Pse rritja e pagave ndikon pak në ekonomitë familjare

12 Tetor 2025, 21:29Ekonomia TEMA

Pse rritja e pagave ndikon pak në ekonomitë familjare

Prej vitesh struktura e shpenzimeve të familjeve shqiptare nuk ndryshon, ku 40 % e tyre shkojnë vetëm për ushqim. Duke shtuar dhe pagesat ujë, drita, transport, qira, rezulton se më shumë se gjysma e shpenzimeve shkon për shërbimet bazike. Në një ekonomi që rritet çdo vit, me paga që rriten, në çfarë stadi janë familjet shqiptare në mbijetesë apo në shpenzime të kujdesshme?

Ergis Sefa, ekspert ekonomie i ftuar në E-ZONE, thotë se rritja e pagave si dhe rritja ekonomike, nuk janë në nivelin që të ndryshojnë standardin e jetesës.

“Të dhënat e Bankës Botërore flasin se 40 % e familjeve shqiptare jetojnë në varfëri me 5.5 dollarë dita.  20-30 % janë pranë këtij kufiri. Janë pikërisht këto familje të cilat janë në stadin e shpenzimeve të kujdesshme, pasi nëse mbeten pa punë në një afat kohor 2-3 muaj, ato përfshihen direkt në kategorinë e familjeve të varfra. Fatkeqësisht rritja e pagave dhe rritja ekonomike nuk kanë mundur që të jenë një rritje reale, pasi çmimet janë rritur më shumë. Ndërkohë pjesa tjetër e familjeve të mbetura janë ato që kanë të ardhura mbi mesataren për të bërë një jetesë dinjitoze. Por ajo çfarë dominon është që familjet shqiptare mbeten në kufijtë e mbijetesës”, tha Sefa në Vizion Plus.

Pse rritja e pagave ndikon pak në ekonomitë familjare

Të dhënat e INSTAT flasin se një familje me katër persona i duhet 93 mijë lekë në muaj për të jetuar, kjo shifër është 1.5 % më e lartë se vitit 2023.

Por teksa raporti i shpenzimeve, për ushqime, ujë drita, transport nuk ndryshon, vërehet një rritje e lehtë e shpenzimeve për mirëmbajtje banese.

“Ky tregues lidhet më shumë me tregun e qirave. Turizmi ka nxitur shumë familje që të japin banesat me qira në të gjithë vendin. Ky fakt ka bërë që banesat të kenë nevojë për mobilim. Është kjo arsyeja kryesore që ky zë ka shënuar rritje në shpenzimet mujore të familjeve”, sqaroi Sefa./vizionplus.tv 

Lini një Përgjigje