Blerta Ristani: "Oda e Gëzimit" do të dëgjohet sot ‘live’ në sheshin "Skënderbej"

14 Korrik 2026, 13:11Kulturë TEMA
Blerta Ristani: "Oda e Gëzimit" do të dëgjohet sot

Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar do të mbyllë sezonin artistik 2025-2026 me një koncert të veçantë, që do të mbahet sot, më 14 korrik, në orën 20:00, në sallën e madhe të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Koncerti përmbyllës do të sjellë në skenë Simfoninë nr. 9 të Ludwig van Beethoven, një nga kryeveprat e muzikës botërore, nën interpretimin e Orkestrës Simfonike të RTSH-së, Korit të TKOB-së dhe katër solistëve: Eva Golemi (soprano), Vikena Kamenica (mezosoprano), Amadi Luga (tenor) dhe Artur Vera (bariton).

Drejtoresha artistike e Orkestrës Simfonike të RTSH-së, Blerta Ristani, e cilësoi koncertin si kulmin e një sezoni të suksesshëm artistik.

“Me krenari e them që nesër do të luajmë Simfoninë numër nëntë, një nga kryeveprat botërore. Është simfonia e parë që futi zërat në formatin e simfonisë dhe ‘Oda e Gëzimit’ mbetet sot himni i Bashkimit Europian,” u shpreh ajo.

Ristani bëri të ditur se koncerti do të mund të ndiqet jo vetëm brenda sallës së Operës, por edhe nga publiku në Sheshin Skënderbej, përmes transmetimit audio “live”.

“Jashtë do të kenë mundësi një publik i gjerë në Sheshin ‘Skënderbej’ të dëgjojë ‘live’ të gjithë Simfoninë e Nëntë. Jo të gjithë kanë mundësinë të jenë në sallë, ndaj donim që këtë kryevepër ta ndante sa më shumë publik,” tha ajo.

Sezoni artistik 2025-2026 iu kushtua tërësisht Beethovenit, me interpretimin e të nëntë simfonive të kompozitorit gjerman, një projekt që, sipas Ristanit, përbënte një sfidë të madhe artistike.

“Ky sezon pati titullin ‘Sezoni Beethoven’, sepse realizuam të nëntë simfonitë e tij. Ishte një sfidë që jo çdo orkestër në botë e ndërmerr, por ia dolëm shumë mirë dhe kjo solli një ngritje të madhe profesionale për orkestrën,” u shpreh drejtoresha artistike.

Ajo falënderoi drejtuesit, dirigjentët dhe muzikantët për angazhimin gjatë gjithë sezonit, duke theksuar se orkestra tashmë po përgatitet për një sezon të ri me projekte edhe më ambicioze.

“E kemi bërë kalendarin e stinës 2026-2027 dhe do të kemi një sfidë tjetër, edhe më inovative. Tani jemi më të fortë, më të përgatitur dhe orkestra është në një moment shumë të mirë artistik,” përfundoi Ristani.

A.K./TemA

 

 

Lini një Përgjigje