Në vitin e 35-të, që kapitalizmi në Shqipëri të funksionojë, shteti duhet të rregullojë vetveten!

21 Prill 2026, 13:57Ekonomia TEMA
Në vitin e 35-të, që kapitalizmi në Shqipëri të

Pas një eksperimentimi 35-vjeçar në sistemin e ekonomisë së tregut të lirë, është provuar tashmë se liria ekonomike funksionon. Por, në kontekstin e ri gjeopolitik, roli i shtetit merr një dimension të ri. Tregjet e vetmuara nuk mund të realizojnë në mënyrë automatike transformimin strukturor, duke kërkuar kështu një rol më proaktiv të shtetit, veçanërisht në tranzicionin digjital dhe të gjelbër

Nga Selami Xhepa

Duke vështruar në retrospektivë, reformat ekonomike që udhëhoqën tranzicionin drejt ekonomisë së tregut—të përmbledhura në atë që njihet si “Washington Consensus”—kanë lënë një gjurmë të qartë zhvillimi në shumë vende, përfshirë edhe Shqipërinë.

Në pothuajse të gjithë treguesit që matin progresin shoqëror, vendi ynë ka bërë transformime epokale. Në çdo 6-7 vite, ekonomia kombëtare dhe ajo familjare është dyfishuar; në indeksin e zhvillimit njerëzor (një tregues kompozitë që mat zhvillimin e individit jo vetëm në aspektin material por dhe aksesin në shërbime publike), vendi ynë qëndron me disa pikë mbi mesataren botërore; jetëgjatësia mesatare ka arritur në 79.2 vite. Gjithkush që vështron tek ekonomia e tij familjare, në shumicën e tyre ndryshimet ishin të paimagjinueshme të ndodhnin brenda një gjenerate.

Ekonomistët gjithnjë debatojnë se cilët kanë qenë faktorët pas këtyre ndryshimeve dhe se sa ato mund t’u atribuohen politikave liberale, apo nëse suksesi është rezultat thjesht i kursimeve dhe investimeve. Shumë studime empirike bazuar në indikatorët e lirisë ekonomike të Institutit “Fraser” dhe “Heritage Foundation”, kanë dëshmuar statistikisht rëndësinë e lirisë ekonomike si në rritjen e prodhimit të përgjithshëm, ashtu dhe të prodhimit të përgjithshëm për frymë. Kjo do të thotë se liria ekonomike ka funksionuar jo vetëm për biznesin dhe ekonominë kombëtare, në tërësi, por dhe për individin dhe ekonominë familjare. Në veçanti, disa nga komponentët e lirisë ekonomike si stabilizimi makroekonomik (kontrolli i inflacionit, deficitit fiskal, stabilizimi i kursit të këmbimit), hapja ekonomike, tregu i punës, liria fiskale, derregullimi, etj., kanë pasur një ndikim shumë pozitiv. Shpërndarja e burimeve në ekonomi bazuar tek forcat e tregut kontribuuan në përmirësimin e eficiencës së përdorimit të faktorëve të prodhimit, punës dhe kapitalit, duke përvijuar ndryshime të rëndësishme strukturore.

Shterimi i modelit aktual ekonomik dhe nevoja për transformim strukturor

Përtej këtyre ndryshimeve të mëdha pozitive të pamohueshme të këtyre tri dekadave, duket se procesi i modernizimit ekonomik ka stopuar. Edhe pse jemi më afër anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian, struktura ekonomike e vendit është problematike, dhe presionet e shtuara konkurrenciale mund të kenë ndikime të forta negative mbi sipërmarrjet vendase nëse ato nuk do të përshtaten në kohë. Modeli ekonomik që u krijua nga forcat e tregut të lirë duke e specializuar vendin në industritë që përdorin faktorët që disponojmë me bollëk (e njohur si Stolper-Samuelson Theorem), është shteruar.

