Historiani dhe studiuesi Edon Qesari, i ftuar në Apostrof Podcast nga Bjorn Runa, analizon arsyet pse një pjesë e brezave të rinj po tërhiqen gjithnjë e më shumë nga narrativa konservatore, nga ekstremi i djathtë dhe nga ide që lidhen me rendin, familjen, kombin dhe sigurinë.
Sipas tij, një shembull domethënës është vota e emigrantëve të brezit të dytë apo të tretë në vendet perëndimore, të cilët shpesh mbështesin parti që e kanë ndërtuar retorikën e tyre mbi luftën kundër emigracionit.
“Shpeshherë, minoritetet apo emigrantët e brezit të dytë, të tretë, votojnë për parti që sot pa pikën e drojtjes ne do t’i quanim parti neofashiste apo parti kundër emigracionit,” shprehet Qesari.
Ai merr si shembull shqiptarët në Itali, të cilët sipas tij shpesh votojnë për figura të së djathtës italiane, përfshirë Giorgia Melonin, Matteo Salvinin apo edhe personazhe më ekstremë si gjenerali Roberto Vannacci.
“Ndodh kjo gjë pothuajse në mënyrë të rëndomtë me shqiptarët në Itali, të cilët shpeshherë votojnë për Giorgia Melonin, për Salvinin dhe madje për një personazh edhe më ekstrem siç është gjenerali Vannacci,” thotë ai.
Për Qesarin, pyetja interesante është pse të rinj të lindur në Itali, por të rritur me vetëdijen se janë fëmijë shqiptarësh, zgjedhin të votojnë për forca politike që kanë mbrojtur ide të lidhura me pastërtinë etnike apo kulturore italiane.
“Çfarë mund t’i shtyjë disa të rinj, të cilët janë të lindur në Itali dhe janë të "gatuar" me idenë e të qenit fëmijë shqiptarësh, që të votojnë për një palë politike e cila mbron puritetin e racës italiane?” pyet Qesari.
Sipas tij, përgjigjja lidhet me ndjesinë e sigurisë. Këta votues, argumenton ai, i shohin partitë e ekstremit të djathtë si më të afta për të mbrojtur të tashmen nga një e ardhme që perceptohet si kërcënuese.
“Këta i shohin si më të sigurt për të tashmen, përpara një të ardhmeje ku mund të dynden të tjerë dhe mund ta ndryshojnë atë që mund të jetë coha shoqërore e Italisë aktuale,” shpjegon ai.
Qesari vëren se edhe vetë partitë e djathta nacionaliste kanë ndryshuar gjuhë kur kanë kuptuar se emigrantët e dikurshëm tashmë janë kthyer në votues. Ai sjell si shembull Lega-n në Itali, një parti që për vite të tëra sulmonte shqiptarët si emigrantë problematikë, ndërsa sot kërkon edhe votën e tyre.
“Lega, e cila për dy dekada gati sulmonte shqiptarët si emigrantë që prishnin jetesën e italianëve origjinalë, sot ka ndryshuar komplet zhargon, sepse këta shqiptarë votojnë dhe duhet marrë vota e pasigurisë së këtyre shqiptarëve,” thotë Qesari.
E njëjta logjikë, sipas tij, vlen edhe për të rinjtë. Në një botë ku e ardhmja duket gjithnjë e më e paqartë, të rinjtë kërkojnë diçka më të menjëhershme, më të kapshme dhe më të sigurt.
“Të rinjtë natyrisht kërkojnë diçka e cila të jetë më e tashme, më e menjëhershme, më e sigurt,” shprehet ai.
Për Qesarin, suksesi i ekstremit të djathtë nuk qëndron domosdoshmërisht te forca e ideve të tij, por te mënyra se si ai arrin të komunikojë me frikën dhe pasigurinë e brezave të rinj.
“Mënyra se si komunikohet kjo shpeshherë bëhet me më shumë aftësi pikërisht nga këto subjekte të ekstremit të djathtë, sesa nga subjektet klasike, qoftë qendra e djathtë, qoftë qendra e majtë,” thotë ai.
Në këtë kuptim, tërheqja e të rinjve drejt ideve konservatore nuk mund të lexohet thjesht si nostalgji për traditën. Ajo lidhet me një kërkim më të thellë për siguri, identitet dhe mbrojtje në një botë ku puna, përkatësia dhe e ardhmja duken gjithnjë e më të paqëndrueshme.
Ndiq episodin e plotë të Apostrof Podcast: Të jetosh në kohë krizash: Fuqizimi i të djathtës ekstreme dhe kriza e të majtës | Edon Qesari