KPA: Arjan Qafa ka mbajtur qëndrime që bien ndesh me vlerat e gjyqtarit

30 Nëntor 2023, 20:50Kronika TEMA
KPA: Arjan Qafa ka mbajtur qëndrime që bien ndesh me vlerat e

Vendimi i zbardhur i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit vë në dukje se shumica dërrmuese e pretendimeve të ish-gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Apelit, Arjan Qafa,  ndaj vendimit të KPK nuk qëndronin dhe ai duhet të shkarkohej. Në mendim paralel gjyqtarja Mimoza Tasi kundërshtoi shkarkimin për “cënim të besimit të publikut te drejtësia”.

Nga Vladimir Karaj

Në mbrojtjen e tij në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit ish-gjyqtari i Gjykatës Administrative të Apelit Arjan Qafa, këmbënguli të rrëzonte gjetjet e Komisionit mbi një dokument të krijuar për të justifikuar 70 mijë euro që bashkëshortja e tij pretendonte se kishte marrë nga i vëllai.

Mënyra se si ishin transferuar këto para ishte deklaruar e ndryshme në raste të ndryshme nga Qafa dhe personat e lidhur. Deklarimi për këto para u tjetërsua sërish gjatë procesit të rivlerësimit përmes një deklarate para një avokati që pretendohet të jetë e vitit 2005, por që si për Komisionin e Pavarur të Kualifikimit edhe për Kolegjin është prodhuar vetëm pas vitit 2016.

Në ankimin e tij, që u rrëzua në 26 prill të këtij viti në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ish-gjyqtari kapet pas përmendjes së fjalës NIPT nga Komisioni në vendimin e tij. Qafa pretendon se KPK ka shtuar fjalën NIPT që nuk gjendet në akt-marrëveshje.

Trupa e Kolegjit që shqyrtoi çështjen e përbërë nga Ina Rama, Albana Shtylla, Sokol Çomo, Rezarta Schuetz dhe Mimoza Tasi, ka qenë më skrupuloze në hetimin e dokumentit. Në vendim KPA thotë se në aktmarrëveshjen nuk përmendet fjala NIPT, por numri i vendosur në pjesën hyrëse të saj pas emrit të avokatit është identik me numrin NIPT që ky i fundit ka regjistruar pas vitit 2016.

Njësoj si KPK edhe Kolegji doli në përfundimin se dokumenti në fjalë “u krijua për efekt të ndryshimit të gjetjeve të hetimit administrativ” dhe se qëndrimet e subjektit në këtë rast ishin kontradiktore.

Duke iu referuar gjetjeve të hetimit shumica e trupës që vendosi shkarkimin e Qafës  arsyetoi se ish-gjyqtari veç problemeve të pasurisë, kishte cënuar besimin e publikut te drejtësia. “Me veprimet dhe mosveprimet e mësipërme, subjekti i rivlerësimit ka reflektuar një qëndrim që bie ndesh me vlerat që duhet të përçojë integriteti i gjyqtarit e që, për pasojë, krijon kushtet e cenimit të besimit të publikut te sistemi i drejtësisë”, thuhet në vendim.

Gjyqtarja Mimoza Tasi, që po ashtu ishte dakord me shkarkimin sa i përket problemeve të pasurisë, arsyeton se KPA nuk duhej të shtonte në vendimin e shkarkimit edhe cënimin e besimit të publikut.

Pretendimet proceduriale

Ish-gjyqtari Arjan Qafa në ankimin e tij në Kolegj, njësoj si shumë kolegë më herët, ngriti pretendime që praktikisht rrëzonin në tërësi procesin e vetingut. Të tilla ishin pretendimet se trupa nuk ishte krijuar sipas ligjit, apo se kishte shkelje për faktin se e njëjta trupë bënte hetimin dhe jepte vendimin. Të gjitha këto e të ngjashme u rrëzuan nga KPA.

Veç këtyre ankesave Qafa shtoi në pretendimet e tij se relatorja në çështjen e tij kishte qenë në konflikt interesi. Ish-gjyqtarit, i cili siç thotë KPA nuk e kishte ngritur këtë shqetësim në KPK, arsyetoi se konflikti i interesit lidhej me faktin se relatorja Pamela Qirko ishte motra e ministres Belinda Balluku. Qafa arsyeton se ai kishte gjykuar çështje me palë ministrinë që drejtonte Balluku dhe për pasojë kishte konflikt me motrën e saj që ndoqi çështjen e tij në veting.

Por Kolegji e rrëzoi pretendimin si të pabazuar. “Por vetëm ky fakt, pra, ushtrimi i funksionit, pa u arritur të provohet interesi privat i zyrtarit në këndvështrim të parashikimeve të ligjit nr. 9367, datë 07.04.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, i ndryshuar, të sipërcituara, nuk mund të përbëjnë shkak njëanshmërie për komisioneren znj. Pamela Qirko, motra e ministres në fjalë”, thuhet në vendim.

Qafa po ashtu ngriti pretendime të tjera, që duken se qëndrojnë në ajër. Sipas tij KPK i kishte cënuar të drejtën e ushtrimit të besimit fetar, pasi një prej pyetësorëve ishte dërguar në datë 13 prill 2020. Qafa pretendon se kjo ishte dita zyrtare e festës së Pashkëve Katolike.

Por Kolegji gjeti lehtësisht se Pashkët Katolike të vitit 2020 nuk ishin në datën 13 prill, ditë e hënë, por një ditë më herët të dielën 12 prill dhe se gjyqtarit i ishte dhënë nga Komisioni mjaftueshëm kohë edhe pas pashkëve për t'iu përgjigjur pyetjeve. “Sa më sipër, trupi gjykues vlerësoi se dërgimi i pyetësorit nr. 3 prej Komisionit në datën 13.04.2020, nuk duket se ka cenuar lirinë e ushtrimit të besimit fetar nga subjekti i rivlerësimit”, thuhet në vendim.