Struktura ekonomike është gozhduar në prodhime dhe shërbime me vlerë të shtuar të ulët, gjë që pamundëson rritjen permanente të të ardhurave të punonjësve, më shumë të ardhura për buxhetin dhe rritje ekonomike të lartë dhe të qëndrueshme. Edhe fakti që rritja ekonomike potenciale e vendit (një koncept që nënvizon rritjen maksimale ekonomike duke përdorur të gjithë burimet e disponueshme, pa krijuar presione shtesë inflacioniste, dhe që bankat qendrore e përdorin për qëllime të politikës monetare) ka rënë në 4%, dëshmojnë për shterimin e mundësive të modelit ekonomik aktual në dinamizmin e ekonomisë. Nevoja për të zgjeruar potencialin e rritjes ekonomike dhe për të krijuar një ekonomi më elastike dhe të aftë të përballojë goditje të jashtme, edhe në kontekstin e zhvillimeve aktuale gjeopolitike, është bërë një nevojë prioritare.

Zgjerimi i lirive ekonomike dhe roli i shtetit

Zgjerimi i lirive ekonomike është rruga e papërfunduar që mund të kontribuojë në këtë prioritet të shoqërisë. Ajo duhet të fokusohet atje ku progresi ka mbetur vendnumëro. Ndërtimi i tregjeve eficiente dhe funksionale, kanë nevojë për një shtet eficient, funksional dhe aktiv në shoqëri dhe ekonomi, fusha në të cilat progresi ka qenë i pamjaftueshëm. Në treguesit e lirisë ekonomike, problematike vazhdojnë të mbeten treguesit që lidhen me qeverisjen, si garantimi i të drejtave të pronës, kontrolli i korrupsionit, funksionimi i drejtë dhe eficient i sistemit gjyqësor dhe zbatimit të kontratave, krijimi i një mjedisi për një konkurrencë të ndershme, etj.

Reforma e sistemit të drejtësisë deri tani është fokusuar kryesisht te korrupsioni në nivelet e larta të politikës, por nuk duket se ka prodhuar rezultate të dukshme në rrënjën e perceptimit të korrupsionit, edhe pse strukturat e reja të drejtësisë gëzojnë një mbështetje të gjerë publike. Perceptimi se korrupsioni vijon të mbetet i përhapur ka mbetur në renditje të lartë mes shqetësimeve të biznesit, sikurse kostot dhe koha e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve vazhdojnë të konsiderohen si pengesa për klimën e biznesit në vend. Shqetësuese është gjithashtu adoptimi i teknologjive të reja dhe inovacioni.

Renditja e Shqipërisë përgjatë këtij dimensioni të konkurrueshmërisë mbetet në nivele të ulëta qoftë për shkak të mungesës së politikave aktive publike, ashtu dhe të investimeve modeste nga sektori privat. Rritja e eficiencës së shtetit dhe roli i tij aktiv në modernizimin e strukturës ekonomike, janë të domosdoshme për përmirësimin e lirisë ekonomike, rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë dhe zhvendosjen e trajektores së rritjes ekonomike potenciale në një kurbë më të lartë nga niveli aktual prej 4%.

Transformimi strukturor përmes inovacionit dhe transferimit teknologjik

Historia e zhvillimit ekonomik në këto tri dekada ka dëshmuar se forcat e tregut nuk janë të mjaftueshme për të realizuar transformimin strukturor që kërkohet. Firmat nuk ndryshojnë sjelljen dhe modelin e tyre të biznesit nëse nuk e shohin kërcënimin të materializohet. Por atëherë koha nuk do të jetë më premtuese.
Një program i transferimit të teknologjisë dhe nxitjes së inovacionit, në një shkallë të gjerë, duhet të jetë kryefjala e çdo programi ekonomik gjatë dekadës së ardhshme. Programi i financimit për hua që është në zbatim nga Banka e Shqipërisë dhe qeveria shqiptare, prej 200 milion euro, duhet të synojë transferimin e teknologjisë në sektorin privat, në mënyrë që firmat vendase të mund t’i mbijetojnë konkurrencës europiane. Ky projekt duhet të shumëfishohet dhe me instrumente të reja qeveritare për të nxitur automatizimin, robotizimin dhe digjitalizimin e proceseve të prodhimit dhe shërbimeve. Kjo është e vetmja rrugë për sektorin privat që të mbijetojë në kushtet e reja. Ndryshimet gjeopolitike dhe rivalitetet teknologjike për ruajtjen e sovranitetit mbi teknologjitë e së ardhmes, janë një motiv shtesë mbi rolin proaktiv që duhet të luajnë qeveritë në dekadat e ardhshme.

