Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, morën pjesë në inaugurimin e ambienteve të reja të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, një investim prej 392.6 milionë lekësh që shënon një tjetër hap në modernizimin e infrastrukturës së Policisë së Shtetit.
Gjatë vizitës, ministri u njoh nga afër me ambientet e reja të institucionit, Sallën Operative, hapësirat e dedikuara për shërbimin ndaj qytetarëve, si edhe me kushtet e krijuara për punën e efektivëve të Policisë.
Në fjalën e tij, ministri Lamallari theksoi se investimet në Policinë e Shtetit janë investime të drejtpërdrejta në sigurinë e qytetarëve dhe në forcimin e shtetit të së drejtës.
"Infrastruktura moderne nuk është luks, por domosdoshmëri për një polici më efikase, më profesionale dhe më pranë qytetarëve. Modernizimi i godinave ecën paralelisht me modernizimin e teknologjisë, rritjen e profesionalizmit të punonjësve dhe forcimin e standardeve të shërbimit ndaj qytetarëve", u shpreh ministri.
Objekti i ri përfshin ndërtimin e një godine moderne me tre kate mbi tokë dhe një kat nëntokë, si edhe rikonstruksionin e plotë të godinës së Drejtorisë Vendore të Policisë, Komisariatit të Policisë Elbasan, oficinës së riparimit të mjeteve, kabinës elektrike dhe ambienteve të njësisë së qenve të policisë. Projekti ka përfshirë gjithashtu sistemimin e ambienteve të jashtme, ndërtimin e murit rrethues dhe krijimin e hapësirave të dedikuara për parkimin e mjeteve.
Falë këtij investimi janë përmirësuar ndjeshëm kushtet e punës për 332 punonjës të Policisë së Shtetit në Elbasan, ndërsa qytetarët do të marrin shërbime në ambiente moderne, me standarde bashkëkohore dhe me akses më të mirë.
Një rëndësi e veçantë i është kushtuar respektimit të të drejtave të njeriut. Dhomat e shoqërimit dhe ndalimit janë ndërtuar sipas standardeve bashkëkohore, me ambiente të posaçme për të miturit, për takimet me avokatin dhe për ekzaminimin nga mjeku, duke garantuar trajtim dinjitoz gjatë çdo procedure policore.
Godina është pajisur gjithashtu me një Sallë Operative të ndërtuar sipas standardeve të reja, e cila mundëson marrjen dhe transmetimin në kohë reale të informacionit, duke rritur ndjeshëm kapacitetet e reagimit dhe koordinimit operacional.
Ministri Lamallari vlerësoi punën e strukturave të Policisë së Shtetit në qarkun e Elbasanit dhe nënvizoi se transformimi i Policisë do të vijojë me investime në infrastrukturë, teknologji dhe burime njerëzore, me synimin për të ndërtuar një polici moderne, profesionale, transparente dhe gjithnjë e më pranë qytetarëve, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, tha se ky investim iu shërben të gjithë banorëve të Elbasanit.
“Ky investim nuk ju shërben vetëm punonjësve të policisë, por të gjithë qytetarëve që do të vijnë te dera e policisë për shqetësimet që kanë. Jemi të vendosur që të vazhdojmë pa hezitim veprimtarinë tonë policore në ruajtje të rendit dhe sigurisë publike”, tha Hita.
Lini një Përgjigje