Panairi i Librit në Preshevë është mbyllur.
I pranishëm ndër të tjerë ka qenë dhe presidenti Begaj.
Më poshtë postimi i plotë i QKLL:
LIBRI DHE TRADITA
Preshevë, 8-9 korrik 2026
"Shteti shqiptar ka bërë një gjë të mrekullueshme duke mbështetur këtë ngjarje", tha botuesi shqiptar Bujar Hudhri në një nga promovimet që u zhvilluan gjatë panairit të librit në Preshevë "Libri dhe tradita". Ishte një sinkron ky mendim i organizatorëve, të ftuarve të nderit dhe të të gjithë pjesëmarrësve.
Panairi i Preshevës, "Libri dhe tradita" zhvilloi në datat 8 dhe 9 korrik edicionin e tij të dytë, që ishte gjithashtu e dyta mbështetje nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Shqipërisë drejtuar nga Ministri Gonxhja dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit.
Në panair morën pjesë në panair rreth 30 botues nga Shqipëria, Kosova të cilët iu bashkëngjiten botuesve preshevarë. E theksuar ishte dhe prania e autorëve e mbi të gjitha e vizitorëve që dëshmuan një interes të veçantë për librin shqip, e thënë ndryshe, identitetin shqiptar.
Të mirëpritur nga kryetarja e komunës së Preshevës znj. Ardita Sinani nderuan panairin me pjesëmarrjen e tyre Presidenti i Shqipërisë, shkëlqesia e tij Z. Bajram Begaj, drejtoresha e QKLL-së znj. Arta Marku, Ministrja e Kulturës e Kosovës znj. Saranda Bogujevci, Ambasadori i Shqipërisë në Beograd z. Bardhyl Canaj dhe shumë personalitete të tjera.
Fjala e mbajtur në ceremoninë e hapjes nga znj. Arta Marku, Drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Tiranë.
"Libri në gjuhën shqipe është elementi themelor i identitetit të shqiptarëve kudo në botë.
Epoka jonë ka disa problematika universale lidhur me librin:
- E para ka të bëjë me leximin. Universalisht flitet sot për rënien e leximit. Është tkurrur numri i lexuesve. Është teknologjia që e rivalizon. Është një rivalitet i fortë, por i padrejtë.
Teknologjia është informim; LIBRI është formim; Teknologjia është komoditet, lehtësi, ndonjëherë sipërfaqësi; LIBRI është përkushtim, investim, është thellësi.
Sigurisht, ne nuk mund ta shpërfillim teknologjinë, por nuk duhet të lejojmë që të hyjë në terrenin që i takon librit. Ka secila vendin e vet. Vendi i librit duhet të jetë i panegociueshëm.
- Problematika tjetër ka të bëjë me gjuhën:
Universalisht flitet sot për presionin e anglishtes mbi të gjitha gjuhët e tjera. Invazion, madje. Ne na intereson shqipja, identiteti i shqiptarëve. Çfarë po ndodh?
Në libraritë Tiranës, sa për të dhënë një shembull, është fakt që të rinjtë hyjnë dhe blejnë libra. Ndoshta në një numër më të reduktuar së më parë, por hyjnë dhe blejnë libra. Por më së shumti blejnë libra në gjuhën angleze. Është një e mirë, ama një e mirë e pjesshme, për sa kohë rivalizohet libri shqip. Së bashku duhet të përpiqemi që të mos shpërfillet libri shqip. Në asnjë mënyrë nuk duhet të lejojmë që anglishtja të hyjë në terrenin e shqipes. Duhet të bëjmë përpjekjet tona të përbashkëta për të mos lejuar që një ditë, sado larg qoftë, që shqipja të kthehet në një gjuhë shtëpiake. Është një MISION ky. E për ta përmbushur këtë mision vlen shkrimi, libri, letërsia, e cila i ndihmon popujt që të eksplorojnë, farkëtojnë dhe ta përçojnë identitetin.
SRIPTA MANENT - E SHKRUARA MBETET
Kështu për të gjithë, kështu edhe për shqiptarët.
Në funksion të këtij misioni, vlejnë edhe veprimtari të tilla, sikurse Panairi i Preshevës për mbështetjen e të cilit Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit e Shqipërisë dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit nuk pati as më të voglin ngurrim.
Ky Panair është në edicionin e tij të dytë që do të thotë se ka filluar të ecë drejt përmbushjes së misionit që e theksova si domosdoshmëri.
Uroj fort që Panairi i Preshevës të shndërrohet në një traditë pa të cilën të mos bëhet dot në të ardhmen. Të shndërrohet në një BOTË, siç vetë libri është. E thoshte edhe Leonardo Shasha: 'Nëse librin e vendos mbi tavolinë dhe e sheh, mund të konsiderohet thjesht si një send, por sapo ta hapësh shndërrohet në një BOTË'”.
A.K./TemA
Lini një Përgjigje