Njëlloj u rrëzua edhe pretendimi se Komisioni i kishte kërkuar të shkelte karantinën.  Kolegji po ashtu gjeti se një pjesë e pretendimeve të Qafës ishin përsëritje e shpjegimeve të dhëna prej tij në Komision. KPA po ashtu rrëzoi pretendimet e ish-gjyqtarit për të marrë prova të reja.

Megjithatë Kolegji gjeti KPK-në me shkelje sa i përket datës së zbardhjes së vendimit e cila ka tejkaluar afatin 30 ditorë, edhe pse arsyetoi se kjo nuk cënonte të drejtën e subjektit.

“Në përfundim të sa më sipër, pavarësisht se njoftimi i vendimit të Komisionit nuk ka respektuar afatin e përcaktuar në nenin 55, pika 7 e ligjit nr. 84/2016, trupi gjykues vlerësoi se kjo vonesë nuk ka cenuar të drejtën e subjektit të rivlerësimit për akses në gjykatë”, thuhet në vendim.

Ankimi për pasurinë

Problemet e pasurisë së ish-gjyqtarit Qafa janë të shumta sipas Kolegjit dhe Komisionit dhe fillojnë që me prona të marra sipas ligjit 7501 dhe AMTP të dyshimta, deri të dhurimet apo transfertat disa mijëra eruoshe brenda familjes.

Kolegji gjeti në shumicën e rasteve se ankimet e Qafës sa i përket vendimit të KPK mbi kriterin e pasurisë dhe pasuritë e marra në shqyrtim nuk qëndronin. Megjithatë KPA pranoi si të ligjshme disa nga dhuratat në cash të marra nga familja.

Rasti që duket se vulos fatin e ish-gjyqtarit është pretendimi se një shumë prej 70 mijë eurosh iu dha bashkëshortes nga vëllai. Më herët në KPK Qafa këmbënguli ta ndante veten nga pasuritë e bashkëshortes, por në Kolegj ai kryesisht ka pretenduar të rrëzojë vendimin e KPK duke pretenduar se Komisioni kishte tjetërsua faktet e të ngjashme.

Ai këmbënguli të merreshin parasysh të ardhurat e deklaruara si paga për punë të pjesshme të bashkëshortes në biznesin e vëllait, pavarësisht se sipas KPA në deklarimet vjetore dhe ato para ILDKPKI-së dhe prokurorisë ishin dhënë versione të ndryshme nga ish-gjyqtari dhe bashkëshortja.

KPA thotë në vendim se edhe shuma e paguar u rrit nga 35 mijë lekë të deklaruara në DPV-në e vitit 2008, në 60 mijë lekë gjatë hetimit administrativ.

Kundërshtimi mbi një aktmarrëveshje, që u prodhua për të justifikuar shumën, u rrëzua nga KPA me të njëjtin arsyetim si edhe nga Komisioni.  Pretendimet e Qafës për të vënë në dyshim vendimin e KPK sepse kjo e fundit kishte përdorur fjalën NIPT në vendim, pavarësisht se kjo fjalë nuk ishte në aktmarrëveshje, u rrëzua nga Kolegji.

“Trupi gjykues konstatoi se numri “{***}”, i cituar nga z. I. I., në aktmarrëveshjen e datës 01.03.2005, e hartuar prej tij, është numri unik i identifikimit, lëshuar nga QKB-ja, në datën 06.06.2016. Në këto kushte, trupi gjykues vlerësoi se është i drejtë konkluzioni i Komisionit se dokumenti “Aktmarrëveshje bashkëpunimi për hapjen e një biznesi si person fizik”, datë 01.03.2005, në rastin më të mirë është përpiluar pas datës 06.06.2016, datë në të cilën avokati I. I., është pajisur me NIPT-in e referuar në aktmarrëveshje”, thuhet në vendim edhe pse Kolegji pranon që fjala NIPT në fakt në aktmarrëveshje zëvendësohet nga gërmat Nr.

Kolegji po ashtu gjeti të pabazuar pretendimet mbi një shumë 10 mijë euro, që ndryshuan nga dhurim në vitin 2008, në para të hedhura nga dhurimet e të ftuarve në dasmën e bashkëshorte gjatë shpjegimeve mbi rezultatet e hetimit administrativ, nuk qëndronin.

KPA vë në dukje se disa nga dokumentet dhe pretendimet e ngritura nga ish-gjyqtari u prodhuan enkas për procesin e rivlerësimit. Kjo përfshin edhe një aktmarrëveshje paramartesore, e pretenduar si e lidhur mes subjektit dhe bashkëshortes. Kolegji arsyeton se këto ishin “akte që nuk kanë ekzistuar më parë, por janë krijuar së fundmi, në një fazë të shtyrë të procesit të rivlerësimit” dhe vetëm “për shkak të vështirësisë së tij për t'u përballur e provuar të kundërtën e konstatimeve të hetimit administrativ”.

Trupa e KPA thotë se këto akte ishin një përpjekje për të prodhuar një situatë faktike shumë larg së vërtetës, e cila do të favorizonte subjektin në përfundim të procedurës së rivlerësimit.

Në fund shumica në KPA ka vendosur që Qafa të shkarkohej për dy shkelje të ligjit për rivlerësimin, përfshi deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë dhe cënim të besimit të publikut te drejtësia. Anëtarja Mimoza Tasi në një mendim paralel shprehet se binte dakord vetëm me një nga shkeljet, atë të deklarimit të pamjaftueshëm të pasurisë.

Lini një Përgjigje