Njihuni me taksat e çuditshme, nga ajo e urinës, mjekrës, ‘frikacakut’ …

12 Korrik 2022, 09:42Ekonomia TEMA

Njihuni me taksat e çuditshme, nga ajo e urinës, mjekrës,

Si mblidhen dhe administrohen taksat tona? Njihuni me disa nga taksat më absurde që janë vendosur ndonjëherë si ajo e ‘pordhës’, e urinës, mjekrës, deri tek ajo e ‘frikacakut’

Nga Aranit Muraçi

Me rritjen e pandalshme të çmimeve, çdo familje shqiptare duhet të shpenzojë më shumë nga të ardhurat që siguron në kohë krize për të blerë të njëjtat produkte që blinte një vit më parë.

Sipas INSTAT inflacioni ishte 7.4% në muajin qershor, ndërsa një vit më parë, në të njëjtën periudhë, rritja e çmimeve ishte minimale prej 1.6%. Familjet shqiptare duhet të heqin më shumë para për t’u ushqyer se qytetarët e tjerë në rajon e Europë. Si rrjedhojë, një rritje e çmimeve të ushqimeve rëndon më shumë buxhetet e familjeve shqiptare. Ushqimet dhe pije joalkoolike kanë shënuar rritjen e dytë më të lartë, me 12.6% pas transportit (26.9%).

Për shkak të peshës më të lartë që zënë në buxhet, në raport me transportin (6.2%), shtrenjtimi i ushqimeve rëndon më shumë. Rritjen më të lartë sipas INSTAT e kanë shënuar “Vajra dhe yndyrna”, me 30.3%; “Bukë dhe drithëra”, me 19.1%; “Qumësht, djathë dhe vezë”, me 18.5%; “Zarzavate përfshirë patatet”, me 9%.  Një familje mesatare me 3.6 persona shpenzonte në muaj rreth 84 mijë lekë, sipas Anketës së Buxhetit të Familjes të INSTAT, të dhënat më të fundit të së cilës i referohen vitit 2020. Rreth 42% e kësaj shume, apo rreth 35 mijë lekë, një familjeje i duhen çdo familje shqiptare për të plotësuar nevojat bazike për ushqim. Me shtrenjtimin prej 12.6%, për të njëjtën sasi ushqimesh, një familje duhet të shpenzojë gati 50 mijë lekë, apo gati 5 mijë lekë më shumë.

Për 769 mijë familje që ka vendi ynë, shpenzimet shtesë për ushqime vlerësohet të jenë rreth 37-38 miliardë lekë, vetëm për muajin qershor, apo rreth 30 milionë euro, që kanë dalë nga buxhetet familjare për të plotësuar këto nevojë të domosdoshme bazike për të jetuar.

Banka Botërore dhe FMN na kanë paralajmëruar vazhdimisht mbi rrezikun e aplikimit të çmimeve të larta. A nuk do të ishte më e ndershme që taksat direkte që rëndojnë mbi konsumatorin, si në produktet energjetike dhe ato të shportës, të uleshin që të mos kishim çmimet më të larta energjetike në rajon, ose të kishim çmime më të lira për disa produkte të importuara si mielli, vaji, sheqeri, lëndët e para për produktet bujqësore, industriale etj?

Përse nuk aplikohen, në vend të tyre, gjatë periudhës së krizës, për shembull, taksa mbi fitimin për kompanitë energjitike apo edhe kompanitë e tjera që importojnë produktet e konsumit të përditshëm, me qëllim që të pakësohet mundësia e abuzimit me çmimin, siç e kanë aplikuar vendet e BE-së, përfshirë vendet tona fqinje, Italinë dhe Greqinë?

Shqipëria dallohet shpesh nga institucionet e huaja për nivelin e korrupsionit më të lartë në Europë. Duke mos marrë në konsideratë mundësinë më të madhe të shpërdorimit apo të vjedhjes së taksave që mblidhen nga qytetarët, ka plot shembuj që tregojnë absurditetin e tyre.

Bota ka mësuar shumë nga taksat absurde, prandaj edhe zhvillohen debate publike dhe kërkohet transparencë qoftë për mbledhjen ashtu edhe për shpërndarjen e tyre.
Çdo vend në mbarë botën kërkon që qytetarët të paguajnë taksa në një formë ose në një tjetër – tatimin mbi të ardhurat, taksat tregtare, taksat mbi vlerën e shtuar, akcizën, taksën mbi gjelbërimin, taksë për sigurimet, për shëndetësinë, për arsimin dhe shumë taksa të tjera.

Një taksë e aplikuar pak kohë më parë nga universitetet publike, ndonëse pa kosto, për studentët që mbeteshin në vjeshtë u hoq pas protestave të këtyre të fundit. Një student mund të mbetej padrejtësisht dhe një tjetër mund të kalonte po ashtu padrejtësisht, ndërsa taksa që u propozua të aplikohej përbënte një padrejtësi të dytë. Po ashtu, aplikohet edhe taksa për shërbimet postare, pavarësisht dëshirës së qytetarit nëse e dëshiron një shërbim të tillë. Taksa për gjelbërimin në një mjedis pa asnjë pemë konsiderohet gjithashtu një taksë e çuditshme për shumë nga qytetarët e Tiranës. Prej muajsh rritja e çmimeve, si pasojë e luftës në Ukrainë, ka çuar në zbrazjen e xhepave të qytetarëve, ndërsa paradoksalisht janë rritur të ardhurat e planifikuara në arkën e shtetit, si pasojë e taksave. Nga të dhënat zyrtare në gjashtë muajt e parë të këtij viti rreth 400 milion euro janë arkëtuar më tepër nga të ardhurat e planifikuara, prej taksave direkte mbi çmimin.

