjë e më të lira. Por ndërsa aktiviteti ekonomik normal goditet duke penalizuar shumicën dërrmuese të popullsisë, aktiviteti i furnizuar nga paratë e pista si ndërtimi dhe shit-blerja e pronave të patundshme, janë në interes të vetëm një grupi të vogël shqiptarësh.
Ekonomia shqiptare u rrit me 2.7% në tremujorin e parë të këtij viti, duke u ngadalësuar në krahasim me rritjen 4.8% të vitit të kaluar. Në mënyrë shumë domethënëse, si vitin e kaluar, ashtu edhe këtë vit, më shumë se gjysma e rritjes ekonomike u shkaktua nga sektorët “ndërtimi” dhe “sektori i pronave të paluajtshme,” sipas të dhënave të Institutit të Statistikave.
Leku shqiptar është forcuar vazhdimisht që nga viti 2016, kur një euro kushtonte 140 lekë. Përgjatë periudhës që leku është forcuar, vendi është përballur me disa goditje të forta, të cilat, logjikisht do të kishin pasur efekt nënçmues. Tërmeti i vitit 2019 shkaktoi mbi 1 miliardë euro dëme ndërsa pandemia e vitit 2020, bllokoi aktivitetin ekonomik normal për shumë dhe shumë muaj. Në vitin 2020, qeverisë shqiptare iu desh të shpenzonte gati gjysmë miliardi euro për të paguar importe shumë të shtrenjta të energjisë elektrike, shkaktuar kjo nga lufta në Ukrainë. Përkundër të gjitha këtyre faktorëve, leku ka vijuar të forcohet, duke gërryer aftësinë konkurruese të çdo produkti vendës, nga qumështi i lopës te veshjet dhe këpucët për eksport. Sipas të dhënave të INSTAT, gjatë tremujorit të parë të këtij viti, ndërsa Aktivitetet e Pasurive të Paluajtëshme u rritën në bazë vjetore me 11% dhe ndërtimi u rrit me 4.5%, bujqësia, ku zyrtarisht mbahen të zënë me punë mbi 40% e forcës së punës, u rrit me 0.04%.
Rrjepje e emigranteve ne rradhe te pare , se turistet e kane marre parasysh....futja shqiptarit se mban ...
Kjo eshte vjedhje mafioze e emigranteve shqiptare. Emigrantet do te fillojne te braktisin vendin e tyre dhe te shkojne me pushime ne vende te tjera sepse shteti ame permes ketyre manipulimeve mafioze kerkon ti vjedhe masivisht. Duke blere euro, kur euro eshte e ulet dhe duke i shitur kur eshte e larte banka ben fitime mashtruese. Ekonomia e Shqiperise nuk eshte e tille qe ti jape force lekut shqiptar. Keto jane akrobacira te ketyre legenave qe jane vjedhes mashtrues. Nuk ka shtet ne bote ku banka te beje keto mashtrime te tilla poshteruese ndajn qytetareve te vet, edhe pse ata jetojne jashte. Ketyre nuk ju mjaftojne 1 miliard euro qe sjellin emigrantet por duan t'iu vjedhin edh e200 milione duke i mashtruar me ulje te vleres se euros karshi lekut.
Ha,ha,ha,ha,ha. Paratë e pista të gjithë botës vijnë në shqiperi si vëndi më i korruptuar,mafjoz dhe i pakontrolluar. Shiten pallatet për të pastruar eurot dhe këmbimin e nuk e bën banka por trotuari jashtë bankës. Ky pupaci gënjen dhe mashtron për ti bërë qefin dhe servilosur qeverisë duke qenë se nuk eshte i zoti të merret me financa të vërteta.
Parate pastrohen ne Banka ne Shqiperi...ky eshte guvernatori me I dobet we ka pasur Shqiperia nga viti 1912...