Hita viziton familjen e Dëshmorit të Atdheut Enea Mekolli, i dorëzon çekun me vlerë 7 mln lekë

4 Korrik 2026, 12:45Kronika TEMA
Hita viziton familjen e Dëshmorit të Atdheut Enea Mekolli, i

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, i shoqëruar nga drejtues të lartë të Policisë, vizitoi familjen e Dëshmorit të Atdheut, Inspektor Enea Mekolli, me rastin e ditëlindjes së djalit të tij.

Gjatë vizitës, Hita i dorëzoi familjes medaljen e mirënjohjes të akorduar Mekollit për aktin sublim në krye të detyrës si dhe dokumentacionin që njeh djalin e tij me statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës”.

E di që asnjë fjalë dhe asnjë mbështetje nuk mund ta zëvendësojë Enean. Unë nuk jua kthej dot Enean tonë, por dua t’ju siguroj se nuk do të jeni kurrë vetëm. Unë, Policia e Shtetit, çdo punonjës policie, Ministria e Brendshme dhe Qeveria Shqiptare do të jemi gjithmonë pranë jush, për t’ju mbështetur në çdo nevojë dhe në çdo moment. Djali i Eneas mbushi një vjeç. Është një ditëlindje e mbushur me dhimbje për mungesën e babait, por edhe me krenari për trashëgiminë që ai i ka lënë. Djali i Dëshmorit tonë tashmë ka statusin ‘Fëmijë në përkujdesje të Republikës’ dhe deri në përfundimin e arsimit të lartë, do të përfitojë pagën e plotë të Eneas, arsim dhe shërbim shëndetësor falas, si dhe të gjitha të drejtat e tjera që parashikon ligji. I urojmë jetë të gjatë, shëndet dhe mbarësi këtij engjëlli. Urojmë që të rritet me krenarinë se babai i tij dha jetën në shërbim të atdheut dhe të qytetarëve”, tha Hita.

Po ashtu, Hita i dorëzoi edhe një çek me vlerën 7 milionë lekë të rinj, kontribut i punonjësve të Policisë së Shtetit në shenjë solidariteti.

Ky është një kontribut i mbledhur me zemër nga punonjësit e Policisë së Shtetit, si një shenjë respekti, mirënjohjeje dhe solidariteti për sakrificën sublime të Eneas, si dhe mbështetje për familjen e Dëshmorit të Atdheut. Ne kemi detyrimin moral dhe institucional të kujdesemi për familjen e tij dhe këtë detyrim do ta përmbushim me përgjegjësi dhe përkushtim. Ju humbët djalin tuaj, ne humbëm një koleg, një mik dhe një punonjës policie shembullor. Por emri dhe sakrifica e Eneas nuk do të harrohen kurrë. Ne do të qëndrojmë pranë jush, ndërsa kujtimi i tij do të jetojë përherë në zemrat tona, në historinë e Policisë së Shtetit dhe në nderimin e gjithë shqiptarëve”, tha Hita.

Familjarët e Dëshmorit, mes dhimbjes dhe krenarisë, falënderuan Drejtorin e Përgjithshëm dhe gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit për mbështetjen e vazhdueshme dhe solidaritetin e treguar që nga dita kur Enea Mekolli ra në krye të detyrës.

Lini një Përgjigje