Shuhet ikona e humorit Todi Llupi

14 Korrik 2026, 13:13Kulturë TEMA
Shuhet ikona e humorit Todi Llupi

U nda sot nga jeta një nga ikonat e humorit fierak, Todi Llupi.

Për më shumë se pesë dekada, ai dhuroi buzëqeshje dhe emocione, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në skenën shqiptare me talentin, humorin e veçantë dhe interpretimin mjeshtëror të dialektit myzeqar.

Lindi në Fier, më 1 mars të vitit 1948. Që prej vitit 1971 ishte pjesë e Estradës së Fierit, ndërsa interpretoi me sukses edhe në filma artistikë, duke krijuar personazhe që do të mbeten përgjithmonë në kujtesën e publikut. Todi Llupi u bë i njohur për interpretimin e karaktereve dhe aftësitë vokale, duke shkëlqyer në parodinë “Po martojmë Malon”.

Në vitin 1989 u nderua me titullin “Artist i Merituar”, ndërsa më vonë edhe me titullin “Mjeshtër i Madh”, në vlerësim të kontributit të tij të jashtëzakonshëm në artin dhe kulturën shqiptare.

Kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi e cilësoi largimin e Todi Llupit si një humbje të madhe për Fierin dhe për mbarë skenën artistike shqiptare dhe theksoi se, vepra, humori dhe kujtimi i tij do të jetojnë përherë në zemrat e publikut.

QKK ka shprehur ngushëllimet.

Më poshtë postimi i plotë i QKK:

Sot, komuniteti ynë artistik dhe kinematografik humbi një figurë të dashur dhe shumë të çmuar. Ndarja nga jeta e aktorit të mirënjohur fierak, Todi Llupi, lë pas një trishtim të thellë, por mbi të gjitha një trashëgimi të pasur rolesh që do të jetojnë gjatë në kujtesën e publikut. Përkushtimi i tij ndaj skenës dhe ekranit shqiptar mbetet një shembull frymëzimi për të gjithë ne. Ngushëllimet më të ndjera familjes, miqve dhe dashamirësve të tij të shumtë. U prehtë në paqe!

A.K./TemA

Lini një Përgjigje