*Selami Xhepa është President dhe pedagog me kohë të plotë në UET, me mbi dy dekada përvojë në akademi dhe institucione kyçe si Banka e Shqipërisë, qeveria dhe Kuvendi, si edhe autor e kontribuues aktiv në fushën e politikave dhe reformave ekonomike.

Shkrimet nga projekti ''Lista LIBERALE''

4 Komente

  1. A
    Analizë pro oligarkëve

    E çuditshme. Autori kërkon që shteti të vihet në shërbim të privatëeve, që ata të fitojnë më shumë. nuk mendoj se ky është roli i shtetit. Roli i shtetit është të ndihmojë në shpërndarjen e pasurisë, që pasuria si dhe resurset natyrore të mos grumbullohen në disa duar. Në fakt me pranimin e punëtorëve nga Filipinet, India etj shteti i Ramës po bën shumë për të ndihmuar oligarkët. Pasi në këtë mënyrë ai i mban rrogat të ulta. Por autori kërkon edhe më shumë. Që shteti thjesht të vihet në shërbim të oligarkëve! Ndryshe unë mendoj se përparësore është pakësimi i borxhit të jashtëm, rritja e prodhimit të brendshëm dhe ballancimi raporteve eksport/import. Por edhe rritja e pensioneve si dhe caktimi i një rrogë minimale për punonjësit dhe punëtorët. Qoftë ata të prodhimit, qoftë ata të shërbimit. Ka shumë gjëra që mund të bëjë një shtet social, por tani po e lë me kaq.

    Përgjigjjuni
    1. F
      Fshatari

      Sa me bejne te qeshin keta bashkfshataret e mi qe u ben intelektuale dhe meqense jane vetdeklaruar elita intelektuale Shqiptare ata duan ta paraqeisn Shqiperine si nje vend normal. A eshte kapitalizem nje ekonomi qe mbahet me parate e krimit e droges? A mund te quhet ky suskses? Ketu fillon problemi dhe te tere te tjerat bien poshte si nje mbulese me gjethe fiku. Por bashkfshatari im qe u be intelektuar eshte i lumtiur. Ai shikon artikullin e botuar nga nje tjeter bashkfshatar intelekual dhe ndjehet i lumtur. Ne jemi elita e Shqiperise i thote ai vetes.