Që me krijimin e shtetit, njerëzit nuk ishin të përjashtuar nga pagesa e taksave. Le të shohim disa nga taksat më të çuditshme që njerëzit duhej të paguanin, në të kaluarën, në vende të ndryshme. Historia ka treguar se taksa sado mirë që të administrohet, shpesh ka rezultuar e gabuar, në disa raste, absurde, e herë qesharake.

Në periudhën mesjetare, konsiderohej nder t’i shërbeje mbretit, të luftoje për të apo edhe t’i shërbeje kauzës së tij. Sidoqoftë, nëse rastësisht dikush do të dëshironte të mos e ushtronte këtë detyrë, do të etiketohej si një “frikacak” dhe për këtë do t’i duhej të paguante taksën e frikacakut, e quajtur ndryshe “scutage”. Nën sundimin e mbretit Gjon shuma e taksës u rrit me 300%. Kalorësve iu kërkua gjithashtu të paguanin taksa në kohë kur nuk kishte luftëra. Ky sistem taksash vazhdoi për tre shekuj para se të hiqej.

Taksa e “pordhës” ishte një propozim që nuk pati mundësi të vendosej në Zelandën e Re. Ideja u prezantua për herë të parë në 2003 dhe u kundërshtua aq fort sa nuk u testua kurrë. Kjo taksë u propozua për shkak të niveleve të larta të çlirimit të metanit nga kafshët e fermave në Zelandën e Re. Sasia e çlirimit të metanit përbënte 50% të gazit serrë të çliruar në atë vend. Pra, kjo taksë u vendos për të monitoruar lëshimin e gazit (pordhë) nga kafshët e fermës, sepse studiuesit besonin se kafshët i lëshonin gazrat ngaqë ushqeheshin më tepër. Megjithatë, për shkak se bujqësia është dega kryesore e ekonomisë në Zelandën e Re, përpjekja për të kontrolluar kafshët që të mos ushqeheshin shumë do të ulte produktivitetin prandaj kjo taksë u tërhoq përfundimisht.

Në Romën e lashtë, urina ishte një ‘mall i shtrenjtë’. Përdorej për të larë rrobat, për të pastruar dhëmbët etj, sepse përmbante amoniak. Taksa u vendos për kontrollin si duhej të urinës, me qëllim që ajo të mos shpërdorohej.

Ndërkohë gjatë mesit të shekullit të shtatëmbëdhjetë, taksat mbi dritaret e një shtëpie u vendosën në Britaninë e Madhe. Për çdo shtëpi dhe për çdo dritare shtesë, taksa ndryshonte. Por në 1851, kur njerëzit i hoqën dritaret dhe mungesa e tyre filloi të ndikonte në shëndetin e njerëzve, taksa u shpërbë përfundimisht.

Taksa e mjekrës u prezantua për herë të parë në Angli nga mbreti Henri VIII në vitin 1535. Kjo taksë vazhdoi edhe nën sundimin e vajzës së tij. Megjithatë, në vend që t’i tarifonte burrat bazuar në pozitën e tyre shoqërore, taksohej çdo mjekër që ishte rritur më shumë se dy javë. Duke ndjekur gjurmët angleze, Pjetri i Madh e futi në Rusi taksën e mjekrës në vitin 1698, si përpjekje për modernizimin e shoqërisë. Sipas tij, mbajtja e mjekrës ishte një ‘praktikë e së shkuarës’ prandaj burrat u këshilluan të mos mbanin mjekrën ose të paguanin taksën.

Rreth viteve 1700, Anglia filloi të tatonte edhe numrin e tullave. Për të shmangur taksat, prodhuesit e tullave filluan të prodhonin tulla sa më të mëdha, që përdoreshin në ndërtim etj. Taksa u hoq përfundimisht në vitin 1850. Në vitin 1660, Anglia tatoi edhe vatrat e zjarrit! Për të shmangur taksën, njerëzit filluan të mbulonin vatrat e zjarrit. Taksa absurde u hoq përfundimisht në vitin 1689.

Franca vendosi një taksë për kripën në mesin e shekullit të 14-të.

Në Europë u vendos dy shekuj më parë edhe një taksë për kapelet. Qeveria e mori taksën aq seriozisht sa që dënimi për të mos iu bindur rregullit ose për të falsifikuar pullën ishte maksimal. Ajo u shfuqizua në 1811.

Për të siguruar sa më shumë ujë, shteti i Maryland në SHBA vendosi një taksë për aq herë sa mund të lahej tualeti, me qëllim kursimin e ujit.

Këto taksa absurde dhe qesharake kanë bërë që sistemi tatimor të ndryshojë dhe çdo qeveri ka për detyrë të shpjegojë arsyen se pse dhe për çfarë arsye u mblidhet taksa qytetarëve. Ndryshe ajo mund të jetë abuzim, ose vjedhje. 

1 Komente

  1. F
    Firmat e themeluesve të PD-së 1991

    Siq e tha doktor Berisha që njerzit nga tre vakte, konsumojn 2, po të llogarisësh shpenzimet gjatë gjithë ditës, ikën 5000 lek të reja pa u ndjerë.

    Lini një Përgjigje