Kriza energjetike, Verdho: Situata në Shqipëri e qëndrueshme! Objektivi i KESH, diversifikimi i burimeve alternative

7 Shtator 2022, 11:00Ekonomia TEMA

Kriza energjetike, Verdho: Situata në Shqipëri e qëndrueshme!

Administratori i KESH, Ergys Verdho i ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” ka deklaruar se kriza energjetike po thellohet dita-ditës por Shqipëria është në situatë të qëndrueshme.

Sipas Verdhos, kriza energjitike ka një vit që ka filluar dhe kjo gjë është reflektuar në bursë.  Verdho sugjeroi qytetarët që të kursejnë energjisë, pasi sipas tij “një poç i fikur sot është një pikë uji në kaskadë”.

Kriza ka një vit që ka filluar, është reflektuar në bursë rritje çmimesh galopante. Kësaj krize i shtohen dhe kushtet atmosferike. Duke ardhur në datën 24 shkurt me fillimin e luftës, gazi sot ka 20 % të kapaciteteve që jepej për Evropën. Kriza ka marrë kurbën e saj më të lartë. Dimri është parashikuar pa gas, shumë vende të Europës kanë sinjalizuar shkurtime, Gjermania thonë ujë në shkolla, në ambiente publike s’do ketë. Energjia është kryefjala, kapacitetet e KESH janë në disponibilitetin e tyre. Si kurrë ndonjëherë kjo kuotë në një vit të thatë nuk është shënuar asnjëherë. Shirat në gjysmën e dytë të shtatorit shpresojmë të nisin. Parashikimet janë optimale që 4-muajt e ardhshëm do ketë reshje. Kryefjala është kursimi i energjisë, duhet ta ruajmë, një poç i fikur sot është një pikë uji në kaskadë”, tha Verdho.

Sipas administratorit të KESH, projektet e Vlorës dhe Skavicës janë ‘shpëtimi’ për Shqipërinë pasi do të blihet më pak energji elektrike. Objektivi i KESH, theksoi Verdho, është diversifikimi i burimeve alternative.

“Me strategjinë afatshkurtër do blejmë më pak energji, projektet e Vlorës dhe Skavicës na shpëtojnë. Objektivi i KESH dhe synimi është diversifikimi i burimeve alternative, fotovoltaiket, era, shtesa e një kapaciteti gjenerues, TEC-I Vlorës. Projekti tjetër është sipërfaqja e liqenit të Vaut të Dejës me 12.9 megavat. TEC-i brenda vitit që vjen duhet të gjenerojë 100 megat e para dhe më pas upgrade i saj që shkon në 200 mega. Skavica, në 20 shtator kemi prezantimin e fizibilitetit të veprës. Janë trajtuar dy kuota, 422 që ka fizibilitetin më të lartë sa i përket menaxhimit të kaskadës. Do gjendet një e mesme e artë që projekti të vazhdojë në të ardhmen. Projektet janë të mëdha, janë ato të cilat diktojnë pozicionet gjeografike dhe pjesën e marrëdhënieve sociale. Këtu nuk shpronësohet për interes publik, do ketë vlerën e tregut, shpërngulja në kohën e duhur, raporti mes kuotës që prek më shumë dhe më pak njerëz. Sot kapacitetet e KESH janë diku në 24 giga në ditë, ne prodhojmë 12 giga në ditë dhe 12 të tjerat mbahen si rezervë kur të mos ketë shi. Anijet që prodhojnë energji do japim 114 mega në orë përgjysmojnë atë sasi që do duam ta marrim në import. Unë nuk dal më për të blerë 200 mega, por 100 mega. Ky është hapi parë i KESH për një zgjidhje afatshkurtër. Kjo na krijon një fashë që e kemi të sigurt. Do blihet, por në momente të caktuara. Pasi TEC i Vlorës të vihet në punë, Skavica të vihet në punë ne nuk do na duhet të blejmë energji. Do kushtojë 3 herë më pak për qytetarët”, tha Verdho.

Verdho sqaroi pikëpyetjet nëse Shqipëria ka kapacitete për të eksportuar energji. Verdho tha se në kushtet aktuale, nuk mund të abuzohet. Pasi të investohet në kapacitetet e reja rinovuese, Shqipëria do të jetë lider në treg.

Duke u nisur në pozicionin që jemi, nuk mund të abuzojmë. Por kur kurba ngrihet sipër dhe ato që do kemi plus do i shesim. Duhet të investojmë në kapacitetet e reja rinovuese që të jemi lider në treg. Përsa i përket opozitës që ne shesim lirë dhe blejmë shtrenjtë sepse nuk kemi hidrocentralet që ajo shiti. Bistrica 1 dhe Bistrica 2 për mua janë TEC. Po të kisha anijet e energjisë nuk do më duhej të blija apo kontraktoja energji në treg”, tha ai.

Sa i përket fashës 800 kWh, Verdho siguroi është e mjaftueshme për familjarët. Ai tha se edhe nëse vendosen në punë të gjitha elektroshtëpiaket, sërish nuk kalon 800 kWh.

“Është bërë një studim që sikur të marrim të gjithë elektroshtëpiaket dhe akoma ka vend për këtë 800 kWh. Ne kemi energji për ta përdorur, ne mbulojmë këtë fashë. Nëse do harxhosh se është kapriço e jotja do e paguash si kapriço. Pas kalimit të 800 kWh nuk kemi caktuar ende një çmim”, sqaroi Verdho.

Administratori i KESH vuri theksin gjithashtu te abuzimet me energjinë, ku theksoi se duhet të kursehet deri në 20 % të energjisë dhe kjo gjë do të bëhet me matje nga Task-Forca. Verdho tha se do të kapen të gjithë abuzuesit.

Duhet të kursehet deri në 20 % të energjisë. kjo do bëhet me matje nga task-forca dhe do ketë përgjegjësi për ata të cilët do ushtrojnë veprimtarinë psh, drejtori i shërbimit të një institucioni që merret me këtë. Aty ku vidhet dhe abuzohet, duhet të kapim kush abuzon. Mund të jenë punonjës të OSHEE dhe ata që e përfitojnë këtë shërbim. Ai vjedh 10 lekë mua më kushton 100 lekë”, tha Verdho, ndërsa sqaroi gjithashtu dhe marrëveshjen me Kosovën për energjinë. Verdho deklaroi se bëhet fjalë për depozitimin e tepricave të cilat do ju rikthehen me të njëjtat profile.

“Marrëveshja e ngritur me KEK-un e Kosovës është që ata depozitojnë tepricat e tyre te ne, që konsistojnë në profilin e natës, nga ora 24:00 deri në 06:00 dhe kur ne kemi teprica gjatë dimrit ja rikthejmë me të njëjtat profile. Ose në rastet e emergjencës. Nuk ka transaksione lekësh. Po hyri leku në mes bëhet pis gjithë procesi”, përfundoi Verdho.

Lini një Përgjigje