      Përgjigjjuni
      1. f
        five company

        Afersisht 3 dekada e 1/2 eksperiment. Ne politike u quajt tranzicion, faze tranzitive qe " s' ka te mbaruar". Ne ekonomi, dekada e pare , decentralizim i ekonomise dhe importi fuqizoi grosistet. Dekada e dyte, ndertimi dhe ekonomia fasone krijoi kapitalin e qendrueshem. Dekada e 3 e 1/2 , mbiprodhim ne sektoret e bujqesise, ndertim dhe turizem. Sektori i teknologjise dhe inovacionit deshtoi ne keto 3 fusha duke keqperdorur materialet, njohurite, dhe programet ne avance. Tani ju jeni ne piken e stanjacionit evolutiv te dekades 3 e 1/2 . Qe do te thote ne rast se menjehere nuk arrini te gjeni tregje te exportit, stanjacioni do kthehet ne humbje. Pra nqs agrobiznesi ka produkte ne sasi dhe cilesia nuk pranohet atehere ose do ulesh cmimin ose do kalosh ne stok. Ndertimi, nqs nuk do ulesh cmimin ( ndertime shpejt e shpejt pa cilesi dhe infrastrukture urbanistke) dhe ti kalosh ne fazen e shfrytezimit ose do shkaterrohen ose do ndryshojne destinacion dhe perseri keni qindra mijera apartamente stok. Turizmi, mbiprodhim i ofertave turistike , por shkaterrove natyren, shkaterrove arkitekturen tradicionale dhe ulja e cmimit te ofertes nuk justifikon interesin e turizmit per shumellojshmerine e tij, detar, malor arkeologjik, kulinar, tradicional dhe worshipping!! Pra perseri stok! Post Scriptum: Dekada 3 e 1/2 ishte ana e erret dhe e kunderta e dekades se pare. Centralizim i ekonomise duke perdorur manovra te erreta qe shumekush do i perkufizonte me termin: " Ju nuk mund te shtoni dhe te pasuroheni me fatekeqesite dhe krimet mbi shoqerine njerezore!"

        Përgjigjjuni
        1. B
          Bislimi

          .Zoteri Ekonomia Shqiptare e bazuar Tek kapitali orivat eshte esencialisht nje verre ne uje,ekonomi qe edhe pataten e kuksit Po e eleminon patatja e ardhur NGA Gjermania,u dashka Tani ,shpetuar me demek si ushtari Rajan me ane te lekeve qe DUHET TU jape Shteti I te gjitheve disave ,e sigurt qe keta disa ,gjeja e pare qe do te bejne eshte te shkurtojne fuqine puntore me ane te automatizmit ,robotizimit dhe digitalizimit.Dmth per nje konjukture "pseudoekonomiike"te bejme kurban nje politike social e ,ate te shkurtimit te vendeve te punes dhe rritjes se papunesise ne vend dhe e gjitha kjo me taksat e publikut.Para disa viteve ndodhi psh qe qeveria rimbursoi Naften per sektorin e peshkimit ,por cmimet ne treg Jo qe nuk u ulen por u rriten edhe me tej.Por Selua na keshillon per te kunderten.Po ,Ku ishe ti Adam (privat),ne 35 vite ,perse nuk u fokusove vet ne menyre natyrale ,Tek modernizimi dhe digitalizimi,qe te tregojne se lojen per treg e luan sipas rregullave te kohes.Perkundrazi Ti privat u perpoqe te luaje mbi kurrizin e klientit duke ofruar shpesh mallra te dobeta ,pa kualitet me cmimet te larta madje me te larta se edhe vet Tregjet perendimore,shpesh duke perdorur praktika monopol ne caktimin e cmimeve.Dhw çfarë eshte me e keqja ne vend qe te Krijoje Dicka ,nje Brand Shqiptar per te pasur fytyre te lare ,por I re Shkurt ,mbushe maunet ne tregjet e kines e te turqise dhe erdhe ketu dhe shite çdo lloj orodukti surrogate,qe NGA NAFTA pocaqi ,Tek produktet e skaduara te Big Marketit e Deri Tek Elektroshtepiaket Beko te neptunit qe prishen pa kaluar 6 muaj perdorim.PA U SHqetesuar fare se do te vinte ky moment I proves Ku nje faktor I Madh si BE do ti nxjerre zbuluar ,Sa prodhojn ,çfarë,me çfarë standarti ,a e repektojne tregun ,klientin etje.E Po zoteri sot Jeni vone pasi ne bashkpunim me Shteti keni abuzuar 35 vjet sot u dashka te japim perseri lek qe keta te vazhdojne te"mbijetojjne".Jo zoteri sherbetor I interesave te Grosisteve qe ne Sa Duket te Kane Vu aty per te kakarisur brockulla si keto ......Harroje

          Përgjigjjuni

          Lini një Përgjigje