Kryeprokurori Olsian Çela deklaroi se një nga sfidat më të mëdha të institucioneve të drejtësisë mbetet gjetja e ekuilibrit mes transparencës ndaj publikut dhe ruajtjes së sekretit hetimor. Gjatë Konferencës për Ndërveprimin e Drejtësisë me Median, ai theksoi se zhvillimet teknologjike dhe rrjetet sociale kanë ndryshuar mënyrën se si formohet opinioni publik, duke e bërë edhe më të rëndësishëm komunikimin institucional.
“Nuk është e lehtë për institucionet tradicionale t'u përshtaten në kohë këtyre zhvillimeve transformuese shoqërore. Aq më tepër për organet e drejtësisë që teksa duhet të kryejnë funksione të cilat kërkojnë shpesh një nivel të lartë diskreioni, duhet gjithashtu të sigurojnë transparencën e nevojshme për publikun drejtësisht kjo e rëndësishme në një shoqëri të demokracisë liberale. Gjetja e këtij ekuilibri komplikohet më tej nga nevoja për të qenë të besueshme për publikun. Fakt që lidhet pazgjidhshmërisht përveç të tjerash edhe me komunikimin publik të veprimtarisë së tyre”, theksoi ai.
Sipas Çelës, organet e drejtësisë duhet të garantojnë njëkohësisht transparencën dhe diskrecionin që kërkon hetimi, ndërsa rikthimi i besimit të publikut mbetet një proces i vështirë, për shkak të perceptimeve negative të krijuara ndër vite.
“Sistemi jonë i drejtësisë është ende duke kaluar një fazë komplekse transformimit strukturor me probleme të shumta në cilësinë e shërbimeve që ofron. Perceptimi publik arriti nivele negative rekord përgjatë 10 15 viteve të fundit dhe rikuperimi i besimit do të jetë i vështirë. Mbingarkesa do të ndikojë edhe për një periudhë të konsiderueshme cilësinë e performancës së organeve të drejtësisë, ndërkohë që pritshmëritë janë shumë të mëdha. Përmirësimi do të vijë patjetër, por vështirë se do të ketë ritmin që kërkojnë sfidat me të cilat përballet vendi. Në këto rrethana aspak të favorshme, modernizimi i formave të strategjisë së komunikimit është kthyer në një domosdoshmëri”.
Kryeprokurori bëri të ditur se Prokuroria e Përgjithshme ka ndërmarrë hapa konkretë për përmirësimin e komunikimit me median.
“Në këtë aspekt nga Prokuroria e Përgjithshme janë të marrë masa konkrete që në tërësi kanë ndikuar në një qëndrim shumë më të hapur institucional ndaj medias. Është krijuar një mekanizëm koordinimi vertikal për të rritur cilësinë e njoftimeve dhe shpërndarjes së tyre i kompozuar nga këshilltari i medias në prokurorinë e përgjithshme dhe prokurorët e medias në çdo prokurori. Vetëm gjatë vitit 2025 u shpërnbanq rreth 220 njoftime nga të gjitha nivelet e prokurorisë. Kemi një faqe u shumë aktive ku pasqyrohen aktivitetet kryesore dhe komunikimet për media për çështje që vlerësohen me interes publik. Çdo prokurori ka gjithashtu hapësirën e vetë me paqe ku pasqyrohen një pjesë e njoftimeve dhe aktiviteteve që kryen. Gjatë 2025-s faqja u klikua u klikua 696.000 njëherë me një kohë mesatare mes tre deri në pesë minuta të qëndrimit në faqe. Ndërkohë ka mbi 1700 postime në shqip dhe anglisht në rrjetin X që nga korriku i vitit 2022. Synimi ka qenë që publikut t'i drejtohemi përmes medias, por edhe drejtpërdrejtë”.
Çela nënvizoi se në muajin prill është miratuar edhe strategjia e re e komunikimit publik, e cila synon të forcojë marrëdhëniet me median dhe publikun, si dhe të rrisë besimin ndaj institucionit.
Megjithatë, ai pranoi se sfidat mbeten të shumta, veçanërisht në rritjen e ndërgjegjësimit të prokurorëve për rëndësinë e komunikimit publik.
"Pikërisht aplikimi i standardeve që garantojnë sekretin e hetimit dhe mbrojtjen e të dhënave të jetës private nga njëra anë, dhe transparencën e komunikimin publik nga ana tjetër, do të vijojë të jetë sfida madhore në një realitet ku gjithnjë e më shpesh perceptimet relativizojnë faktet. Çështja që shtrohet për zgjidhje sot më shumë se kurrë më parë është sa do të jemi ne në gjendje të ruajmë integritetin e funksionit të institucionit përballë tundimit dhe presionit për të qenë të pëlqyeshëm", u shpreh Kryeprokurori.
Çela u bëri thirrje magjistratëve të rinj të ushtrojnë detyrën në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin, duke theksuar se drejtësia duhet t'i shërbejë publikut përmes profesionalizmit dhe integritetit, e jo përmes kërkimit të pëlqyeshmërisë.
Lini një Përgjigje