Elbasani u trondit mbrëmjen e së dielës (30 nëntor) nga një atentat me armë zjarri, ku një biznesmen 43-vjeçar u ekzekutua brenda në automjetin e tij të parkuar.
Ngjarja ndodhi rreth orës 20:35, në lagjen “Emin Matraxhiu”, ku u gjet i vrarë shtetasi Mondi Mehalla alias Edmond Hyka.
Sipas të dhënave paraprake, Mehalla sapo kishte dalë nga zyra e tij, në godinën ku ndodhen bizneset dhe banesa e nënës së tij.
Në momentin që është futur në automjet, ai është qëlluar me armë zjarri duke marrë tre plumba, dy prej të cilëve në kokë, çka i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Deri tani, të paktën 10 persona janë shoqëruar dhe po merren në pyetje për të hedhur dritë mbi rrethanat e krimit. Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka ngritur një grup të posaçëm hetimor, i cili po punon intensivisht për këqyrjen e pamjeve filmike të zonës dhe mbledhjen e provave të tjera materiale.
Dinamika ngjarjes është vlerësuar nga ekspertët si një ekzekutim tipik mafioz, por mund të rezultojë edhe vrasje për shkak të një konflikti të ndodhur mesjavën e fundit për motive ende të paqarta.
Lini një Përgjigje