Ministri i Financave zbulon 4 shtyllat kryesore të projektbuxhetit 2026

5 Nëntor 2025, 15:34Ekonomia TEMA
Ministri i Financave zbulon 4 shtyllat kryesore të projektbuxhetit 2026

Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka prezantuar këtë të mërkurë, projektbuxhetin për vitin 2026, duke e cilësuar atë si një dokument strategjik që përfaqëson angazhimin e qeverisë për zhvillim të qëndrueshëm dhe përmirësim të standardit të jetesës.

Gjatë fjalës së tij, Malaj u shpreh se ky projektbuxhet është rezultat i një procesi të gjatë dhe të koordinuar mes institucioneve, “i mbështetur në analiza të thelluara makroekonomike dhe vlerësime fiskale të balancuara”.

Me një total prej 886.7 miliardë lekësh në shpenzime publike të parashikuara, buxheti fokusohet në investime për infrastrukturë moderne, përmirësim të sistemeve digjitale, zhvillim të energjisë së gjelbër dhe forcim të kapitalit njerëzor.

Ministri Malaj e përshkroi projektbuxhetin si një “kontratë të qeverisë me qytetarët“, jo thjesht një dokument financiar, por “një angazhim konkret për të garantuar stabilitet ekonomik dhe rritje të standardit të jetesës” së tyre.

Ministri Malaj tha se janë katër shtylla kryesore të këtij projektbuxheti: Rritja ekonomike, konsolidimi fiskal, mirëqenia ekonomike dhe integrimi në BE.

“Por reforma e pensioneve është pika kryesore.”, shtoi Malaj. Ai, e cilësoi Reformën e Pensioneve si një nga gurët e themelit të projektbuxhetit 2026, duke e prezantuar me krenari si një angazhim të mbajtur nga qeveria për të garantuar një pension të drejtë për shtresat më të nderuara të shoqërisë.

Kështu, duke filluar nga 1 janari 2026, përveç indeksimit vjetor që aplikohet rregullisht, do të nisë zbatimi i rritjes mujore të pensioneve.

Kjo me objektivin që deri në fund të mandatit të arrihen këto nivele:

-Pensioni urban me vite të plota pune: nga 27 mijë e 350 lekë aktualisht, në 40 mijë lekë.

-Pensioni urban i pjesshëm: nga 15 mijë e 850 lekë, në mesatarisht 22 mijë lekë.

-Pensioni rural: nga 11 mijë e 500 lekë, në 18 mijë lekë.

-Pensioni familjar: nga 11 mijë e 400 lekë, në 18 mijë lekë.

-Pensioni i invaliditetit: nga 20 mijë lekë, në 30 mijë lekë.

Kjo rritje, e parashikuar për t’u zbatuar gjatë tre viteve të ardhshme, sipas Malajt nuk është thjesht një politikë sociale, por një domosdoshmëri që vjen si rezultat i konsolidimit ekonomik dhe synon t’u japë më shumë dinjitet dhe respekt brezave që kanë kontribuar në ndërtimin e vendit.

Lini një Përgjigje