Familjarët e viktimave të Gërdecit kanë kërkuar që në gjyqin për Fatmir Mediun të merret edhe dëshmia e 12 personave të tjerë. Mes listës, dallohen dy emra të rëndësishëm, ish-drejtuesit e kompanisë amerikane “AEY”, Efraim Diveroli dhe David Packouz, dëshmia e të cilëve mund të jetë shumë e vlefshme për gjykatën, pasi ata mund të rrëfejnë rolin e Shkëlzen Berishës në atë krim shtetëror që i mori jetën 26 personave të pafajshëm.
Ish-zëvendës presidenti i kompanisë, David Packouz ka rrëfyer në një intervsitë ekskluzive për Report Tv rolin e Shkëlzen Berishës në negociatat që kanë bërë për çmimin e fishekëve, që kompania amerikane ka blerë në fabrikën e demontimit, pa pasur dijeninë se ishin kinezë. Packouz ka rrëfyer për Report Tv se ka qenë Shkëlzen Berisha që ka pritur në zyrën e tij Diverolin, Ylli Pinarin dhe Mihal Delijorgjin dhe është bërë negociata për çmimin e fishekëve. Avokati i familjarëve të viktimave kërkoi që si dëshmitar të paraqitet edhe ish-kreu i bashkisë së Vorës Fiqiri Ismaili.
Efraim Diveroli: Kjo gjë ka shkuar shumë lart, deri te kryeministri dhe djali i tij
Diveroli ishte një trafikant armësh nga Florida. Ai ishte presidenti i kompanisë “AEY”, e cila blinte municione kineze në Gërdec për llogari të një tenderi të dhënë nga SHBA në vlerën 298 milionë dollarë. Me këto para, Departamenti Amerikan i Mbrojtjes kërkoi të furnizojë forcat afgane të sigurisë me municione, por Diveroli shkeli embargon e SHBA-ve ndaj municioneve dhe armëve kineze. Fishekët kinezë manipuloheshin me ambalazh tjetër në Gërdec.
Gjatë përgjimeve të Diverolit dhe Trebickës para shpërthimit të Gërdecit, Diveroli shprehet se në Gërdec janë implikuar Sali Berisha si kryeministër dhe Shkëlzeni, të cilët i konsideron si mafien më të fortë. Ndër të tjera, Efraim Diveroli shprehet se “...kjo gjë ka shkuar shumë lart, deri te Kryeministri dhe djali i tij. Kjo është. Kjo mafia është shumë e fortë për mua. Nuk mund ta luftoj këtë mafia. Është bërë shumë e madhe. Kafshët kanë dalë shumë jashtë kontrollit. Shumë lojtarë…”.
Lista me dëshmitarë që kërkon mbrojtja e familjarëve të viktimave
Spiro Zaka
Shpëtim Spahiu
Fiqiri Ismaili
Zija Bahja
Kristaq Arapi
Flamur Skrapalliu
Zenel Kuçana
Efraim Diveroli
David Packouz
Lavdi Shatro
Fiqiret Mato
Luan Duzha
Lini një Përgjigje