Dy persona janë vënë në pranga, pasi kultivuan 212 rrënjë kanabis në Krujë.
Në pranga janë vënë kushërinjtë, Fabian Farruku dhe Klajdi Farruku, të cilët u kapën në flagrancë në vendin ku kishin mbjellë fidanët.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, finalizuan operacionin e quajtuar “Koordinata”, ndërsa u sekuestruan një pjesë e vogël e fidanëve narkotikë, një sasi e vogël kanabisi, 1 aparat celular dhe automjeti që ata përdornin për të shkuar në vendin ku kishin kultivuar fidanët.
"Si rezultat i kontrolleve, në fshatin Borizanë, Krujë, u gjetën të kultivuar 212 fidanë të dyshuar narkotike cannabis sativa. Gjithashtu, u kapën në flagrancë shtetasit Fabian Farruku, 25 vjeç dhe Klajdi Farruku, 21 vjeç (kushërinj), banues në Borizanë, të cilët u arrestuan si autorë të dyshuar.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një pjesë e vogël e fidanëve narkotikë, një sasi e vogël kanabisi, 1 aparat celular dhe automjeti që këta shtetas përdornin për të shkuar në vendin ku kishin kultivuar fidanët narkotikë", njoftoi sot policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Lini një Përgjigje