Qeveria miraton fond shtesë prej 753 mijë lekësh për pronarët që preken nga shpronësimet në “Rrugën e Arbrit”

15 Tetor 2025, 19:20Ekonomia TEMA
Qeveria miraton fond shtesë prej 753 mijë lekësh për

Me këtë vendim, shuma totale për shpronësimet arrin në 6.99 milionë lekë, që do të paguhet nga buxheti i shtetit

Këshilli i Ministrave ka miratuar një fond shtesë prej 753 mijë lekësh për kompensimin e pronarëve të tokave, që preken nga projekti i ndërtimit të segmentit rrugor ‘Rruga e Arbrit’.

Me këtë vendim, shuma totale për shpronësimet arrin në 6.99 milionë lekë, që do të paguhet nga buxheti i shtetit.


Pronat do të kompensohen pasi pronarët të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm në Agjencinë Shtetërore për Shpronësimin, e cila do të përkujdeset për procedurat e likuidimit.

Përveç kësaj, Autoriteti Rrugor Shqiptar do të mbulojë shpenzimet procedurale me një shumë prej 70 mijë lekësh.

Implementimi i vendimit do të bëhet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave, Agjencia e Kadastrës, ARRSH dhe strukturat lokale të administrimit të tokës në qarqet Tiranë dhe Dibër.

Vendimi i plotë:

V E N D I M  ‘PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.794, DATË 11.12.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “RRUGA E ARBRIT”, TË NDRYSHUAR”. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave  V E N D O S I: 1. Në vendimin nr.794 datë 11.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Rruga e Arbrit”, të ndryshuar”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

a) Në pikat 3 dhe 4,  vlera “… 6 244 373 (gjashtë milionë e dyqind e dyzet e katër mijë e treqind e shtatëdhjetë e tre) lekësh …”  zëvendësohet me “… 6 998 021 (gjashtë milionë e nëntëqind e nëntëdhjetë e tetë mijë e njëzet e një) lekë …”.

b) Pas pikës 4.1 shtohet pika 4.2, me këtë përmbajtje: “4.2. Vlera shtesë e shpronësimit, prej 753 648 (shtatëqind e pesëdhjetë e tre mijë e gjashtëqind e dyzet e tetë) lekësh, përballohet nga buxheti i shtetit, llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.”.

c) Tabelës bashkëlidhur vendimit në fuqi i shtohet edhe tabela bashkëlidhur këtij vendimi. 2. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën, që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.

3. Agjencia Shtetërore për Shpronësimin kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim. 4. Shpenzimet procedurale, në vlerën 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

5. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Tiranë, Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Dibër dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Lini një Përgjigje